Albspirit

Media/News/Publishing

Deputeti që Partia e vrau sepse mbajti anën e njerëzve

Ato vise të Malësisë, ku ruhet trimëria dhe besa, kanë lindur shumë legjenda. Edhe kjo histori e vërtetë e vitit 1963, me në qendër kolonelin dhe deputetin Haxhi Mani, ka gati përmasat e një legjende. Por është një legjendë e përmbysur nga diktatura, ku heronjtë e vlerave në fund, vriten, torturohen dhe burgosen. E premtojnë të gjithë deputetët, por shpesh dështojnë ta realizojnë: të mbrojnë interesat e votuesve.

Megjithatë Haxhi Mani, deputet që nga legjislatura e parë pas Luftës, e respektoi këtë ideal çdo ditë të punës së tij si përfaqësues i zonës së gjerë të Mbishkodrës dhe Dukagjinit deri në Vermosh. Kjo do e përplaste me drejtuesit më të lartë të shtetit, të cilët, për këtë arsye do e fusnin në radhën e kundërshtarëve. Mirëpo ky kundërshtar i Partisë ishte një njeri me influencë në gjithë Malësinë, që gëzonte respektin dhe mbështetjen e të gjithëve. Kjo e bënte të llojit më të rrezikshëm të armiqve.

Trimi i mirë…
I lindur në vitin 1913, Haxhiu ishte djali i një ushtaraku të njohur, Hajdar Manit, i cili ishte shkolluar në Akademinë Ushtarake të Stambollit në fund të shekullit XIX. Megjithëse mbeti pa baba në moshë të vogël, ai e ndoqi rrugën e të atit. Kur nisi lufta u bë komandant i çetës së parë partizane të Shkodrës, mirëpo në fund të saj, dyshimet që Hajdar Mani do qëndronte në krahun e njerëzve të tij të Malësisë së Shkodrës që ishin kundër komunistëve, bënë që ata ta transferonin për ca kohë në Korçë. U kthye sërish në Malësi, por si komandant për pjesën vullnetare ndërkohë që reputacioni i tij sa vinte e forcohej. Ndërhyri në faljen e rreth 150-200 gjakmarrjeve mes familjeve të asaj zone, të cilën e përfaqësonte si deputet që prej zgjedhjeve të dhjetorit 1945.

Kur regjimi ekzekutoi tre oficerë të njohur të Malësisë, të diplomuar në akademitë evropiane e me prejardhje nga familjet më me influencë, Haxhiu ngriti zërin e tij. Një zë që duhej shuar. Ndaj më vonë, do e lironin nga detyrat ushtarake dhe do e vendosnin kryetar lokaliteti. Mirëpo Haxhi Mani do të vazhdonte të padiste padrejtësitë e pushtetit. Ishte periudha e kolektivizimit që ishte i papërballueshëm për banorët e Dukagjinit dhe do të rrënonte gjendjen e tyre. Deputeti i zonës e dinte mirë këtë, ndaj ishte i shqetësuar. U kishte dhënë fjalën banorëve që do mbronte interesat e tyre dhe nuk mund ta kthente mbrapsht. Në seancën plenare të nëntorit 1962, ai e ngriti këtë shqetësim duke argumentuar që kolektivizimi nuk mund të bëhej i detyrueshëm në Dukagjin për vetë mundësitë prodhuese të asaj zone dhe banorëve të saj, duke thënë troç që “po i humbasim njerëzit sepse ka fukarallëk” e se “kanë vdek njerëzit”.

Kryeministri Mehemet Shehu e kundërshtoi menjëherë duke arritur deri aty sa ta kërcënonte: “Unë të çoj të bëj shitës kripe, t’i heq gradat”. Pa iu dridhur zëri, Haxhiu do i përgjigjej: “Nuk m’i heq dot se i kam fituar në luftë dhe atje ku i kam fituar, atje, po deshe hajde merri”. Që nga ajo ditë, nuk mori më pjesë në asnjë seancë parlamentare, por nuk hoqi dorë nga mbrojtja e interesave të malësorëve, çfarë do të vazhdonte të kthehej në përplasje me udhëheqësit. Në mbledhjen e Pleniumit të Shkodrës, që u mbajt në teatrin “Migjeni”, ku të deleguarit përshkruan me nota optimiste reformat, u ftua të flasë edhe Haxhi Mani. Mendimin e deputetit e kishin të qartë tashmë, por ndoshta ishin duke mbledhur fakte kundër tij. Kjo sigurisht nuk do e lëkundte Haxhiun. Theksoi sërish idenë që fshatarësia po varfërohej sepse zonat malore nuk e përballonin kolektivizimin. Pas kësaj mbledhjeje, u thirr në Komitetin Qendror në Tiranë.

Në kryeqytet, pati një përplasje të fundit. Këtë herë me Enver Hoxhën, i cili e pyeti deputetin e Malësisë se çarë nevojash kishte. Ai i kërkoi ndërtimin e rrugës së Vermoshit. Hoxha kundërshtoi. Nga ajo rrugë mund të sulmonte Tito…por nuk kishin as forcat e duhura për ta ndërtuar. “Njerëzit t’i mobilizoj unë, -tha Haxhiu, gjithë Malësinë nga 14 vjeç në 70 vjeç, i mbledh unë”. Kjo ishte kambana vendimtare e alarmit për udhëheqësin e shtetit.

Njerëzit me ndikim kishin qenë gjithmonë në listat e zeza të regjimit. Ata ishin kërcënim për pushtetin dhe në një mënyrë ose tjetër, shfuqizoheshin, izoloheshin, deri edhe ekzekutoheshin, që të humbitnin çdo lloj mundësie veprimi. Miqtë e lajmëruan Haxhiun për rrezikun dhe mbrëmjen e 16 marsit 1963, i armatosur gjer në dhëmbë, ai përkëdheli kryet e Feridit, më të madhit të 5 fëmijëve, vetëm 12 vjeç dhe i tha së ëmës që do të ikte me shërbim. Që nga ai çast, familja nuk e pa më.

Para se të largohej, takoi një mik, Gjin Lekën dhe i tha që të nesërmen në mëngjes të lajmëronte kryetarin e Degës që Haxhiu ishte arratisur. “Thuaji që e more vesh pas mesnate e nuk kishe si të lajmëroje më parë”, e porositi atë për ta mbrojtur nga çdo pasojë, por ishte e kotë. Gjini u dënua për këtë çështje që solli ekzekutime dhe burgime pa fund.

Nuk ishte koha e besës

Haxhiu shkoi te miku i tij, Dodë Paja, i tregoi si qëndronte puna dhe i kërkoi ta fshihte diku në Rrjoll. Ishin prej kohësh miq bese, familjarisht dhe ashtu mbetën dhe pse ajo kohë që kishte ardhur nuk i njihte ato vlera. Një nga djemtë e vëllezërve të Dodës, Noshi, rreth 27 vjeç, i tha Haxhiut që do e shoqëronte edhe ai. Ata burra nuk flisnin shumë. I njihnin mirë parimet e miqësisë e të besës dhe rëndësinë që kishin për këdo, ndaj nuk kishte përse të zgjateshin me fjalë.

Haxhiu pranoi dhe të dy burrat, njëri në lule të moshës e tjetri në prag të 50-ve u nisën drejt një shpelle që ua tregoi Pashkja, një nga kunatat e Dodës, e cila kulloste bagëtinë dhe i njihte mirë ato shpate të thepisura. Për rreth tri javë, kur dilte për të kullotur bagëtinë ajo merrte me vete edhe pak bukë e ujë për të mos rënë në sy dhe ua çonte të ngujuarve. Mirëpo Sigurimi dhe gjithë shteti ishte vënë në kërkim të Haxhi Manit. Rreth 11 mijë forca ushtarake dhe batalioni i Sigurimit, të udhëhequra nga gjeneral Teki Koloneci rrethuan gjithë zonën për dy ditë e dy net, por pa zbuluar asgjë. Atëherë nisën të tërhiqeshin, por pikërisht në këtë kohë u sinjalizuan për vendndodhjen.

Forcat e shumta iu afruan dhe rrethuan shpellën ku i bënë thirrje Haxhiut të dorëzohej. Ishte mëngjesi i 8 prillit. “Le të vijë Mehmet Shehu këtu”, tha ai duke ua bërë të qartë që nuk kishte ndër mend të dorëzohej i gjallë. I thanë të dorëzohej Nosh Pajës, por as ai nuk pranoi. Atëherë nisën t’i qëllonin me armë. Breshëritë vazhduan me orë të tëra. Më në fund menduan se do i kishin vrarë, por kur iu afruan edhe më shpellës, ata dolën në hyrje dhe hodhën granata. Atëherë, forcat ushtarake nisën të përdornin artilerinë e rëndë duke shpërthyer mina.

Fundi i dy burrave ishte i pashmangshëm. Trupat e vrarë u rrokullisën në një rrëpirë, u ngarkuan në mushka dhe u çuan në Reç, ku thirrën njerëzit për t’i parë. I morën pas kësaj me makinë dhe i çuan në qendër të Koplikut ku u thirrën njerëzit për të parë “agjentin e UDB”-së etj. etj. Shumë pak njerëz morën pjesë në këtë shfaqje çnjerëzore. U varrosën diku, por pastaj ua ndërruan vendin.

Versioni i fundit është që i hodhën në Drin. Hakmarrja shtazarake nuk përfundoi me kaq. Familja e miqve që e kishte fshehur dhe mbajtur me bukë e ujë Haxhiun, u godit me të gjitha format: rrahje ku humbi jetën Pjetrush Paja, burgosje, internime…Sigurisht edhe vetë familja e Haxhiut nuk i shpëtoi dënimit. Që më 28 mars erdhën për t’i internuar: nënën e Haxhiut, 89 vjeçe, bashkëshorten e tij, 5 fëmijët nga 12 vjeç në 8 muajsh, të motrën 60 vjeçe dhe djalin e saj, Muho Bala, 26 vjeç.

I çuan në Borsh të Sarandës. Atje, në dokumentin e sekuestrimit të pasurisë që u mbërriti në kamp, mësuan nga shënim i bërë me dorë që Haxhiu nuk jetonte më. Pas pak javësh erdhën dhe morën Muhon. Ishte mashkulli i vetëm në moshë madhore i familjes dhe e bënë pjesë të grupit imagjinar agjenturor të Haxhi Manit. Ai u mbajt 19 muaj në hetuesi, por nuk pranoi asgjë. Megjithatë u dënua me 28 vjet burg. U lirua vetëm në vitin 1991. Atëherë kur edhe fëmijët e rritur pa baba të Haxhiut do të linin fshatin e Beratit ku i kishin çuar pasi i larguan nga Borshi, për t’u kthyer në vendin e tyre, ku Haxhi Mena është thuajse një hero, por që jetoi në një kohë antiheronjsh./memorie.al

Please follow and like us: