Albspirit

Media/News/Publishing

Sophie Boisvert Levesque, ushtarja kanadeze që u bë edhe nënë për fëmijët kosovarë gjatë luftës

Sophie Boisvert Levesque ishte ushtare kanadeze që shërbeu në Kosovë gjatë luftës së fundit, megjithatë, për të Kosova u bë shumë më tepër se një zonë lufte, kurse kosovarët ishin shumë më tepër se refugjatë e të përndjekur. Ajo tregon në detaje përjetimet e saj gjatë dhe pas mbarimit të misionit të saj në Kosovë dhe për mënyrën se si fëmijët kosovarë e ndryshuan jetën e saj përgjithmonë./ AlbFem

Më poshtë gjeni rrëfimin e saj të plotë:

“I jam bashkuar Ushtrisë Kanadeze në vitin 1990, kur isha 18 vjeçare, me pritshmërinë që një ditë do të dërgohesha diku në botë për të ndihmuar. Zgjodha të krijoja familje në një moshë të hershme, vajzën e linda kur isha në moshën 20 vjeçare de djalin tim të parë në moshën 23 vjeçare. Prandaj, nuk pata mundësi të shërbeja diku para se të bashkohesha në “408 Tactical Helicopter Squadron in Edmonton”, Alberta, Kanada.

Në fillim të vitit 1999 na thanë të bëheshim gati sepse do të vendoseshim në Kosovë. Kushërira ime erdhi që të kujdesej për fëmijët e mi dhe unë atë kohë fola me Majorin për t’u siguruar se do të vija.

Kjo ishte ëndrra ime dhe me lajmet që na vinin nga Kosova, e dija se ishte koha të ndihmonim.

Supozohej që të niseshim në fund të qershorit të vitit 1999, por për shkak të zgjedhjeve në Greqi (atje do të merrnim kamionin tonë dhe pajisjet tjera), u detyruam të niseshim më herët. Përfundimisht e lamë Greqinë më 8 qershor.

Atë kohë, për mua çdo gjë ishte, aksion, ngazëllim dhe aventurë. Kur vjen nga një vend i qetë dhe nuk ke pasur mundësi ta shohësh asnjëherë luftën në sy, të duket sikur diçka e re.

Kur mbërritëm në Greqi dëshiruan që ne të largoheshim që nga dita e parë. Nuk na deshën atje gjatë zgjedhjeve, prandaj i shkarkuam pajisjet dhe prisnim anijet që të arrinin me kamionët tanë. Posa i morëm të gjitha gjërat, u vendosëm në Maqedoni. Derisa po linim Greqinë, kishte grafitë kudo, në të cilët shkruante: “Kthehuni në shtëpinë tuaj, vrasës”, “U kthefshi në arkivole”.

Qëndruam në Maqedoni për disa javë përpara se të vendoseshim në Kosovë. Nuk më kujtohet data e saktë, por nuk do ta harroj kurrë se çfarë kam parë atë ditë. Të shohësh refugjatët dhe shkatërrimet në lajme është gjë e keqe, por ta shohësh atë me sytë e tu është e tmerrshme. U ndamë në grupe. Të fluturoja mbi tërë ato shkatërrime ishte zemërthyese. Burra, gra e fëmijë që lëviznin nëpër kampet e refugjatëve. Tenda të bardha të vogla, varre masive, shtëpi të djegura…. Për mua si kanadeze, më mbeti e shkruar në zemër përgjithmonë. E kjo ishte vetëm dita e parë.

U vendosëm në Kosovë, afër Gllogocit (tash Drenas), në një kamp 1 kilometër katrorë, që do të bëhej shtëpia jonë për pesë muajt e ardhshëm gjatë shërbimit tonë atje. Posa aterruam, fëmijët u afruan afër telave dhe na kërkuan ushqim. Një prej nesh kishte bonbone dhe çokolata dhe ua dha atyre. Një nga fëmijët më pyeti se pse nuk po buzëqeshja. Përgjigja ime ishte e shkurtë dhe e thjeshtë: “Më jep pak kohë derisa ta përpijë tërë këtë gjendje”. Instinkti i nënës që ndodhej brenda meje u lëndua shumë. Atë botë, e ardhmja ime po ndryshonte.

Gjatë ditëve në vijim, në shtëpinë tonë që e krijuam larg shtëpisë sonë të vërtetë, erdhën dy policë ushtarakë dhe po kërkonin një udhëheqëse grua për t’u marrë me fëmijët refugjatë, dhe më pyetën nëse doja të bëhesha unë lidere e tyre. Meqë i dua fëmijët, i doja edhe në atë kohë, si dhe dëshiroja të bëja diçka të mirë, pranova menjëherë.

Shefi im i ushtrisë më dha leje që të shkoja me ta një herë në javë.

Dita e parë që vizitova fëmijët ishte pak e çuditshme. E çuditshme sepse ata kishin sy të mëdhenj dhe të pikëlluar, e nuk dinin çfarë të prisnin, megjithatë ishin gati. Ne i fotografuam të gjithë fëmijët dhe në to dukeshin sikur të burgosur lufte. Pa buzëqeshje, fytyra të drejta dhe shumë të pasigurtë. Kurse, për mua ishte fillimi i një rrëfimi dashurie të përjetshme.

Ata 21 fëmijë u bënë të mitë. Ishin të çiltër dhe inteligjentë.

Unë nuk ishte trajnere asnjëherë më parë dhe nuk dija edhe aq nga veprimet që duhej të bëja me fëmijë, por bënim aktivitete të ndryshme.

Një ditë u thashë fëmijët të vizatonin se çfarë do të bëheshin kur të rriteshin.

Në Kanada, kjo ishte një pyetje e zakonshme. Kur e pyesje fëmijët kanadezë, ata donin të bëheshin policë, zjarrfikës, mësues. Por, nga fëmijët e mi kosovarë mora një shikim të trishtë. Dy prej tyre më dhanë përgjigje, kurse të tjerët nuk e dinin.

Erdha në përfundimin se, kur nuk e di nëse do të jesh nesër, nëse do të kesh çfarë të hash, kur shtëpia jote nuk ka çati, ajo se çfarë do të bësh pas 20 vitesh është plotësisht e parëndësishme.

Çdo javë më jepnin lule dhe biskota. Sa herë që i mbaja lulet, më vinte një ndjesi çlirimi, sepse edhe një ditë, fëmijët e mi kishin shpëtuar nga minat dhe do të kisha më shumë kohë t’i doja.

Isha e mrekulluar nga fakti se sa pak kishin ata fëmijë dhe sa shumë donin t’i ndanin gjërat me mua. Nuk munda t’i merrja lulet me vete, por asnjëherë nuk i kam hedhur dhe nuk i kam ngrënë çokolatat e dhuratat tjera që mora. Madje, i ruaj ende. Po të mos i ruaja do të më dukej sikur po shkatërroja lidhjen me fëmijët.

Dy nga vajzat e mia një ditë më erdhën me dy kukulla. Donin t’ia jepnin vajzës sime. Përmes përkthyesit u thashë që, me shumë gjasë, vajza ime kishte më shumë kukulla, kështu që do të ishte më mirë t’i mbanin. Nuk do ta harroj asnjëherë përgjigjen e tyre.

Ato po m’i dhunonin ato kukulla për ta falënderuar vajzën time që e kishte ndarë nënën e saj me to për gjashtë muaj. 

Ditët e mia u bënë më të lumtura kur ishim në gjendje të shihnim dritat që po ktheheshin në fshatrat përreth. Kur shihnim se jetës së tyre po i kthehej realiteti, ishte një ngushëllim për mua dhe shumë njerëz të tjerë. Fëmijëve më në fund po u kthehej buzëqeshja.

Më kujtohet se nuk ishim të lejuar për të dhënë ilaçe apo ndonjë gjë tjetër për njerëzit rreth nesh, por ne e bëmë.

Një nga fëmijët e mi erdhi njëherë në tendë dhe më kërkoi. Nëna e tij kishte një dhimbje të fortë dhe nuk mund të shkonte tek dentisti. E takova dentistin tonë dhe i tregova të vërtetën se kisha nevojë për ndihmë, porse ilaçi nuk ishte për mua, e ai prapëseprapë më ndihmoi.

Ishte mashtrim, por nuk mund të rrinim pa bërë asgjë.

Pastaj, njëra nga vajzat e mia kishte lytha në duart e saj. Unë e kisha një të tillë, kështu që kisha mundësi të merrja ilaçe. Ia dhashë asaj. Përkthyesi ynë më ndihmoi t’ia shpjegoja asaj se si ta përdorte atë. Ne i thamë asaj që ta përdorte çdo ditë pas dushit. Për ne, një dush në ditë ishte normale. Ajo më shikoi dhe më tha që ajo nuk mund ta bënte dush çdo ditë, kështu që ne i thamë të lante duart me kujdes çdo ditë dhe pastaj ta përdorte ilaçin që i dhamë.

Ishim dy botë plotësisht të ndara, sepse neve kurrë nuk na u desh t’i mbijetonim asnjë lufte.

Po më mungonin shumë fëmijët e mi, por e dija se duke i ndihmuar fëmijët kosovarë, edhe ndarja kishte vlerë.

Takimi i fundit ishte shumë i vështirë. Ne ishim renditur në rresht për të thënë lamtumirën dhe i shtrënguam duart. Unë isha gruaja e vetme dhe ndodhesha në fund të rreshtit. Fëmijët filluan të qajnë para meje dhe unë i mora në krahët e mi. Kjo po e ngadalësonte procesin, por isha aq  e lënduar sa nuk kisha zgjidhje tjetër, pos t’u thosha lamtumirë në atë formë.

 Ferri filloi kur u ktheva në shtëpi. Unë nuk dija të bëhesha nënë për fëmijët e mi dhe isha e frikësuar për ata që lashë prapa. Për mua lufta nuk mbaroi sepse isha në shtëpi dhe kisha frikë se ata ishin lënduar, ose në rastin më të keq, fëmijët e mi ishin vrarë.  

Para se të largohesha, i dhashë adresën time të gjithë fëmijëve që të mund të shkruanin. Isha në një periudhë shumë të errët të jetës sime kur mora një letër nga Labinoti im i vogël.

Unë kurrë nuk iu përgjigja letrës së tij dhe e pendohem për këtë gjë. Të gjitha kontaktet u ndërprenë për 19 vitet e ardhshme. Doja të dija, por isha shumë e frikësuar nga përgjigjja që mund të merrja Kështu m’u shfaq një çrregullim stresi post-traumatik dhe nuk kam qenë kurrë më në gjendje të jem e njëjtë me fëmijët dhe familjen time.

Çdo ditë, çdo javë, pa i treguar familjen time, po mendoja për 21 fëmijët e mi, fëmijët e mi nga Kosova. Më është dashur një kohë e gjatë për të mbledhur guximin për të bërë diçka. Unë isha luftëtare krenare dhe e fortë atje, por u ktheva u bëra një person i pafuqishëm dhe i mërzitur.

Më 8 qershor 2018, i thashë vetes mjaft! Postova në një grup të cilit i isha bashkuar disa javë më parë, “Young People of Kosovo” dhe kërkova ndihmë prej tyre për t’i gjetur fëmijët.

Kam ndjenjën sikur i gjithë vendi më ndihmoi, të gjithë ishin të gatshëm.

Një polic kishte shkuar derë më derë në Drenas për të gjetur informacion. Disa më thirrën, të tjerët më shkruan, por u deshën vetëm 72 orë për t’i gjetur të gjithë gjallë dhe mirë.

Kosova është si shtëpia ime e dytë. Kam kontaktuar me fëmijët e mi përmes internetit, por dua t’i marr në krahë përsëri dhe të mos i lë më kurrë të më ikin.  

Ndjehem sikur i kam dhashë ata për adoptim dhe tash i kam gjetur vite më vonë.

Unë e di se ata kishin prindër, familje dhe dashuri, por më kishte lënë një plagë të pashërueshme tek unë fakti nuk e dija se çfarë kishte ndodhur me ta.

Fëmijët e mi biologjikë duhet të më falin. Unë nuk isha një nënë e mirë për ta, për shkak të asaj që po ndodhte në kokën dhe zemrën time. Por, tani unë jam e plotë përsëri. Kam familjen time këtu dhe familjen time atje. Po e lë prapë shtëpinë për t’u kthyer në shtëpinë time të dytë, në Kosovë.

Shumë prej kosovarëve më falënderojnë për kontributin tim dhe më trajtojnë si heroinë, por heronjtë e vërtetë jeni ju. Ju përjetuat dhe i mbijetuat një lufte të tmerrshme. Falënderimi më i mirë për ne është që t’ju shohim juve teksa përparoni në jetë. Jam krenare me të gjithë ju”./ AlbFem

Please follow and like us: