Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: POETI I MALLKUAR…

Ese
Ti zgjohesh nga gjumi dhe të gjitha gjërat që kanë ndodhur kanë qenë veç në mendjen tënde, në ëndrrat që s’reshtin asnjëherë drejt pushtimit të sferave të tua të nënvetëdijes. Ajo që të çudit është fakti se gjithnjë në ëndërr sheh gjëra që të kanë ndodhur më parë ose gjëra që parandjen se kanë për të ndodhur, por veç se të gjitha këto kanë një gjuhë të ngatërruar sibilash. Por të gjitha këto e bëjnë njeriun të vuajë edhe më shumë se ç’vuan në të vërtetë. Ndjehet si i zënë në kurth prej të gjithëve, prej ndërgjegjes së vet, prej njerëzve, prej kohës, prej vdekjes. Përpiqesh ta kalosh këtë gjendje të ndjerë, duke hedhur në grykë ndonjë gotë mbushur me verë. Po prapëseprapë nuk ndjehesh më i qetë. Rri i shtrirë në shtrat pa dashur të ngrihesh dhe e mbulon kokën me gazetë. Ndjehesh si një antenë që trasmeton lajmet e ankthme dhe të frikshme të vdekjes. Në të vërtetë nuk je aspak duke vdekur, por parandjen çdo çast afrimin e saj. Nuk ke dëshirë të flasësh me asnjë. Shtëpia të ngjan si një kazermë me ushtarë të ngurosur. Dhe ndërkaq bën edhe ndonjë zbulim të momentit, duke pirë verë dhe duke u dehur, do të thotë të harrosh për pak kohë ankthet e vdekjes dhe kështu të zgjasësh sadopak jetën tënde.
Por ky zbulim i takon më parë poetëve të mëdhenj, pararendësve të tu që tani kanë vdekur, por mundohesh të plotësosh ndonjë gjë nga ato që kanë lënë ata pa bërë, që nuk e kanë thënë akoma, apo nuk e kanë thënë ashtu siç duhet. Dhe nuk ke nevojë në atë çadrën tënde mbretërore prej poeti, as për gratë e magjishme, as për ata këshilltarët shkurtabiqë e mjekërgjatë, sepse të mjafton veç vullneti yt i lirë. Të kap dëshira për të qenë një fantazmë për të bredhur dhe jetuar ngado. Por nuk të lënë personazhet. Ke hyrë në jetën e tyre dhe vuajtjet të janë shumëfishuar. Nëpërmjet tyre ti nis dhe mëson njëherësh gjeografinë e vetes. Dhe të duket se ngjarjet e tua dhe ato që u vesh personazheve, janë shumë herë më të rëndësishme se vetë luftërat dhe marrëzitë e perandorëve. Njëkohësisht, të duket se bota gjithnjë e më shumë ka ndryshuar dhe po bëhet më e ashpër për jetën dhe veprimet e tua. Ndjehesh i lodhur pa bërë asgjë. Dhe fillon të harrosh idealet e tua të mendjes, të vetëdijes, ndaj sulesh përpara me gjeste kafshërore. Sepse çdo njeri e ka të shkruar diku ndëshkimin e vet. Njerëz të marrë bëjnë estradë përpara teje në rrugë, sepse ata kanë një pushtet të vetin: atë të paarsyes, më e fuqishmja shqisë e të gjithave, të cilën ti nuk mund ta zotërosh njëlloj si ata, edhe pse e ke të fshehur brenda thelbit prej njeriu, sepse mundet gjithnjë prej simotrës së saj, arsyes. Por të marrët, ashtu sikurse çdo njeri, janë veçse pjella të zhvirgjërimit, të diktaturave, totalitarizmave, klaneve, sekteve, feve, kombeve, partive, organizatave, që të gjitha, njëra më shumë se tjetra, vrapojnë për të mohuar lirinë e njeriut.
Por ka diçka të vyer në këtë botë, së paku për ty. Këta janë ata njerëz të mëdhenj, që i kënduan lirisë së ndjenjave dhe që ishin në opozitë me gjithçka.
Si poet, ka për të të ndjekur gjithnjë nga pas mallkimi, sepse je një ligjprishës. Je një fosile që s’i përket as të djeshmes, as së sotmes, por as së nesërmes. Sepse si të gjithë ata që ishin poetë, nuk ke për të pasur kurrë një copë vend ku të ndjehesh si në shtëpinë tënde, nuk ke për të pasur miq, do të kesh fatin e bohemit, do të endesh ngado pa e qetuar kurrë shpirtin. Tani veç përpiqesh të jetosh mes asgjësë, mes iluzionit, të cilët i kanë të gjitha gjërat brenda: dashurinë, dhimbjen, marrëzinë, vuajtjen, vdekjen.
Përse ti, o poet, je kaq i mallkuar? Po të doje mund të jetoje ndryshe, të hiqeshe si të tjerët, të përqafoje çdo gjë që lidhet me interesin dhe s’do të kishe nevojë për asgjë. Përse e zgjodhe këtë rrugë dhe jetë, përse? Të gjithë kanë fituar gjithnjë, veç ti ke humbur. A nuk e kupton këtë? Po ç’jemi ne në botë? Xhelatë, vrasës, shushunja, ja ç’jemi në të vërtetë. Ç’është kjo botë, kush është ai që ti e quan baba, shok apo bashkatdhetar? Të gjithë jemi zvarranikë që përsillemi pa asnjë drejtim nëpër tokë. Të gjithë, nga mbreti tek lypësi, nga poeti tek hajduti langaraq, jemi i njëjti njeri. Toka nëpër të cilën jetojmë si të padenjë, është si gruaja që na tradhton me një tjetër, si ëndrra e ëmbël e lirisë, që na mashtron gjithnjë. Si nuk e kuptojmë që gjithnjë na përqesh edhe tall?
Please follow and like us: