Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive me Iris Halilin: Lideri transformues në realitetin shqiptar

Intervistoi: Marjana Bulku
Këtu në SHBA flitet shumë për rolin që ka lideri transformues si në politke po ashtu edhe në botën e biznesit. Cili është saktesisht tipari i ketij lloj lidershipi?
Iris Halili: Lidershipi transformues është në gjendje të sjellë transformime në një realitet, mendimi apo veprimi përmes një frymezimi, krijimi dhe realizimi të një realiteti të ri, krejt të ndryshëm nga i mëparshmi dhe që u trashegohet brezave si vlerë. Sikur e thotë edhe vetë fjala transformues ky lider është në krye të transformimit, por (dhe ky moment ka shumë rëndësi) ai bën shumë kujdes që ky transformim të jetë i konsoliduar deri në fund. Lideri transformues pikë së pari flet me vlerat dhe aftesitë tij personale, vlerat e karakterit apo të shkuares apo edhe të tashmes së pastër dhe janë pikërisht këto me të cilat ai hidhet në betejën e transformimit. Ai i kerkon këto vlera tek ndjekësit e tij dhe tek bashkëpuntorët e tij.
A ka patur ndonjëherë Shqiperia lider transformues?
Iris Halili: Unë mendoj se pothuaj të gjithë liderët e Shqipërisë në fillimet e tyre kanë fituar besimin e ndjekësve duke premtuar transformimin dhe në të njëjtën kohë kanë qenë shumë të zotë të përcjellin një figurë bindëse se do të jenë lokomotiva e transformimit. Transformues ka qenë Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, të gjithë këta të njohur për vlerat e tyre transformuese shumë përtej kufijve shqiptarë. Ashtu sikur mendoj se të gjithë liderët e mëvonshëm shqiptarë kanë bërë një hap transformimi në realitetin shqiptar apo kanë vënë një gur transformimi. Psh ne e dimë që secili nga liderët e trazicionit vuri një gur në transformimin e Shqipërisë nga diktaturë komuniste në republikë parlamentare pluraliste dhe këtu pa dyshim roli i Dr. Berishës është më i spikaturi. Por nga ana tjetër të gjithë lideret e tranzicionit pa përjashtim kanë dështuar në një pike, pikërisht në atë dramë që e krijuan po vetë, atë dramë ekonomike dhe sociale që është pjellë e grykësisë së tyre: korrupsionin. Ironia më e madhe është se ndjekësit shqiptarë kanë qysh në vitin 2002 që votojnë atë lider që u premton se do u luftoje korrupsionin, por fatkeqësisht pas çdo votimi kemi o më shumë korrupsion, o një korrupsion me fytyrë tjetër, por me thelb të njëjtë. Kështu njëri pas tjetrit dështoi “Katarsisi” i Fatos Nanos, dështoi premtimi i Dr. Berishës me “Me duar të pastra” dhe po kështu dështoi dhe “Rilindja” e Edi Ramës. Unë mendoj thjesht që edhe psikologjikisht për liderët e tranzicionit është shumë e vështirë të luftojnë atë që kanë krijuar po vetë.
A e shikoni pjesën më të sëmurë të realitetit aktual shqiptar tek korrupsioni?
Iris Halili: Po. Unë mendoj se korrupsioni është metastaza që fillon me zgjedhjet që manipulohen në një formë a tjetër dhe më pas vepron në çdo instancë tjetër. Se po u vodh e drejta e zgjedhjes, të tjerat janë rrjedhojë. Kjo është shumë poshtëruese për çdo shoqëri. Ndërkohë korrupsiono nuk po i lë talentet dhe njerëzit e ndershëm të evidentohen, të gjejnë punë, të konfirmojnë veten apo sigurojnë të ardhurat minimale për jetesë; kjo është arsyeja kryesore e emigrimit masiv të shqiptareve. Fatkeqesisht, sipas EUROSTAT vetëm në kohën e “Rilindjes” janë larguar 360.699 shqiptarë prej të cileve 140.390 të rinj. Këto për Shqipërinë janë shifra tronditëse dhe rrëfejnë se interesi për vendin ka shkuar dhe po shkon në zero. Kjo është drama më e madhe që ka sjellë korrupsioni.
Ky i fundit po edukon një gjenerate të tërë me antimoralin: “Po nuk bëre korrupsion nuk ke të ardhme, nuk mbijeton”. Në media bëjnë moral të korruptuarit dhe këta propozohen si mendjet virtuale që japin leksione morali kur e gjithë jeta e tyre ka qenë një korrupsion pasiv, pasi psh të mos jesh ekspert dhe të dalësh në media dhe të bësh ekspertin është korrupsion intelektual, është korrupsion shpirtëror dhe mbi të gjitha është korrupsion informativ. Shqipëria është një vend i vogël. Gjithkush e njeh tjetrin, kështu që kur moralin ta bën i korruptuari, ajo çka ka vdekur përfundimisht është shpresa se vlera dhe puna do vlerësohet.
Liderët e tranzicionit kanë dështuar në transformimin e premtuar, pasi në realizmin transformues e rëndësishme është të mos transformosh aty këtu, por në të gjithë strukturën, të krijosh vizionin dhe platoformën transformuese në çdo qelizë të shtetit dhe shoqërisë. Le të marrim një shembull aktual. Ne të gjithë e dimë qe gjykatat kanë qenë të korruptuara, por ne të gjithë e dimë gjithashtu se të korruptuara nuk janë vetëm gjykatat, dhe nese ndër vite perpiqesh të bësh reforma vetëm me disa institucione dhe lë mënjanë të tjerat, psh fjala vjen energjinë, arsimin apo mjekesinë, pra bëjmë reforma transformuese në një kah dhe jo “hot stove”, dmth menjëherë në të gjitha sistemet, transformimi mbetet çalaman, pasi është njësoj si të shërosh një organ dhe të lesh të tjerat të vdesin pak nga pak. Nëse ne mbyllim një media për evazion dhe e lëmë ‘të shijë’ një media tjetër, kjo nuk është reformë antikorruptive, përkundrazi ky është një transaksion i rrezikshëm dhe krijon premisat e vendosjes së një forme diktature moderne ku pushteti përkrah vetëm ato që e favorizojnë. Kjo krijon atë që kemi quajtuar oligarki, apo drejtimin preferencial. Ky realitet ka sjellë çoroditje dhe apati totale tek ndjekësit. Kjo ka bërë që Shqiptaret të mos kenë më besim as tek politika dhe lidershipi i saj, por edhe as tek media dhe në pergjithesi në asnjë institucion shqiptar
Cili do të duhej të ishte roli i lidershipit transformues përkundër këtij fenomeni në realitetin shqiptar?
Iris Halili: Aktualisht ndjekësit shqiptarë nuk kanë nevojë t’i bindesh për dramën e korrupsionit në vend, pasi ata janë të goditur deri në palcë prejt tij dhe kjo do të thotë se sot nuk ka nevojë për retorikë politike. Të lodhur nga propaganda antikorrupsion që ka mbetur më shumë e tillë dhe të gjendur midis dy alternativave partiake që janë po njëlloj ato që propozojnë dy stacionet që kanë të njëjtin realitet, ndjekësit shqiptarë deri më tani kanë vendosur ‘të mos zbresin fare nga treni’. Lideri transformers është ai që duhet t’i bindë për stacionin e ri dhe kjo bëhet nëse ai u tregon hartën e stacionit të ri me të gjitha detajet si do luftohet korrupsioni dhe kur do arrihet kjo me afate të qarta.
Ajo që duhet të sjellë lideri transformues është stimulimi intelektual, që do të thotë përpara çdo vendimi apo platforme antikorrupsion të marrë mendimet e paleve të involvulara dhe interesuara për këto reforma. Këtu ka shumë rëndësi angazhimii i të gjitha grupeve sociale.
Lideri transformues pikë së pari duhet të jetë personalisht i përkryer dhe i pastër në figurën e tij, së dyti të vijë me një platforme të qartë me pika transparente dhe të qarta që shkatërrojnë statu kuo-në dhe së treti që është më e rëndësishmja, të mbledhë rreth vetes të pakorruptuarit.
Si e mendoni ju të ardhmen e lidershipit shqiptar duke parë historikun e deritanishëm?
Iris Halili: Në pergjithesi në botën demokratike një lider protagonist pasi mbaron misionin që i është besuar nga ndjekësit largohet, shumë premtime i arrin, shumë jo, pasi nuk ka lider që të përmbushë 100 % nga ato që premton, gjithkush le një gur e kështu vendoset demokracia dhe respektohet e drejta e ndryshimit. Unë mendoj se e gjithe kasta e tranzicionit në politikën shqiptare e ka mbaruar misionin e saj deri diku të transformit të vendit nga një sistem diktatorial në një sistem demokratik dhe pluralist. Duhet pranuar gjithashtu se ne vinim nga një errësirë totale dhe liderët tanë modernë nuk mund të ishin vetëm se amatorë. Por tashmë tranzicioni duhet e perfundojë dhe që kjo të realizohet, liderët e saj duhet t’i hapin rrugën një brezi tjetër të ri.
Unë mendoj se në thelb në Shqipëri vazhdon mentaliteti i partisë amë. Dikur kishim një parti, tani kemi dy, por edhe lidhjen me to e kemi pak a shumë njëlloj. Liderët e rinj duhet pikë së pari të transformojnë këtë mendim të gabuar. Nëse partitë tradicionale nuk e pranojnë dhe kjo po duket qartazi që nuk pranojnë alternativa progresive, duhet parë për një forcë më vete. Në fakt një parti nëse në ide nuk ndryshon, nuk modernizohet, nuk sjell ide dhe individë progresivë, ajo parti vdes. Unë mendoj se të dy partitë e mëdha shqiptare si dhe simotrat e lindura prej tyre po shkojnë drejt këtij fundi. Operacionet “plastike” të tipit që kreu Rama kur u bë kryetar partie, apo partitë e vogla që dolën nga partitë amë nuk sollen asnjë ndryshim, pasi imazhi i ri me njerëz të njëjtë është pa efekt të gjatë.
A keni besim se Shqipëria që kemi ëndërruar në vitet ’90 do të bëhet?
Iris Halili: Po, kam shumë besim. Kam besim tek rinia intelektuale atje, kam besim tek vitaliteti i shqiptarëve që e ruajtën shqiptarizmën për 500 vjet të gjallë, kam besim tek mendjet intelektuale dhe të hapura shqiptare, kam besim tek hapja globale e Shqipërisë që mbyt mentalitet e vjetra dhe formëson pak nga pak apo riparon ato pjesë të kulturës që na ka lënë prapa, kam besim se liderët që i duhen Shqipërisë pas – tranzicionale do të vijnë.
Edhe sa do të duhet të presim apo…?
Iris Halili: Kjo është në dorë të të gjithë shqiptarëve progresistë. Siç na këshillon Nënë Tereza “Jepi botës më të mirën që ti ke”. Çdo transformim fillon pikë së pari nga vullneti individual!/gazeta dielli
Please follow and like us: