Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (4)
1957: “Revolucioni” zbarkon në Itali
Nuk dihen nëse Adrianoja i ka lexuar ndonjëherë këto fjalë të Sam Phillips, por është e sigurt që në një farë pike të jetës së tij gjeti me mend se vetë ai mund të ishte një nga shprehësit italianë të tërmetit muzikor, që po vinte nga përtejoqeani. Kuptoi që pjesë si “Rip It Up o Jailhouse Rock” (“45 xhirot” e para të inçizuara nga Adriano-ja me etiketën “Jolly”; emërtimi jepet në angl. në tekst; sh.p.), kënduar në Shtetet e Bashkuara nga një idhull i ri amerikan, Elvis Presley, mund të “importoheshin” në Itali. Në fillim, e gjitha dukej si një lodër: Të shtunën mbrëma, kur Adriano e miqtë e tij shkonin në “lokale vallëzimi” milaneze, ai, më i plogëti dhe edhe më pak i druajturi, filloi, gati si për të bërë shaka, të hypte mbi podium e të jepte shfaqje. Pastaj, mes mosbesimit të përgjithshëm të familjes dhe, veçanërisht, të mama Giudittas (që e quante birin e saj të vogël pak të krisur) Adrianoja vendosi të merrej përnjimend me muzikën dhe të formonte grupin e vet të parë “rock”, “Rock Boys”-in (angl. në tekst; sh.p.), një bandë të përbërë nga katër miq të tij: Tre vëllezërit Ratti në baterì, në bas e në kitarë dhe Ico Cerutti (torinez, i shpërngulur para pak kohe në Milano, bashkë me familjen) në kitarën e dytë. Kthesa e mirëfilltë e “Rock Boys”-ave u arrit, megjithatë, në vitin 1957, kur morrën pjesë, siç ka treguar vetë Adrianoja, në Festivalin e Parë të “Rock”-ut, të organizuar nga kërcimtari Bruno Dossena. Festivali i Parë u zhvillua më 18 maj 1957 në “Palazzo del Ghiaccio”-n e rrugës Piranesi, në Milano dhe në të morrën pjesë grupe qytetarësh si (sipas diçiturës së pllakatit të vogël zanafillor të asaj kohe e citimet e “Corriere della Sera”-s): “Celentano and his Rock Boys” (angl. në tekst; sh.p.), Ghigo e “gli Arrabbiati”, Don Corsaro, “Swing Parade” (angl. në tekst; sh.p.), Tony Renis, “Colombet”-ët (e mbiquajtur “Re del Cha-cha-cha”) dhe “Original Lambro Jazz Band” (angl. në tekst; sh.p.). Çdo grup kishte disa minuta në dorën e vet për të paraqitur tre apo katër këngë (këngë shumë të shkurtëra, që rrallëherë zgjasnin deri dy minuta). Ishte edhe një mbështetës financiar (një “sponsor”). Në të vërtetë, Festivali u quajt “Trofeo Oransoda” dhe kishte si synim t’u jepte çmime kërcimtarëve më të mëdhenj të “rock’n’roll”-it, të shoqëruar nga disa orkestra e këngëtarë të ftuar. “Trofeo”-n e fitoi “Dossena Rock Ballet” (emërtimi jepet angl. në tekst; sh.p.) i drejtuar nga trefish kampioni i botës Bruno Dossena. Ky festival u bë histori e “rock”-ut, por pikërisht për këtë u ndërtuan disa legjenda që, mbasi qarkulluan për vite me radhë, janë ndrequr nga vetë Adriano-ja në një transmetim televiziv, ndoshta për shkak të kujtesës së keqe të disa herojve kryesorë. E para është që, mes “Rock Boys”-ave (bandës së Adrianos) ishte, ndoshta, edhe Luigi Tenco në saks. E dyta është që, ndoshta Gaber qe paraqitur në grupin e Celentanos (ndonëse, në të vërtetë, ai u paraqit me Enzo Jannacci-n tek “Duo Corsaro” dhe herën e fundit në kitarë me Ghigo Agostin; vetëm më pas hyri te grupi “Rock Boys”). Luigi Tenco, Enzo Jannacci, Giorgio Gaber-i dhe Adriano Celentano ekzekutuan muzikë së bashku më vonë, me rastin e një udhëtimi në Gjermani. Nando De Luca (një muzikant që, për vite të tëra i ka qëndruar pranë Adrianos, (e ka përkrahur, e ka mbështetur) tregon historinë zbavitëse të “blof”-it gjerman. De Luca, një aranxhues shumë i kërkuar, i diplomuar në Konservatorin “Giuseppe Verdi” të Milanos, u afrua me Adriano-n për aranxhimin e “Azzurro”-s (“Kaltërsi”-së). “I detyrohem shumë Adrianos; në sajë të atij aranxhimi fillova të punoja seriozisht në botën e muzikës dhe kinemasë” (ka pohuar ai; sh.p.). Nënshkrimin e tij si kompozitor e gjejmë, ç’është e vërteta, në filmat “Romanzo popolare” (“Romacë popullore”) të Mario Monicellit, “Pasqualino Settebellezze e Fatto di sangue fra due uomini per causa di una vedova- Si sospettano moventi politici” (“Pasqualino Settebellezze dhe vrasje midis dy burrave për shkak të një vejusheje – dyshohen shkaqe politike”) të Lina Wertmüller-it dhe “Mani di velluto” (“Duar kadifeje”) të Castellano-s e Pipolo-s. Me arritjet e tij të shkëlqyera në “jazz” ka shoqëruar Joe Venutin, Stéphane Grappellin, Toots Thielemansin, Astor Piazzollan, Lee Konitzin, Tony Scottin, Caterina Valenten. Sot, përveç “jazz”-it, i përkushtohet kompozimit klasik, por kujton me përmallim, me një farë mallëngjimi ato vitet e turbullta ’60, pranë Adrianos.
Çfarë ndodhi gjatë atij udhëtimit në Gjermani? De Luca qesh me vete dhe fillon të tregojë: “Ishte fundi i vitit 1958. Adriano-ja më thirri dhe më tha ta takoja në rrugën Cesare Correnti, ku banonte. Më tha që ishte një mundësi e madhe për të punuar në Gjermani. «Mundësi e çfarë lloji?», e pyeta unë, i paduruar të mësoja hollësitë.
Adriano-ja më vështroi në sy dhe më shpjegoi që ishte mundësia të jepnim dy koncerte në Gjermani për të zëvendësuar Elvis Presleyn, atëhere mit në lindje e sipër i muzikës «rock». Kur dëgjova emrin e Elvis Presley-t u hodha mbi karrike edhe pse dukej e çuditshme të na thërrisnin ne të «Rock Boys»-it për ta zëvendësuar; por atëherë tharmi muzikor ishte aq i ethshëm saqë mund të ndodhte gjithçka. Grupi tonë ishte i përbërë nga unë, në piano e në bateri; nga Paolo Tommelleri, në saks e bas elektrik; Luigi Teneco, në saks kontralto; Giorgio Gaber, në kitarë; Enzo Jannacci, në piano e nganjëherë në bateri; Adriano, këngëtar. Bashkë me ne ishte edhe Alessandro, vëllai i Adrianos, që për vite me radhë ka qënë administratori i «Clan»-it. U nisëm për në Gjermani me nerva të ngacmuara, madje Adriano-ja filloi papritmas të jepte shenja mosbesimi. Dyshimi i parë lindi kur na u tha se nuk kishte buxhet të mjaftë dhe se do të paguheshim me përqindje, por kafshata ishte shumë e shijshme e nuk mund të hiqej dorë prej saj, aq më tepër që në Itali nuk kishte ndonjë punë të madhe për të bërë. Hypëm në trenin për Frankfurt, megjithë dyshimet tona dhe kur në mbrëmje arritëm në vendin e koncertit, kuptuam menjëherë që ishte një flluckë sapuni shumë e madhe. Nuk kishte asnjë teatër. Koncertin e parë, në qoftë se mund të quhet kështu, e dhamë në katin e parë të një birrarie, ku gjendeshin të shumtën njëqind veta; koncertin e dytë e dhamë në një skutë, apo më mirë, një birucë, në praninë e rreth pesëdhjetë njerëzve. Dhe, natyrisht, nuk pati asnjë lloj shpalljeje që të lajmëronte zëvendësimin e Elvis Presleyt. Këto koncerte fantazma kanë mbetur një e fshehtë dhe do të hyjnë në histori si një marrëzi e madhe boshe. Mirë që, Alessandro u bë pak a shumë si një baba e na siguroi të paktën ushqimin dhe strehimin falas”. Me një fjalë, një dështim i plotë. E çuditshme është që kjo histori mbeti e panjohur botërisht deri në vitin 2001, kur u tregua në transmetimin “125 milioni di cazzate” (“125 milionë gomarllëqe”) e pati si heronj një grup djemsh, atëherë të panjohur, që në vitet e mëpasme do të bëheshin shtylla mbajtëse të muzikës italiane si Tenco, Gaber, Jannacci dhe, natyrisht, Adriano.
Në qoftë se kjo është historia e vërtetë, në historigrafinë e këtyre viteve gjendet një pasaktësi: Adriano-ja kishte dhënë emërtimin “Festival i «rock»-ut i vitit 1957”, kur, në të vërtetë, ky manifestim ishte një garë kërcimi “rock’n’roll”-i akrobatik, ku orkestrat dhe “ulratorët” e parë (këngëtarët e parë me britma e ritëm të papërmbajtur; sh.p.) ishin tërësisht të ftuar për të mbështetur çiftet e kërcimtarëve diletantë e profesionistë, dhe grupet akrobatike si “Kombëtarja franceze e kërcimit”. Në fakt, ajo që mbetet është: Për Adriano-n, ky festival i zhvilluar në Milanon e tij, ishte nisja e një ngjitjeje lart rrëmbyese, mahnitëse, të pakundërshtueshme. Dhe është edhe një ngjarje që e pohon: Me sa duket, midis publikut të festivalit ishte i pranishëm Walter Guertler, një diskograf që kishte fituar përvojë jashtë (Italisë; sh.p.) dhe që në Itali kërkonte talente të reja (megjithëse kishte lindur në Zvicër dhe edhe do të vdiste, po, në Zvicër, ai jetoi e punoi gjithë jetën në Milano). Qe udhëçelësi i diskografisë në Itali. Në vitet ’40 (bashkë me vëllanë e tij Ernesto, që më 1965, do të linte çdo veprimtari në industrinë muzikale) filloi të importonte disqe dhe të shpërndante katalogë të huaj për tregun italian. Më 1948 vendosi t’i përkushtohej prodhimit vetjak të disqeve duke themeluar shtëpinë diskografike “Celson” dhe, po ashtu, më 1951 bleu një etiketë të dytë, “La Musica” (“Muzika”), që e mbajti më këmbë veçmas. Më 1958 vendosi t’i bashkonte të dyja ndërmarrjet nën emërtimin “SAAR” (“Società Articoli Acustici Riprodotti”) me ndejë në Milano, në shëtitoren e “Porta Vercellina”-s, nr. 14, duke krijuar dy etiketa: “Jolly” dhe “Joker”. Ai (Walter Guertler-i; sh.p.) e kuptoi vlerën e djaloshit, që ishte paraqitur në “Palazzo del Ghiaccio”: Kur në shfaqjen e “Ciao ti dirò”, Adriano-ja bëri të shpëthejë publiku me një nga ato lëvizjet e tij si prej shkundjeje elektrike, diskografi kuptoi që me këtë djalosh mund të nisej një “business” (angl. në tekst; sh.p.) i mirë. Menjëherë mbas koncertit, Guertler i parashtroi një kontratë për një nga etiketat e tij, për “La Music”, që ç’është e vërteta, do të botonte në pranverën e 1958-ës inçizimet e para të dajës tim (Adriano-s): të gjitha mbajtëse pjesësh “rock’n’roll”-i amerikan, të paraqitura në katër “45 xhiroshe”, të përmbledhura në dy “extended playing” (angl. në tekst; sh.p.) me sukses të pakët, deri në atë pikë sa të bëheshin thjesht rrallësi diskografike. Pavarësisht nga pajtimi i verbër i asaj kohe me mendimet, që shihnin te këta “birbo”, “të shthurrur” fundin e muzikës melodike, shfaqja e “Rock Boys”-ave u shtjellua shumë mirë nga shtypi kombëtar dhe, në veçanti, disa kritikë muzikorë nënvizuan aftësinë e Adriano-s për të interpretuar shkulmin e ri. Dallohej, megjithatë, Giorgio Bocca, që me pak snobizëm kritikoi ashpër këta djelmosha fillestarë. Ishte, po ashtu, Giorgio Bocca, që më 1987, mbas “Fantastico”-s, do ta cilësonte Celentanon:”një i pamend i talentuar”.
Para se të përfundonte në “SAAR”, Adriano-ja ishte munduar të shkonte tek mjaft e njohura “Ricordi”, por shtëpia diskografike, mbas një provëze, për të bërë një disk të vërtetë, i kishte kërkuar të paguante pesëmijë lira. Kur Adriano u përpoq të bindte nënën e tij për këtë mundësi, mama Giuditta e përzuri: “Çfarë? Në vënd që sjellësh të holla në shtëpi, duhet të paguash për të kënduar? Ik tutje!”. Më pas, ata të “Ricordi”-t u penduan që nuk e kishin kuptuar talentin e këtij djaloshi, që ishte paraqitur tek dera e tyre.
Suksesi i Adriano-s nuk u përkap menjëherë në familje. Kuptohej që diçka po ndodhte, por, sidomos mama Giuditta, gruaja me këmbë në tokë, me mendje të ngritur për të drejtuar rutinën e përditshme të familjes, donte të kuptonte ç’djall gjëje po sajonte biri i saj. Gjatë ditës, Adrianoja ishte i zhytur në mikromekanismat e orëve, ndërsa natën shkonte te lokalet që e lejonin të bënte të njihej damari i tij artistik. Këndoi në “Aretusa” dhe, në sajë të një miku, arriti të hynte edhe te “Santa Tecla”, një lokal që atëhere ishte një lloj katedrale e muzikës së lëvruar dhe ku shkonin shpesh diskografë të rëndësishëm e sipërmarrës. Me gjithë suksesin, qindarkat nuk po vinin. Adriano-ja kujton fjalosjet e lodhëshme me pronarin e “Santa Tecla”-s. Ai (Adrianoja) tashmë i njohur nëpër mjediset muzikore milaneze, kërkonte të trajtohej njëlloj si artistët e tjerë: një mijë lira, një panine dhe një birrë, por pronari dinak, me shfajsimin se Adriano-ja ishte vetëm fillestar, mjaftohej t’a paguante në natyrë: një panine e një birrë. “Por, në qoftë se kam sukses, pse nuk më paguan”, thoshte Adriano në fund të shfaqjes së tij. “Je ende një fillestar”, përgjigjej drejtuesi dhelparak, “dhe më pas do të trajtohesh si një njeri i suksesit”. Vetëm në vitet e mëvonëshme, pronari do të pranonte se kishte nënveftësuar këtë djalosh të shkathët që çdo mbrëmje zbriste te “Santa Tecla”. Më 1958 ndodhi diçka që do të rriste famën e djaloshit të shkathët: Në Milano u shpall një konkurs për imituesin më të mirë të Jerry Lewis-it, komikut të njohur amerikan që në këtë kohë bënte të mbusheshin sallat kinematografike të gjithë botës. Adriano-ja ishte i dhënë me gjithë shpirt mbas Jerry Lewisit dhe përpiqej ta shembëllente duke bërë para pasqyrës të njëjtat ngërdheshje si “picchiatello”-ja. (“Picchiatello” është një emërtim i sajuar me nisje nga folja “picchiare”, që do të thotë : rrah, godit, dhe që këtu përdoret për të cilësuar komikun, i cili “godet fuqishëm” me lojën e tij skenike, me fjalë të mprehta ngacmuese, me shakà rrëmbenjëse; sh.p.). Nëna e tij, kur pa ato ngërdheshje, mendoi se ndoshta i biri ishte pak i çmendur, ndërsa Ivonne, e shoqja e vëllajt Alessandro, kuptoi se ai mund ta bënte dhe kështu, pa i thënë asgjë të riut kunat, e regjistroi në konkurs. “Picchiatello”-ja italian fitoi çmimin e parë: njëqindmijë lira, një shifër shumë e madhe për atë kohë. Kur mama Giuditta mësoi për këtë fitore, nisi të qajë nga mallëngjimi dhe filloi ta merrte me gjithë mend karrierën artistike të të birit. Në familje u kuptua që diçka po ndryshonte; fama e dajë Adriano-s ishte ende e brishtë, por tashmë qarkullonin fotografitë e tij të shtypura në numur të madh. Kujtoj që, kur fitoi çmimin e parë si “imitator” i Jerry Lewis-it, unë isha në klasën e dytë fillore dhe mund t’i jepja më të fortit të klasës një foto me autografin e dajës tim në shkëmbim të një rrengu a inati të vogël.
Ishte edhe një grua tjetër që shikonte e zbehur ecjen përpara të djaloshit me të cilin shoqërohej qysh prej rreth një viti: Milena Cantù, e fejuara e parë e Adriano-s, ajo që do të bëhet vajza misterioze e “Clan”-it. Adriano-ja e Milena u njohën në një vend milanez vallëzimi, në “Branca”-n e rrugës Lancetti, një lokal mbrëmjesh argëtimi të zonës Bavisa, ku Adriano-ja filloi të jepte shfaqje gati për lojë. Ajo jetonte me prindërit e saj në rrugën Padova, një zonë kryesisht proletare në veri të Milanos, mjaft larg rrugës Lancetti. Në mbrëmjen e takimit shpërtheu goditja e rrufesë: Adriano-ja i shfaqi dëshirën për të bërë dy hapa së bashku. Ata filluan të shoqëroheshin me njëri-tjetrin menjëherë më pas dhe kështu lindi një lidhje midis tyre. Kur Milena e Adriano-ja u takuan, “djaloshi i rrugës Gluck” nuk ishte ende i njohur, karriera e tij qe në hapat e para. Në ato kohë ishte pa asnjë qindarkë në xhep dhe lëvizte me biçikletë ose, më e madhja, me Vespën e vogël të një miku. Milena u bë një e shtëpisë, vinte shpesh në familje dhe jo rrallë e shihnim në drekë me ne e me mama Giuditta-n. Për Adriano-n dukej gruaja e jetës së tij, por nuk qe ashtu: Lidhja e Adriano-s me Milena-n do të ndërpritej më 1961, kur në “set”-in (“shesh xhirimin”; sh.p.) e filmit “Uno strano tipo” (“Një tip i çuditshëm”) të Lucio Fulci-t do të ndodhte takimi fatal me Claudia Mori-n. Për Milena-n, ndarja me Adriano-n ishte e dhembëshme. Më vonë, ajo u martrua me Fausto Leali-n, me të cilin pati dy bija, të quajtura Deborah e Samanta. Milena qëndroi në botën e shfaqjeve, njohu edhe Giulio Rapetti (Mogol)-in, autorin e fjalëve, poetin e Lucio Battisti-t dhe, në vitet e më vonëshme, të mjaft albumeve të Adrianos. Thuhet se shumë tekste të këngëve të Battisti-t, të shkruara nga Mogol-i i janë përkushtuar Milena Cantù-së.
Për Adrianon ishte një periudhë kohe prodhuese: Një vit mbas Festivalit të “rock”-ut, suksesi filloi të dukej. Ende nuk ishte asgjë përballë viteve të mëpasme, por shtypi kombëtar dhe kritikët muzikorë e kishin kuptuar tashmë që ky djalosh pak më shumë se njëzetvjeçar kandidon për t’u bërë dëshmitari italian i revolucionit “rock” të ardhur nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Më 13 korrik 1959, Adriano-ja fitoi çmimin e parë në festivalin e Ancona-s me një këngë që do të bëhej kult, “Il tuo bacio è come un rock” (“Puthja tënde është si një rock”).
Në fund të marsit 1960, mbas një kontratoje dyvjeçare, Guertler-i, diskografi që e kishte zbuluar Adriano-n, vendosi të botonte “33 xhirëshin” e parë të Celentano-s, të titulluar: “Adriano Celentano con Giulio Libano e la sua orchestra” (“Adriano Celentano me Giulio Libano-n dhe orkestrën e tij”). Disku përmban disa pjesë tashmë të botuara në “45 xhirëshe” (si “Il tuo bacio è come un rock”) dhe vetëm dy të pabotuara: “Personality” (“Personalitet”) dhe “Il mondo gira” (“Bota rrotullohet”). Veprimtaria muzikore pati, megjithatë, një ndalesë të detyrueshme dymujore: Më 22 shtator, në të vërtetë, Adriano-ja pësoi një aksident automobilistik në orën dy të natës, mbasi kishte dhënë shfaqje në një lokal në “Rivarolo Re”. Atë natë ishte ai që drejtonte automobilin. E shoqëronin: e fejuara Milena Cantù, mbesa Evelina Santercole, motra e Gino-s dhe Eugenio, vëllai i Milena-s e i fejuari i Evelina-s. “Ishte natë”, tregon kushërira ime Evelina, “ktheheshim nga koncerti dhe udhëtonim nëpër një rrugë fshati. Më kujtohet që Adriano-ja ishte shumë i lodhur. Ti e di si është: kur Adriano jep një koncert nuk ndalet kurrë. Pak e quajnë «me susta». Atë mbrëmje nuk përgënjeshtroi veten dhe u përdrodh, u tund, u rropat mbi podium për më tepër se dy orë, si të kishte pësuar një goditje elektrike. Mendoj se duhej të ishte me të vërtetë i dërmuar. Nuk më kujtohen hollësitë e aksidentit, por më ka mbetur në mendje mekanika përkatëse: Në vend që të ndiqnim një kthesë, përfunduam drejt e në një hendek mjaft të thellë, ku rrezikuan të vriteshim. Për fat, prapa nesh ishte makina e dajë Sandro-s (vëllajt të madh të Adriano-s), që thirri ambulancën e na mbarti deri në spitalin më të afërt. Kur arritëm në ndihmën e shpejtë, unë isha nën «shock», por trembesha për Adriano-n, sepse më dukej se kishte pësuar përplasjen, goditjen më të fortë. Pak më vonë, mjekët më thanë se Adriano-ja kishte thyer brinjët, ndërsa Milena kishte thyer hundën. Unë e Eugenio, për fat, kishim shpëtuar shëndoshë e mirë”.
Evelina kujton, po ashtu, edhe ngjarjen e kolegjit, të shumë viteve më parë:
“Adriano-ja ka qënë për ne gjithmonë një vëlla i madh, përpara se një dajë. Më vjen në mend kur unë e Gino ishim në kolegj në Affori, në portat e Milanos. Nëna punonte, babai ishte i sëmurë dhe ne ishim shpënë nga nevoja në atë kolegjin e mallkuar. Adriano-ja dhe gjyshe Giuditta vinin e na takonin shpesh dhe çdo herë që vinin të na shihnin, ne derdhnim lumej lotësh. Një ditë, Adriano-ja nguli këmbë dhe iu drejtua nënës së tij duke i thënë: «Tashti mjaft më! Këta të rinj duhet të rikthehen në shtëpi, të dalë ku të dalë». Atëherë Adriano-ja nuk ishte ende i famshëm, nuk mund të merrte përsipër ngarkesën e një “bebysitter”-i (angl. në tekst; sh.p.), por ia doli njëlloj të bindte gjyshen. Për mua dhe për Gino-n ishte një çlirim i vërtetë; e kujtojmë këtë sjellje me shumë dashuri”.
Pak javë mbas daljes së “33 xhirëshit” të prodhuar nga Guertler, arriti “sëpata” e thirrjes nën armë: Celentano duhej të nisej për të kryer shërbimin ushtarak. CAR-in e kreu në fshatin Monferrato, pastaj u dërgua në Torino, në kazermën “Monrelli di Popolo”, në rrugën “Unione Sovietico”, ku, mes bashkëluftëtarëve, ishte edhe një i ri tastierist, Mariano Detto, me të cilin u lidh veçanërisht (dhe që, mbas mbarimit të shërbimit ushtarak, e futi në veprimtarinë e tij muzikore). Në gjysmën e kohës, shërbimi ushtarak i Adriano-s ishte nën vrojtim. Dyshohej se këngëtari mund të ishte i mbështetur, i përkrahur dhe kështu, hierarkia ushtarake, për të treguar që ai do të kishte një trajtim të barabartë me të tjerët, ia bëri kohën e shërbimit shumë të rëndë, shumë të vështirë. Megjithatë, në shkurtin e 1961-it, Adriano-ja duhej të merrte pjesë në “Festivalin e Sanremo”-s dhe për ta pranuar në skenë qe e nevojshme të merrej një leje e posaçme, e cila u nënshkrua nga Ministri i Mbrojtjes Giulio Andreotti. Ishte viti, në të cilin Adriano-ja, para miliona teleshikueve, i lejoi vetes të parën shkelje, duke i kthyer shpinën publikut. Çmimin e parë e mori Luciano Tajoli me “Al di là” (“Përtej”, apo “Bota e përtejme”), shenjë kjo, që muzika melodike tregonte ende një farë qëndrese, një farë kundërshtimi për t’i lëshuar rrugë “rock”-ut, por “Ventiquattromilla baci” (“Njëzetekatërmijë të puthura”) arriti vendin e dytë dhe u shit në më tepër se dyqindmijë kopje.
1960: “Bum”-i ekonomik dhe “Clan-i Celentano”
Në historinë e gjatë të Adrianos, viti 1961 është vendimtar. Adrianoja kishte atëherë tre vite suksesesh mbi shpatulla dhe kuptoi që kontratoja me SAAR-in e ndrydhte. Me një kontrato në dorë dhe me një karrierë që kishte filluar të jepte frytet e para, Adrianoja mund të qëndronte i qetë, por kjo nuk qe në DNA-në e tij. Kishte dëshirë të bënte diçka të jashtëzakonshme, diçka që ta lejonte të ishte më tepër krijues, më pak i lidhur, i penguar, apo i kushtëzuar. Kështu, një ditë, thirri ekonomistin e tij, mblodhi një grup miqsh dhe vendosi të bënte një hedhje të madhe: “Përgatisni gjithë dokumentacionin e nevojshëm; kam vendosur të themeloj një shtëpi diskografike timen”. Adrianoja e dinte që po kryente një hedhje me dyfish rrezik vdekjeje, por, megjithë këshillat e miqve dhe shqetësimet e ekonomistit, ai kishte vendosur të shkonte përpara në rrugën e tij, të ndiqte prirjen e vet natyrore që kishte udhëhequr e do të udhëheqë të gjitha zgjedhjet e tij profesionale. Brenda një kohe të shkurtër krijoi “Clan Celentano srl”-në: Një shoqëri vetjake të vendosur në rrugën Europa, numur 7; kapitali i shoqërisë, nëntëqindmijë lira. Adrianoja nuk ka qënë kurrë afarist i madh, por, në këtë rast, e kuptoi që ishte momenti i përshtatshëm për të nisur një sipërmarrje diskografike. Do të ishte edhe “mbreti i të paditurve”, por kuptonte me parandjenjë që në shoqërinë italiane ka tharm, ka farë, që nuk duhen lënë pas dore. Në të vërtetë ishin vitet e “bum”-it ekonomik të parë të madh të mbasluftës. Akumulimi ekonomik, grumbullimi i mjeteve financiare që ishte arritur gjatë viteve ’50 si pasojë e rindërtimit të mbasluftës, gjeti rrugëdalje të vetat, fushë veprimi të vetat në vitet e para ’60. Ishte fillimi i një epoke të re politike, kultorale dhe të zakoneve, dokeve, moralit. Filluan rrjedhat e para të dëndura të shtegëtimit nga jugu drejt veriut, të pasuara nga një “bum” ndërtimesh, që do të ishte në bazën e një spekullimi përkatës (“spekullim ndërtesash”, “spekullim ndërtimesh”) aq shumë të urryer nga “djaloshi i rrugës Gluck”. Në prodhimtarinë e tij artistike hasen gjurmë të panumurta të kësaj urrejtjeje për çimenton dhe për shkatërrimin e mjedisit gjatë këtyre viteve: Nga “Ragazzo della via Gluck” i vitit 1966 tek “Mondo in mi 7a ” (“Botë në mi 7a “) e të njëjtit vit, nga “Albero di trenta piani” (“Pemë me tridhjetë kate”) e 1972-it deri tek më e vona, “Dormi amore, la situazione non è buona” (“Fli e dashur, gjendja nuk është e mirë”). Daja im i krisur, ekologjist “ante litteram” (lat. në tekst; sh.p.), shihte me intuitë (megjithëse nuk kishte mjetet kulturore për të analizuar në themel dukuritë ekonomiko-shoqërore) që rrjeta prodhuese ishte duke ndryshuar e ishte duke marë me vete një spekullim ndërtimesh e pasurish të paluejtshme të pashembullt në historinë e Italisë. Vlera e tokës së qytetarizuar, të bërë kështu, jashtë mase lehtë e përshtatshme për ndërtim, mund të shitej duke fituar ndryshimin krejt të dukshëm midis çmimit të blerjes e atij të shitjes. Shteti italian u mundua me druajtje të mbarështonte dukurinë me Ligjin 765 të vitit 1965, të quajtur “Legge ponte” (“Ligj urë”), i cili duhej të jepte një rregull të parë për problematikën qytetare dhe të krijonte një “urë” drejt racionalizimit e mbrojtjes të ambientit, por tashmë ishte shumë vonë: Qytetet dhe veçanërisht Milano-ja, ishin shëmtuar, shpërfytyruar pandreqshmërisht. Në vitet ’60, kur Adrianoja u rikthyer të banonte në zonën e Stacionit Qendror, duke blerë një shtëpi për nënën dhe motrat e tij në rrugën Zuretti (një paralele me rrugën Gluck), gjeti një mjedis të panjohshëm.
Sidoqoftë, megjithë këshillat e këshilltarëve të këqinj, Adrianoja gjeti çastin e duhur për të vënë në jetë shtëpinë e tij diskografike, shprehu shpirtin e nisiativës të kohës. Disku i parë me etiketën “Clan” është “Stai lontana da me” (“Qëndro larg meje”), një sukses i papritur: Një milion e treqindmijë kopje. Ndoshta aftësia për të gjetur momentin e duhur nuk ishte çelësi i vetëm i suksesit të tij. Thembrata e fortë e popullaritetit të pamasë duhet kërkuar, nga njëra anë tek mërgimtarët e asaj kohe, të cilët shihnin tek ai, një djalosh që kishte dalë nga hiçi, që ishte çliruar nga varfërija dhe, nga ana tjetër, tek rrethi i të rinjve, që vetënjëjtësoheshin me këtë “kryengritës”, i cili kishte arritur të sillte në Itali një gjini muzikore, “rock’n’roll”-in, që po shkundte nga mpirja rininë e gjysmës së botës. “Clan”-i ishte shumë më tepër se një shtëpi diskografike: Ishte një lloj “komune” artistike, ku Celentano-ja (që në këtë kohë shiste qindra mijëra kopje për çdo “45 xhirrëshe”) mbledhte të afërt, si nipi i tij Gino Santercole ose e fejuara e atëherëshme, Milena Cantù dhe miq të vjetër si Ricky Gianco, Mycky Bel Prete, Luciano Beretta, “Ribelli”-t, Detto Mariano. Megjithatë, “Jolly”, etiketa që Adriano kishte hedhur në qarkullim në fundin e viteve ’50, nuk e përtypi dot zgjedhjen e tij për sipërmarrje dhe kundërshtoi vendimin për mosplotësim kontratoje e thyreje të vetë kontratos (me kërkesën për një zhdëmtim prej katërqindenëntëdhjetepesë milionë lirash, meqë kontrata ishte zhvleftësuar më 30 prill 1962). Më në fund, çështja me “Jolly”-n mbaroi në mars 1965 me fitoren e themeluesit të “Clan”-it, që, i shkarkuar nga akuza, nuk duhej të paguante asnjë kusht penal.
Për Adrianon, vitet ’60 ishin një dhjetëvjeçar magjik edhe në sajë të një arsyeje tjetër: Takimi me Claudia Moronin (në art, ajo quhej Claudia Mori). Enciklopedia “online” Wikipedia e përmbledh kështu jetëshkrimin e Claudia Mori-t: “Artiste e këngëtare nga Roma, takoi Celentanon në «set»-in e «Uno strano tipo» dhe nga ky moment, të dy formuan një çift ende sot të pandashëm. Më 1964 u martuan në fshehtësi të madhe të natës, në kishën e San Francesco-s të Grosseto-s. Nga martesa lindën tre fëmijë: Rosita më 1965; Giacomo më 1966 dhe Rosalinda më 1968. Më 2006, Giacomo e gruaja e tij Katia, nxorrën në dritë Samuelen, që sot është nipi i vetëm i Adrianos. Qysh nga viti 1991, Claudia Mori është administratore e deleguar e shtëpisë diskografike të familjes, e «Clan Celentano srl».”.
Këto janë shënimet informative fjalëpaka të Wikipedias, por historia e të vërtetës nuk është kështu e thatë, nuk është kështu e varfër. Fillimi i lidhjes së Adrianos me Claudian ishte në fshehtësi, në një fshehtësi, që i detyronte të dy të bënin telefonata të pafundme natën dhe takime të shkurtëra. E paharrueshme është nata (e viteve kur jetonim të gjithë në të njëjtin kat në rrugën Zurreti të Milanos), në të cilën daja (Adriano-a, sh.p.) më kërkoi të qëndroja zgjuar, të bëja roje në portën e hyrjes gjatë kohës që ai pëshpëriste ëmbëlsisht me Claudian. Më kot i thashë që të nesërmen unë do shkoja në shkollë. Ai, sipas mënyrës së tij, pa u tundur, m’u përgjegj: “Mos u shqetëso! Nesër nuk do shkosh në shkollë. Më pas, flas unë me mësusen tënde”. Shkaku i gjithë kësaj fshehtësije qe i thjeshtë: Claudia ishte e fejuar me sulmuesin e Romës, Francesco Ramon Lojaconon; Adriano ishte ende i fejuar me Milena Cantù. Kur filloi punimi i “Uno strano tipo” (“Një tip i çuditshëm”), Adrianoja nuk e merrte me mend as vagëllimthi që ky udhëtim deri në Amalfi do t’i ndryshonte rrënjësisht jetën. Fillimi dukej të ishte ai i një filmi: Adriano takoi Claudia-n në një restaurant të Amalfit dhe, menjëherë qe “feeling” (angl. në tekst; sh.p.). Nga tregimi i dy herojve rrjedh se afrimi i parë kishte qënë i druajtur e i kujdesshëm. Asnjëri nuk donte të bënte hapin e parë. Të dy qëndruan gjithë natën duke u fjalosur, duke u përralisur në “hall”-in e hotelit, por asnjëri nuk guxoi të bënte më shumë. Mbrëmja, u duk se u mbyll pa bërë asgjë, por më pas, kur secili qe kthyer në dhomën e vet, në dhomën e Claudia-s rra telefoni. Përmbajtja zbavitëse e telefonatës ka mbetur në historitë e familjes. Adriano: “Jam Adriano Celentano. Desha t’ju thosha që… unë jam i dashuruar me ju”. Claudia: “Edhe unë”. Mbas kësaj telefonate, akulli u thye. Adrianoja e Claudia u bashkuan me njëri-tjetrin, shkëputën lidhjet e mëparëshme dhe mbas pak kohe celebruan martesën e tyre. Sigurisht, dy të porsamartuatrit nuk vuanin aspak nga vetmia: Claudia, në veçanti, nuk e kuptonte se ishte “martuar”, bashkë me Adriano-n, me gjithë miqtë e “Clan”-it. Ai e ka pasur dhe e ka miqësinë përherë të vendosur në një kult të mirëfilltë, të mbjellë në rrugën Gluck e të rritur ndër vite, në çetimet që bënte gjatë koncerteve, i shoqëruar nga një numur njerëzish, që binte në sy. Për të “Clan”-i nuk është vetëm një shtëpi diskografike, por një përmasë jete, një mënyrë të qëni; është ose do të donte të ishte një paraqitje e rritur e bandës së rrugës Gluck. Dikush ka dashur ta krahasojë me “Clan-in Sinatra” në përmasa më të vogla, por është një krahasim që nuk qëndron: Ndërsa “Clan-i Sinatra” ishte një grup me lidhje të forta politike dhe, siç thuhet, me marrëdhënie me mjedise kriminale, “Clan”-i i Adriano-s, pa lënë pas dore “business”-in, mbështetet mbi një përmasë gazmore dhe nuk është aspak i pleksur me politikën; madje, kur në ndonjë rast, dikush përpiqej të hynte në lidhje me “Clan”-in e Adriano-n për punë jashtë botës diskografike, Adriano-ja qëndronte larg dhe i shmangej thurjes së marrëdhënieve të pakuptueshme, të çuditshme. Memmo Dittongo, Micky Del Prete, Probo Galluzzi, Renato Pensa janë miq, që e kanë shoqëruar për vite e vite dhe që në atë kohë e ndiqnin kudo. Ata qenë shpesh në udhëtimet e punës, në mbrëmjet ku luhej si djaloshë pesëmbëdhjetëvjeçarë për të bërë rrumujë nëpër hotel, në film-komeditë ku Adriano luante rolin e heroit kryesor. Disa nga miqtë ishin të pranishëm edhe në martesën e Adriano-s me Claudia-n, që u bë në kishën e San Francesco-s të Grosseto-s, në tre të natës, më 14 korrik 1964. Gazetarët e “gossip”-it (angl. në tekst; shqip: “lajmeve të shkurtëra”, thashethemeve”; sh.p.) e kujtojnë këtë martesë si një ëndër të keqe. Lajmi, megjithë fshehtësinë, doli nga diku. Atëherë menjëherë filloi kërkimi: Fotografë e gazetarë u lëshuan nga drejtuesit e tyre, në gjahun e çiftit Mori-Celentano, por nuk arritën t’i gjenin. Dikush u vendos nën shtëpinë e motrave të Adriano-s për të shkulur lajmin nga ndonjë i afërm, por ndeshi vetëpërmbajtje. Vetëm më pas u mësua për ngjarjen. Në familje tregohet se, për të mos u zbuluar nga gazetarët, Claudia kishte zgjedhur fustanin e martesës me anë të telefonit. Kur nusja e re u rrek të vishte fustanin e bardhë, zbuloi që masat nuk ishin plotësisht të përshtatura për të e, në të vërtetë, ky fustan ishte më tepër një minifund. Mes mijëra ngjarjesh të ciftit të shquar të dajës e “tetës” më vjen në mend një, “ngjarja e grushtit”, sepse përfundoi në gazeta me shumë tituj me shkronja të mëdha të tipit: “Celentano come Cassius Clay” (“Celentano-ja si Cassius Clay”).
Përkimi është nxitës. Adrianoja e Claudia ishin duke shkuar të shihnin “premierën” shfaqjen e parë) e filmit “Dramma della gelosia” (“Dramë xhelozie”) të Ettore Scolas, në kinemanë Odeon. Kur po kalonin mes shtyllave të portikut, dëgjuan hapat e një grupi të rinjsh. Njëri prej tyre iu afrua Claudias dhe para se ajo ta vinte re, i futi dorën nën fund. Adriano-ja nuk mendoi as edhe një çast, por e goditi me grusht atë djaloshin, e hodhi për tokë dhe e la ashtu të shtrirë e u largua. Ishte aq i nevrikosur sa që hoqi dorë edhe nga hyrja në sallën e kinemasë. Të nesërmen, gazetat flisnin gjatë për grushtin e Adrianos, për djaloshin që kishte dalë nga burgu vetëm një jave më parë dhe për të vërtetën, që grupi i atyre të rinjve kishte qënë i armatosur. Askush nuk e di që filmi “Dramma della gelosia” do të duhej të luhej pikërisht nga Adrianoja.
Për Adriano-n, martesa është një ngjarje e rëndësishme, që duhet mbrojtur si një gur i çmuar. Kjo grua hyri në zemrën e tij gati rastësisht (me ndihmën e “set”-it të një filmi) e do të bëhej shoqja e jetës së tij, gruaja që ende sot i rri pranë në jetën vetjake dhe atë të punëve. Në ato kohëra, Claudia ishte një “new entry” (angl. në tekst; sh.p.), që ngjallte para së gjithash, kuriozitet në familje. Kur, mbas një periudhe fshehtësie, daja im vendosi ta sillte në shtëpi, lodrat kishin përfunduar më në fund, në kuptimin që lidhja me Milena-n ishte i varur në një fije peri dhe marrëdhëniet mes tyre qenë tashmë përfundimisht të prishura. Kishte mbaruar një histori e bukur e rinisë dhe fillonte një jetë e re. Në familje, të gjithë e mbajnë mend herën e parë që i pamë së bashku. Unë mbeta i shtangur nga forca e shikimit të kësaj gruaje të re, që do të bëhej “tetua” ime. Një ditë, rreth orës njëmbëdhjetë të natës, dy të dashuruarit u paraqitën në shtëpinë e mama Giuditta-s, në rrugën Zuretti të Milanos. Ishim të gjithë dhe pikërisht të gjithë mbetëm të goditur nga bukuria e jashtëzakonshme e kësaj vajze të druajtur nga Roma, që kishte hyrë në jetën e Adriano-s. Kur Claudia, për t’u çliruar nga hutimi i takimit të parë në familje dhe nga dhjetëra sytë që e shihnin ngultas, kërkoi të shkonte në banjë, Adriano-ja u sulmua nga pyetje të vrullshme e të thëna me zë të ulët, për të shmangur mundësinë që e porsaardhura të ndihej nën vrojtim. Dhe kujtoj se fytyra e tij kishte shprehjen e një të dashuruari seriozisht. Fryti i parë i dashurisë së tyre quhet Rosita, fëmija e parë e Adriano-s, e lindur më 17 shkurt 1965. Në të vërtetë, Rosita ishte në barkun e nënës së vet më 14 korrik 1964: Ishte kjo një tjetër nga të fshehtat e martesës së lidhur natën. Në spital, kur Rosita u mor në krahët e nënës së saj, baba Adriano-ja nuk ishte: si përherë ai qe me vonesë. Për Claudian u përkujdesën dy miq të shtrenjtë: Renato Pensa dhe Teo Teocoli, që atëherë shkonte shpesh e rregullisht në shtëpinë Celentano. Edhe ai ishte një djalosh i mirë e i mpitë, që e shihte Adriano-n me sy të zmadhuar, të hapur fort, deri të shqyer dhe ëndëronte që një ditë do të mund të korrte një sukses të njëjtë me atë të “kapo”-s (Adriano-s; sh.p.). Shpesh herë, publiku i rrëmbyer nga “imitimet” zbavitëse të Teo Teocoli-t e pyeste si ia dilte ai, komiku i kabaresë, të imitonte aq mirë mikun e vet Adriano.. Më shumë se një herë, Leo ka shpjeguar që ky “imitim” i vinte gati natyrshëm, që kishte pasur vite të tëra për të studiuar tiparet, ngërdheshjet, mënyrën e tij të të folurit e të lëvizjes. Disa herë qëlloi që Adriano i dhuroi Teo-s një xhaketë, një këmishë ose një “golf” (“pulovër”) pa i thënë asgjë mama Giuditta-s. Kur e ëma e Adriano-s e vinte re, e thërriste Teo-n për të rikthyer plaçkën dhe ai detyrohej t’i bindej “komandantit” (Giuditta-s; sh.p.).