26 gazetarë bëjnë thirrje për dorëheqjen e drejtorit të Zërit të Amerikës
Njëzet e gjashtë gazetarë kanë kërkuar që drejtori i Zërit të Amerikës të jap dorëheqjen pas pretendimeve për një numër masash hakmarrëse dhe shkeljes së murit ndarës që arritën kulmin me transferimin e një gazetareje të Zërit të Amerikës.
Një deklaratë e shpërndarë publikisht të enjten akuzon drejtorin Robert Reilly dhe zëvendës drejtoren Elizabeth Robbins, për shkelje të kodit gazetaresk të Zërit të Amerikës duke i dhënë një zyrtari të lartë të qeverisë “një platformë të lirë për të folur drejtpërdrejt në kanalet tona” duke organizuar një transmetim të drejtpërdrejtë të fjalimit të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dhe më pas duke transferuar korrespodenten e Shtëpisë së Bardhë të Zërit të Amerikës pasi ajo u përpoq t’i bënte disa pyetje Sekretarit të Shtetit në largim.
Projekti për Llogaridhënien e Qeverisë (GAP), një organizatë jofitimprurëse që mbron sinjalizuesit, informoi udhëheqjen e Agjencisë Amerikane të Medias Globale dhe atë Zërit të Amerikës, së bashku me Zyrën e Këshillitarit Ligjor, Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm, Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ligjvënës të tjerë se nënshkruesit e peticionit janë të mbrojtur nga ligjet për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Patsy Widakuswara, e cila filloi të punonte te Zëri i Amerikës në vitin 2003, të hënën vonë u njoftua se ajo ishte transferuar, disa orë pasi gazetarja veterane u përpoq t’i bënte disa pyetje Sekretarit Pompeo dhe më pas drejtorit Reilly ndërsa zoti Pompeo po largohej nga selia e Zërit të Amerikës.
Widakuswara ishte në mesin e ekipit të gazetarëve të nderuar me çmimin Burke për punën e tyre në mbulimin e zhvillimeve të ndryshme.
Të hënën, Sekretari Pompeo foli për “unikalitetin amerikan” në një fjalim në Zërin e Amerikës, si dhe për atë që ai e shihte si rolin e duhur të Zërit të Amerikës në promovimin e vlerave amerikane në të gjithë globin. Ajo u pasua nga një seancë e shkurtër pyetje-përgjigje me drejtorin Reilly, i cili nuk i drejtoi pyetjet e paraqitura nga redaksia e lajmeve e agjencisë në lidhje me sulmin e javës së kaluar në Kapitol, ose mbi vendimin e Sekretarit Pompeo atë mëngjes për t’i shpallur grupin Houthi në Jemen organizatë terroriste.
Ndërsa sekretari i shtetit po largohej nga selia e Zërit të Amerikës, Widakuswara u përpoq pa sukses t’i bënte disa pyetje Sekretarit Pompeo Pompeo dhe më pas zotit Reilly, i cili paralajmëroi zonjën Widakuswara se ajo nuk ishte e autorizuar të bënte pyetje.
Deklarata e nënshkruar nga 26 gazetarë të Zërit të Amerikës bën thirrje për dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit Reilly dhe zëvendës drejtores Robbins.
“Si gazetarë, puna jonë është të ndjekim të vërtetën, të bëjmë pyetje edhe kur është e pakëndshme ose e vështirë. Ndërsa zoti Reilly hoqi dorë nga kjo detyrë, një gazetare e Zërit të Amerikës, korrespondentja në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara, u përpoq ta bënte punën e saj duke i bërë pyetje Sekretarit Pompeo pas fjalimit”, thuhet në deklaratën e gazetarëve.
Deklarata kritikon gjithashtu transferimin “e papritur dhe të pashpjegueshëm” të Drejtores së Lajmeve Qëndrore të Zërit të Amerikës, Yolanda Lopez, e cila u transferua në një rol të ri të mërkurën në mbrëmje. Ajo u zëvendësua nga gazetari Luis Ramirez, redaktor në redaksinë e lajmeve i cili ka punuar si korrespondent dhe redaktor në zyrat jashtë dhe brenda vendit gjatë një karriere 21-vjeçare me agjencinë.
Drejtori i Zërit të Amerikës ka autoritetin të transferojë stafin sipas nevojave. Por grupet e gazetarisë dhe një agjensi e mbrojtjes së sinjalizuesve e kritikuan lëvizjen si një sulm ndaj lirisë së shtypit. I pyetur mbi këtë ndryshim pune të gazetares, një zëdhënës i Zërit të Amerikës tha të mërkuren se organizata nuk komenton për çështje personeli. USAGM nuk iu përgjigj kërkesës për komente.
Ligjvënësi republikan nga Teksasi, Michael McCaul, dhe ligjvënësi demokrat nga Nju Jorku, Gregory Meeks dënuan, me një deklaratë të përbashkët nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, vendimin për transferimin e gazetares së Zërit të Amerikës Widakuswara që mbulonte Shtëpinë e Bardhë në një detyrë tjetër.
Në një deklaratë të veçantë të ndarë me Zërin e Amerikës, ligjvënësi Meeks, kryetari i ri i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, tha se “është ironike që Sekretari Pompeo lavdëronte Zërin e Amerikës për luftën kundër propagandës së huaj ndërsa e përdorte atë për të përhapur propagandat e tij. Pompeo në mënyrë të papërshtatshme mbajti gazetarët e Zërit të Amerikës si një audiencë të zënë rob në një diskutim ku pyetjet e vetme të lejuara ishin ato nga të emëruarit e administratës”.
Duke vënë në dukje se zoti Pack është tashmë nën vëzhgim nga komisioni për “përpjekjet për të hequr pavarësinë redaksionale tek Zëri i Amerikës”, ligjvënësi Meeks shtoi se vendimi për të transferuar një gazetare veteran “vetëm u jep municion udhëheqësve autoritarë dhe minon aftësinë tonë për të promovuar fjalën e lirë në të gjithë botën”.
Avokati i të drejtave të medias, Theodore Boutrous akuzoi zotin Pack, drejtorin Reilly dhe sekretarin Pompeo për “bërjen e Amandamentit të Parë (të kushtetutës amerikane) dhe traditës Amerikane të lirisë së shtypit një objekt talljesh në të gjithë botën”.
Zoti Boutrous, i cili punon për firmën ligjore Gibson Dunn, e cila përfaqëson zonjën Widakuswara si dhe zyrtarë të lartë të USAGM-së dhe një gazetar të Zërit të Amerikës në një gjyq të veçantë, paralajmëroi në një letër të mërkurën se transferimi ishte “i paligjshëm dhe antikushtetues” dhe i bëri thirrje drejtorit Reilly që menjëherë ta rikthente gazetaren në rolin e mëparshëm. Gazetarja Widakuswara është transferuar te shërbimi indonezian i Zërit të Amerikës.
Edhe Projekti për Llogaridhënien e Qeverisë (GAP) i ka dërguar letër Shefit të USAGM Pack, Drejtorit të Zërit të Amerikës Reilly dhe Zëvendës Drejtores së Zërit të Amerikës Robbins duke i informuar ata se transferimi i gazetares Widakuswara është një gabim rëndë menaxhimi.
Zoti Pack më parë i ka mohuar akuzat se ai po ndërhynte në pavarësinë redaksionale të Zërit të Amerikës, duke thënë se ai po përpiqet të trajtojë çështjet si pretendimet për gabime dhe të meta në fushën e sigurisë brenda agjencisë.
Në nëntor, një gjykatë amerikane i ndaloi zotit Pack dhe ndihmësit e tij të ndërhyjnë drejtpërdrejt në Zërin e Amerikës derisa të zgjidhet një padi gjyqësore që pretendon shkelje të rregullave mbrojtëse; zyra e Inspektorit të Përgjithshëm i dërgoi letra zotit Pack duke i rikujtuar shefit ekzekutiv mbrojtjen që gëzojnë sinjalizuesit nga veprimet hakmarrëse; dhe Zyra e Posaçme Ligjore e urdhëroi drejtorin ekzekutiv të hetojë akuzat për shkelje nga zyrtarët e agjencisë./voa