Albspirit

Media/News/Publishing

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (3)

Dikur këngët e tij dëgjoheshin në fshehtësi nga rinia shqiptare e viteve ’60 dhe sot vazhdon të mbetet një ndër idhujt e muzikës italiane, i cilësuar si miti i historisë muzikore.

Jehona ndërkombëtare e Adriano Çelentanos me karrierë më shumë se 50-vjeçare si kantautor, aktor, drejtues televiziv, ka shërbyer si shkas për një botim të ri rreth tij, nga shoqata ‘Çelentanto’ dhe president Shpend Xheka, përkthyer nga Arion Hysenbegasi me rastin e përvjetorit të lindjes.

Çelentano është bërë një emblemë dhe ikonë e shoqërisë italiane të periudhës pas Luftës së Dytë. Është një ndër këngëtarët e paktë italianë që ka arritur të shesë rreth 100 milionë disqe në mbarë botën, i cilësuar nga shumë autorë edhe si Elvis Presley italian.

Adriano Celentano u lind më 6 janar 1938 në Milano.

———————————–

Zbulimi i “rock”-ut

Në fillim të viteve ’50, Adrianoja la shkollën; pak për shkak se nuk i pëlqente shumë të vazhdonte studimet, pak sepse familja kishte nevojë për një të ardhur tjetër. Një zi e re dhe e dhembshme goditi atëherë familjen: Në vitin 1951 vdiq baba Leontinoja. Iku me urtësi, ashtu siç kishte qënë e urtë dhe e mënjanuar gjithë jeta e tij. Në këtë kohë, mbarështimi i familjes kaloi plotësisht në duart e mama Giudittas. Megjithëse Alessandro kishte një vend të mirë si paraqitës i “Isolanella”-s, puna e robaqepëses nuk mjaftonte për të ushqyer të gjithë. Kështu, Giuditta vendosi që, në rast se Adrianoja nuk kish dëshirë të mësonte në shkollë, do të bënte mirë të shkonte të punonte dhe të ndihmonte në mbajtjen e familjes.
Në vitet e para, ai bëri nga të gjitha. Mjeshtëria e parë që mësoi Adrianoja ishte ajo e tornitorit, një specializim që atëherë qe mjaft i kërkuar dhe që do t’ia bënte të mundur të gjente një vend pune si punëtor i shkallës së lartë. Në këtë kohë, veç të tjerash, puna e qëndrueshme, e përhershme ishte një fitore për të mërguarit dhe mama Giuditta shpresonte që biri i saj do të mund të hynte në ndonjë fabrikë a uzinë; por puna në torno nuk dukej se ishte synimi më i madh për Adrianon dhe, kështu, ai provoi të bëhej hidraulik. Sadoqë kjo ishte mjeshtëria e mikut të tij Sergio Cavagnera, as puna me tubat e rubinetat nuk i shkoi për shtat, nuk e kënaqte, nuk e argëtonte dhe, siç do të shihet më vonë, loja dhe argëtimi do të jenë në themel të punës së tij e edhe të karrierës së tij. Adrianoja e kishte një dëshirë të zjarrtë, i pëlqente të mësonte të meremetonte orët: Këto mekanizma që lexonin, që rrokjezonin rrjedhën e kohës e tërhiqnin fort dhe ai ishte gati të bënte gjithçka për të hyrë në një dyqan ku ndreqeshin ato, por tregu i atëhershëm i punës nuk e lejonte dhe kështu duhej të pranonte ndonjë punë të përkohëshme si grihës. Kjo periudhë kalimtare zgjati, megjithatë, dy vjet. Kur të gjitha shpresat u dukën se kishin humbur, arriti një ditë që “djaloshi i plogështuar i rrugës Gluck” mund të plotësonte dëshirën e tij: Një mik i tha që, në rrugën Tommaso Grossi, në qendër të Milanos, një i quajtur zotëri Galvani kërkonte një shegert, një djalosh për ta punësuar në dyqanin e tij. Adriano-ja u paraqit për të kërkuar punë tek ajo “kantinë” (tek dyqani i zotit Galvani) plot me banakë. Galvani e vështroi dhe e vuri menjëherë në provë, i dha një përparëse dhe filloi t’i shpjegonte të fshehtat e mjeshtërisë.
Më në fund, “një punë e vërtetë”. Pasioni i Adriano-s për kohëmatësit (orët), nuk është shuar kurrë. Në vilën e tij të Galbiates është edhe sot e kësaj dite një dhomë e gjitha e pajisur me tryeza pune dhe makineri të sofistikuara e vegla për ndreqje orësh. Kur gjen pak kohë të lirë mbyllet aty brenda dhe përpiqet të rregullojë ndonjë orë ose ndonjë zile ore të familjes; por nuk duhet ngutur: Gjuhët e këqija thonë që në laboratorin e tij gjendet ende një orë me zile, që e motra ia ka dhënë për t’ia ndrequr… disa vite më parë.
Mjeshtëria e orëndreqësit dukej tashmë një arritje, por fati kishte përgatitur mjaft gjëra të tjera për Adriano-n. Lajmëtari i këtij fati quhej Nino, vëllai i një valltari “tip tap”-i. Duke punuar mes orëve, Adriano-ja kishte zhvilluar atëherë një farë pasioni për muzikën dhe ishte tërhequr, madje rrëmbyer nga vallëtarë të tillë, që i kishte parë në disa filma të rrallë muzikorë të ardhur nga Shtetet e Bashkuara. Ai ritmi, që buronte nga trokitja e takave të hekurta, e magjepste. I kishte kërkuar Ninos ta takonte me të vëllanë për të marrë disa mësime, por nuk ia doli. Prapëseprapë, ishte pikërisht Nino-ja, ai që i bëri zë Adriano-s: “Takohemi, sepse ti duhet të shohësh e të dëgjosh diçka që do të të pëlqejë”. Adriano u bë kureshtar dhe kur u takua me mikun, Ninoja i tregoi një disk amerikan të importuar: “Rock around the Clock” (“Ditë e natë Rock”; angl. në tekst; sh.p.), një nga kokat e nxehta të rock-ut, kënduar nga Bill Haley dhe shoqëruar nga grupi “His Comets”.
Nuk u ndal vetëm te njëri prej disqeve të shumtë që nisën të vinin nga Shtetet e Bashkuara: Qe fillimi i një revolucioni kultural e muzikor që po kapërcente oqeanin dhe po përshkonte kufijtë europiane. “Rock around the Clock” e ka burimin në vitin 1955 dhe gjendet edhe në shtyllën zanore të filmit “Black-board Jungle” (“Fara e dhunës”; angl. në tekst; sh.p.). Historianët e muzikës nuk kanë dyshim: Pjesa muzikore e Bill Haley-t është “guri miliar” i një përmbysjeje artistike, për të cilën Adriano-ja mori me mend shtrirjen që do të arrinte, peshën që do të kishte.
Kur dëgjon “L’orologio matto” (“Ora e çmendur”, apo “Kohëmatësi i çmendur”) kuptohet se ka diçka në notat përkatëse elektrizuese, diçka që të shkund brenda. Për atë (Adriano-n) ishte një lloj zbulimi. Kur në familje flitet për zanafillën e tij artistike, ai kujton pikërisht takimin shpirtëror dhe prekës me “rock”-un e Bill Haley-t. Në një intervistë me Gino Castaldon, Adrianoja do të tregonte kështu zanafillën e karrierës së tij: E pra, s’ka veçse pak kohë që kur është shfaqur kjo muzikë që po tërheq turmat, po zbraz rrugët në gjithë botën; tek ne arriti pesë muaj më parë. Unë isha dyshues, sepse nuk e kisha dëgjuar kurrë; megjithatë lexoja se të rinjtë shkallmonin, thyenin, shembnin gjithçka nëpër kinema, ku shpërthenin përherë përleshje të zhurmëshme dhe nuk kuptoja asgjë, më dukeshin të çmendur, por isha edhe kureshtar. Atëherë, unë rregulloja orët në shtëpi; nuk këndoja, i bija pak organos së vogël me gojë, fishkëlleja nganjëherë, isha jashtë çdo orbite muzikale, megjithëse në shtëpinë time këndonin të gjithë. Mirë, ishte dimër dhe rreth orës gjashtë të mbrëmjes erdhi te unë ai miku im. Isha pranë tryezës, duke ndrequr një orë dhe, pa e parë, pa u kthyer fare drejt tij, i thashë: «Vëre diku!». E kisha kokën të përkulur mbi orën. Ai e ngriti lart volumin e zërit (një rastësi e çuditshme: kënga emërtohej “L`orologio matto”) dhe mbeta si i goditur nga rrufeja. Ndala rrotullimet e kaçavidës, pastaj hoqa lenten; isha krejt pa fjalë e me vete thashë: «Tashti e kuptoj pse ndodhin ato gjëra; duhej të ndodhnin».
Kur miku më la diskun, unë mbeta si i shtangur; e dëgjova dhe e dëgjova në vazhdimësi dhe, papritmas, ndjeva nevojën ta mësoja përmenç e ta këndoja: Ishte si një sëmundje, si një drogë. Bill Haley e këndonte këtë pjesë në «si bimol», që nuk ishte tonaliteti im dhe kështu nuk arrita ta këndoja. U përpoqa, por u përpoqa aq shumë sa, ndoshta, mù rrit shtrirja e zërit. Më në fund e mësova aq mirë sa që amerikanët menduan se e dija anglishten; në të vërtetë, nuk e di as sot.
Një herë, kur ishim në një vend që quhej «Filocantanti», miqtë e rrugës Gluck, për të më ngacmuar, thanë se, mes tyre ishte dikush që e njihte «rock`n`roll»-in dhe, praktikisht më hodhën mbi podium. Ishte grupi (i instrumentistëve; sh.p.) që më pyeti: «Në ç`tonalitet(». Dhe unë: «Ç`është tonaliteti(». «Shkurt, lart apo poshtë, si e këndon(». Pastaj më thanë: «Ne po fillojmë e mbas nesh fillo ti». Dhe unë: «Jo. Do filloj unë, sepse pjesa është kështu» dhe e këndova nga kreu deri në fund. Nga ky moment, jeta ime ndryshoi; më parë duhej të mundohesha, të lodhesha për të vallëzuar me vajzat, më pas do të vinin ato për të më kërkuar të vallëzonim. Një vit më vonë shkoja shpesh te Santa Tecla dhe ishte përhapur fjala se, në Milano ishte një që këndonte «rock’n’roll»-in. Bruno Dossena, që ishte kampion i «boogie woogie»-ve (angl. në tekst; sh.p.),, organizoi në «Palazzo del Ghiaccio» (në «Pallatin e Akullt») Festivalin Botëror të «rock»-ut (maj ’57) që, sigurisht, nuk ishte i vërtetë; por në Europë qe i pari e nuk kishte këngëtarë, madje as në Francë: Johnny Halliday arriti dy apo tre vite më vonë dhe filloi duke kënduar një nga këngët e mija, «Ventiquattromila baci» («Njëzetekatërmijë të puthura»). E pra, qenë tetë orkestra «rock»-u dhe një këngëtar i vetëm, që isha unë. Kisha mbledhur duke qimtuar bandën time muzikore; në pianoforte qe Jannacci. Pastaj, megjithatë, e bllokuan: ndodhi një rrumujë, sadoqë Dossena e kishte organizuar aq mirë saqë brenda ishin pesëmijë njerëz dhe jashtë kishin mbetur pesëmijë të tjerë. Mbas kësaj, nuk mund të bëheshin mbrëmje me këtë grup, sepse policia ndaloi të gjitha koncertet e «rock’n’roll»-it. Sot duket e pabesueshme, por atëherë ngjallte pak frikë. Dossena-s i shkrepi në mendje të organizonte një «proçes për “rock’n’roll”-in» në «Teatro Novo» (në «Teatrin e Ri»). Ai shkoi për të fjalosur me policinë dhe tha: «E organizojmë pikërisht për të thënë që nuk duhet të shpërthejnë, nuk duhet të marrin flakë». Policia pranoi dhe, për pasojë, në «Teatro Novo»-n u zhvillua shfaqja. Para se të këndoja u thashë dëgjuesve se rrezikojmë të mos punojmë «prandaj duartrokisni, por jo shumë». Unë argëtohem me gjithçka, por kurrë si me «rock»-n: Është një zjarr që është ndezur dhe që nuk do të shuhet kurrë. «Rock»-u është si një fantazmë, që paraqitet përherë e thotë «do të jem në disk». Edhe sikur të vendos ta largoj, ky mendim është gjithmonë te unë”.
Duhet pasur parasysh se, në këto vite vala e muzikës “rock amerikan” ishte një lumë ujëshumë i gatshëm për të vërshuar në gjithë botën. Lista e mëtuesve të çmimit për këngën e parë të “rock’n’roll”-it fillon me “The Fat Man”, 1949 (angl. në tekst; sh.p.), inçizuar nga një këngëtar i New Orleans-it, Fats Domino, që u bë më pas një gjigand i “boogie”-s. Megjithatë, njeriu, të cilit i përket shpikja e emërtimit “rock’n’roll”, është Alan Freed, një “disc-jockey” (angl. në tekst; sh.p.) i bardhë i Cleveland-it, i cili, në fillim të viteve ’50, dha një transmetim radiofonik me titullin “Moomdog Rock’n’Roll Party” (angl. në tekst; sh.p.) për të përhapur muzikën e të zinjve midis një tërësie adoleshentësh të bardhë. Po atë vit, “Rocket 88” i Ike Turner ishte pa mëdyshje “rock’n’roll” dhe Gunter Lee Carr inçizoi të renë nga vallzimi “We’re Gonna Rock” (angl. në tekst; sh.p.). Pastaj, më 1951 ishin vërtet shumë të infektuar nga zjarrmija e “rock’n’roll”-it, por më tepër ishin të zinjtë, zezakët që e kishin të vështirë të largoheshin nga “ghetto”-t dhe nga rrethinat. Shtetet e Bashkuara ishin një vend ende i ndarë nga përplasje të forta raciale dhe mundësitë për një këngëtar të zi që të bëhej i famshëm si Frank Sinatra, ishin afër zeros. Kur Sam Phillips themeloi “Sun Records”-in (angl. në tekst; sh.p.) në Memphis (Tennessee) shqiptoi fjalinë e njohur: “If I could find a white man who sings with the Negro feel, I’d make a million dollars” (angl. në tekst; shqip: “Në rast se do të gjeja një të bardhë të aftë të këndonte me shpirtin e një zezaku, do të mund të bëhesha milioner”. Sh.p.).

 

https://alb-spirit.com/2020/01/03/shoqata-celentano-promovon-librin-e-bruno-perinit-daja-im-adriano-1/

https://alb-spirit.com/2020/01/05/shoqata-celentano-promovon-librin-e-bruno-perinit-daja-im-adriano-2/

Please follow and like us: