Albspirit

Media/News/Publishing

Alfred Lela: Barkderrat e Nusretit

Darka e gabuar në një restorant të shtrenjtë arab, sikur për asgjë, na shërbeu për një fakt. Shqipëria nuk ka lëvizur nga vendi. Koret, po. E kam fjalën për koret e palëve që i sulen njëra-tjetrës sipas herës.
Por atdheu është aty. Si përherë qesharak, sepse të tilla i ka elitat. Madhështore në marrëzinë e tyre qesharake.
Shqipëria nuk ka lëvizur nga vendi sepse personazhet e ‘darkës së gabuar’ të 2021 në Dubai, në vitin 2004 protestonin në Tiranë kundër një darke tjetër. Të një kryeministri tjetër. Në një buzuk të Athinës. Ata që thonin Mjaft! asohere janë sot në vendin e atyre që u thuhet ‘boll më’!
Shqipëria nuk ka lëvizur nga vendi, edhe pse në 2013, kryeministri bëri thirrje për të shkulur barkderrat nga shteti dhe nga paradhomat e pushtetit, ata janë sërish aty. Si m’i do: në formën e biznesmenëve apo të politikanëve. Burrave apo grave?
Shqipëria nuk ka ndryshuar sepse barku i madh nuk ndodhet gjithmonë diku mes gjoksit dhe shalëve. Të shumtën e herëve ai është në kokë. Në ato sfera trunore që prodhojnë adrenalinën e babëzisë. Mes atyre në darkën e Dubait mund të shihje edhe ‘tigra të palestruar’, por gjithsesi të unshëm, si ditën e parë kur autobusi i periferisë i zbriti në qytetin e madh.
Shqipëria nuk ka ndryshuar sepse shteti i madh, biznesi i madh dhe media e madhe, nuk janë të ndarë. Ata ndajnë të njëjtin biftek të artë. Kur e bëjnë pa takt, pa drojë, pa përgjegjësi ata janë duke pështyrë, demonstrativisht, në çanakun ku ul kokën për bukën e përditshme, shumica.
Shqipëria nuk ka ndryshuar edhe për shkak të këtyre radhëve. Të cilat duket sikur janë shkruar në vitet ‘30 të shekullit të shkuar, dhe nuk janë editorial, por fejton. Një gjini që përdorej për të goditur dukuritë e këqija të një shoqërie të prapambetur. Editoriali do duhej të merrej me një politikë substanciale qeveritare, me kritikën ose mbështetjen e saj. Por nuk kemi lëvizur nga koha e Nonda Bulkës, Petro Markos e të tjerëve, kohë kur qahej me penë në dorë dhe fejtone në xhep halli dhe fati i Shqipërisë.
Idealistë ka më pak, sigurisht, por fejtonet kanë rezistuar. Ato vazhdojnë të bëhen kundër barkderrave, por nuk ndryshojnë asgjë.
Këtë e tregon fakti se Shqipëria nuk ka lëvizur nga vendi.
Shikoni emisionin e plotë në youtube: https://youtu.be/HZZFV_oTh4w
Please follow and like us: