Leonard Olli: Zaptuesit e pushtetit dhe pengmarrësit e shtetit
Këta që fatkeqësisht kanë zaptuar pushtetin e kanë marrë peng shtetin janë shumë paparë! Në vend që të informojnë me transparencë absolute, në vend që të tregojnë shkallën e dëmeve, masat e mara dhe çfarë këshillojnë për të shmangur rreziqet potenciale nga ana e popullatës, na këndojnë këngën mos bëni politikë me këto ngjarje.
E para nuk kanë moral ta thonë këtë pasi, kur kanë qenë në opozitë jo vetëm që kanë abuzuar e politizuar gjithçka, madje ishin shndërruar në korrba që bënin krra-krra duke ndjellë gjëmën! Por, kjo është ana më e përtypshme sepse lidhet me anën morale që në politikën tonë nuk ekziston.
Ana tjetër e medaljes është edhe më e rënda se është ajo që lidhet me ushtrimin e detyrës publike, që në fakt është detyrim sepse paguhen për atë që bëjnë dhe nuk janë duke na bërë ndonjë nder. Por, fatkeqësisht këta ndjehen skllavopronarë dhe jo për faj të tyre, por për fajin tonë pa përjashtim. Sepse pavarësisht nga zëmrimi, duke i votuar sërish dhe duke u kërkuar për nder atë që e kanë për detyrë minimaliste të ofrojnë ndaj çdo qytetari. Jo vetëm që do bëjmë politikë, por edhe nëse është e nevojshme do të ngrejmë edhe akuza publike, pa na hyrë asgjë në këmbë sepse është detyrë qytetare të akuzojmë kur nuk janë bërë detyrat e shtëpisë, kur veprat që kanë ngrënë pafund lekë publike ose janë bërë shkel e shko ose nuk janë bërë thuajse fare.
Që kjo qeveri nuk ka asnjë lidhje me qeverisjen këtë as nuk e diskuton njeri, por unë nuk jam njeri i retorikës, por i fakteve. Nëse ka përmbytje do të thotë se nuk funksionojnë nga hidrovorët deri te kanalet dhe shumë elementë të tjerë sikundër menaxhimi i inerteve, dëmtimi i shtrateve të lumenjëve etj. Dhe gjithë kjo problematikë në një moment rreshjesh normale, pasi gjithmonë ekzistojnë edhe situata katastrofash! Mësoni të reagoni si shtetarë dhe jo si padronë, pasi pavarësisht si ndjeheni, as keni qenë të tillë, as jeni dhe as do të jeni ndonjëherë! Por mos harroni, herët a vonë do të jepni llogari një më një…
Këtë mos e dyshoni!
Please follow and like us: