Fatmir Ceci: Shënime për librin “Letra për t’u djegur” të Riza Brahollit
Libri “Letra për t’u djegur” në lexim të parë mu duk si një procesverbal për egzekutimin në zjarr të disa letrave të pa vlefshme.
Gjatë leximit faqe për faqe shpesh kuptova se kjo ishte një litotë modestie e autorit ndaj m’u desh të shkruaja kundërshti si… Letra që të djegin, të ngrohin, letra dashurie mbi lëkurë, letra që fluturojnë, letra me sy, me gjak, me tik-tak …etj, etj cilësime si këto. Së fundmi vendos të kthesh mbrapsht egzekutimin duke qenë i bindur se këto janë “letra artistike” dhe jo që nuk duhet të digjen, por duhen lexuar me kujdes.
Që në poezinë e parë “letra nr. 1” përcëllohesh nga flakët e një “shpirti shkeputur prej yjesh” dhe ndihesh i entusiazmuar. Poezi pas poezie, të duket sikur kalon përmes zjarresh pagane e të lind një dëshirë që të përqafohesh me flakët që dalin nga një shpirt i flijuar në turrën e vargjeve. Por edhe kur librin e braktis vazhdon të jesh i përdëlluar nga iskrat, tymi dhe aromat që të ndjekin nga pas.
Nga një vrojtim i hollë autori të lë përshtypjen e një observatori biologjik multifunksional, vrojtues e hulumtues i “unit” dhe “Universit”. Shqisat e tij kanë një ndjeshmëri ajri për të kapur kudo rrezatimin dhe valëzimin poetik. Me veshin te heshtja me duhet t’i përgjoj e pikas vrujet e kumtet e gjethes (f. 64). Me shpirtrat e erës duhet të flas. (f. 65), do vij… të ngujohem në buzëqeshjen tënde (f. 16).
Në krijimin e tij poeti avancon deri në thellësi apo lartësi të padukshme dhe të pakapshme nga receptorë të zakonshëm. Për argument po japim disa sintagma letrare që formohen gjatë proceseve alkimike të Puthjes.
1-Puthja: I bën dritë një të verbri/ndriçon skutata e sekretet e pyllit femëror/shkëlqen si unazë në gishtin e saj/zgjatet si udhë për në ferr/çel si manushaqe mbi dëborë dhe ndjek diellin/plagë që djeg ose yll që ndrit/buzëqeshje që flirton me heshtjen si flakët me ujin, etj,.
Kur shijon maksimalisht kësisoj “fruta“nga ky kopësht agro-fantastik përshkohesh nga vorbulla ndjesie imanente e transhente.
Shpesh herë ndalesh një çast dhe zhytesh në një meditim të vështirë agnostik.
Cilat shqisa jam duke përdorur për të shijuar këtë gatesë artistike? Çfarë intesiteti po regjistron përqëndrimi im? Në çfarë amplitude po më luhatet vibrimi i emocioneve? Në çfarë temperature bashkëveprojnë e derivojnë efektet midis fjalëve? Çfarë fuqie dhe energji është ajo që çlirohet prej tyre? Sa i ndjeshëm dhe sa imun jam unë si lexues nga kontakti me këto atome sintaksore plot radioaktivitet poetik?
Përgjigjet bëhen të vështira per çdo makine inteligjence, por dhe për faktin se autori është një magjistar që mjeshtëron fjalën me plot mirësjellje e kulturë gjuhësore. Ai luan si virtuoz nëpër telat e kompanjarura të vargjeve, ai të sugjestionon e ndihesh mirë edhe pse sheh ender syhapur.
Është iluzionist. Një shqisë e tij kryen njëkohësisht shumë funksione të tjera. Psh syri i tij edhe sheh, edhe flet, edhe cicëron, edhe… Kjo lloj sinestezie e ndihmon në përkapjen dhe krijimin e lloj- lloj perceptimeve pamore e mendore me nivel estetik. Për më tej të këtij arsyetimi po marr shembull “Yjet“, një element poetik të përdorur rëndom nga të gjithë poetët. Ai i sheh yjet, i kundron, i ndez, i djeg, i bën hi, i shuan, iu thith tymin, i bën frymë të vetes, dialogon, ecën mbi to, i përjeton cm për cm dhe sekondë pas sekonde. Poezia e tij ndjen, nuhat, dëgjon, fikson, fotografon, inçizon çastin në viset më të afërta dhe më të largëta të vetëdijes dhe pavedijes, në tokë dhe në qiell, në gjak dhe në ajër.
Të gjitha këto nuk janë lëvdata boshe, por një punë mjeshtërore plot sqimë për të gjetur, thurrur e vjershëruar motive, kujtime, dëshira e përjetime që përmbushin (in) egzistencën e tij.
Shpesh autori arratiset nga toka, rrënjëzohet në të vetëm me gishtat e këmbëve, pjesa tjetër tejzgjatet e kalamendet në atmosferë deri tek portat e qiellit. Rri pezull mbi to krahëhapur, nuk hyn brenda tyre sepse “ka ngritur mëri me perënditë”. Ai i largohet realizmit romatik për t’iu përkushtuar një romantizmi -magjik me plot trille e maniera të vërteta dhe të pavërteta.
Vrojtimi dhe egzaminimi kolonoskopik i fjalës nga brenda në bërthamë i japin krijmtarisë së tij një dimension bipolar dhe një meritë të veçantë eksplorimi. Çdo lexuesi i lind e drejta të pyese: A ka mundur autori të ndërthurë të gjithë elementët kompoziconalë në atë nivel ekselence sa të krijojë gjeografinë dhe anatominë e skeletit të tij poetik? Unë mendoj se përgjithësisht po…
Ai jo vetëm që e njeh dhe dashuron poezinë, por dhe e zotëron mendjemadhësinë e saj. Ai e sfidon autoritetin e saj tradicional, e rimbjell, krijon hibrite dhe varitete të reja letrare të certifikuara. Ai e ripërtërin dhe rishfaq të dukshmet dhe të padukshmet e saj, i zbulon sekretet, i zgjon shpirtrat e fjetur.
Ndodh që kur bredh korridoreve të ndonjë poezie humbet toruan e bie papritur në grackë të metaforeve veshur me kamuflash. Efektet oshilante që përplasen tek ty të entusiazmojnë, të trishtojnë, të dhembin dhe të shërojnë. Në eksplorim të trupit të mobilizojnë shqisat, të invulsojnë shpirtin dhe më pas të zgjojnë instikte, përfytyrime, kujtime, ndjenja, mendime. Nga rrënjët dhe degët e poezive të tij të mbijnë në trup sythe dhe burbuqe të poezive të reja. Papritur bëhesh dhe ti poet dhe e pyet veten: Kush është shkaku i këtij përjetimi? Cilët elementë, detaje, situata, gjetje, figura e fjalë e krijuan atë?
Kur hyn nëpër brazdat e vargjeve dhe nis qëmton sintaksën dhe semantikën e fjalëve, fjalive dhe i krahason ato me ekuivalenca të tjera detyrohesh t’i krastitësh nga shumë përsëritje dhe teprica të panevojshme. Pavarësisht këtij persekucioni përsëri në mendje e zemër të mbeten plot fjalë, paradigma, sintagma bio me plot vegjetacion artistik.
Kur harrohesh ndër rreshta shpesh ndryshon klima, atmosfera dhe t’i përjeton çastin e përndritjes nga vezullimet dhe shkreptimat që aktivizohen nga përplasja e “yjeve” ndër vargje.
Meqënëse me autorin jemi nga e njëjta trevë, ndonjëherë me anë të kujtesës udhëtoja në retrospektivë. Kërkoja me këmbëngulje sekretin apo enigmën e suksesit të ndonjë poezie. Gjykoja, se si unë s’e paskam vërejtur më parë!? Ndjeja mërzi dhe krenari bashkë. Me këtë aludim dhe konkurencë formale dua të ritheksoj dhe njëherë talentin dhe ekspresivetin poetik të Brahollit.
AI… jeton në ajër, midis dritave dhe hijeve/trupin plot tinguj/sytë plot fjalë ngulur në erë (f. 39)/gjaku i vlon, aorta i çmendet,(f. 53)/në zemër një kor trëndafilash (f. 100)/një qiell me yje për kraharor (f. 52).
Më thoni ju: çka duhet shtuar më tepër për të portretizuar karizmën e këtij poeti gjithmonë inkandishent!?
Ndrësa përsa i përket lidhjes e dashurisë së tij me natyrën duhet thënë se është sa besnike aq dhe tradhëtare. Ai pranon atësinë, ADN e saj të përbashkëtat, por shpesh xheloz dhe ambicioz ai e vetëkrijon atë në laboratorin e tij. Ai largohet prej origjinës së saj me anë të fantazisë, idilit e muzës dhe flirton me të “përqafohet me hijen e një endrre/duke u shëndrruar në lule tingulli”.
Më pas ai shkopsit lëkurën e shkruar dhe fillon jetën me trillet dhe fanepsjet… Mbrëmja kërkëllin si zonjë/Era sjell triumfe/Në çdo rrudhë tënden shoh flutura (f. 110)/farat e kujtimeve lëshojnë sytha (f.106) Qiej që thërmohen në buzët e heshtjes (f. 106)/gjethet spërkatur me qeshje kthehen në flutura (f. 41). Me sa shihet më lart ai ndihet i papërfytyrueshëm, aq sa rregjistri i kësaj diagrame të çon në një atmosferë kaotike e mistike. I shqetësuar nga kjo anomali e kohës ai profetizon veten “që kaosit t’i vërë rregull” ( f. 106).
Për më shumë argument vlerash po ju servir edhe disa metafora plot imagjinatë sonike nga kurora e mbretërisë së tij. Dera u nevrikos dhe e këputi nervin/Kupa me durim ngre lart avuj dhe flet/perdet me kindet marrin frymë/Qetësia është pellg, faji eshte leshterik/Ai, një grusht mjegull/hiri në qetësi këndon/grua prej ere /lule tingulli/frymë drite/shtëpizë ajri/heshtje fizarmonike/zemër foleze dhe çerdhe (f. 41).
Nga poezia e gjatë dhe ekstravagante “Lermë të të puth” (f. 43.) po ju citoj se si fjalë pas fjale përshfaqet në dashurinë e tij metamorfoza e “puthjes”. Puthje:- këmbanë/-mbrëmje që digjet/-shi yjesh/-hënë e tretur/-…vrapim me kuaj në zemër/-natë e ikur/-valëzim nën lëkurë/-unazë në gisht. Kjo dashuri ekstazë shoqëruar nga muzika e ujit… dhe… zjarret e gjelbër, i nis dashnorët drejt qiellit/që të zgjojë nga gjumi njëmijë lauresha në njëmijë korije.
Harta e mendjes së tij mbushur plot fakte e konvecione reale dhe vizuale e ka epiqendrën në vendlindje, tek foleza e tij prindërore, tek nëna, babai, gjyshja, motra ku…/mbrëmjet bënin dashuri me mëngjezet/e dielli gjithë ditën e shihte në sy/farat e kujtimeve bien kudo/malli rrokullis gurë, etj. Më mbresëlënse janë dy poezitë për ditëlindjet e fëmijeve të tij. /drita u shtang mbi petale qau e qeshi me lot mëngjesi/ti erdhe si një lajm në buzën e Krishtit të më zbutje dimrin. Shihet qartë se si motive të dashurisë personale, familjare, gërshetohen, pikëtakohen e ngjizen bukur nëpër vargje me elementë të dashurisë dhe egizstencës unike.
Në shumë poezi stili i lirshëm, përzgjedhja, vendosja dhe rivendosja e fjalëve ndër vargje sipas një akt marrëveshje sintaksore, semantike e metrike të lë një shije pozitive ideo-estetike. Në disa poezi të gjata (poemtha) autori humbet racionalitetin. I etur për sasi, për tonelata, ai transporton në vagonat e vargjeve ”mineral steril“ me një përqindje shumë të vogel “floriri”. Ndërsa në disa raste të tjera imiton vargjet e milingonave që nxitojnë për në çerdhe me kokrrat e rënda të grurit në kurriz.
Kur ecën nëpër libër shpesh ndodhesh mes dritë- hijeve të një qielli melankolik të cilat tentojnë të mbajnë nën kontroll ngjyrimet verbuese. Ndriçimi, kontrastet apo simbiloka e tyre në harmoni dhe armiqësi me njera- tjetrën (ndonëse të zbehta e sekondare) të formojnë ylbere ndjesish e emocionesh.
Epistemologjia e Muzës së tij ka burim dhe përmbajtje dualiste, reale dhe mistike, fizike dhe metafizike,-Gjithshka nisi nga një hije që më trokiti mbrëmë/E si të mos u besoj shpirtrave…-Avujt e çajit i pushtojnë trurin/E përshfaqet Soni/Vetmia mer trajta lulesh.
Është mbresëlënes çasti kur libri-poet (apo poeti-libër) kalon herëpashere nëpër gjendje transi mbushur me dritë dhe zëra. Ti si lexues përfshihesh nga delire dhe iluzione të amshuara e hyn nën ndikimin dhe influencën e forcave animale.
-Aromë gruaje/ është e lehtë të shkruash për ty/Flokët e tua më sjellin vesën e zerave, (f. 37).
-Ndonjëherë nuk di çdo/Vrapon pas një luleje/Që kurrë s’e ke parë, f. 47.
-Ajo, Soni… tingull që vjen me një ruazë drite nga qielli/fluturon me krahë ajri rreth Diellit/ndaj dua që pyjet, era, lumi të këndojnë me mua sonte (f. 35).
– Ligjërimi i fjalëve ka një rrjedhe narative meditative dhe dialoguese pa truke, të papritura dhe kthesa.
Shumëllojshmëria dhe cilësia e figurave të ndryshme letrare si krahasimi, personifikimi, metafora, enumeracioni, apostrofa, antonimet, asonancat, etj e rrisin së tepërmi vlerën artistike të librit.
Në disa raste lehtësia për të krijuar dhe përdorur të gjitha llojet e metaforeve kthehet në metaforomani me një dendësi e inflacion që prish ekuivalencën në raportin midis mjetit -qëllimit figurës- funksionit,
– Ndër fjalët më të shumta në numër dhe në influencë janë: Ajër, hije, frymë, yje zjarr, puthje, heshtje. Ku të asocon veshin gërma ‘J’ e cila sfumon tingujt e fortë, apo ul akustikën e lartë. Përzjerja dhe gatesa e vargjeve me këto lloj fjalësh bazike I jep mundësi të krijojë larmi poezish të mrekullueshme. Gjatë përzgjedhjes, kultivimit, pllenimit të fjalëve artistike plot pjalm autori luan njëkohësisht dhe rolin e lules dhe të bletës
Mqs mbritëm në frymën e fundit të librit po ju kujtoj se… Nëse keni ende ftohtë lexoni hërepashere poezitë këtij liberi që t’ju ngrohin… pa u djegur.