Turqia e ‘tronditur’ që Shqipëria pranoi zgjerimin me 12 milje të Greqisë
Qetësia mbizotëron deri më tani në marrëdhëniet greko-turke në ditët e para të 2021. Pas një viti gjatë të cilit Greqia dhe Turqia sipas zyrtarëve europiane ishin “në prag lufte”, Athina po përgatitet për nisjen e një dialogu me Ankaranë.
Dy armiqtë e Mesdheut kanë thënë se do të përcaktojnë zonat detare në Mesdhe, në mënyrë që të vazhdojnë pa rrezikuar përplasen ushtarake më kërkimet për naftë dhe gaz në rajon.
Ditët e fundit, kreu i diplomacisë turke Mevlüt Çavuşolulu është përpjekur të paracaktojë rezultatin e bisedimeve, duke deklaruar se Ankaraja është e gatshme t’i japë Greqisë një shelf kontinental në zonën bregdetare përreth ishujve. Në debatin greko-turk përfshihen gjithashtu vendet me interesa të forta në rajon, si Shtetet e Bashkuara, të cilat përmes kanaleve diplomatike jozyrtare po i kërkojnë Athinës të mos humbasë kohë përpara nisjes së bisedimeve.
Megjithatë, një faktor edhe më i rëndësishëm duket të jetë Shqipëria, pasi Greqia pritet të mbajë një qëndrim edhe më të fortë pas zgjerimit me 12 milje në detin Jon. Me këtë vendim, Qeveria greke i klasifikon si të mbyllura gjiret në Ishujt e Diapontit dhe heq një vijë të drejtë ndarëse të ujërave territoriale që shtrihen deri në 12 milje. Mediat greke thonë se ky vendim është një mesazh i qartë drejtuar Turqisë duke ia bërë të qartë Ankarasë se “Greqia ruan të drejtën ekskluzive që të bëjë të njëjtën gjë edhe në zonat e tjera gjeografike”. Sipas tyre, Turqia është përpjekur të ndërhyrë diplomatikisht në bisedimet mes Athinës dhe Tiranës, për të shmangur një precedent të ngjashëm në Egje, por duket se ka dështuar.
Burimet thonë për mediat se zyrtarët nga Ministria e Jashtme Turke ka mbetur e befasuar kur ka lexuar pozicionin e Kryeministrit shqiptar Edi Rama pas vendimin e Athinës për të zgjerimin territorial në Jon në 12 milje detare . “Megjithëse një aleat dhe mik i Erdoganit, Kryeministri shqiptar ka folur në favor të së drejtës së Greqisë për të zgjeruar zonën e saj bregdetare. A është kjo një taktikë e Ramës, i cili e sheh që Shqipëria nuk mund të presë ndihmë nga ekonomia turke dhe e konsideron integrimin në familjen eropiane si rrugën e vetme, një perspektivë në të cilën ai nuk mund të ketë pritje pa ndihmën greke?”, shkruan gazeta greke “Protothema”.
Vendimi i Greqisë me Shqipërinë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të përcaktuar zonën e tyre detare është një mesazh i qartë për Turqinë se edhe Ankaraja dhe Athina mund të duhet të shkojnë në Hagë.
“Fakti është se pas zgjerimit të zonës bregdetare greke në Jon, zona detare që duhet të ndahet midis Greqisë dhe Shqipërisë është shumë e vogël. Dhe Tirana tashmë ka rënë dakord me Athinën për ta referuar mosmarrëveshjen në Hagë. Duke pasur parasysh vendimin e Athinës për të referuar mosmarrëveshjen Greko-Turke në Hagë, marrëveshja e Greqisë me Shqipërinë për të apeluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një goditje e rëndë për Ankaranë”, shkruan gazeta greke.
Turqia mësohet se ka lobuar deri më tani që Shqipëria të mos bëjë lëshime ndaj Greqisë. Edhe pse prek në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërinë, zgjerimi i Greqisë në Detin Jon është po ashtu një provë për të parë nëse mund të zgjerohet edhe në Egje. Mes përplasjeve disa- mujore me Turqinë, ku nuk kanë munguar as mjetet luftarake, Athina ka vendosur të ndajë të gjithë kufijtë detarë, duke ia bërë fakt të kryer Shqipërisë zgjerimin e sovranitetit të saj.
Edhe pse ky vendim nuk ndikon drejtpërdrejt në mosmarrëveshjen midis Greqisë dhe Turqisë, Mitsotakis paralajmëroi hapur se Athina mund të shtrijë ujërat e saj në drejtime të tjera.
Interesi për Detin Jon është rritur pasi kompani të mëdha botërore parashikuan se në këtë territor ka rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi. Kjo ka bërë që si Turqia ashtu edhe Italia të jenë sy e vesh nga marrëveshja mes Athinës dhe Tiranës.
Dy vite më parë, Greqia njoftoi po ashtu zgjerimin me 12 milje detare në të gjithë kufijtë e saj detar, përfshirë edhe Jonin, por u tërhoq pikërisht pas ndërhyrjes së Turqisë. Pa kaluar ende një javë nga deklarata e ish-ministrit Nikos Kotzias, Greqia vendosi të pezullonte aksionin diplomatik për zgjerimin me 12 milje detare të kufirit detar me Shqipërinë dhe Turqinë, pas kërcënimeve të kësaj të fundit.
Tirana zyrtare nuk doli asokohe me një qëndrim zyrtar, por deklaratat e kryediplomatit grek u pritën me “zjarr dhe tërbim” në Ankara. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çaushoglu, deklaroi se çdo veprim i Athinës për zgjerim të vijës së saj bregdetare, në Jon ose Egje, do të përbënte shkak për luftë (Casus Belli).
Si e pengoi Turqia marrëveshjen e 2009-ës për detin?
Athina i ka bërë thirrje Turqisë të mos ndërhyjë në negociatat me Shqipërinë pas deklaratave të admiralit të larguar turk dhe frymëzuesit të “Atdheut Blu”, Cihat Yaycı, i cili zbuloi se anulimi i marrëveshjes për përcaktimin e zonave detare midis Greqisë dhe Shqipërisë është bërë pas ndërhyrjes së Turqisë.
Në një intervste për Haberturk tre muaj më parë, Yaycı përshkroi sesi ndërhyri diplomatikisht Ankaraja për të bllokuar marrëveshjen e arritur nga Dora Bokojanis dhe Lulzim Basha: “Në vitin 2009 u nënshkrua një marrëveshje për ZEE midis Greqisë dhe Shqipërisë për të drejtat edhe të Shqipërisë në ishujt në Adriatik. Greqia përdori kufijtë “anësorë” në avantazhin e saj. Ne dërguam fshehtas raportin tonë Shqipërisë dhe paralajmëruam: “Po ju mashtrojnë”. Me gjithë nënshkrimin e marrëveshjes, Shqipëria kundërshtoi Greqinë, duke thënë: “Nuk është e drejtë që ishujt tanë dhe toka jonë të kenë të njëjtat të drejta”, ndërsa anuloi marrëveshjen duke e apeluar në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi ai në intervistën me gazetën turke. “Greqia ka kërkuar vazhdimisht që ishujt të pranohen si zona me juridiksion të barabartë detar si ato kontinentale, por nuk mund të bindte as Shqipërinë, as Italinë. Sidoqoftë, me të njëjtat argumente, ajo po ngre pretendime kundër Turqisë në Egje dhe në Mesdheun Lindor…”, shtoi ai.
Gjenerali deklaroi po ashtu se ish-ministri Bushati ishte larguar me ndërhyrjen e Ankarasë ndaj z. Rama, pikërisht sepse Turqia nuk donte që të vazhdonte Marrëveshja me Greqinë.
Deklaratat e tij nuk u shpëtuan zyrtarëve greke, pasi kjo ishte hera e parë që një zyrtar turk ka pranuar publikisht se operacioni në Shqipëri i iniciuar nga lideri i atëhershëm i opozitës dhe kryeministri aktual Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese, e cila çoi në anulimin e marrëveshjes të nënshkruar tashmë nga dy ministrat e jashtëm, u bë pas ndërhyrjes dhe udhëzimit turk.
Sipas gjeneralit, qëllimi i Turqisë ishte të shmangte një marrëveshje demarkacioni në të gjithë rajonin bazuar në parimet e Ligjit të Detit, siç është Marrëveshja greko-shqiptare e vitit 2009.
Duke folur në një forum të mbajtur në Athinë, Kryeministri shqiptar Edi Rama para disamuajsh kundërshtoi të gjitha raportet për ndërhyrjen turke, duke thënë se në kohën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ai nuk ka pasur asnjë takim me Erdogan dhe se edhe pas këtij momenti, Turqia nuk ka shfaqur asnjëherë interes për këtë çështje.
“Gjykata Kushtetuese mori vendim për këtë marrëveshje në 2009 dhe në atë kohë, as e kisha takuar dhe as kisha folur me Erdogan, asokohe Kryeministër i Turqisë. Nuk kishim asnjë raport. Ne vendosëm që marrëveshjen ta çonim në gjykatë për një arsye të thjeshtë, kishte një debat të madh në shoqëri, që u nis nga shoqëria civile dhe nuk doja që ky debat të shndërrohej në politik dhe në luftën e zakonshme mes opozitës dhe pozitës dhe ne e çuam në gjykatë. Është e pavërtetë ndërhyrja nga Turqia. Asnjëherë në asnjë takim me Presidentin Erdogan nuk kam dëgjuar prej tij që kjo marrëveshje është e ndonjë interesi për Turqinë. Na duhet të qartësojmë, sepse këto ide ndikojnë tek qëndrimet tona ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh Rama.
*Burimet: “Protothema”, “Haberturk”, SI