Mustafa V. Spahiu: SARAJE ZALLI
– Ese –
…Unë çdo ditë dëgjoj se si pulsi më rreh dhe profetizova ardhmëri të ndritshme. Ti, poezi, më përqafove krejt afsh me kahënitjen tënde shpirtërore… Ohhh sa mirë e ndiejva veten në fshat… Përqafimi yt ishte përqafimi i muzave yjore…
Tungjatjeta poezi – mbretëreshë dielli!
Të përkthej në këtë gjuhë të përditëshmërisë, ani pse kaherë dëgjova të thonë se nuk e duron dot… s’e duron dot “qafiri”… i është futur një pylli pa shtegdalje!
Por, si për inat të tyre, në agsholin më të hershëm se agimi, në mëngjesin e stërhershëm, kur askush nuk më sheh e ndjen gjë, mua më qaset Poezia – Mbretëresha e dielltë…!
Mirë se vjen, mëngjes dhe ti, ditë dhe ti, o buzëmuzg!
Tungjatjeta poezi!
Tungjatjeta, o Fatlumja fshehtësi e madhe e botës së bardhë, me lumbardhët që fluturojnë në paanësi… Ti që m’i hape portat e qiellit… Sa shumë diell më paskërka zemra…
Mos vallë, Muza Eratò, të solli te porta ime, ajo mikesha, më e lulzuara e valleve?… A të duhet edhe diçka për të kaluar mbi urëbardhën magjike me bukurinë, dashurinë, burimet, të parathënat, zgjuarsinë e frymëzimet?… të gjitha të para nga vera e vreshtave… sikurse pa bukë i uritur e pa ujë i etshëm si kumi?! Se pa poezinë nuk di as çka jam! Ajo është shpresa!… hajdede edhe sikur të mos i besosh vetvetes, ktheje nga ta kthesh, ajo mbetet pastërtorja e pagëzimit…!
Duhet të qëndisen motivet dhe situatat me mjeshtri milimetrike, se ngatërrohesh në rrjetën e flokëve të hënës, te ajo pogaçe e verdhë si misërnike… aty është lirika e poezsë që sërish s’më mjafton siç është e i them vetes: Oooo… qysh moti, kahmoti e kaherë, që nga fillimi i kësaj bote të bardhë, me katër grushta dhèu, ajo rrodhi dhe kulloi lumejve të mi të fshehtë, duke mbajtur pishtarë…!
Poezia ka ndezur zjarrin ndër netët e mia të gjata e të pagjumta… Ajo ka qenë Zonja e madhe e diellit, mbretëresha e rrugëve, e shtigjeve, e arave të bukës, gjoleve, lumenjve, deteve e bjeshkëve ku të magjeps shpezëria me cicërimat si mjalti i bletëve të kafenjta…. Të gjitha këto i kam lexuar në Librin e agimeve…
Zbatoj në dhjetravjeçarë urdhërin dhe porosinë e zemrës sime dhe them: Rrih dhe vazhdo këngën tënde… sido qoftë, ajo është Poezia jote – Mbretëreshë Dielli!… Madje edhe vitet e diellit, edhe vezullimin e yjve dhe numrin e pikave të shiut në det, dhe numrin e gjetheve në pyll, dhe numrin e psherëtimave nën qiell, ti ndryji në poezi… Dhe mos u vra për çka më nuk di e çka s’ke pëshpëritur ende!… e shkëlqyera ime, e plotfuqishmja ime, më se e nevojshmja dhe diellorja, ti, Poezi, Zoti im potent, Zoti im robërues!… Poezi që derdh mrekulli e gjithçka e lartëson!… Poezi që djeg fshehtësitë si ashklat dhe shkretëron nëpër botë si zjarret!!!
Dhe çka të them më për Atë?!… se janë të varfëra të gjitha ato që them… se kot i zgjoj fjalët porsi stralli nga zalli e i hedh përpjetë, me shpresë se në lartësi, larg tokës së turbullt dhe me balltakë, do të marr krahë, do të valoj dhe shushuroj si zogjtë e Kopshtit të Edenit, si zjarret, si kasnecët….
Sa e çuditshme qenka kjo botë! Vetëm grushtat e dritës verbuese e mëkojnë Poezinë – Mbretëreshë Dielli!… Ajo është ëndrra e fëmijëve që bëjnë saraje zalli… ajo është meraklesha e dy të dashuruarve që ecin ngadalë të përhumbur… e ku nuk është ajo…?!
Ajo i jep dritë syrit të shohë – ajo, Dritëpoezia!
Në Vendlindje, qershor/korrik 2019.