Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Anna Montellas vjen në shqip nga Arjan Kallço

Anna Montella është operatore kulturore dhe për komunikimin, shkrimtare, gazetare, eksperte në marketing dhe komunimim shoqëror. Nga viti 2017 është sekretare e Dhomës së Poetëve. Ka ideuar kafe letrare: ‘Hëna dhe Dragoi’, projekt kulturor në kuadrin e së cilave organizon konkurse dhe evente kulturore. Është anëtare e jurive e shumë çmimeve letrare. Ideoi çmimin ‘Zëra mesdhetarë’. E impenjuar në shoqëri merr pjesë në rekuperimin e kujtesës historike. Ka marrë disa çmime, mes të cilave “Çmimi për kulturën 2020”, “Ekselenca e territorit në 2018”, çmimin special ‘Thesaurus 2016’. Në vite ka botuar disa libra, mes të cilave ‘Aromë bajamesh të hidhura 2002’, ‘Shpirti në pasqyrë 2013’, ‘Stina në mes 2014’, ‘Dhe e shikoj botën nga një dritare 2016’, ‘Krokodilin tim e shkuaj vetë 2019’, ‘Shiu është një gjendje shpirtërore 2020’, etj.

 

Trëndafilat që nuk i mblodha

 

Shi fijeartë e pluhur yjesh

Trëndafilat dot që s’i mblodha

janë gjithmonë më të bukur.

 

Bardhësi virgjërie e një fustani nusërie

Jetë të shkruara me laps mbi një petal trëndafili

Aliçja në një vend me mrekulli të përjetshme

Kurora të shkëlqyeshme në fundet e shisheve…

 

Ëndrra e Lindjes në qëndisjen e një shalli

Trëndafilat që dot s’i mblodha në një fluturim fluturash.

 

Zonja e kështjellës në një përrallë të gabuar

I zgjidhi gërshetat e veta bukuroshja e fjetur

Aliçja librin e mbylli dhe shtriga u zgjua…

 

Netë me hënë të plotë dhe xixëllonja të argjendta

Trëndafilat që dot s’i mblodha kanë aromë ere.

 

Të lira tashmë nga një ëndërr e krijuar në letër

Gra në ditë me diell dhe ditë me furtuna

Ciganja në magjinë e një libri të kristaltë

Sy të shndritshëm ambre dhe buzë korali

Fate që gërshetohen në një pëllëmbë dore

Bija të një kohe tjetër padrone të botës…

 

Varëse guackash dhe byzylykë në duar

Të kuqe dhe plot aromë janë trëndafilat

që dot s’i mblodha.

 

Netëve

 

Drapëri i hënës në një fije ere

Në blunë e thellë një yll i argjendtë

Troket nata me histori magjepsëse

E endur me ëndrra, me duar shtoijzovallesh…

Hapa të butë…

Një mace syhapët u ndal

Tek dëgjonte një tingull të paqartë…

Prej bufit thirrja e lashtë në qiell

Një e qartë fëmije përhumbet, larg…

Më pas gjithçka qetësohet, një frmëmarrje e thellë

E mbush natën, atë të Natës…

Në heshtjen që duket e yshtur

I mundur, gjigandin e zuri gjumi…

Kjo është ora e dëshirave

E gjesteve të lashta dhe e mijëra mistereve

Ora kur kthehen ëndrrat e rrëmbyera

Të përhumbura të humbura të harruara

Kur keqardhja për histori të papërmbushura

Duket kujtime të jetës së jetuar

E gati duket se qielli larg

Mund të ciket me një të zgjatur të dorës.

 

 

Fluturimi i Feniksit

 

me britma të pazë do të end rrjeta heshtjesh

Do ta lë erën ta fshijë zërin tim

Do ta vesh shpirtin tim lakuriq me rrecka me ngjyrë

Dhe do të ec nëpër shtigje pa emër

Shtjella rëre do të m’i mbulojnë gjurmët…

Hapi im i lehtë do të humbasë

Mes fytyrash pa emër

Dhe kënga ime do të ngrihet

Mbi notat e një melodie pa tinguj…

Me gishta kristali do ta shqyej kaltërsinë

Duke kërkuar furtunën

Dhe do ta lejoj që fluturojë përsëri me shi

Të të rrëshqasin mbi lëkurën time

E djegur nga akulli i mijëra dimrash…

Do të ngre në shkretëtirë katedrale me duar të shtrira

Dhe lule guri do të marrin jetë

Nën hijen e sekreteve të harruara…

Zjarre nomade do ta ndezin natën

Në një lutje të heshtur

Dhe cigane pa histori do të vallëzoj

Në rrethin e pafund të rikthimeve…

Do t’ia kthej kurrizin perëndimit të artë

Do të thurr kurora me emocione

Do ta rrëmbej argjendin e yjeve

Dhe në sekretet e padepërtueshme të kullave pa kohë

Do t’i mbyll ëndrrat dhe buzëqeshjet e mia…

Si kuçedër e re do ta ngre shikimin tim mbi botën

E do t’i zgjidh flokët

Duke u shkrirë me ngjyrat e natës.

 

Zonja Dorè

 

Në dhomat e kujtesës

Zonja Dorè mbeti vetëm

Prej shumë vajzave Zonja Fat

Nuk i la as edhe një…

Por në trapazanin mes pëlhurit dhe merimagave

Nuk mërzitemi, numërojmë vitet

Dhe mes kujtimesh, më të ëmblat dhe më të hidhurat,

Janë shtrigat dhe kusarët…

Është dita e parë dridhëse e shkollës

Përparsja e zezë dhe aroma e vjollcës

…ishin treqind, ishin të rinj dhe të fortë…

Historia mashtron…kurrë nuk vdiqën,

Në shtëpinë e Gjyshes Shpresë

Karlota vazhdon vallëzimin e saj të përjetshëm…

Fletore kuq e zi me vija

Aromë fëmijërije dhe kujtime të rrëmbyera

Dashuria e parë, dhimbja e parë

Lotë të kaltër në një rreze dielli

Një ëndërr e paqartë, një portret i zbehtë

Rigjen përvijime me majën e gishtit…

Zonja Doré buzëqesh mes lotëve

Notat e humbura u shndërruan në këngë

Dhe në dhomat e kujtesës

Ende ndihet aroma e vjollcës.

 

Mos u ndal pak

 

…dhe nëse një ditë

Ti duhet të kthehesh

Në vendet që të panë

Tek qeshje, qaje, ëndërroje

Mos u ndal një çast…

E shkuara nuk ekziston më

Në arratisjen drej dhomave

Të kujtesës

Nuk do të mund ta gjesh më

Vetveten si ishe.

E përhumbur,

Është arratisur edhe ajo

Bashkë me kujtimet

Të rrëmbyera tutje

Me pëlhurin e kohës.

Çliroji pallamarët

Nga deti i kujtesës

Në aventurat

Ndër tallazet e të sotmes.

Lëre që barka jote

E çankoruar

Ta ndjekë rrymën

Mos i bëj rezistencë

Lëshoji flokët

Dhe kapërceje furtunën.

Jetoji ditët e tua

Mos e ki frikë të ardhmen.

Ajo që do të vijë

Ende do ta ketë shikimin tënd.

 

Dritë dhe hije

 

Malinkonia e hollë

E një rruge në perëndim

Në magjinë surreale

Të fenerëve të vjetër…

 

Nëpër rrugët e vetmuara

Jehona dridhëse i pasioneve të lashta…

Të burgosura në kujtime

Vendesh

Në kohët ët tjera të jetuara

Figura të heshtura

…vallëzojnë…

Prej notave të melodive

Të humbura…

 

Dhe kthehet herë pas herë prapë rinia

 

Vitet e mrekullueshme të mundimeve

Vrapi me “ tallazet e zemrës”

Dashuritë adoleshente, gënjeshtrat e ëmbla

Ai kuptim vagëllues nga turpi

 

Lumi rrjedh

Që nuk e njeh grykëderdhjen

Të shumta pranverat dhe fluturimet guximtare

Vargjet e kënduara me gjysmë zëri

Ëndrrat dhe idealet të pafashitura kurrë

 

Ndjekin njëra-tjetrën agimet dhe stinët

Vera kalon shpejt dhe u ngrys tashmë

Ku përfunduan këngët

Sa larg që je pranvera ime

 

E megjithatë… mjafton një fllad i lehtë

…dhe herë pas here kthehet prapë rinia.

 

Përktheu Arjan Kallço

 

Please follow and like us: