Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Kaceli: Në kështjellat e mbretërve… 

Në kështjellat e mbretërve të dikurshëm
të presin vetëm mure hijerënda
e perde më të rënda se hijet!
Hije të mykura që marrin frymë prej shekujsh!

Nuk ka rëndësi hiç
nëse je në Stamboll, Torino, Romë,
a në Piramidën e Diktatorit në Tiranë!
(Diktatori urrente mbretërit! -thonë)
E njëjta hije rëndon mbi muret, njerëzit
që hyjnë e dalin si hije mes hijesh
objekte të vdekura që flasin
thika që kullojnë gjak!

Portrete mbretërish, mbretëreshash, princash,
statujash gjithaq, e krena të preme!
-pa dyshim, dashnoret që prenë koka kundërshtarësh
nuk mungojnë me bukurinë vrastare!
Intrigat zgjaten mureve nën pluhurin historik!
Hije historike ngatërrohen me sho-shoqen.

Në shtëpitë e mbretërve, pafundësisht, një heshtje varri!
Aq shumë hesht koha, sa dhe heshtja bie në çudi!

Në çatitë e kështjellave, pallateve luksozë, piramidave,
në kërkim të lirisë
thyejnë heshtjen vetëm zogjtë!
Zogjtë, tmerrësisht të lirë, që dhjesin 24 orë rrjesht
parvazet, çatitë, muret, statujat, oborret, e lavdive të rrejshme!

Në kështjellat e mbretërve të dikurshëm
të presin vetëm mure hijerënda
të presin muret më të rënda se hijet!
Dhe një ciceron pesë eurosh, që spjegon lavdinë e largët!
                                                                

Itali, janar 2021
Please follow and like us: