Çerçiz Loloçi: Figura paqëtuese e kryeministrit Avdullah Hoti
Çerçiz Loloçi
Qeveria e fundit në Kosovë, e miratuar pas krizës së mosqeverisjes së Vetëvendosjes, e mbajtur në këmbë përkohësisht falë një vote që më pas doli e pavlefshme, pra qeveria e Avdullah Hotit do të mbahet mend si një kabinet që riktheu shpresën te qytetarët e saj. Jo vetëm kaq, por ajo pati një përkrahje të madhe ndërkombëtare që u finalizua me marrëveshjen dypalëshe Serbi-Kosovë në Shtëpinë e Bardhë, nën praninë e Presidentit Trump.
Ndryshe nga paraardhësit e tij kryeministrorë, që arrinin t’i bënin karshillëk si Uashingtonit ashtu edhe Brukselit, vendeve me ndikim të madh si Gjermania e Franca, zoti Hoti preferoi të mbante prifilin e një teknicieni e megjithatë arriti të ketë një dialog konstruktiv me dy partnerët më të rëndësishëm të shqiptarëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, bëri të mundur të menaxhojë një krizë pandemie njësoj si vendet e tjera perëndimore, madje arriti të përfshijë trupat ushtarake në operacione paqeruajtëse ndërkombëtare, si një paradhomë për hyrjen me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut Verior.
Natyrisht Hoti nuk është protagonist i vetëm në klasën politike të Kosovës, teknicienë dhe profesionistë të tjerë të aftë ka edhe në partitë e tjera kryesore, por ka ardhur koha për rifreskim të organeve drejtuese të tyre, për largimin së pari të politikanëve të korruptuar nga të gjitha krahët, pastaj të atyre me lidhje nepotike, më pas të të tjerëve që kanë konsumuar më shumë se dy mandate në pozitë apo opozitë qofshin dhe për të sjellë një elitë të re në mirëqeverisjen e vendit.
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë një moment i mirë për të braktisur partitë-çeta, për të larguar retorikën boshe kinse atdhetare dhe të tjera dukuri negative që janë vërejtur pas shpalljes së Pavarësisë.
Është në nderin e parlamentit të ri të Kosovës, në mesin e shkurtit 2021, për të bërë një ligj që heq përjetësinë në parti dhe në pushtet të disa individëve dhe krijon një shtrat për konkurencë të ndershme me alternativa, me çka bëhet konkretisht dhe mirë për Kosovën përpara asaj se çfarë flitet.
Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe sa më shumë të punojë për instalimin e demokracisë aq më tepër do t’i ketë hapur dyert e familjes euro-atlantike.