Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Mallkimi kolektiv karshi një sanitareje spitali

 

Vendi im është vendi më i suksesshëm në botë. Sapo kamerat e një emisioni investigativ, rrëfyen se si një pastruese spitali merrte rryshfet, jo vetëm që e pushuan nga puna por edhe e arrestuan, madje e lanë në burg. Vendi im ka 3 ditë që këlthet madje po linçon një pastruese spitali. Çfarë nuk po thonë, të hëngërt mortja, t’u bëfshin helm, nga hundët të dalshin. Ngordhsh burgjeve si qeni. Në shesh të varin moj qelbësirë. Megjithëse e kanë edukatë shekullore mitmarrjen dhe mitdhënien, prapë kjo pastruesja e dhjeu. Se gjëja e parë që bëjnë jo në spital se, spitali është i fundit. Po kudo, sikur edhe për një çertifikatë, e mbajnë dorën në xhep. Jo për të nxjerrur pistoletën, por dymijë lekshin. Të vjen faturistja e dritave dhe nuk ta shikon fare sahatin, i fut njëqindshe në dorë dhe ikën. Çfarë ka këtu. Ne këtë e quajmë zotësi. Ta thonë me mburrje në tavolinë, e bëra nusen e çunit me shkollë, i dhashë xhixhat botit. I gjeta punë nuses së djalit tjetër që kam në kurbet, e futa edukatore. Dha xhixhat baba. Të nxjerrin nga burgu të kesh vrarë edhe 5 veta. Sepse japim xhixhat. Operohen dhe të mburren se ishte doktor i shkëlqyer filani, qe baba paret dhe ma bëri zemrën të re. Por edhe kur e dinë që robi do u vdesi, prapë të japin xhixhat kokërr më kokërr. Madje me dhunë. Pse? E kemi kulturë, fët e fët, mbaro punë dhe kaq. Ajo që është më fantastike është fakti kur deklarojmë edhe faturat për një vend punë. Të merr miku në telefon e të thotë, ore më duhen kaq para se ma dha fjalën ai boti. Do ma marri gocën në punë. Kur bën një llogari të shpejt, rezulton se tarifa që do paguaj është e barabartë me pagën vjetore të dy vjetëve. Dhe ndodh që kur vjen partia tjetër, baba të merr në telefon sërisht se do paguaj për të mbajtur vendin e punës. Megjithatë kësaj kulture kancer sot i është kundërvënë e indinjuar një shoqëri e tërë. Tabela e qitjes është një pastruese spitali. Nuk ka bërë asgjë jashtë kësaj kulture. Ka zënë një vend pune me para dhe normalisht që do marri para. Ata që hiqen se shëndetësia jonë është e pastër, kanë marrë dyfishin e kësaj pastruese spitali. Komisioni i vetingut nxorri me pasuri të pa justifikuar thuajse 95% të kontigjentit të drejtësisë së vendit. Me një fjalë gjithçka që ata kanë nuk ka ardhur nga paga e punës, por nga mitmarrja, rryshfeti. Megjithatë asnjë nga ata nuk u ndalua e u burgos, madje as u linçua. Sot pastrusja e spitalit është në burg dhe ju të gjithë këlthisni. Zgjedhjet e Dibrës 2017, u demaskuan po me kamera, plasën hapur telefonat, blerjet, megjithatë Damianin e keni kryekomandant të reformës zgjedhore, jo në burg. Në burg është pastruesja. Në burg është ndonjë fukura që ”vjedh” energji. Një Beqir të rilindjes e hoqi Gjykata Kushtetuese (2011) se u gjend në konflikt të hapur interesi, i kalonte fondet e shtetit firmës së vet. As nuk u burgos e asgjë, e hoqet si deputet e bëtë ministër. Ministër të kësaj shëndetësie të indinjuar nga pastruesja. Dhe ai nuk përtoi t’iu vidhte dy herë, vjedhja shekullore me check up-in e famshëm. E bëre check up-in apo jo, leku ikte. Ju kujtohet ai skeçi me hotelin, aty e kishe dushin përse nuk e përdore. Shteti do e paguaj botin. Dhe sot e keni kanakar drejton zgjedhjet në Shkodër. Kurse në burg fusni pastrusen, sepse mori rryshfet, mashtroi me titullin, thoshte jam infermiere kur ishte pastruese. Nuk ka pak ditë që Gjykata e Arbitrazhit vendoi rishtas kundër qeverisë shqiptare, për prishje të njëanshme kontratash karshi invenstitorëve të Kurumit dhe Akërnia Solar, jo pak por 210 milionë euro. Megjithatë në burg ne fusim një pastruese spitali, jo peshqit 210 milionësh në euro. Fusim cironkat, pastrueset me 8 milionë lekë. Për besë i suksesshëm je vendi im.

                                                                                

Please follow and like us: