Albspirit

Media/News/Publishing

Filmi i regjisorit shqiptar hyn për herë të parë në “Golden Globes”

Filmi “Exil” me regji të Visar Morinës do të jetë pjesë e edicionit të 78-të të “Golden Globes”. Kjo është hera e parë që Kosova bëhet pjesë e këtij konkursi të rëndësishëm. Artikulli i “Golden Globes” thekson se filmi është pjesërisht autobiografik dhe tregon kohën kur Visari ishte 15 vjeç dhe emigroi në Gjermani. Sipas regjisorit, filmi paraqet diçka më universale se sa përvojën e tij personale si emigrant.

Xhaferi, personazhi kryesor i filmit që jeton në Gjermani, beson se ai është një viktimë e ksenofobisë, megjithëse mund të jetë paranoja e tij që po del jashtë kontrollit. Kur Xhaferi gjen një mi të ngordhur të varur në portën e shtëpisë së tij, ai menjëherë dyshon se kolegët e tij racistë mund të ishin pas tij. Çdo dukuri, çdo fjalë, çdo gjest merret si dëshmi. Shqetësimi i Xhaferit rritet çdo ditë. Gruaja e tij gjermane, Nora, është lodhur nga kjo gjendje.

Regjisori i filmit, Visar Morina, pranon se filmi është pjesërisht autobiografik.

 “Unë isha 15 vjeç kur u zhvendosa në Gjermani. Nuk flisja gjuhë dhe duhej të luftoja për pozicionin tim në shkollë . Ndonjëherë ka pak detaje që ishin të rëndësishme gjatë procesit të shkrimit. Por nuk kam fëmijë, nuk jam i martuar dhe nuk punoj në zyrë. Dhe kur takoj një idiot, nuk mendoj se ai është idiot sepse unë jam i huaj, por sepse ai është me të vërtetë idiot”.

Racizmi, integrimi, të qenit i huaj, asimilimi, ngacmimi, përjashtimi – të gjitha këto çështje janë komplekse psikologjikisht dhe emocionalisht për sa i përket komunikimit. Morina thotë se kjo do të vazhdojë nëse i gjykojmë njerëzit bazuar në mendimet e formuara në fillim .

Në gusht Exil ka fituar “Zemrën  e Sarajevës” si filmi më i mirë me metrazh të gjatë, çmimi më i lartë i dhënë në Festivalin e Filmit të Sarajevës.

Please follow and like us: