Albspirit

Media/News/Publishing

Viola Isufaj: KADARE NË LETRAT E SOTME FRANCEZE

 

Ky libër përbëhet nga dy pjesë, që, në pamje të parë, duket sikur nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në një pikëvështrim më të gjerë, të dy pjesët kanë të bëjnë me rrezatimin e veprës së shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare në botimet bashkëkohore në Francë, qoftë si rimarrje e një vepre të tij në vepra të tre autorëve të sotëm francezë, qoftë si shtjellim i romanit “Kush e solli Doruntinën” për nxënësit e kolegjeve të Francës.

Shtëpia e madhe botuese franceze “Hachette” ka botuar vitet e fundit serinë Remix, në të cilën lexuesi njihet me vepra të autorëve bashkëkohorë të frymëzuara nga shkrimtarë të tjerë, zakonisht më të njohur, francezë apo të huaj.

Në librin Remix 2, botim i vitit 2004, ndër autorët e huaj, vepra e të cilit është marrë si model, është Ismail Kadare me tregimin e tij “Përpara banjës”. Tre shkrimtarë të ditëve tona: Mathieu Riboulet, Vincent Brockvielle dhe Sophie Apert kanë shkruar dhe botuar tregimet e tyre nisur nga kjo vepër e autorit shqiptar.

Në tregimin e Kadaresë “Përpara banjës”,  bëhet një ritrajtim i vrasjes së Agamemnonit, kurse tri tekstet e francezëve zbërthejnë tregimin e Kadaresë, gjetjet e tij.

Seria Remix është më tepër se një përmbledhje tekstesh. Është një përpjekje për t’iu afruar ndryshe letërsisë. Franca dhe vende të tjera të përparuara kanë krijuar këtë përvojë të cilën e sjellim këtu për t’ua bërë të njohur lexuesve shqiptarë.

Tregimet e përkthyera të francezëve prandaj, shoqërohen në librin që keni tani në dorë, me një studim përcjellës, për të mundësuar njohjen me një lloj tjetër hapjeje të tekstit narrativ, jo përmes metodave dhe analizave shkencore, po përmes një teksti letrar, pra, artistikisht.

Rasti tjetër është ai i romanit “Kush e solli Doruntinën”, gjithashtu të Kadaresë, botuar nga shtëpia tjetër, e njohur dhe autoritare,” Larousse”, një degë e “Hachette Livre”.

Është pikërisht kjo shtëpi që në mënyrë tradicionale boton libra për shkollat e të gjitha niveleve, në rastin konkret, për kolegjet e Francës. Letërsia e propozuar prej saj synon bazën kulturoro-shpirtërore të një brezi të tërë.

Në studimin vijues janë trajtuar këto dy raste, si një dëshmi e qartë, ndonëse ende në fillimet e saj, e pranisë së letërsisë shqipe në familjen e letrave europiane.

E rëndësishme është se nuk kemi të bëjmë me vepra me interes lokal ekzotik, i cili mund te ketë nxitur zgjedhjen, por me motive universale, si vrasja e Agamemnonit, një burim i ndritshëm e i pashtershëm, trajtuar prej shekujve në letërsinë botërore.

Dy biseda me autorin shqiptar, njëra për tregimet remiks e tjetra për Doruntinën, u paraprijnë pjesëve përkatëse të studimit për të na sjellë sa më afër këtë përvojë.

Dhe duke dëshiruar që në çdo rast, që të gjitha rrugët të na çojnë me dashuri drejt letërsisë, dhe vetëm drejt letërsisë, urojmë më së fundmi që leximi të jetë i këndshëm.

 

 Fragment nga intervista e autores Isufaj me shkrimtarin Ismail Kadare

  1. I.- Agamemnoni shfaqet përsëri në universin kadarean. Flijimi i një Ifigjinie të kuqe tek dipiku “Vajza e Agamemnonit”; “Pasardhësi” hedh dritë mbi komplotin e familjeve rivale në pushtet dhe eliminimin e ish-kryeministrit Shehu, – një interpretim politik ky. Shpesh në veprën tuaj ka ndodhur shtegtimi i një personazhi nga një tregim tek tjetri, nga një roman tek tjetri, mirëpo këto dy rishfaqje të Agamemnonitjanë krejt të ndryshme. A mund të thuhet, megjithatë, se ky personazh arketip, kjo ide, ka shtegtuar nga tregimi në roman?

I.K.-Natyrisht që ka pasur një shtegtim. Por gjithashtu është veçanti e botës së letërsisë. Madje, siç dihet, në antikitet shtegtimi ka qenë shumë më i madh se në letrat e sotme. Ai ndodhte jo vetëm brenda veprës së një shkrimtari, por edhe nga një shkrimtar tek tjetri. Të njëjtat personazhe, si të ishin e njëjta trupë, i gjeje gjithkund: me dhjetëra Ulisë, Antigona, Filoktetë apo Agamemnonë në shkrimtarë të ndryshëm, madje, në kohëra të ndryshme.

Më vonë letërsia nisi të hiqte dorë nga kjo. Nuk e di nëse ka qenë një prirje e duhur pasuruese, apo e kundërta, varfëruese. Shembujt e rishfaqjes së personazheve të njëjta, sa vente bëheshin më të rrallë. Nga rastet më të njohura janë dy Faustët, njëri i Marlow-t, tjetri i Gëtes. Në kohët e sotme, kemi Makbethin e Joneskos. Do të ishte befasues një Hamlet tek Kafka, ose një Don Kishot i Balzakut. Në letërsinë tone është bërë një përpjekje jo fort e arrirë në vitet ’30. Disa herë e kam pranuar këtë tundim, si për shembull te ky tregim.

  1. I: – Mitet dhe arketipat e rishfaqur në veprën tuaj, interpretohen kryesisht nën dritën e aktualitetit politik. Kjo, lidhur me artikulimin artistik të politikës, (diktaturave, krimit) në veprën që keni krijuar. Në intervistat tuaja, në biseda të ndryshme, flitet për politikë po aq sa për letërsi, në mos edhe më shumë. Për asnjë shkrimtar tjetër shqiptar nuk është shfaqur kurrë një valë e tillëkureshtiedhe interesimi sa u takon marrëdhënieve të artit me politikën. Përse, sipas jush, ndodh kjo?

I.K.–Është krejtësisht e kundërta e asaj që mund të mendohet se motivet politike në veprën time janë rrjedhojë e ndonjë pasioni tim për të. Po jua them thjesht dhe qartë: në këtë jetë të shkurtër njerëzore, e vetmja gjë që më ka tërhequr tërësisht dhe seriozisht ka qenë arti. Sa për politikën, si politikë, ajo është e fundmja. Ndërkaq, politika është pjesë e jetës njerëzore, ashtu si krimi, si ankthet, si intrigat e mëdha. Ju e dini se letërsia, qysh dy mijë e pesëqind vite më parë, është marrë me krimin dhe gjithë ata që i vijnë pas. Është marrë me to si vëzhguese, si dëshmitare, së fundmi si gjykatëse e pamëshirshme.

  1. I. – Për të mos i ikur mitit: ka shumë diskutime për mitet në Shqipëri, sidomos për mitet e reja, ato moderne, për figura e vlera të kombit të kthyera në mite…

I.K. –Përgjithësisht, diskutimi kohët e fundit për mitet në Shqipëri, ka qenë një garë ku kanë konkurruar gjerësisht padija më e padurueshme me mungesën e moralit, cilësi tepër të shpeshta te shqiptarët e sotëm.  Do të mjaftonte kjo për të mos u zgjatur, kur bie fjala për të…

  1. I. –Tek “Stinë e mërzitshme në Olymp”, duket sikur përmes miteve zbuloni rrezikun për të ardhmen apokaliptike të botës…ky ështëvetëm njëri nga motivet. Më bën përshtypje se aty keni krijuar një lloj “rezidence” të hyjnive. I jeni kthyer pa pushim kësaj “rezidence” hyjnish në krejt krijimtarinë tuaj. Çfarë, përpos të tjerash, në mënyrë kaq të pashtershme, keni parë të burojë prej aty?

I.K. – Ajo që thoni ju është, pa dyshim, një ndër motivet e dramës, por nuk mendoj se ka ndonjë peshë të veçantë në të. Në të vërtetë, po të më bëni pyetjen, për fat të keq të shpeshtë, dhe po aq të bezdisshme: përse e kam shkruar këtë dramë, sinqerisht, do ta kisha të vështirë të përgjigjesha.

Në shkrimet e mia kam gjetur kohë më parë shprehjen e një dëshire të hershme sa naive, aq dhe trillane (për të mos thënë megalomane), për të shkruar (ose riparuar!) ndonjë nga dramat e humbura antike!

Kjo ka qenë shtysa e vërtetë. Olimpi më ka tërhequr gjithmonë si lagje e hyjnive, në atë traditë të njohur që shkrimtarët e botës i kanë tërhequr gjithmonë kështjellat a pallatet ku intrigat, qirinjtë e festës, vrasjet pas darke, marrin atë mister të veçantë, aq të nevojshëm për letërsinë. Bota e komunizmit, ashtu siç nuk ishte larg rrathëve të Dantes, po aq ishte e familjarizuar me Olimpin (Kremlini për shembull, ishte njëri nga shëmbëllimet).

Nga ky këndvështrim, Olimpi ka qenë pjesë e botës sonë. Mund të thuhet se letërsia e kishte si lagjen e vet, prej së cilës u shkëput me njëfarë vështirësie. I jam kthyer disa herë, fare natyrshëm. Më ka pëlqyer ta përfytyroj në një stinë të rëndomtë vjeshte, në mërzinë e përditshme, kur hyjneshat, për shembull, si ato zonjat e mërzitura që presin burrat nga udhëtimi, presin kthimin e Zeusit e të Prometheut, që janë thirrur diku “atje lart” për të dhënë shpjegime për grindjen e tyre të fundit, atë që do të bëhej më pas aq e famshme.

Kjo është, në radhë të parë, e gjitha. Të tjerat janë rrjedhojë e vetë letërsisë. Ajo të ushqen natyrshëm, si qumështi i nënës. /Gazeta Liberale

Please follow and like us: