Miho Gjini: DUKE PËRKUJTUAR ROLAND TREBICKËN…
Miho Gjini dhe Roland Trebicka
I ndodhur mjerueshëm midis ikjeve më të bujshme te artistëve tanë më të medhenj të skenës dhe ekranit të plejadës së re dhe një informacioni të gabuar nga media me dy ditëlindjet (që jep ajo pasaktësisht më 13 e 17 janar), më thërret shpirti që të përcjell edhe një herë homazhin për Roland Trebickën në 74-vjetorin e lindjes, si sot dhe në 8-vjetorin e largimit nga jeta një muaj më mbrapa, më 6 mars 2013, pët të mbetur gjithmonë i gjallë në hierarkinë e vlerave, si vlerë e patjetërsueshme!
CAKU I DHIMBJES NJERËZORE
Që të gjitha vdekjet janë të dhimbshme. Ca më tepër, kur ata që ikin i kanë dhënë jetës së tyre dhe jetës së shoqërisë kuptimin më të lartë, si shembëlltyrë e një talenti të madh e i një force shpirtërore të jashtëzakonshme, ndërkohë kur njeriu arrin ta kapërcejë vetveten. I tillë qe edhe Roland Trebicka, i cili na iku pikërisht atëherë kur përjetonte kulmet e arritjeve të veta të suksesit në “Altarin e Artë” të Teatrit Shqiptar.
Qëndrova afër tij, për herë të fundit, në një mbrëmje fort të gjatë e të dhimbshme, kur qe duke luftuar me sëmundjen më të keqe dhe s’donte ta jepte veten për ta braktisur skenën. E pashë në skenë, në Dibrën e Madhe, tek zhvillohej një Festival Teatror, në një shkëlqim të ri të pazakontë. Interpretonte me pasion një rol kryesor në veprën absurde të Joneskos “Këngëtarja tullace”. Vetë Jonesko e dashuronte shumë këtë komedi të zezë, që e nisi si një shaka për njerëzit që shtiren dhe e mbaroi si një kryevepër satirike, e cila zhvishte deri në lakuriqësi petkun e snobizmit tek të gjithë ata individë shoqërorë që e “vrasin kohën”, duke “pjekur qiqra në hell”! Aty ndodhet një personazh i quajtur Smith (peshqesh për Roland Trebickën), i cili noton në “detin pa ujë” dhe tërë kohën e vet, sheh ëndrra me sy hapur, i zhytur në kotësinë e ditës, midis njerëzish mediokër e të pashpresë, sikurse është edhe vetë. Të ulur në katër karrige, personazhet llomotisin gjepura gjithfarësh e bëjnë “tjerrjen e shtëllungave të leshit”, për t’i këputur po vetë fijet që dalin prej tyre! Absurdi vepron, del nga skena dhe “pëlcet” midis spektatorëve që gajasen së qeshuri dhe që pastaj u duhet të rishikojnë vetveten si në pasqyrë. Një imazh të tillë krijonte figura e interpretuar prej Roland Trebickës. Smithi i tij qe tipi i skocezit paradoksal, i veshur nga jashtë e nga brenda me “petkat e kotësisë”, me dëshirat më absurde, me gjoksin e mbushur me dekorata dhe duke lexuar gjithë ditën po të njëjtën gazetë! Mirëpo, Roland Trebicka, edhe pse e frynte jashtë mase këtë tip snob, me një shtirje groteske (në trajtë butaforike) drejt madhështisë së rreme, prapseprapë mbetet kaq i vërtetë, kaq i kuptueshëm e po kaq alarmonjës. Forca e artit dhe mjeshëria individuale e aktorit, të linin me “gojën hapur” dhe pastaj të meknin me një gaz shfrenues. Është si një marrëzi që të zbavit, përtej të zakonshmes dhe një shaka “plot kripë” që të rrëmben e të merr me vete. Dhe një përkim tmerrësisht i saktë me njerëzit e sotëm që i kacavirren jetës, shoqërisë dhe politikës së pushtetarëve.
Kisha thuajse dy dekada qe nuk e kisha parë më në teatër këtë aktor, i cili u ngjit në skenë si amator i “pazëshëm” dhe tani interpretonte role të rëndësishme të dramaturgjisë botërore, me synimin më të madh të një artisti profesionist. Ishte duke përsëritur, habitshëm, të njëjtën Histori Arti, si ca komikë më të hershëm akoma, sikundër qe Mihal Popi, Viktor Gjoka, Pandi Raidhi e Nikolin Xhoja, të cilët vinin nga Lëvizja Amatore, thuajse nga “hiçi”, duke arritur të bëjnë “furrore” me vlerën e pastër të talentit vetiak e me punën e jashtëzakonshme që i vë vetes obligime të mëdha. Ja se si ndodh që shumë kolegë të tij, që mbaronin Akademinë e Arteve, nuk do të arrinin dot shkëlqimin e tij, përveç një artisti krejt të veçantë të roleve të karekterit, të dhëna me magjinë e mjeshtrit të vërtetë, sikundër është sot Robert Ndrenika, shumë herë edhe partner i tij i një niveli (thuajse) me Roland Trebicken.
***
Të ulur këmbëkryq në “Sofrën Dibrane”, bashkë me Rolandin, më duhej të shkundja kujtesën e të ndërtoja me mendje portretin e tij artistik. E kisha parë në rolin e një pionieri në filmin “Debatiku” dhe, qysh atëherë, ky vogëlush hyri në suazën e një arti magjik. Dhe, sa të arrinte moshën e adoleshencës, do ta merrnin ushtar, sikundër thuhej atëherë slogani: “për të mbrojtur Atdheun nga rreziku amerikan”! Mirëpo shakaxhiun Trebicka do ta “rrëmbente” Estrada e Ushtarit (v.1969), ashtu sikundër ishin përfshirë në shfaqjet e veta edhe aktorë të tjerë me talent (që më pas do të bënin karrierë artistike skenike), sikundër qe Skënder Sallaku e Dhimitër Furxhiu (Luçi), Koço Devole e Zef Deda, Lutfi Hoxha, Vilson Gjoça dhe Mehdi Malkaj. Dhe vetëm në vitin 1969, amatorin e këndshëm Roland Trebicka, do ta tërhiqte Teatri Popullor. E futën fillimisht të lozte në një dramë, po e kuptuan shpejt se kishin gabuar. Roland Trebicka qe i prerë vetëm për komedi dhe do të “ngjiste” menjëherë te personazhi i farmacistit Leon në komedinë e Eftimiut “Njeriu që pa vdekjen me sy”. Shkëlqimin si aktor do ta kishte në komedinë shekspiriane “Nata e 12,-të”, ku arrin të krijojë me sukses atë që quhet “zmadhimi i figurës”. Po do t’i vinte në repertorin e mëpastajmë një personazh fare i parëndësishëm (do ta quaja të zakonshëm), që ai do t’i jepte një dimension tjetër si tip shoqëror, si karakter i mëvetshëm, duke e kaluar rishtazi në “Lenten e vet zmadhuese”, për të mbetur në kujtesën e publikut si një karakter i papërsëritshëm, Jovan Bregun, tek komedia “Pallati 176” të Adelina Balashit. Mbaj mend që, kur autorja e komedisë, erdhi në Greqi si emigrante ekonomike, do të më thoshte se Roland Trebicka e kishte tejkaluar cakun e personazhit të krijuar prej saj, për ta bërë një tip proverbial. Jovan Bregu i Roland Trebickës qe tepër spontan, i vërtetë dhe i vetvetishëm, duke improvizuar mbi tekstin e personazhit dembel, marifetçi e të paskrupullt, që kërkon të kacavirret në jetë me hilet e veta, aq sa autorja u frymëzua që të shkruante edhe pjesën e dytë të komedisë :”Jovan Bregu emigrant”, po që nuk do të kishte më shkëlqimin e tipit proverbial, të mëparshëm, që na i dha, mrekullisht, Roland Trebicka. Regjisorë të tjerë e ftuan Rolandin që të lozte edhe në vepra të dramaturgjisë botërore: Zganarelin te “Magjia e Madhe” të Eduardo de Filipos, Hlestakovin te “Revizori” i Gogolit, në një komedi të nobelistit Dario Fo e në një tjetër të Grekut Saqelarios, me titullin “Dua Burrë”, duke arritur kulminacionin e tij në komedinë e Joneskos “Mbreti po vdes” dhe në komedinë e Çomorës “Karnavalet e Korçës”, për të shkëlqyer përfundimisht me dy role njëherësh, në të njëjtën shfaqje (te komedia e Moljerit “Kopraci”): Karrocierin dhe Kuzhinierin, të cilat edhe pse interpretohen nga aktori Trebicka ( që të dyja), prapëseprapë kanë veçori individuale dalluese. Dhe këtë dinte ta bënte vetëm një talent i madh si Roland Trebicka. Më mjaftonte të kujtoja vetëm interpretimin e këtij aktori në shfaqjen e komedisë “Valsi i Titanikut”, për t’u stepur përpara epërsisë së tij mbi partnerët (edhe ata fort të mirë si aktorë). Nga një njeri i ngujuar në karrige, i cili nuk ka kurajon me elementare të mbrojë veten, qoftë edhe për një kapele të blerë, në një mjedis familjar pa frymëmarrje dhe i rrethuar prej një realiteti provincial, Roland Trebicka, rrëfen me finesë ndrydhjen e personalitetit njerëzor. Në një terren farsesk,Ai, Rolandi, është plotësisht në “ujërat e veta”, për të kaluar nga njëri ekstrem në tjetrin, aq sa i papërmbajtur, ashtu edhe inert, i paralizuar…Dhe figura artistike, do të përsoset edhe më nëpërmjet Kontit Almaviva te “Berberi i Seviljes”, ku kurbatura e rolit qe edhe më e lakuar në përsosjen e vet, si një figurë e zhdërvjellët, gazmore, e cila mbartte në qenien e vet të gjithë atmosferën e Rilindjes së njeriut të lirë të Europës së re…
***
I gjithë ky meditacion do të ndodhte aty, në një “sofër” të Dibrës, pas shfaqjes “Këngëtarja tullace”, në një ditë dimri, kur jashtë binte borë dhe i ftohti të hynte nën lëkurë. Në “Barin” ku sapo kishim hyrë, vinte gëzueshëm atmosfera e djemve dhe vajzave dibrane, që flisnin shqip me zë të lartë dhe pa i vënë re tre personat (që ishim ne: Rolandi, regjisori Spiro Duni dhe unë kritiku), doemos, pa e ditur se ç’do të ndodhte pesë vjet me vonë me këtë njeri të jashtëzakonshëm, që kishte pamje aq të qetë. Jashtë vazhdonte të binte dëbora, në këtë natë të pazhurmshme, të qetë, me pak muzikë maqedonase në sfond. Duke i tharë disa gota raki kumbulle me Spiron, vija re shmangien e Trebickës nga “lëngu Dionisiak” dhe një tkurrje të shpirtit që mezi dukej pas një shtirjeje të përsosur të gëzueshme. Nisi të më fliste me nostalgji për të bijën që kishte në Francë, ku shkonte shpesh për ta parë e për t’u vizituar vetë prej një dobësie të brendshme që e shqetësonte së fundi… Spiroja do të gjente rastin të më pëshpëriste në vesh se miku ynë –artist, qe shkëputur disa kohë per t’u kuruar në Paris, tek e bija dhe se, kur kthehej, nuk rrinte dot pa hyrë në “hullinë e jetës skenike”, përmes atyre roleve, që i jepnin kënaqësinë më sublime, atë të krijimit… Sikur ta kuptonte se po flisnim për të, Rolandi buzëqeshte i trishtuar, doemos jashtë kornizës së një personazhi, i mbingarkuar me brengën e pashpallur të vdekjes. Kur dolëm jashtë, bardhësia e dëborës e kishte mposhtur errësirën e mesnatës dhe Rolandi mori frymë thellë…
Gjëma do të ndodhte pesë vjet më pas, kur sëmundja më e mallkuar e shekullit do ta mposhtte edhe këtë artist kaq të rrallë e do të na e hiqte përgjithmonë nga skena e teatrit dhe e jetës. Nuk do ta kishim më edhe atë artist qe iu shtua “brezit të artë” të aktorëve të mëdhenj, të atyre artistëve të pashkollë, që u ngjitën në skenë nga “asgjëja” dhe, fal një pune titanike e të talentit vetiak, që natyra ua kishte dhënë pa kursim, dhanë shëmbëlltyrën e një ARTI TË MADH.
Marrë nga libri “Shpirti artistik”, Tiranë, 2014, Botimet EDLORA
Please follow and like us: