Sabina Darova: Një mantel i ri
Tregim
Mbrëmja e Vitit të Ri lazdrohet përpara dritës së qirinjve të gjatë e të shkurtër, të vendosur në çdo kënd të shtëpisë, të cilët me përulësi përpiqen të krijojnë një atmosferë festive.
Si nusja e re në pragun e saposhkelur, kjo mbrëmje e di, që sytë janë të mbërthyera drejt saj, duke pritur me padurim minutat e këmbimit të moteve, me dëshirën për ta njohur se kush do të qajë pas 9 muajve, bebja mashkull apo femër. Kjo zjarrmi, sonte është më e ethshme dhe djeg në oxhakët e shtëpive. Është zjarrmi e pjekur prej 10 muajsh në barkun e mediave dhe nuk prodhon asgjë përveçse shterpësisë. Ndaj, mbrëmja e këmbimit të moteve, e gjen Lurën të vetme në shtëpinë e bukur.
Ditë më parë, është përpjekur ta dekorojë duke ndjekur këshillat e revistave në internet, duke i zgjedhur me vëmenndje dekoret. Pema e Vitit të Ri rëndon nga llambushkat e qelqta ngjyrë rozë dhe të murrme. Janë ngjyrat që bëjnë tendencë. Fjongot dhe fashot e argjendta përkëdhelin degët e bredhit të gjallë, që ajo ka ditur ta zgjedhë me kujdes, në pazarin e fshatarëve. Vezullimi i dritave përthyhet mbi korrnizat e trasha të pikturave të vendosura mbi mure, duke iu ofruar mundësinë e një njohjeje më të thellë, mes tyre. Për herë të parë pas kaq e kaq vitesh, orenditë në këtë ditë të veçantë, janë zotër të shtëpisë. Zotërojnë çelsat e dyerve dhe komunikimi i tyre nuk ndërpritet nga asnjë shqetësim njerëzor.
Lura tërheq gati zvarrë mbi qilimin e butë pantoflat e ulet në kolltukun e preferuar të saj. Nuk ka asnjë program për ta mbushur këtë mbrëmje të gjatë. Zgjat dorën mbi celular dhe fillon të ndjekë me sy pasivë, shkëmbimet e urimeve në faqen e fb- së. Përpara syve i kalojnë drita, fishekzjarre, lule, mishra të pjekura, ëmbëlsira, shishe verërash të bardha apo të kuqe, gota që përplasen, kapuçë të kuq mbi krye, pako-dhuratat, dhëmbë të bardhë që ndrisin mes buzëve të kuqe. Me vështrim të ftohtë në fillim, si pakuptuar, zbulon që sytë kanë veshur një perde uji të kripur, që i pengon vështrimin, e rrokuliset mbi mollëza me rrëmbim në pikla kokërrmëdha të nxehta, që thithen nga lëkura e bardhë e fytyrës.
Ndjen frymëmarrjen t’i rëndohet dhe zërin e saj të drobitur që del nga honet e shpirtit, e shndërrohet në vaj. Tmerrohet, sepse kishte punuar me veten për dy javë, për ta bindur se nuk do përkulej përpara vetmisë së kapërcyellit të viteve. E çfarë do ishte kjo natë? Aspak ndryshe nga të tjerat. Fundja, ishte regjur me ketë gjendje vetmie. Fëmijët jetonin dhe punonin larg, në vende ku izolimi me shtetet kufizuese zotëronte prej muajsh. Pra, situata e krijuar kishte zënë peng si shumë të tjerë, edhe jetën e familjes së saj. Jetonin ne tre shtete të ndryshme, secili me veten e tij në shtëpi të huaja. Takoheshin në skype, ashtu siç e kishin organizuar edhe për sonte, të trokisnin gotat në momentin e përcjelljes së motit të vjetër. Por si do takohej ajo me ta?
I hodhi një sy vetes mbi xhamin e celularit dhe u shtang. Ju duk vetja e tejplakur. Trishtimi e kishte mbërthyer prej nofullash si dentisti rrënjët e dhëmballës së syrit. I duheshin ca qese akulli që të bllokonin e ta ngrinin, rrugën e avancimit provokues të rrymës së trishtimit. Nuk dëshironte aspak t’iu krijonte shqetësim fëmijëve e t’iu provokonte ndjenjën e fajit për vetminë e saj.
Fëmijët, pshehrëtiu me sytë gjysëm të mbyllur nga lëngu i lotëve. Fëmijët tashmë të rritur, që nuk ia kishin më nevojën. Prej kohësh, bisedat mes tyre ishin trasformuar apo shterrur në dëshmi ditore. Asgjë më shumë. Nuk ndjehej më nevoja për këshilla apo për t’u tërhequr veshin.
Po ajo, Lura, çfarë ishte duke bërë me vetëveten? Si kalohej koha e saj? Sytë iu ngulën mbi gjoks. Bluza e leshtë ngjyrë gri, sikur ngriti putrat e një maceje që kërkonte të kacavjerrej mbi trupin e saj, duke i ngulur thonjte mbi mish. Ngriti duart e si të kërkonte çlirim prej atyre thonjëve, zgjati gishtrinjtë për të mbërthyer kindet e bluzës, e ngriti lart dhe u zhvesh. Lëkura e bardhë dhe e lëmuar iu duk si një hënë e zbritur mbi prehër dhe i ledhatoi sedrën. Edhe pse vitet kishin bërë punën e tyre, trupi i saj vazhdonte të mbrohej mirë, ndaj kushteve të lagështirës së moshës.
I pëlqeu kjo pamje dhe u ngrit ndadalë drejt dhomës së gjumit. Shpirti femëror filloi të ngrinte krye. Hapi kanatët e dollapit të bardhë katërstinor dhe filloi të kalojë mbi duar fustanet që visheshin për rastet e veçanta. Ishte e pashmangshme zgjedhja e një fustani të kuq. E tërhoqi dhe e vendosi mbi krevat. Sytë filluan t‘i kthjelloheshin dhe drita jua ktheu shkëlqimin e zakonshëm. Me hap të rrëmbyeshëm, hyn në kuzhinë dhe hap frigoriferin.
Çuditet me veten, sepse zbulon që është i mbushur plot, siç bënte motet e shkuara. Buzëqesh dhe nuk gjen shpjegim tek kujtesa. Kur paska qenë pazareve, dhe madje, paska kryer edhe një shpenzim kaq të larmishëm? Mendja fillon të vrapojë në recetat që mundet të përgatisë në pak kohë. Arrin të krijojë jo vetëm tre antipasta, një gjellë me zarzavate të ndryshme, por edhe i zbukuron ato, siç ka vepruar çdo vit, krenaria e duarve të saja, përpara miqve.
Shtron tavolinën me një mbulesë të kuqe dhe vendos pjatat për ditët e festave. Në depo, duart i kapin nje shishe vere te kuqe të vjetër. Buzëqesh e i pohon vetes se do ta pijë të gjithën. Pasi përfundon vendosjet e fundit mbi tavolinë, mbush vaskën me ujë të ngrohtë dhe hap tapën e shishes me banjoshkumë, e cila derdhet pa kursim mbi ujë. Përpara se të kridhet në bardhësinë shkumore, ndez gramafonin dhe zgjedh një disk të Aretha Franklin. Uji i ngrohtë i depërton në poret e lëkurës, duke u hapur shteg, zgjerimit të venave të gjakut. Këto i sjellin gjallëri trupit, si bisqet e drurëve që shpërthejne në pranverë.
Qëndron për pak minuta pa lëvizur, dhe e përkëdhelur nga aroma e ujrave që erëmojnë. E përtërirë, si dikur fëmijë, zgjat zërin për të kënduar se bashku me Arethën, ‘Respekt’. Zëri mbush poret e banjës dhe avulli shpërndahet i vetëkënaqur. Me grushtet plot shkumë provon të formojë fllucka, të cilat i ngrihen mbi krye.
Qesh me zë duke u argëtuar me vetveten fëmijë. Sa i kanë munguar këto gjërat e vogla ndaj vetes! Instiktivisht ngre gishtat e dorës, e fillon të numërojë vitet që i kanë fluturuar përpara syve, si mëllenja të përhimta, të urta, pa zë. Janë shumë. Mbi supe detyrimet ndaj fëmijëve, punës dhe shoqërisë. Për çdo ditë. Po ajo ku kishte qenë? Në cilin xhep të shpirtit e kishte fshehur veten? Shkund kokën nga mendimet hije. I largon me forcë duke zgjatur gishtin tregues nga dera dhe bërtet:
Jashtë! Jashtëëëë! Ekoja e zërit thithet nga mjegullnaja e krijuar prej avullit dhe humbet po brenda saj, si në një copë sfungjer.
Lura shplan trupin, fshihet ngadalë dhe kalon mbi sipërfaqe kremin. Aroma e tij duket sikur zbut te gjitha orenditë e banjës; si të kenë vendosur njëzëri të jenë pjesë e një orkestre që shoqërojnë në harmoni këngëtaren.
Me këmbët e zbathura hyn në dhomë dhe tërheq fustanin e kuq. Kalon mbi buzë një të kuq shegë të ndezur dhe tërheq poshtë llastikun e flokëve. Si gruri i porsakorrur, i lëshohen mbi supet e zbuluara.
Uauuu! Lëshon një fishkëllimë e vetëkënaqur.
Afrohet pranë tryezës dhe tërheq gotën e kristaltë. Lëngu i kuq i rrëshqet në grykë ngrohtësisht.
Gëzuar Lura! Të kam gjetur! Po, të kam gjetur ndryshe. Do të shohësh e do ta besosh. Në djall virusi! Në djall frika! Në djall vetmia! Në djall bota!
Fjalët e shqiptuara me zë, i bëjnë mirë. Fillon të skërmisë ushqimet mbi pjatë, kur tringëllon celulari.
Janë fëmijët. Në Skype shihen buzëqeshjet disi të ngrira, sepse ndjejnë mbi supe peshën e largësisë ndaj saj.
Ajo ju buzëqesh ndryshe nga herët e tjera.
Të befasuar, kuptojnë që gjenden përballë një gruaje që se kishin parë kurrë më parë.
Mami, je mirë? – pyesin njëherësh.
Lura buzëqesh dhe troket gotën me xhamin e kompjuterit të vendosur përballë tryezës.
Më mirë do prishej. Gëzuar! Ju dua shumë…!