Albspirit

Media/News/Publishing

Iva Grillo: Sokratër të vuajtun apo derra të kënaqun?

Një pjesë e “Rilindjes”, degdisur deri në Arabi në mes të pandemisë, na kanë dhënë një spektakël të vecantë para disa ditësh. Një nga ato spektaklet që vështirë ti vizualizosh derisa i sheh në gjithë “madhështinë” e tyre. Një cinizëm therës teksa e krahason me gjendjen e mjeruar të shqiptarëve të thjeshtë, të vënë poshtë nga forcat e natyrës: pandemia, “prezenca e ujit” (sic e pelqen ta quajë dikush i veshur me petkat e ngrohta të pushtetit) dhe mbi të gjitha nga keq-qeverisja.

Ka një kontrast të madh midis asaj që “Rilindja” dëshiron që ne si qytetarë të shohim dhe asaj që është më mirë të mos ta shohim . Kronikat e “rilindasve” që lodhen për popullin duke inspektuar punime, duke iu qepur arave e maleve me torta në dorë për të uruar për shtepitë e reja, mbjellë peme apo duke punuar në makinat qepëse që rastësisht u gjenden përpara, janë të kudogjendura.

Këto pamje u përplasen shqiptarëve në fytyrë pa mëshirë dhe pa asnjë lloj modestie. Janë imazhet që synojnë projektimin e vetes si një “Sokrat i Vuajtun” që e vë jetën në shërbim të publikut, me kosto të mëdha personale per veten e tij, sic janë lodhja dhe robtimi për të mirën e përgjithshme . Vecse ka një problem në këtë imazhin e krijuar të “rilindasve”: Sokrati i Vuajtun në teori është modest dhe i përulur në madhështinë e tij. Ai nuk bredh me kamera lart e poshtë, nuk mburret që është më i miri ndër shokë dhe në përgjithesi kërkon pak ose aspak në këmbim të mirësisë së vet.

Ajo që “Rilindasit” nuk duan që ne të shohim, por që zor se fshihet dot, është imazhi i vërtetë i tyre: të shtruar sa gjatë gjerë në tavolina darkash të gabuara, të babëzitur në gostira që nuk dihet kush i shtron dhe pse, dhe të pangijur mes dëfrimesh e luksit të shfrenuar, që mbi të gjitha duhet të mbahet sekret nga njerëzit e zakonshëm.

E pra Sokratet e përvuajtur të ditës, na transformohen në derra të kënaqur gjatë natës.

Dhe papritur na shfaqet e plote kostoja e papërballueshme që duhet të paguajnë qytetarët e thjeshtë.

Sokrati i vuajtun “rilindas” e dashka dicka në këmbim për “mirësinë” e vet: që qytetarët ta mbajnë gjatë mbi shpinën e tyre të kërrusur, tek transformohet përfundimisht nga “Sokrat i Vuajtun” dite në një “derr të kënaqun” nate.

Please follow and like us: