Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (8)
1980/KGB-ja, kinemaja dhe Claudia Mori
Dhjetëvjeçari ’80 u hap me një sukses të madh kinematografik. Çifti Ornella Muti-Adriano Celentano i mbushi sallat italiane të kinemasë me dy filma, me një dyshe të papritur filmash, që nisi një stinë të re për Adrianon: “Il bisbetico domato” (“Tekanjozi i nënshtruar”) i vitit 1980-ës arkëtoi njëzetmiliard lira dhe në vitin 1981, “Innamorato pazzo” (“I dashuruari i çmendur”) arkëtoi njëzetenjëmiliard. Me Ornella Muti-n nuk ishte vetëm një lidhje profesionale: Duke bashkëpunuar për filmin “Il bisbetico domato”, midis tyre lindi një marrëdhënie sentimentale e mbajtur fshehur, por që, megjithatë, disa gazeta të “gossip”-eve (“thashethemeve”) arritën ta zbulonin. Marrëdhënia me Ornella Mutin rrezikoi me të vërtetë lidhjen midis Adrianos e Claudias. Edhe fëmijët e tyre u vunë në dijeni të krizës familiare. Dukej që martesa ishte në buzë të humnerës, por pastaj, kriza që kishte goditur “çiftin më të bukur në botë” u shua dalngadalë, pa pasoja.
Më 1987, një e përjavëshme e “gossip”-eve rihapi plagën duke botuar foto e letra dashurie të shkëmbyera mes Adrianos e Ornellas, por atëherë marëdhëniet midis tyre kishin mbaruar me kohë. Nga ky moment, Adriano-ja e kuptoi se Claudia ishte e do të qe përherë gruaja e jetës së tij. Bashkimi i tyre, i miratuar me ligj më 1964, u forcua si në fushën e dashurisë, ashtu edhe në atë profesionale: Claudia, siç dihet, u bë administratore e deleguar e “Clan”-it dhe, duke filluar nga ky çast, mbarështoi të gjitha zgjidhjet profesionale të Adrianos, madje, në mjaft raste (duke filluar nga albumi “Mina, Celentano”, i vitit 1998) qe frymëzuesja e përtëritjes artistike të Adrianos.
Regjizorët Castelano e Pipolo, që kishin punuar me Toton, zbuluan e rizbuluan damarin komik të Celentanos në seri komedish sipas mënyrave italiane, ku sundonte komiciteti surreal. Bumi i arkëtimeve përbri Ornella Mutit ishte vetëm maja e një përvoje kinematografike jo shumë të dëndur, por mjaft të larmishme, me të përpjeta e të tatëpjeta, ndërprerje e përshpejtime. “Çak”-u i parë i përket vitit 1959, me listën e aktorëve të filmit “Ragazzi del juke-box” (“Të rinjtë e «juke-box»”-it apo “Djemtë e «juke-box»”-it) të Lucio Fulcit, një tip “sui generis” (lat. në tekst; shqip: “i llojit të vet”, “i veçantë”; sh.p.) i kinemasë italiane: Ai është regjizor, skenarist, aktor, prodhues filmi dhe shkrimtar. Veç të tjerash, Fulci është edhe autor i disa prej këngëve klasike të kënduara nga Adrianoja, si: “Ventiquattromila baci” (“Njëzetekatërmijë puthje”) dhe “Il tuo bacio è come un «rock»” (“Puthja tënde është si një «rock»”), megjithëse më të rinjtë dhe të pasionuarit e njohin si një nga regjizorët e gjinisë “horror” edhe pse, në të vërtetë, ka bërë edhe filma komikë e “të verdhë”. Filmat “E tu vivrai nel terrore” (“Dhe ti do të jetosh në tmerr”), “La paura nella città dei morti viventi” (“Frika në qytetin e të vdekurve të gjallë”) ose “Zombi 2” e bënë të fitonte në Francë epitetet e “poetit të vdekjes” dhe “Godfather of Gore” (angl. në tekst; sh.p.). Filmat janë vlerësuar në vitet e fundit nga kritika dhe janë quajtur pikëmbështetje, bazë e gjinisë “splatter” (angl. në tekst; sh.p.); për më tepër, janë nderuar nga regjizorë ndërkombëtarë si Quentin Tarantino-ja dhe Robert Rodrigues-i, të cilët kanë futur në filma të tyre mjaft citime të filmave të tij. Fulci e mbante veten për një “terrorist të gjinive, të llojeve”, meqë, duke dashur të nxiste, të ngjallmonte e trondiste shikuesin, punimeve të tij iu fuste tema dhe mënyra vetjake. Në vitin 1960, Adrianoja jetonte një afrim të druajtur me “kinemanë e madhe”: Arriti të merrte pjesë si figurant, si aktor i një roli të dorës së dytë, në një film (që më vonë u ngrit në kult të kinematografisë italiane e ndërkombëtare): “La dolce vita” (“Jeta e ëmbël”) e Frederico Fellini-t. Atëherë, Adriano-ja nuk e kuptonte ose nuk e merrte me mend që, ky zotëri tërheqës me theks romanjol do të bëhej një nga regjizorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, fitues i katër çmimeve “Oscar”. Kur luante pjesën e vogël, që i qe dhënë te “Dolce Vita”, Adrianoja vrojtonte me vëmendje përdorimin e kameras prej Frederico Fellini-t: Edhe atij do t’i pëlqente që herët a vonë të qëndronte mbas objektivit dhe të shikonte botën nga kjo hapje perspektive.
Regjia e tij e parë është “Super rapina a Milano” (1964) ku gjejmë pothuaj të gjithë miqtë e tij të “Clan”-it; një film që tregon mbi një bandë vjedhësish, të cilët, mbasi kryejnë një vjedhjeje, ikin të veshur si priftërinj. Adrianoja mori pjesë edhe në krijime të tjera filmike (kryesisht në filma muzikorë), por karriera e tij kinematografike filloi të ngrihet me të vërtetë vetëm mbas vitit 1969. Përvoja e tij e parë si hero kryesor i një filmi të fortë është “Serafino”, i drejtuar nga Pietro Germi. Filmi tregon historinë e një djali nga fshati, e problemeve të tij me një trashëgimi dhe përshtatjen me modernizmin; një tematikë përherë e dashur për Celentanon qysh në fillimet e tij si këngëtar. Kritika nuk e priti shumë mirë këtë film, por publiku e shpërbleu filmin me një arkëtim të pasur, duke e bërë kështu, një nga arritjet më të mëdha italiane të atij viti. Kur mendon për këtë film, Adrianoja kujton qartë takimin me Pietro Germi-n: “Ishte quajtur një magjistar i kameras dhe amerikanët e çmonin mjaft. Për mua qe një nder i madh, që u zgjodha prej tij. Kur u takuam për kontraton, unë nuk kërkova ndonjë shpërblim të lartë, por në shkëmbim e pyeta në se mund të më mësonte të fshehtat e regjisë e të kameras: Ishte një mësim që më ka shërbyer shumë”.
Sidoqoftë, nga ky moment, kinemaja u bë veprimtaria e tij e dytë. Nga mesi i viteve ’70 punoi me “mbretin e «horror»-it” Dario Argento, por filmi nuk qe “horror”. Për Adrianon ishte një çlodhje, një zbavitje jo krejtësisht e mbarë, jo krejtësisht gazmore; ishte thjesht një komedi me Adriano-n e Sophia Loren-in, e titulluar “Bianco, rosso e…”, (“E bardhë, e kuqe dhe…”).
Mbas “Yuppi Du”-së të 1974-ës erdhi regjia e tij tretë: “Geppo il folle” (“Geppo i çmenduri”), një film muzikor, në të cilin Adriano-ja luan rolin e një këngëtari me famë botërore që, megjithëse nuk e njeh gjuhën angleze, ka një ëndër: të takojë Barbara Streisandin. Pikërisht në këto vite, Adrianoja filloi të punonte me dyshen e regjizorëve Castellano e Pipolo duke xhiruar “Zio Adolfo, in arte Führer” (“Xha Adolfi, në art Führer”), që korri një sukses të mirë tregëtar. Me të njëjtët regjizorë, Celentano-ja xhiroi edhe “Mani di velluto” (“Duar të kadifenjta”) në çift me Eleonora Giorgi-n, atëherë e shoqja e Angelo Rizzoli-t. Suksesi tek publiku qe shumë i madh dhe do të krahasohej edhe me atë të “Il bisbetico domato”-s (të “Tekanjozit të nënshtruar”). Më 1980, Adriano-ja ndryshoi, duke xhiruar episodin e dytë të filmit “Qua la mano” (Toke një herë këtu; sh.p.) të Pasquale Festa Campanile-s, me të cilin kishte punuar shumë herë në të shkuarën dhe “La locandiera” (“Bujtinarja”) e Paolo Cavara-s, përbri të shoqes Claudia e Paolo Villaggio-s. Më 1981 vazhdoi bashkëpunimin me Castellano-n e Pipolo-n duke xhiruar “Asso”-n (“As”-in) me Edwige Fenech-in dhe “Innamorato pazzo”-n (“I dashuruari i çmendur”) përsëri me Ornella Muti-n, duke u ngritur mbi klasifikimin e arkëtimeve.
Më 1982 ritakoi Eleonora Giorgin (përveç Enrico Montesanos e të rinjve tashmë të mirënjohur Diego Abatontuono e Carlo Verdone) në sheshxhirimin e filmit “Grand Hotel Excelsior”. Megjithatë, bashkëpunimi midis Adriano-s dhe dy regjizorëve u kris, u cenua për shkak të humbjes së mirëkuptimit në filmin e mëpasëm “Segni particolari: bellissimo” (“Shenja të veçanta: Shumë i bukur”) të vitit 1983. Në të njëjtin vit xhiroi edhe një film tjetër, përsëri me Pasquale Festa Campanile-n: “Bingo bingo”, ku arriti suksesin e tij të fundit tregëtar.
Në historinë kinematografike të Adriano-s është edhe një film shumë i kritikuar: “Joan Lui”. Në në një vend të vogël, të një botë të rrënuar nga dhuna dhe nga probleme të tjera shoqërore, arrin me tren Joan Lui, i quajtur ndryshe “Gesù Cristo i shek. XX” (“Jesus Krishti …”; sh.p.), që rikthehet në tokë për të luftuar të keqen dhe korrupsionin, për të stigmatizuar hipokrizinë dhe hedonizmin. Me një grup ndjekësish besnikë, Joan Lui fillon veprën e tij shpëtimtare duke lëvizur si “Gesù”-i (“Jesus”-i) midis njerëzve. Judi, një “manager” i shfaqjes, gazetar i të majtës, simbol i konsumizmit kulturor (që Adriano-ja e sheh si shenjë negative të kohës sonë) goditet nga Joan Lui dhe dëshiron ta nxjerrë si “leader” (angl. në tekst; sh.p.). I Paudhi, mishërimi i Saranit nën petkun e një tregëtari lindor shumë të fuqishëm, fillimisht përpiqet të korruptojë shpirtin e tij, pastaj ta vrasë me një breshëri të shtënash me pistoletë, por nuk e arrin synimin në asnjërën prej dy përpjekjeve të veta. Mbasi ia hoqi maskën të Paudhit, që ishte pasuruar nëpërmjet bandës së organizuar të prostitucionit, Joan Lui iku, ndërkohë që një tërmet shkatërrimtar bën të shëmben shtëpi e qytete nën këmbët e turmës të çmendur nga llahtari. Tërmeti paraqet një përfytyrim “të fundit të botës”. Filmi kushtoi shumë shtrenjtë, shifra të çmendura lirash (rreth njëzetmiliard lira) dhe e tregoi veten një “flop” (angl. në tekst; shqip: “dështim”; sh.p.) tregëtar dhe një falimentim në biletaritë italiane (arkëtoi rreth shtatë miliard lira).
Mbas dështimit të “Joan Lui”-t, Adrianoja xhiroi “Il burbero”-n (“I vrazhdi”), komedinë e fundit të karrierës, të firmosur edhe një herë nga Castellanoja e Pipolo-ja dhe që pati një sukses jo fare fare të pakët. U rikthye në studiot filmike më 1992 për të luajtur filmin “Jackpot” (angl. në tekst; sh.p.), në të cilin ishte edhe skenograf. “Joan Lui” është një film midis fantashkencës dhe ekologjisë, ku Adriano-ja qe i detyruar të luante në marrje drejtpërdrejt e në gjuhën angleze. Filmi u prit shumë keq nga kritika, e cila (duke parë edhe arkëtimin e varfër) e quajti “një nga filmat më të dobët e kinemasë italiane”. Vetë Adriano-ja pohoi se, filmi kishte të meta të shumta dhe se kritikët, të paktën një herë, kishin vërtet të drejtë. Ishte krejt e papritur dhe gati e pabesueshme (por jo krejt kështu) që në Bashkimin Sovietik, “Joan Lui” pati një sukses të madh, deri në atë pikë që, më 1957, Adriano-ja pranoi ftesën për të dhënë një koncert në Moskë dhe atje pati një pritje madhështore, si nga Gorbaçovi ashtu edhe nga populli rus. Nuk ka asgjë për t’u çuditur: Qysh në vitet e para të karrierës së tij, Adrianoja është quajtur “një legjendë” në Bashkimin Sovietik, një mit i pashueshëm i këngës, që as Elvis Presley, as vargu i grupeve të mëdha “rock” të viteve ’60 e ’70 nuk mundën kurrë ta minonin. Arsyet e këtij popullariteti nuk janë studiuar asnjëherë mirë; ndoshta është parë si një shembull frymëzues prej të rinjve sovjetikë që nuk mund të ndiqnin lehtë muzikën “rock”, sepse ata (të rinjtë sovjetikë) i dëgjonin këngët e Adriano-s fshehurazi, që përtej “perdes së hekurt” dhe fotografitë e tij i ruanin si relike. Lidhur me këtë, unë kam një kujtim vetjak: Në moshën e adoleshencës, kur daja im Adriano ishte tashmë i famshëm, nëna ime Maria, motra e tij, e ndihmonte të ndante veç e veç dhe të përzgjidhte qindra letra të “fan”-ëve, që arrinin çdo ditë me kërkesa për foto me autograf. Nëna ime më kërkonte shpesh mua që ta ndihmoja për t’i futur ndër zarfa. Mes letrave që mbushnin plot kutinë e postës, të paktën gjysma vinin nga vendet e Lindjes. Të shkruara në rusisht apo çekosllovakisht, qenë për ne krejt të pakuptushme; merrej me mend vetëm se donin një foto. Në shumë raste, në to shihej shenja e buzëve të lyera me të kuq; në të tjera, vizatimi i fytyrës së Adriano-s sipër shkrimit “amore”. Një herë, nëna ime u mundua të përkthente një letër të dërguar nga një grup “fan”-ësh dhe prej saj kuptoi sa adhurohej daja im në vendin e tyre. Nga ana tjetër, ende sot miti i qëndron kalimit të kohës: Më shumë se një herë kanë arritur në tryezën e Adriano-s oferta miliardash për dhënie transmetimesh televizive ose koncertesh në Rusinë e Putin-it. Më 3 janar 1994, “Corriere della sera” tregoi historinë e çuditshme të “sosia”-s rus: “Në Moskë, Adriano Celentano ka një «sosia». Quhet Anatoli Denisov, është dyzetepesëvjeçar dhe është krejtësisht i njëjtë me «Molleggiato»-n (“Elastikun”). Në sajë të kësaj ngjashmërije që të bën përshtypje, «binjaku» i Celentanos bën bujë në Rusi, ku aktori e këngëtari italian radhitet mes «yjeve» të huaj më të dashur e më të çmuar. Anatoli Denisov ka lindur në San Pjetërburg (në qytetin e quajtur Leningrad e që ka rimarë emrin e tij të vjetër mbas përmbysjes së BRSS-së) dhe përveç pamjes fizike ka të përbashkët me Celentanon edhe prejardhjen e tij fshatare. Ai është diplomuar në inxhinieri, ka punuar në një fabrikë pa hequr dorë nga e ardhmja e tij si «showman» (angl në tekst; sh.p.) deri kur filmat e parë të aktorit italian pushtuan sallat kinematografike të të atëhershmit Bashkim i Republikave Socialiste Sovjetike. Duke parë suksesin e filmave me hero kryesor Celentanon, Denisovi u bind të shfrytëzonte ngjashmërin e tij. Tre vjet më parë, Denisovi u shpall fitues i «Festivalit për “sosia”», që zhvillohet në San Pjetërburg dhe qysh atëherë është i zhytur ndër oferta për të marë pjesë në shfaqje televizive; ka marë tekste me role kinematografike të ndërtuara posaçërisht për të dhe kërkesa për paraqitje në koncerte. Ka shërbyer edhe si model i skulptorit Leonid Aristov, që dëshëronte të bënte të pavdekshme fytyrën e Adriano Celentanos dhe, në mungesë të origjinalit ka përdorur si model «binjakun» e tij rus”. Nga ana tjetër, në Rusi nuk çmenden për Adriano-n vetëm “sosia”-t. Anna Jampol’skaja dhe Marco Dinelli, dy shkrimtarë që jetojnë në Rusi dhe që kanë botuar mjaft studime e histori mbi atë vend, i kanë vënë emrin e dajës tim një kapitulli të një libri mbi Leninin. Në një kalim të një libri mbi Rusinë, të shkruar nga të dy këta autorë, lexohet mes të tjerash: “Përpara ka qënë ëndra e komunizmit, pastaj, me mbarimin e kësaj ëndërre, filloi një tjetër, ajo e të hollave dhe e jetës së ëmbël. Më vonë, gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të ri, u shtua ajo e qëndrueshmërisë. Dhe nuk ia del të zgjojë; por ky pulsim, kjo energji që çlirohet në hapësirat e paanëshme të Rusisë, (tokë, si Amerika, e mitologjive dhe megalomanive) kjo aftësi për të ëndëruar e guxuar, do të thosha, është diçka që ne europianët nuk e kemi më. E çfarë mund të shpjegojë (të ilustrojë) më mirë ëndrrën ruse, kalimin e Rusisë nga vetvetja në vetvete, e mitit të njerëzve të vet politikë? Tridhjetë vjet më parë, BRSS jetonte në mitin, pak a shumë të detyruar, të Leninit. Sot jeton në mitin e Putin-it, të rikthyer me kryelartësi, mitin e politikanit të fuqishëm të bërë edhe “sex symbol” për gratë ruse. Në BRSS, vajzat ëndërronin Adriano Celentanon dhe këndonin këngët e tij. Sot këndojnë një këngë, që thotë se duan një burrë si Putini”. Ëndrrën e Celentano-s e shpjegon Anna Jampol’skaja: “Vajzat ëndërronin Celentanon dhe këndonin këngët e tij”. Ndoshta ja pse, një film si “Joan Lui” , që te ne u kritikua për thjeshtësinë e tepruar me të cilën interpreton të mirën e të keqen, u bë një rastësi suksesi në Bashkimin Sovjetik më 1985; çfardo që të bënte ndokush, Adrianoja do të qëndronte të ishte një mit për të rinjtë sovjetikë. Pastaj, ndoshta, është edhe diçka tjetër, siç më shpjegoi një herë një tjetërmendës (gjatë një kuvendi mbi mendimet e kundërta në BRSS), i cili e kishte marë vesh farefisninë time me Adrianon: “Ndoshta daja tënd u ftua më 1987 në Bashkimin Sovjetik nga Gorbaçovi pikërisht me qëllim që të infektonte kulturën sovjetike me atë perëndimore. Kam parasysh që tek ne, Celentano-ja ishte me të vërtetë një mit; si për intelektualët ashtu edhe për popullin ishte shprehja e diçkaje që na qe mohuar”. “Joan Lui” doli më 1985, kur perandoria sovjetike ishte në rrugën e perëndimit, e rënies. Më 1982 vdiq Leonid Brezhnievi, perandori i fundit, më integralisti, që u përpoq të mbante gjallë superfuqinë e lindur nga Revolucioni i Tetorit. Nga ky moment filloi agonia e BRSS-së, e cila do të zgjatej, do të shtyhej në kohë deri më 1989, me rënien e “Murit të Berlinit” dhe fundin e bllokut sovjetik. Prapëseprapë, tre vjet mbas vdekjes së Brezhnjevit e para shembjes së plotë, në Bashkimin Sovjetik pati një orvatje për çlirim: Qe përvoja e madhe e “perestrojka”-s dhe e “gllasnos”-it. Mihail Gorbaçovi e hapi BS-në drejt Perëndimit nëpërmjet një proçesi politik e kulturor, që nuk do të arrinte të kontrollonte më vendin dhe që do ta kishte shpënë në kolaps të plotë Bashkimin Sovjetik; rrjedhimisht, do të rrënonte ekonominë e planifikuar. Adrianoja shkoi në Bashkimin Sovjetik më 1987, i ftuar nga pushteti dhe, siç ndodhte shpesh, nuk dinte asgjë për çfarë po ndodhte në atë vend. Nga ana tjetër, edhe intelektualëve të së majtës, që ndiqnin hap pas hapi evolucionin e BRSS-së, iu ikte, iu shpëtonte rruga historike ku po futej ai vend. Adriano-ja ishte sigurisht kureshtar të zbriste në “Vendin e Leninit e Stalinit”, në atdheun e atij komunizmi, për të cilin kishte dëgjuar shumë nga i nipi apo nga kunati Paolo. Për herë të parë në jetë, ngadhënjeu mbi frikën e vet ndaj fluturimit. Në një ditar timin kam gjetur shënime të rrëfimit, që bën Adriano-ja për këtë udhëtim në Bashkimin Sovjetik: “Gjithçka lindi nga një letër që më erdhi nga Kremlini: «Kemi mësuar që ju keni bërë një film për Gesù Cristo-n (“Jesus Krishtin”; sh.p.). Është kënaqësi për ne t’ju ftojmë në Vendin tonë për t’u njohur me këtë film». Kjo letër më bëri përshtypje të thellë. Në qoftë se sovjetikët donin të shihnin filmin tim mbi Gesù-në, unë nuk mund t’iu thosha: «Jo!». Dhe kështu e pranova ftesën. Ata u befasuan nga përgjigjia time; për tridhjetë vjet me radhë ishin përpjekur të më bënin të shkoja në vendin e tyre, por unë gjithmonë kisha thënë: «Jo!». Frika nga avioni? Më kaloi, do të ketë qënë besimi im, por ndjeva se më mbrojti Gesù-ja në këtë udhëtim”. Kur Adrianoja zbriti në Moskë u trajtua si një krytar shteti. Në aeroport e prisnin organizatorët e udhëtimit dhe të hotelit për konferencën e shtypit. “Kjo ngjarje më bëri përshtypje. Ishim në një dhomëzë, në pritje për të mbajtur konferencën e shtypit. Përbri meje qe Claudia. Unë mendoja një sallë konferencash si ato që përdoren mbas transmetimit televiziv ose hedhjes në treg të një disku të ri. Në çastin e hyrjes në sallë, kaluam nëpër një portë dhe përtej saj ishte një lloj amfiteatri me gjashtëqind gazetarë të ardhur nga gjithë bota. Më bënë pyetje për Zotin, për fenë. Dhe kur një gazetar më pyeti se çfarë mendova për Moskën, u përgjegja se, po të qe për mua, do të kisha shembur të gjitha kasermat që pashë duke ardhur për në konferencë. Në sallë u dëgjua një gumëzhimë e madhe dhe disa të qeshura. Claudias po i binte të fikët. Këto fjalë kundër spekullimit të ndërtimit dhe çimentimit bënë mjaft bujë”. Në fund të konferencës së shtypit, e shoqja e Gorbaçovit, Raisa Titarenkoja, iu dërgoi një telegram falenderimi. Në Bashkimin Sovjetik, kohët po ndryshonin me shpejtësi. Vetëm pak vite më parë, Adrianoja nuk do të kishte mundur kurrsesi të mbante një konferencë shtypi kaqë të hapur në të gjitha pyetjet. Vetëm pak vite më parë emri i tij ishte i ndaluar. Siç dëshmon një dokument i gjetur nga korrespondenti i “Corriere della Sera”-s, Paolo Valentino, KGB-ja, mes të tjerëve, ia kishte vënë gishtin edhe Adrianos. “Në korrikun e vitit 1982”, lexohet në shërbimin e Valentino-s, “KGB-ja dyshonte për Celentanon. Koha e Brezhnjevit po shkonte drejt muzgut mes jehonave kobëzeza të korrupsinit e nipotizmit. Era e ngrirë e «confrontation»-i («vënies ballë për ballë», «përballjes»; angl. në tekst; sh.p.) kishte rifilluar të frynte mbi panoramën ndërkombëtare: Kishte perënduar koha e shtendosjes së dyshimtë të Niksonit e Carterit; Kremlini shihte te Roland Reagani një kundërshtar që nuk bënte dhurata. Dalldia e riarmatimit kishte nxjerrë në pah krisat, të çarat e një sistemi frikshëm të prapambetur. Mundësitë për vazhdimin e mbulimit të shkatërrimit të një ekonomie të pashpresë ishin paksuar e dobësuar me shpejtësi. Alkoolizmi kishte vërshuar, kishte marë dhenë. E pra, «Il ragazzo della via Gluck» trembte shërbimin e gjithëfuqishëm sekret. Mundësija e një koncerti të tij «shumë të rrezikshëm» në Moskë vuri në lëvizje vetë Kryetarin e atëhershëm të «Komitetit për Sigurimin e Shtetit», Vitali Fedorçuk.
«Një interesim i dëmshëm nxitet në BRSS për “tournèe”-të e disa “star”-eve të huaj të “muzikës pop”: Të rinjtë grumbullohen në hyrje të sallave të koncerteve; në brendësi të sallave gjendja është përherë e mbindezur, e zjarrtë; guxojnë edhe të bërtisnin brenda në sallë dhe rreken të vallëzojnë në grumbull, në shumicë», do t’i shkruante (në një raport sekret) Komitetit Qëndror të Partisë, Fedorçuku i shqetësuar. Memorandumi përkatës mban datën 19 korrik 1982 dhe ka numurin e protokollit 1479. Fedorçuku ia dërgon drejtpërdrejt Juri Andropov-it, ish-kryetarit të KGB-së, të caktuar për të qënë zëvendësuesi i Brezhnjevit dhe, në të vërtetë, në atë kohë ishte përgjegjësi i majës komuniste. Titulli i shënimit jepte tonin e përgjithshëm: «Mbi shfaqjet negative në sjelljen e disa kategorive të shikuesve në rastin e koncerteve të artistëve të huaj dhe seancave të projeksionit të veprave kinematografike perëndimore»: «Midis të dhënëve me zjarr pas “muzikës pop”», shkruante i pari i spiunëve të shërbimit sekret më të fuqishëm në botë, «përhapen vazhdimisht zëra për “tournèe” të pashmangëshme artistësh të huaj, gjë që nxit opinionin publik dhe ndihmon në përmasë të madhe këto manifestime negative. Më 1981 u përhapën zëra të këtij lloji lidhur me kompleksin suedez “Alba”, tashti qarkullon gjallërisht njoftimi i një gazete të Moskës mbi koncertet e këngëtarit italian Celentano». Për të qetësuar KGB-në, PCUS-në dhe partinë socialiste, Fedorçuk-u shton: «Goskonzeret-i nuk e ka përfunduar ende këtë marrëveshje». Mbas mureve të «Lubianka»-s kishte, pra, edhe fanatikë të pagëdhëndur, të shqetësuar për mbrojtjen e pastërtisë ideologjike të bijve të rinj të socializmit nga infektimi prej balladave si «Azzuro», «Una carezza in un pugno» ose «Mondo in mi 7a».
Edhe sot, kur ai regjim është përmbysur, duke e parë mirë vërehet se Fedorçuku nuk e kishte gabim. Kur në momerandumin e tij qahej që, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit Çajkovski pjesëmarrësit e huaj do të ishin objekt i «duartrokitjeve të tepruara», ndërsa sovjetikëve do t’iu jepeshin vetëm «rrahje të vakta duarsh», ai qëllonte dobësitë e sistemit; dhe e merrte me mend që, çdo hapje ndaj Perëndimit (siç e pohoi më pas historia), ndoshta edhe nën paraqitjen jo pikë për pikë revolucionare të «elastikut», do të ishte fillimi i fundit. E bëri Gorbaçovi dhe e dimë të gjithë si shkoi”.
1987/”Fantastico 8″ në kohët e CAF-it
Në qoftë se më 1982, Adrianoja u klasifikua si “subjekt i rrezikshëm” nga njerëzit e KGB-së, më 1987 qenë majat e RAI-t që e quajtën “një subjekt me rrezik” . Viti 1987, ishte, në të vërtetë, viti i tërmetit të madh politiko-televiziv, që përmbysi mënyrën e ndërtimit, e dhënies së transmetimeve televizive dhe vendosi një lidhje tjetër midis publikut e përçuesit. Tërmeti u quajt “Fantastico” (“Fantastik”, “I jashtëzakonshëm”, “I mrekullueshëm”); ishte transmetimi i të shtunës mbrëma në “Rai Uno”, i cili, nën drejtimin e Adriano-s, u bë një ngjarje politike dhe gjyqësore. Gjithçka kishte filluar me një histori të përzishme, që shkundi Adriano-n e, veçanërisht, motrën e tij Maria, nënën time dhe të gjithë familjen. Tiziano Falco ishte vëllai im. Ai kishte një mbiemër të ndryshëm, sepse nëna ime e kishte nga lidhja e saj me një burrë tjetër, me Clemente Falcon. Më 18 nëntor 1987, Tizianoja vdiq nga një aksident rrugor, në sheshin Castello të Milanos. Për nënën time dhe për ne të gjithë, dhembja qe shumë e madhe. “Corriere della Sera” i përkushtoi një artikull, “Vdes në një aksident një Pony Express”, vetëm sepse dihej që Tiziano-ja ishte nip i Adriano-s. Vargu i kronistëve, që kërkonin të dhëna, zgjatej mjaft, poshtë shtëpisë. Dikush ishte i rregullt, dikush ishte pak matuf, deri njeri i trashë nga mendja e donte të dinte pse nipi i Celentanos bënte një punë aq të thjeshtë si ajo e “Pony Express”-it (angl. në tekst; sh.p.). Dihet që, nganjëherë, mjeshtëria e kronistit është plot cinizëm.
Më 21 nëntor, ditën e varrimit të Tizianos, kuptova çfarë do të thotë (në disa rrethana) të jesh nip i Adriano-s: Arritën dhjetëra fotografë, operatorë, kronistë dhe kureshtarë. Kishin ardhur në varrim, sepse prisnin të arrinte Adriano-ja, jo për tjetër; por Adrianoja nuk mund të vinte: Ai foli gjatë në telefon me nënën time duke u përpjekur t’ia lehtësonte dhembjen, por nuk mund të merrte pjesë në varrim ngaqë, pikërisht atë të shtunë nëntori, ishte i detyruar të paraqeste “Fantastico”-n. Në transmetim të drejtpërdrejtë në TV, Adrianoja i përkushtoi pak fjalë ngushëllimi: “Përshëndetje, motra ime dhe të lutem të mbahesh e qetë. Unë të jam afër”. Kjo ngjarje ishte një nga nga rastet e shumta, në të cilat kuvendonim mbi jetën e vdekjen, mbi ateizmin dhe fenë. Adrianoja ishte duke filluar një stinë televizive me shumë përgjegjësi, pra e kishte kokën gjetiu, por vdekja e Tizianos e tronditi mjaft. Kur shkova për ta takuar në Romë, gjatë transmetimit shkëmbyem disa mendime politike mbi atë periudhë. Si zakonisht, ai më pyeti për një shumicë gjërash krahasimore të politikës së atëherëshme, për drejtpeshimet që drejtonin qeverinë dhe RAI-n, por pastaj, me rastin e vdekjes së Tizianos, filliam të fjaloseshim mbi filozofinë. Adriano-ja ishte strehuar në “Hotel Hilton” dhe (e mbaj mend edhe sot) shkëmbimi i mendimeve tona vazhdoi deri natën vonë. Kur jepej pas diçkaje, ai nuk donte të shkëputej kurrë, nuk dinte të ndalej. Daja im, siç e dinë të gjithë, është mjaft fetar, por fetaria e tij nuk është e ankthshme. Edhe në këtë rast, u rrek të më mbushte mendjen se Tizianoja kishte shkuar atje për të qënë më mirë, se kjo jetë është vetëm një kalim për të fituar më pas mbretërinë e qiejve: “Është e vërtetë që të gjithë kanë frikë nga vdekja, por për katolikët, vdekja është diçka e ndryshme”.
Pa dyshim, këto fjalë më drejtoheshin mua, iu drejtoheshin të pafeve si unë. E kundërshtova, i vura në dukje që e mendoja ndryshe dhe që nuk do të mund të më bindte kurrsesi mbi përjetësinë. Më në fund, me mjaft nderim për qëndrimin tim, më njoftoi se, sido që të mendoja, herët a vonë unë do të ndryshoja, do të kthehesha në rrugën e fesë.
Aventura e “Fantastico”-s filloi me një lajkatim të madh të Adriano-s nga ana e “kokave” të RAI-t. Adrianoja është gjithmonë “mbret i teleshikuesve” dhe, rrjedhimisht, i arkëtimeve nga reklamat. Drejtuesit e dinin mirë këtë. Për muaj e muaj me radhë u munduan të ngadhënjenin mbi përtesën e tij e për ta bërë të merrte përsipër një transmetim kaq me përgjegjësi dhe, më në fund, ia dolën ta bindnin. Për RAI-n ishte një rast i jashtëzakonshëm që nuk mund të lihej për më vonë: Qysh prej disa kohe, treguesit e teleshikimit të një grupi televiziv vetjak, të krijuar nga një sipërmarrës shumë sulmues në planin e reklamës dhe të tregëtisë, ishin bërë “halë në sy” për TV shtetëror. Sipërmarrësi quhej Silvio Berlusconi, ishte pronar i tre dhënësish televizivë dhe me Publitalian, arrinte të kontrollonte gjashtëdhjetë përqind të tregut të reklamës televizive. Mbi të gjitha, Berlusconi nuk shikonte shpenzimet: Në qoftë se i interesonte një artist që punonte në RAI, e mbipaguante dhe gati përherë arrinte ta merrte në perandorinë e vet televizive. Artistët dhe gazetarët, “manager”-ët (drejtuesit) dhe organizatorët ishin plotësisht të kënaqur nga kjo strategji tregëtare, sepse tregu i drejtuesave të programeve televizive dhe “entertainment”-it (angl. në tekst; shqip: “argëtimit”, “zbavitjes”, “dëfrimit”; sh.p.) po rritej në mënyrë të pashembullt. Një rast mjaft domethënës është ai i Mike Bongiorno-s, një nga drejtuesit e parë të mëdhenj të programeve televizive, i cili punoi me grupin e “Biscione”-s (fjala italiane “biscia”, në shqip do të thotë “bollë”; emri “Biscione”, i rrjedhur prej fjalës “biscia”, do të thotë “bollë e madhe”; sh.p.) dhe dha ndihmesë për lindjen e televizionit tregëtar. Periudha 1987-1988 do të kujtohet në analet e RAI-t si koha e ikjes së madhe drejt rrjeteve “Fininvest” të Pipo Baudo-s e Raffaella Carrà-së, dy figura historike të TV të Shtetit. Pikërisht, për të ndaluar hemoragjinë drejt transmetuesave televizive të Berlusconi-t, RAI (në gjysmën e dytë të viteve ’80) trokiti në portën e Adriano-s. Ai nuk merrej me politikë, dinte pak për Berlusconi-n dhe mezi kishte dëgjuar të flitej për CAR-in, një “sigël” (shkurtim emri) që në ato vite përmblidhte përqëndrimin e furisë politike në duart e Craxi-t, Andreotti-t dhe Forlani-t; megjithatë ai kishte mendime të qarta si të udhëhiqte (si të drejtonte) “Fantastico 8”-ën. Kur për ne gazetarët CAF-i ishte një formulë pak e shpërdoruar, e stërpërdorur, që tregonte për politikën e “Pentapartito”-s (“Pesëpartitshes”); për Adriano-n ishte një “sigël” e errët, e ngatërruar, e fshehtë. Mua më jepte të kuptoja që atij i interesonte para së gjithash “të lozte” me televizionin. Edhe atëhere, në prag të transmetimit, ishte i etur për lajme dhe çelësa të leximit. Kërkesa e tij për njoftime fillonte përherë me një dyshim hiperbolik dhe me pyetje pak fëmijërore, tepër të thjeshta: “Më fal Bruno, po çfarë do të thotë CAF? Ç’është në thelb kjo «Pentapartito»-ja?”. Adriano-ja, si “kafshë e shfaqjes”, kishte vetëdijen se ishte një “minë shëtitëse”, por, meqë nuk qe politikan, nuk shqetësohej më shumë për drejtpeshimet e brendëshme të Pallatit. Shumëkatoliku Adriano, ishte i padjallëzuari, i çiltëri, i thjeshti “djalë i rrugës Gluck”. Ata (kryetarët e RAI-t; sh.p.) qenë të bindur se kishin marë në punë një prej tyre (prej “djemve të rrugës Gluck”; sh.p.), një djalë të aftë me besim të sigurt katolik, pa shumë teka në kokë dhe, mbi të gjitha, pa ambicje të kota prej heroi kryesor; me një fjalë, një që mund të kontrollohej lehtë, që do të mund të sillte shumë teleshikues, që do të ndalonte ikjen drejt “Biscione”-s pa krijuar ndërkohë probleme të mëdha për RAI-n dhe drejtpeshimeve të vështira politike të kohës. Të bindur në të vërtetën që Adriano-ja ishte më i padëmshmi, më i parrezikshmi ndër artistët italianë, shefat e RAI-t nënshkruan një kontrato të pabotuar, që e lejonte drejtuesin e programit të vinte në jetë zgjedhjet e veta duke qënë krejt i pavarur, pa i dhënë llogari askujt për përmbajtjen e transmetimit. Adriano-ja nuk kishte detyrime, mundej të merrte menjëherë guximin që të mos iu parashtronte kryetarëve apo përgjegjësave të sistemimit artistik, skicën e serive të veçanta. Në atë kohë, unë punoja si gazetar i të përjavëshmes së grupit RCS “Il Mondo” (“Bota”) dhe mbaj mend që e intervistova dajën tim me rastin e “Fantastico”-s. Ai, ndryshe nga sot, nuk i ndiqte me hollësi akrobacitë politike, por si një jopolitik, si një njeri që vinte nga populli; e merrte me mend që ishte e nevojshme të shkeleshin ligjet, të çahej atmosfera mbytëse e krijuar nga ndërhyrjet e partive politike dhe prandaj, me shumë çiltërsi, më njoftoi se drejtimi i tij i “Fantastico”-s do të hynte në histori. Udhëheqësit e RAI-t më takuan mbas intervistës dhe më pyetën nëse, sipas meje, daja im lozte apo e kishte me gjithë mend. Iu përgjegja se nuk duhej ta nënvlerësonin dhe se, sipas meje, e kishte me gjithë mend. Kështu ishte. Seria e parë e “Fantastico”-s u hap me një heshtje që zgjati disa minuta, midis një monologu e monologut pasues: “Një shekull”, për zakonet e gjuhës së folur televizive. Adriano-ja u soll sikur të mos ishte para telekameras, tha gjëra me zë të ulët, foli sikur të ishte në shtëpinë e tij, iu ra rrotull pa qëllim studiove televizive duke hedhur herë pas here një shikim drejt telekameras. Kur filloi të këndonte gjithçka u normalizua, por ai nuk kishte dëshirë të këndonte dhe kaq, donte të thyente rregullat e mjedisit televiziv. Sot, në valën e këtij “Fantastico”-s, heshtjet janë të shpeshta, por atëherë, për këdo që merrej me televizionin, kjo e gjitha quhej “sakrilegj”. Kur transmetohej fytyra e ngrysur dhe e heshtur e Adriano-s, publiku ishte i pështjelluar, i ngatërruar; edhe për ne në familje, që e shihnim për herë të parë ashtu, qe një “shock”, një emocion i fortë i papritur. Në vijim, Adriano-ja tha se këto heshtje përbënin një mënyrë shprehjeje dhe nxitjeje për të bërë të kuptohet që është e nevojshme të ndalet mendimi, që lumejtë e fjalëve pa ndërprerje vazhdimësie të përhapura nga ekrani i vogël mbysin trurin, nuk e lejojnë të mendojë. E keqja qe se, në mes të një heshtjeje, daja im u hodh në një sulm të furishëm kundër spekullimeve të ndërtimit dhe përgjegjësisë së partive në qeverisjen e qyteteve. Në shinjestër hyri edhe kryetari i atëhershëm i bashkisë së Milanos, Gabriele Albertini. Ndërmjet një heshtjeje e asaj pasuese, “kokat” e RAI-t qenë të pranishme e krejt të pafuqishme në këtë fillim. Mbas serisë së parë, kritikat e shtypit qenë shumë të ashpëra. Vetëm e përditëshmja “il manifesto” (“manifesti”) e mbrojti Adriano-n. Mariuccia Ciotta, kritike televizive e gazetës, shihte në këtë “Fantastico” një revolucion të mirëfilltë artistiko-mediatik. Kritikave të shumta dhe akuzave të letrave të shkruara e intelektualëve, Adriano-ja iu përgjegj me një përsiatje të gjatë të botuar në librin e Lino Jannuzzi “Il Profeta e i farisei” (“Profeti dhe fariseit [hipokritët]”). Në këtë libër rindërtohet historia e këtyre orëve me një dozë të mirë vetëshpotije, që ia vlen ta kujtojmë: “Në mbrëmje, gazetarët vërshuan në dhomëzën time duke bërtitur: «Është një dështim i plotë, një dështim i stërmadh, që nuk ka shembull në historinë e televizionit»; deri Maffucci, që është një njeri i mirë dhe që gjithmonë ka bërë siç thosha unë, më vështroi i pikëlluar dhe hapi krahët: «Këtu, të gjithë thonë se ke marë fund». Shkova të flija. Isha i lodhur. Gjatë gjithë transmetimit më kishte torturuar një dhembje e tmerrshme koke. Claudia më lexoi gazetat me tituj shumë të mëdhenj të faqeve të para: «Teledështim», «Katastrofë te “Fantastiko”», «Rënia e Celentano-s», «Shfaqje e pagdhendur dhe e sajuar aty për aty», «Varietè televizive, vdekje në transmetim të drejtpërdrejtë», «Shumë heshtje për asgjë», «Pauza, pasiguri, krijim aty për aty: Kështu ka vënë në lojë katërmbëdhjetëmilionë italianë», «Italianët nuk e duan Celentano-n drejtues programi», «Jo, i dashur Adriano, kështu nuk shkon», «Celentano-ja nuk është i zanatit», «Është Celentano-ja që duhet të ndryshojë», «Pushojeni nga puna», «Dërgojeni në shtëpi», «Sa e zbehtë, sa e mjerë ishte e shtuna e qytetit», …
Më vinte për të qeshur. Këta tituj nuk i kisha parë as për tërmetin e as për luftën në Vietnam. U zvarrita me mbathje e kanotiere deri në kolltuk e i bëra shenjë të vinte «kasetën» me regjistrimin dhe ta ndizte televizorin. «Bëje që ta shoh», i thashë. Të gjithë më qëndronin përreth, miqtë të heshtur e Claudia pak e mërzitur. Unë shikoja videon, ata më shikonin mua dhe kur fillova të qeshja, më panë si të isha i çmendur. Gjatë pesëdhjetë viteve të mija nuk isha zbavitur kurrë kaq shumë. Dhe ata shikonin Celentano-n, që shikonte Celentano-n e që qeshte dhe nuk dinin ç’të bënin, të qeshnin edhe ata apo të thërrisnin doktorin. Unë pashë Celentano-n, që shkonte lart e poshtë nëpër skenë, dhe qëndronte i heshtur, dhe koha kalonte, dhe ai nuk fliste. Mendova për katërmbëdhjetë milionë italianët, që çdo mbrëmje përmbyten nga fjalët dhe mbyten prej tyre para se të arrijnë t’i kuptojnë. Pashë Celentano-n që nuk këndonte, që nuk këndoi gjatë gjithë transmetimit dhe ishtetransmetimi i fillimit; mendova për miliona italianët që kanë blerë në vite e vite dhe vazhdojnë të blejnë dhjetëra milionë disqe të tij e që këtë mbrëmje ishin ulur përballë televizorit për ta dëgjuar të këndonte dhe nuk e dëgjuan as të këndponte e as të fliste… Pashë Celentano-n që foli për kafè e për lëndë larëse e për fshat për fëmijë në Afrikë dhe shpjegoi lojën e bashkëfajësisë, e mendova Berlusconi-n, që jeton me reklama dhe që është pasuruar me bërje reklamash, ka blerë me tingëllimën e milionave të gjithë «yjet» e RAI-t vetëm për t’i bërë të bëjnë reklama në kanalet e tij… Dhe mendova për gazetat, për titujt, për gazetarët, kritikët, filozofët, sociologët, për “opinionistët” (“dhënësit e mendimeve, gjykimeve, vlerësimeve për çështje të ndryshme shoqërore në shtyp e televizion”; sh.p.), për “kostumistët” (nuk e di nëse quhen kështu, ata që bëjnë artikuj mbi moralin e mbi zakonet) dhe u mallëngjeva në një farë pike, më kapi një ndjenjë dashurie e mirënjohjeje ndaj tyre dhe për atë që kishin shprehur e kishin shkruar; sepse kishin vërejtur drejtë dhe kishin kuptuar gjithçka: Me përpjekjen për të nxirë «Fantastico»-n dhe për të më shkatërruar kishin përvijuar, shquar, kishin rreshtuar dhe analizuar në mënyrë të përsosur, një nga një, të gjitha të rejat, të gjitha gjërat me të vërtetë të rëndësishme të shfaqjes, heshtjet, pausat, intervistat, çadrat, kafenë, lëndën larëse, fshatin dhe kishin qëlluar në qendër të gjithë elementët e rëndësishëm të «Fantastico»-s sime, dhe ua kishin shpjeguar të gjithëve, shumë më mirë sesa kisha qënë i aftë ta bëja unë. Kjo ishte një mrekulli e kulturës dhe për mua ishte si një ndriçim, një zbulesë. Për pesë muaj me radhë nuk ia dola t’ua shpjegoja udhëheqësve të RAI-t, organizuesve, autorëve, aktorëve dhe as të ftuarve. Për muaj të tërë, autorët më dëgjuan me besim të flotë, por nuk arritën të shkruanin asnjë rresht. Dhe aktorët vareshin nga buzët e mija dhe i lëshonte zemra, sepse nuk kuptonin cila ishte pjesa e tyre. Dhe të ftuarit nuk donin të vinin, sepse ishin trembur nga mënyra si desha t’i paraqesja. Dhe atë mëngjez, të gjitha gazetat sulmuan «Fantastico»-n dhe kur e sulmuan, e shpjegonin e kritikat më të ashpëra ishin ato që e shpjegonin më mirë.
Mbasi mbarova shikimin e «kasetës», zbrita në «hall»-in (angl. në tekst; sh.p.) e Hilton-it, ku më prisnin të gjithë gazetarët e penduar dhe ata zgërdhanët, të gjithë të dëshiruar të mësonin mendimin tim mbi sa kishte ngjarë. «E kam parë transmetimin», iu thashë atyre, «dhe është pikërisht transmetimi që desha». «Dhe sipas jush, nuk ka asgjë që duhet ndryshuar?» «Absolutisht asgjë. Përveç hapjes së perdes pak më shpejt, ose, në rast se do të duhet përsëri më vonë, për pjesën tjetër nuk do të ndryshoj asgjë. “Fantastico” do të jetë një sukses i madh»”.
Në ato momente, gazetarët e shihnin si një të çmendur dhe askush nuk do të vinte bast as me një lirë për parashikimin e tij. Vetëm në javët e mëpasme do të kuptohej që ky “Fantastico” do të bëhej një ujëndarëse në botën e programeve televizive. Nëse i hidhet një sy shtypit të asaj kohe, shihet se gjykimet e ashpëra ua lenë vendin me druajtje lavdërimeve dhe, në disa raste, një entuziazmi të zjarrtë për «gjenialitetin» e «të pamendittë talentuar».
Kjo kundërpërgjigje e Adriano-s ndaj kritikave të atëhershme, paraqet thelbin e çelentanizmit të asaj kohe.
Në kohën e “Fantastico”-s, RAI ishte ndarë sipas rregullave të rrepta të CAF-it: President qe socialisti Enrico Manca, ndërsa drejtor i ndërmarrjes shtetërore, demokristiani Biagio Agnes-i. Kafshatën e parë të hidhur të marrëzisë së Adriano-s e mori pikërisht ky i fundit, në mes të mbrëmjes së parë: Adriano-ja transmetoi këngën e Zucchero-s, përkthesa e të cilës e hidhte fjalën tek epshi, etja, tek të rinjtë dhe tek “Azione Cattolica” (“Veprimi Katolik”, apo “Ndikimi Katolik”). Një nga mbledhjet e para mbi transmetimin u zhvillua në “suite”-n e “Hotel Hilton”-it. Unë isha i pranishëm, bëja punën e gazetarit, por kisha marë përsipër të mos përhapja ç’thuhej në atë mbledhje. “Ki kujdes!”, më tha daja im me një pamje të shqetësuar, “Në qoftë se del diçka nga kjo mbledhje, do të jesh përgjegjës vetëm ti”. Në fillim, Mario Maffucci (shefi i atëhershëm i ndërtimit të brendëshëm të “Rai Uno”-s) i kujtoi Adriano-s, gjatë një mbledhjeje parapërgatitore mbi serinë e parë, se vëllai i Biagio Agnes-it ishte një nga drejtuesit kryesorë të “Azione Cattolica”-s dhe që, për pasojë, ishte e pavënd të transmetohej kënga e Zucchero-s, por Adriano-ja këmbënguli dhe iu përgjegj Maffucci-t se përkthesa e pjesës së Zucchero-s do të transmetohej pikërisht për t’i treguar publikut se drejtuesi i programit kishte autonomi të plotë dhe se, megjithëse edhe ai ishte katolik, askush nuk e kushtëzonte. Ishte fillimi i përplasjes. Ende nuk më ka ikur nga mendja shikimi pyetës dhe pak i dëshpëruar i Maffucci-t. Ai më vështroi si të donte të më pyeste nëse daja im donte të lozte apo e kishte me gjithë mend dhe, në këtë rast, unë iu shmanga dhënies së gjykimeve, por u zbavita shumë, sepse më pëlqeu roli “destabilizues” që po luante e gjithë kjo ngjarje. Qysh atëherë, merrej me mend që ky “Fantastico” do të ishte një problem për politikanët. Nga ana tjetër, Maffucci ishte i bindur se unë qeshë i frymëzuar nga gjithë nismat “destabilizuese” të Adriano-s, por nuk qe kështu. Mbas Adriano-s ishte vetëm Adriano-ja. Gjithmonë ka qënë kështu. Ai, në më të madhen, atëherë e njëlloj në vitet e mëpasme, më shfrytëzonte si burim njoftimesh, por të gjitha pjesët “revolucionare” të “Fantastico”-s qenë frut i mendjes së tij. Filloi të kuptohej që Adriano-ja mund të mbartte në ekran edhe “karamele” të tjera të papëlqyeshme. Dhe e papritura nuk vonoi: Në prag të serisë së 28 nëntorit qe, si zakonisht, një pritje e madhe dhe një shpresë e madhe: Maffucci kishte shtrëngime e rrahje të shpejta të zemrës; RAI do të donte të kishte të paktën një skicë programi; por Adriano-ja qe i rreptë, nuk kishte dhënë asnjë njoftim i dhënë paraprak mbi përmbajtjen e programit, me përjashtim të lajmit (të mbajtur të fshehtë deri në fund) se do të ndodhte edhe një rikthim i madh, ai i Franca Rame-s. Kështu, në mbrëmjen e parë, për të parën herë në TV, Franca Rame-ja bëri të dridhen, të rrënqethen miliona njerëz me tregimin e përdhunimit të ndodhur vite më parë.
Një pjesë “shumë e fortë”, do të thoshte vetë Franca Rame: Një drithërimë dhjetëminutëshe, një histori dhune kundër grave, një histori përdhunimi.
“Kur, për të futur pjesën time në teatër, unë isha krejt e vetme, dhe kështu kam qënë mijëra herë, rëndom thosha se gruaja e përdhunuar arrin të bindë organet përkatëse të pushtetit vetëm në qoftë se është e rrahur dhe kullon gjak, apo në qoftë e vdekur”; Por atë mbrëmje Franca Rame nuk qe vetëm; Para shfaqjes së saj në skenë, ishte drejtuesi i programit që e përudhi me fjalë të pakta dhe me një shikim, që paralajmëroi diçka tmerrësisht të rëndësishme: “Tashti duhet të bësh një «salto mortale» trifishe mbrapa. Është e vështirë të kalosh nga një shfaqje e lehtë në një pjesë dramatike, por bëje, sepse kronikat janë çdo ditë plot me episode dhune seksuale”. Edhe unë u mahnita nga zgjedhja e guximshme e dajës tim. Dario Fo dhe Franca (Franka) Rame ishin prej vitesh në shenjestrën e RAI-t, shfaqjet e tyre qenë mërguar në pallatin e vogël “Liberty” në Milano dhe kurrën e kurrës nuk do ta prisja që daja im të ftonte në dyluftim kulturën sunduese të epokës. Dhe Franka Rame-ja, e ulur në buzë të një ndenjëseje, me kokën përmbysur mbi shpinëz, tregoi dhe shprehu me të gjithë forcën dramatike që i vinte nga një pjesëmarrje e fortë, e ndjerë thellë, nga ngashërimi për tragjedinë e jetuar. “Ka vite që po paraqes majtas e djathtas pjesën time mbi përdhunimin”, thotë Rame-ja, “sigurisht jo me kërkesa me shkrim, por duke folur me këdo që më dilte përpara. Askush nuk më ka kundërshtuar kurrë, por më pas janë zhdukur të gjithë”.
Gjëja më e çuditshme është që, Franca (Franka) ia doli në krye të shfaqej përsëri në ekranin e vogël dhe edhe të tregonte veprën tragjike të kryer pikërisht në këtë RAI-n me cipë e moralist: përzënien e saj bashkë me të shoqin nga “Canzonissima e ’62”, duke i quajtur të dy fajtorë për një satirë kundër sistemit ekonomik e politik. “Kam tekstin e shkruar dhe e kemi provuar më parë, natyrisht; mund të siguroj që është pikërisht ashtu si e jap në teatër, ku e kam dhënë mijëra herë”. Një koment mbi këtë: “Po, të lutem shkruaj se mendoj që, mbas polemikës, Adriano-ja ka pasur shumë guxim për të mbartur në televizion përdhunimin, një pjesë të rëndësishme që vendos përballë dhunës shikuesit e gjysmës së Italisë”. Ndoshta Adriano-ja ka dashur t’i kërkojë ndjesë kështu një pjese të publikut, ndoshta ka dashur të tregojë që për të asnjë temë nuk është “tabù”, nuk është e paprekshme. Natyrisht, ishte i çuditshëm ky parëzim i luftëtares të së majtës Franca (Franka) Rame me Adriano-n, që sigurisht, nuk qe i së majtës. “Unë e Dario-ja”, e mbron përsëri ajo, “e njohim prej një kohe të gjatë, një jete të tërë dhe nuk flas mirë tashti sepse ma bëri të mundur hyrjen në TV. E kujtoj qysh nga kohët e para dhe për mua mund të bëjë çfarë të dojë. Është krejtësisht i këndshëm, tërheqës, të bën për vete. Mendoj që edhe kur gabon, është çiltërsisht i ndeshëm”. Teksti u paraqit pa asnjë kontroll paraprak, pa asnjë qortim para shfaqjes, krejt në kundërshtim me porositë e dërguara nga Roma mijëra herë nëpër teatro. Franka do të ishte e vetme në skenë, ndaj e kishte zgjedhur me kujdes të madh veshjen e saj: Një fanellë të trashë të zezë dhe pantallona e çizma po të zeza. A vetmja prekje e ngjyrës ishte një këpuckë trëndafilì.
“E kuqja”, tha ajo, “është më mirë jo. Askush nuk do të mendonte që kjo ngjyrë më shkon; të gjithë do të kënaqnin tekat e tyre duke bërë analogji me zgjedhjet e mija politike. Në të vërtetë, për këtë tekst kisha nevojë për shumë maturì, kuptim të qartë mase”.
Ishte një pjesë me mjaft vrazhdësi dhe dramaticitet, krejt në kundërshtim me sa paraqeste zakonisht TV. Nën një sfond qielli të errët të pikëzuar nga yje të rrallë të ndritshëm, Rame tregoi historinë e një gruaje të përdhunuar nga tre burra në një kamion: Nga gjurmat e cigareve të shuara në qafë e fytyrë, nga brisqet me të cilat silleshin mizorisht me lëkurën e saj deri në aktin seksual përfundimtar. Pastaj ajo tha se ndjente që po vdiste. ata e besuan dhe, të befasuar nga kjo rrjedhojë skajore, e zbritën nga kamioni ku kishin kryer dhunën e tyre. Ajo ishte përsëri vetëm dhe nuk dinte si të vepronte: të shkonte në kuesturë e të kallëzonte të vërtetën, apo të kthehej në shtëpi dhe tha: “Ndjej që po më bije të fikët, nga zemërimi, nga poshtërimi, nga neveria, nga një mijë pështyma që kam marë në tru dhe për këtë që ndjej të më dalë”. Monologu dramatik përfundoi këtu, por atmosfera e rëndë, e përdëllyer, që krijoi aktorja qëndroi gjatë në “Teatro delle Vittorie”; aq sa Celentano-s nuk ia bënte zemra ta lehtësonte me arsyetime e fjalë a fjali të zgjedhura. “Kur qëndroja përballë teje, që po interpretoje, u ndjeva i turpëruar si burrë”, u shpreh ai. Me transmetimin e monologut të Franca Rame-s në mbrëmjen e parë, drejtuesit e RAI-t kuptuan që Adriano-ja ishte i pakontrollueshëm. Tashmë, të shtunën mbrëma, mjeti televiziv qe në duart e njeriut, që Umberto Eco e përkufizoi “Martin Lutero i ri” dhe këtë mjet, ai e përdorte pa kufizim. Më pas, duke iu përgjegjur kritikave mbi “Fantastico” -n e tij, Adriano-ja shtjelloi mënyrën e vet të drejtimit të programit televiziv: “Ajo që është pa të ardhme, është televizioni i tyre, televizioni i regjistruar dhe i parapërgatitur: Është i parashikuar dhe i parashikuari është përherë i kufizuar. Drejtimi im është i pakufizuar, nuk ka kufij në hapësirë e në kohë, sepse është i paparashikueshëm: jo vetëm për të papriturat që mund të vijnë në shfaqje (dhe që janë më e pakta), por për ato që mund të vijnë nga publiku, nga përzjerja e tij me shfaqjen dhe nga pjesëmarrja e tij e drejtpërdrejtë në shfaqje. Unë kam luajtur me publikun dhe publiku ka luajtur me mua, sepse e di që nuk e gënjej, nuk bëj dredhi dhe që i besoj lojës”. Në një nga seritë “chok” (fr, në tekst; sh.p.) të “Fantastico” -s, Adriano-ja bëri atë që askush nuk kishte guxuar kurrë ta bënte: tregoi forcën krijuese të “ekranit të vogël” dhe edhe aftësinë e tij për të kushtëzuar sjelljet e njerëzve, “duke urdhëruar” publikun të shuajë TV për pesë minuta. Ishte një gjë e pabesueshme, e cila bëri të hidhen përpjetë nga ndenjëset e tyre të gjithë udhëheqësit e RAI-t: Tetëmilionë shikues ndoqën këshillën e Adriano-s. Adriano-ja lozte me “telekomandën”, tregonte gjithë fuqinë telendërlidhëse të TV, por për RAI-n dhe reklamëdhënësit nuk ishte aspak një lojë, por diçka krejt tjetër. “L’escalation”-i (angl. në tekst, me nyje shquese të gjuhes italiane; sh.p.) e shqetësonte gjithmoinë udhëheqjen e RAI-t, por stuhia Celentano ishte e pandalëshme. Përsëri në librin e Lino Jannuzzi-t, Adriano-ja e tregon kështu, mbrëmjen, në të cilën përgatiti “scoop”-in (angl. në tekst; sh.p.) e madh: kërkesën e drejtuar miliona njerëzve për të shuar TV-në: “Midis gazetarëve ishte përhapur zëri se, nuk do të kishte të reja të mëdha, do të ishte një seri tërësisht muzikore… Si zakonisht, askujt nuk do t’i shkonte në mend, që ajo trupë vallëzimi dhe ato drita ishin përgatitur për rastin. Në atë dhomën e vogël, ngjeshur me njëri-tjetrin, nuk ishim më pak se rreth pesëdhjetë veta dhe të gjithë vareshin nga unë, e dinin që monologu im ishte një himn i paqes, por shpresonin se nuk do të ndalej aty. Iu shpjegova që, në një farë pike, duhej të hynte në skenë një vajzë me një shishe me ujë mineral dhe, më pas, do t’iu kërkoja njerëzve një gjë të rëndësishme…:
«Do t’iu kërkoj njerëzve të shuajnë televizorin për pesë minuta».
Brenda një çasti të vetëm, dhomëza u boshatis dhe lajmi u degëzua shpejt nëpër korridoret (kalimtaret) si një gaz helmues. Castelano-ja dhe Pipolo-ja më tërhoqën më një anë e më thanë: «Po bën një budallallëk; para së gjithash pse përsërit: ti e ke bërë diçka të tillë kur kërkove që të ndryshojnë kanalin, dhe, në fund të fundit, askush nuk do ta shuajë televizorin».
Dy metra më tutje më kapi Maurizio Micheli: «Kësaj radhe e kemi mbyllur me të vërtetë; para televizorit do të mbeten vetëm katër mace». Të nesërmen në mëngjez, më thirri në hotel Fuscagni; belbëzonte dhe mezi arrita të dëgjoja: «E kanë shuar tetë milionë». «Tetë milionë njerëz», është përfundimi i Adriano-s «kanë shuar televizorin. Nuk kanë shuar një televizor të çfardoshëm, por atë të “zotërinjve të tyre”… Sepse, në një farë mënyre, dëshironin t’u tregonin “komandantëve të Vendit” se janë lodhur duke u vënë në lojë»”.
Pra, nga Adriano-ja arriti fjala më politike e një jopolitiku. Komentet e tërbuara kundër shkeljes së kryer nga daja im qenë të panumurta; por ai, i pakënaqur nga polemikat e shpërthyera prej kërkesës për të mbyllur pesë minuta televizorin (një kërkesë që shprehte mosnderim ndaj Kishës dhe udhëheqjes së RAI-t në duart e një katoliku) ftoi komikun më të urryer nga sistemi televiziv, atë që ishte përzënë nga RAI disa vite më parë: Dario Fo-në dhe, sidoqoftë, për të mos gabuar, e ftoi të luante një nga pjesët e tij më të mira: “Mistero Buffo” (“E fshehta Buffo”), pjesë nga Ungjillet apokrife. Prania e Fo-së në TV në kohën e Krishtlindjes e me një temë kaq të fortë ndezi zemërimin e autoriteteve kishtare dhe bëri të rrëzohej, të hidhej tutje konformizmi, pajtimi i verbër i disa mediave me moralin e zakonet e kohës. Kronikat e atëherëshme thoshin:
“Pra, përmbledhtas, në orën dhjetë të mbrëmjes së të shtunës, gjatë vazhdimit të serisë së dymbëdhjetë të “Fantastico” -s (shfaqjes më të diskutuar të të gjitha kohërave) Dario Fo interpretoi për më tepër se tridhjetë minuta një pjesë nga Ungjijtë apokrofë, “Il primo miracolo di Gesù Bambino” (“Mrekullia e parë Jesusit Fëmijë”): Një paraqitje e birit të Zotit krejt e ndryshme nga konformistika, megjithëse ajo është shumë e njohur nga publiku i teatrit. Pastaj, ai u intervistua nga Celentano-ja. Përfundimi qe një shkëmbim fjalësh mjaft domethënëse: Adriano-ja: «Të njoh qysh prej shumë vitesh dhe sa herë flet për Zotin dhe për Jesusin kam ndjesinë se je besimtar». Përgjigjia e Fo: «Jo, jam ateist, por fetar. Në qoftë se një ateist nuk ndjen fetarësinë e jetës është një copë druri. Sidoqoftë, kam mjaft vite që kërkoj të shëlboj: Të zotohem që, po t’ia dal, do të bëhem apostulli tënd». Në rikthim, Celentano-ja: «Mbas një “Fantastico”-je të tillë thyerjeje, shembjeje, i vetmi pas meje, që mund ta drejtojë je ti».
Fo-ja përfundon: «Vetëm në rast se Andreotti do të shkruajë tekstet; kështu do të jem i sigurt se askush nuk do t’i prekë». E pyesim Fo-në nëse shkëmbimi i fjalëve kishte qënë i parapërgatitur.
«Jo», përgjigjet ai, «madje më thanë që përgjegjësi i transmetimit, Maffucci është zbardhur, i ka ikur ngjyra. Unë, megjithatë, nuk e kam parë». Atëherë rrekemi të bëjmë një bilanc: «Jeni i kënaqur nga kjo “rentrèe” (fr. në tekst; shqip: “rihyrje”, “rikthim”; sh.p.)?». «Nuk është aspak një ndalesë ushtarake e jetës sime. Kaloi mirë, bashkë me vështirësitë e rrezikun e goditjes së fytyrës. Me publikun tim të teatrit, unë ndjehem mirë, nuk lodhem fizikisht ose psikikisht, ndërsa me “Delle Vittorie”-n, më në fund, isha martuar. Jo, nuk jam zbavitur, përdora vetëm mjeshtërinë, por ishte një pjesë që e kam interpretuar shumë herë». Shkurt, Fo-ja minimizon, por për RAI-n masa është mbushur gati deri në buzë”.
1987/”Fantastico 8″: një çështje gjyqësore
Por nuk ishte për Adrianon që, thjesht, si të mos bënte asgjë, qëlloi përsëri. Në pragun e referendumit mbi gjahun, daja im, pa u këshilluar aspak me këshilltarët e tij, bëri diçka që askush nuk do ta kishte hamendësuar: Mbas një filmimi shumë të fortë, madje të tërbuar të “Greenpeace”-s, ku tregoheshin për herë të parë pa “censurë” pamje të përafruara dhe të qarta mbi vrasjen e egër, mizore e mbresalënëse të fokave, Adriano-ja dënoi hapur shfarosjen në masë dhe, menjëherë më pas, preku temën më të brishtë, atë të referendumit, që duhej të mbahej në ditën e nesërme. Me fytyrë të ngrysur, duke i thënë e theksuar fjalët me rrokje, duke vendosur heshtjen për t’i dhënë më tepër peshë asaj që po thoshte, iu kërkoi shikuesve që të shkruanin në fletëvotimet e referendumit fjalinë: “Gjahu është kundër dashurisë”. E tha me gojë e pastaj e shkruajti në një dërrasë të zezë. Në atë moment ishin të pakët ata që e kuptuan atë që po ndodhte, por përgjegjësit e RAI-t qenë të njëmendjeje që kjo ishte kulmi. Më kujtohet që atë mbrëmje gjendesha mes publikut dhe diku në një çast, m’u afrua Mario Maffucci e më tha: “Kësaj radhe, daja tënd e ka shkelur rëndë. Është dhunuar ligji i zgjedhjeve”. Unë vetë e mora me mend që kjo kërkesë qe e njëvlerëshme me kthimin, me asgjësimin e fletëvotimit. Ndemja arriti qiellin, yjet. Mbas transmetimit shkuam të gjithë në dhomëzën e Adriano-s. Fytyra e dajës tim ishte e zymtë dhe më vështroi si për të më thënë: “Kësaj radhe e shkela rëndë”. Tek ai nuk kishte asnjë thërrime pendimi, por dukej sheshit se qe i vetëdijshëm që shkelja kishte shkuar përtej ligjit. Mario Maffucci nuk po qëndronte më i mbyllur në vetvete dhe më pyeti në se isha i gatshëm për të bërë një kontroll të teksteve të serive të mëpasme. “Kam vërejtur se ai ka besim te ty. Unë do të jem më i qetë”, më tha. Maffucci-t iu përgjegja se Adriano-ja kishte vërtet besim tek unë, por jo deri në atë pikë sa të më parashtronte tekstet e veta, që ishin një e drejtë përjashtimore e tij. Në vazhdimin e transmetimit, Adriano-ja, me këmbënguljen e drejtuesve të RAI-t, kërkoi ndjesë botërisht, duke pohuar se nuk e dinte që një e shkruar në skedë do të mund të sillte asgjësimin e asaj vetë, por tashmë kjo ishte “mbas të vjelit”. Neni 294 i Kodit Penal përcakton se, kushdo që me dhunë, kërcënim ose mashtrim pengon plotësisht apo pjesërisht ushtrimin e një të drejte politike, apo detyron dikë ta ushtrojë në kundërshtim me vullnetin e tij, dënohet me burgim nga një deri pesë vjet. Fillimisht, drejtuesit e RAI-t formuluan tri hipoteza mbi fatin e Celentano-s: Ta dëbonin pa e bërë të paguajë ndonjë masë ndëshkimore milionëshe; të shmangnin transmetimin e drejtpërdrejtë duke pararegjistruar gjithë programin; ta shtrëngonin të këndonte dhe kërcente e të mos bënte asgjë tjetër. Më në fund vendosën të vazhdohej transmetimi i drejtpërdrejtë me Celentano-n, duke e gjobitur atë vetë me dyqindmilionë lira. Në këtë kohë, “Fantastico”-ja u bë një çështje politike kombëtare. Drejtorët dhe kryeartikullshkruesit shprehnin shqetësimin me komentet e tyre dhe edhe Adriano-ja e kuptonte që kishte prekur tema, që nxirrnin jashtë botës së shfaqjes. Midis shumë komenteve të asaj kohe ishte edhe ai i Scalfari-t, i shkruar më 14 dhjetor 1987. Në këtë kryeartikull, përveç një portreti nga më të vlefshmit e dajës sim, gjendej edhe një “diagnozë” e fuqisë së TV-së. Dukej sikur pa dashur dhe pa e përmendur, Scalfari hershonte ardhjen e Berlusconi-t, të këtij sipërmarrësi që, dy vjet më vonë, do të bëhej kundërshtari i tij më i madh në betejën politiko-gjyqësore për kontrollin e “Mondadori”-t, në atë që kaloi në kronikë si “beteja e Segrate”-s. Scalfari e përfundon komentin e tij të gjatë me një parashikim mjaft interesant, në qoftëse mendohet roli që do të ketë TV-ja me rënien në fushën e Berlusconi-t: “Por kini kujdes, miq të afërt e të largët, siç thoshte në kohën e tij aq shumë i padëmshmi Nunzio Filogamo: Celentano-ja do të japë mësime. Ka vënë në lëvizje një mekanizëm, ka bërë të dukshme një fuqi ipnotike të televizionit, ka treguar që një masë e rëndësishme e italianëve është e dobët, e gatshme për t’u magjepsur nga një «guru» i pajisur sipas nevojës, e lodhur dhe e supermërzitur nga «ferisejt» e përhershëm dhe nga njerëzit me dy faqe. Dikush, shpejt ose vonë, do ta përdorë mësimin, do ta përsosë përvojën, do ta drejtojë kah një fundi të synuar dhe politik”.
Tërmeti mediatik pati një vazhdim gjyqësor. Prokuroria e Përgjithshme, pak muaj më vonë, akuzoi Adriano-n për cënim të të drejtave politike të qytetarëve. E njëjta akuzë iu ngarkua Giuseppe Rossini-t, drejtorit të “Rete Uno”-s dhe “shefit të ndërtimit artistik”, Mario Maffucci-t. Lajmi i akuzës vuri në lëvizje Claudia-n, por Adriano-ja, megjithëse i habitur nga kjo nisiativë gjyqësore, mendoi se duhej t’ia vlente një ndërhyrje e gjyqësorit. Prokuroria e Përgjithshme lëshoi kundër tyre tre urdhëra (ftesa) për t’u paraqitur në gjyq si të pandehur të lirë, të pandaluar. Përveç krimit të parashikuar nga neni 294, Celentano-ja, Rossini dhe Maffucci u akuzuan edhe për shkelje të ligjit të zgjedhjes, që, në nenin 8, parashikonte heqje lirije deri në një vit dhe një gjobë nga njëqindmijë lira deri në një milionë, ndaj çdokujt që shkelte rregullat e ndalimit të mbledhjeve, mitingjeve dhe bashkimeve për prapagandë zgjedhore të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në vend publik apo të hapur për publikun në ditën paraardhëse apo në ditët e vendosura për votimin. Ankthi gjyqësor zgjati disa muaj, pastaj arriti lajmi i mirë: “La Prima Corte d’Assise” (“Gjykata e Parë Penale”) më 7 qershor 1988 i dha pafajsinë “djalit të fokës”. Kryetari Severino Santiapichi, një gjyqtar i vjetër, që ishte marë edhe me terrorizmin, shpjegonte në dymbëdhjetë faqe të daktilografuara shkaqet, për të cilët drejtuesi i programit të “Fantastico”-s shkarkohej nga akuzat e cënimit të të drejtave politike dhe shkeljes së ligjeve zgjedhore. Mbas një parashtrese, ku pohohej që drejtuesi i programit e këngëtari përpunonte vetë tekstet e ndërhyrjeve të tij, kryetari Santiapichi rivuri në dukje (lidhur me akuzën e cënimit të të drejtave politike të qytetarëve) se gjatë proçesit nuk u gjet asnjë gjurmë që të mund të vërtetonte se i pandehuri e njihte ligjin zgjedhor me synim të veçantë për të manipuluar me dredhi përmbajtjen përkatëse të një rregulle duke këshilluar të kundërtën e fjalisë shprehëse të asaj rregulle. Për akuzën tjetër, lidhur me shkeljen e ligjeve zgjedhore, kryetari Santiapichi saktësoi se nuk kishte asnjë dispozitë ligjore që t’i ndalonte “emetimit” (transmetimit, përçimit me radio a televizion) shtetëror propagandën zgjedhore në kufijtë ku ajo është e ndaluar për “emetimin” privat (për përçimin vetjak me radio a televizion); dhe në këtë rast, propaganda nuk ishte e përvetueshme në mbledhje apo miting.
Me një fjalë, në qoftë se shihen letrat e proçesit gjyqësor, zbulohet se daja im përfitoi vendimin e pafajësisë së tij, sepse për herë të parë u shmang parimi, sipas të cilit ligji nuk pranon padijen.
Ishte fitorja e paparashikueshme e “Mbretit të të paditurve” (si quhet në titullin e albumit dhe librit, që doli më 1991). Në të vërtetë, siç e kemi parë, në ngjarjet politike e gjyqësore që kanë mbrojtur “Fantastico”-n, duke filluar nga viti 1987, Adriano-ja do të jetë pak më pak i paditur. Mënyrat e tij të shprehjes mbeten ato të “mbretit të të paditurve”, të poetit endacak, zhonglerit e palaços, që duke luajtur apo duke nxitur nëpërmjet metaforave, nganjëherë krejt pa kuptim, thotë të vërtetën ose, kur dëshiron, thotë të vërtetën “e vet”. Prapëseprapë, mbas aventurë-joaventurës gjyqësore, daja im “ndërroi avaz”:
Shkrimet e gazetave, vëmendja e kronikës italiane e ndërkombëtare, pasioni për “talk show”-t (angl. në tekst; sh.p.) me thellim politik, lidhja me autorë të dalluar brenda e jashtë RAI-t, u bënë burime të prodhimtarisë së tij artistike. Humbi vlerën “magjia e të paditurit të kulluar”, siç i pëlqente ta emërtonte Adriano-ja kur fliste për veten e tij dhe sillej si një “i paditur i kulturuar”. Në albumet e tij dhe në prodhimtarinë e tij artistke zhvilloi një lloj ndarjeje dysh: nga një anë, historitë e dashurisë e nga ana tjetër, ndemja ndaj shoqërisë e politikës, ndaj ngjarjeve të mëdha historike, që mbushnin ato vite duke nisur nga “lufta e parë e Gjirit”.
Ngjarja ndërkombëtare më dramatike e atij dhjetëvjeçari nisi më 2 gusht 1990, kur presidenti i Irakut, Sadam Hyseini shkeli Shtetin e Kuwait-it në emër të një mendimi të vjetër të Bagdadit për të rimarë një tokë, që duhej të ishte irakiane, megjithëse para lindjes së Irakut, si Traku ashtu edhe Kuwait-i ishin pjesë administrative jomirëfilli të dallueshme të zotërimeve shumë më të gjëra të Sulltanatit Otoman. Pushtimi nxiti kundërveprimin e OKB-së, që mbas masave ndëshkimore, lëshoi një ultimatum duke u munduar të detyrojë tërheqjen e trupave irakene. Kur forcat ndërkombëtare kuptuan se kërkesa e OKB-së nuk do të përfillej, shpërthyen “Luftën e Gjirit”. Veprimet luftarake nga ajri e nga toka u quajtën (nga forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara) “Operation Desert Storm” (angl. në tekst; sh.p.) dhe për këtë arsye, sa herë përmendet kjo luftë përdoret shprehja “Stuhia e shkretëtirës”.
Gjëja që goditi dajën tim dhe botën tërë ishte se, lufta e parë e Gjirit qe ndoshta edhe një ngjarje mediatike e përmasave planetare. Të këtyre viteve janë edhe fjalët e filozofit francez Jean Baudrillard lidhur me të vërtetën sunduese të TV. Më kujtohet që unë u dhashë mjaft mbas tematikave të filozofit francez dhe daja im, në një nga telefonatat e shumta, u ngazëllye kur i fola për atë. Në ato vite, dajë Adriano-ja qe pushtuar nga një etje e jashtëzakonëshme për të njohur gjithçka ndodhte në botë: Nuk i mjaftonin më njoftimet që merrte nëpërmjet TV-së. Dhe kështu, në mjaft raste takoheshim në vilën e tij të Galbiate-s dhe gjatë takimeve tona, më pyeste për të gjitha. Ushqehej nga leximi i pandërprerë i “Corriere della Sera”-s dhe, mbi bazën e lajmeve që lexonte çdo ditë, fillonim shkëmbimin e mendimeve. Një nga temat më të nxehta ishte, pikërisht, “lufta e Gjirit”. Adriano-ja nuk ishte thjesht “pacifist” (madje kritikonte “pacifizmin”, sepse, sipas tij, ai i jepte një dorë Sadamit), lëkundej ndërmjet pranimit të luftës irakene, si një e keqe e vogël dhe përkrahjes së qëndrimit të Kishës Katolike, që i kundërvihej me forcë luftës. Në albumin “Il re degli ignoranti” i përkushton një këngë “Luftës së Gjirit”: “L’uomo di Bagdad, il Cowboy e lo zar” (angl. në tekst; shqip: “Burri i Bagdadit, Kauboi dhe cari”; sh.p.) dhe e mbështet pa “nëse”, pa “sikur” e pa “por lufta bëhej kundër Sadam Hysenit”. Shpirti i tij katolik, megjithatë, e shtynte në një drejtim tjetër, të kundërt me ndërhyrjen ushtarake.
Edhe duke mbështetur në thelb luftën, Adriano-ja nuk mund të rinte pa përmendur papa Wojtyla-n: “Sipas mendimit tim, nisiativën e vetme të paqes në «harmoni» me Zotin e me njerëzit, e ka marë papa. Në mënyrë të përsëritur i ka përgjëruar protagonistët e kësaj ane të luftës që të mos ndërmerrnin rrugën e errët të përballjes me armë, sepse do të ishte një rrugë pa kthim; në të njëjtën kohë, iu drejtua Sadamit me një mesazh po aq të qartë, ku i bëri thirrje që të tërhiqej nga Kuvaiti; «Një veprim guximi të madh», e ka quajtur, «që do të mbetet në histori, e do të vlerësohet nga gjithë popujt»”. Siç u tregua historia e viteve të para ’90, lufta u bë, Bush-i baba nxiti shpejtimin e luftës deri në një farë pike dhe pastaj u tërhoq. I takoi George W. Bush-it të shkonte deri në fund me Sadam Hysenin dhe e bëri me ç’do mënyrë, edhe duke shpikur se në Irak ka armë të shkatërrimit në masë. Në “Luftën e Parë të Gjirit”, “heroi” kryesor numur një i grindjes në zonën mesdhetare ishte “madhëria e saj” nafta. Një “hero kryesor” gjithmonë në sfond, por që, sipas historianëve, ka qënë forca lëvizëse e luftrave në këtë zonë qysh mbas Luftës së Dytë Botërore. E pra, Adriano-ja nuk është ekonomist, madje kupton shumë pak nga ekonomia. Shpesh më kërkon që t’i jap ndonjë shpjegim mbi këtë lëndë, më pyet mbi rënien ekonomike, krizën ekonomike, “depresionin” ekonomik, “ofertën” shtetërore të blerjes, “stagflazione”-n, “arkën e bashkimit (e bashkëpunimit)” dhe për një pafundësi zërash të tjera që lexon nëpër gazeta. Shpirti i tij është ekologjist dhe për të “La Terza Guerra Mondiale” (“Lufta e Tretë botërore”), tjetër titull kënge që përfshihet në albumin “Il re degli ignoranti”, është, para së gjithash, një shkatërrim i mjedisit i kryer nga njeriu e lufta. Edhe në këtë rast, shihet një përzierje e veçantë e sferës vetjake e dashurore me problematikën mjedisore e shoqërore. Për Adriano-n, mjedisi dhe shoqërija janë mirëfilli bazat e dashurisë.