Vargje poetike nga Izet Shehu
MIDIS MALEVE TË KALTËR
Midis maleve të kaltër,
Në det dritash e shkëlqimi,
Kam një nënë,
Kam një vatër,
Kam një xixëllim gëzimi.
Mendja më mbeti pranë tyre,
Zemra pranë tyre më mbeti.
U dërgoj fjalë me yjet,
Se jam larg,
Jam larg i shkreti.
Midis maleve të kaltër
Kam të dashurit e mi:
Kam të gjallët,
Kam të vdekurit,
Kam një qiell me dashuri.
EJANI!
Ejani
Ju zogjt’ e malit,
Ejani të gjithë tek unë!
T’iu rrëfej viset e mallit,
Dheun që e dua shumë.
T’iu rrëfej viset e mia,
Perla plot me gaz e brenga,
Ku shpërthen në prill qershia,
Ku harbon pylli me ëndrra.
Ejani
Ju zogjt e malit,
Ejani këtu tek unë!
T’ju bëjmë fresk me flatra malli
Shelgjeve varur mbi lumë.
Ejani
Mbi bar të biem
Si të dehur… Si të humbur…
Nën atë ninullë qershie,
Nën atë ninullë të bukur.
Please follow and like us: