Ismail Kadare-Helenës: Kur ti telefonoje…
KUR TI TELEFONOJE
(Helenës)
Telefonin nga gjumi i rëndë e i zi ti e zgjove
Me zërin e dashur, që dridhej ngrohtësisht.
Ishte dimër.
Unë isha i fundosur
Në kolltukët e palëvizshëm pranë vetmisë.
U afrova te qelqet.
Jashtë binte shi.
Vështrova me mirënjohje telat e gjatë telefonikë.
Ata vinin nga larg, pa u ndalur gjëkund, drejt e nga ti,
Nga aroma e flokëve të tu, nga vija besnike e buzëve,
Pa u ndalur e pa u pleksur me ylberet joshës, rrugës.
Ti qaje?
Jo. Pika shiu të ngrohtë nga telat binin.
Please follow and like us: