Dashnor Kokonozi: Një çmim në Paris…
Ti nuk mund të kërkosh që lexuesi të interesohet për librat e tu pa garanci nga ndërkombëtarët, më thotë një mik. Ktheva sytë të shoh dhe më habiti roli i ndërkombëtarëve në jetën publike e politike.
Për mua nuk ka si të jetë kriteri absolut i së vërtetës. Nuk kam pritur të m’i vlerësojnë të huajt shkrimtarët e mi më të dashur tê letërsisë shqipe. Por, kur kalon kufirin duhet të respektosh zakonet e vendit, ndaj po shoh se mos gjej diçka për lexuesit e mi tepër të rreptë.
Salloni i librit të Ballkanit në Paris është një veprimtari që zhvillohet në mjediset e INALCO-s (Instituti Kombëtar i Gjuhëve dhe Civilizimit Oriental), pjesë e sistemit të Sorbonës. Në të marrin pjesë rreth tridhjetë botues francezë, të cilët paraqesin një numër të madh autorësh të të gjitha vendeve të Ballkanit.
Veprimtaria ka mbështetjen e gazetës Le Monde. Nuk janë autorët që paraqesin librat e tyre por janë botuesit francezë që konkurrojnë me autorët që kanë përkthyer dhe botuar në rrjedhë të kohës. Salloni është pjesë e pandashme e veprimtarive të shumta kulturore të kryeqytetit francez.
Më 2015, për herë të parë u organizua edhe dhënia e një çmimi për librin më të mirë. Për ta zgjedhur, u ngrit një juri me studentë të INALCO-s. (Franca ka shumë përvojë në organizimin e strukturave sa më pak të ndikuara nga faktorë jashtë letrarë).
Nga më shumë se njëqind konkurues, në seancën e parafundit u përzgjodhën njëzet libra nga autorë të pothuaj të gjitha vendeve ballkanike (bullgarë, shqiptarë, serbë, grekë, turq, rumunë, kroatë, sllovenë etj) dhe që janë aktualisht të pranishëm në rrjetin e shitjes së librarive franceze.
Çmimi i parë kryesor i Sallonit të Librit të Ballkanit në Paris, 2015 iu dha autorit shqiptar Dashnor Kokonozi për romain Terre brûlée (Edition Non lieu).
Në paraqitjen dhe motivimin e vendimit të marrë prej saj në dokumentet e rastit juria thekson se :
Juria ishte e ndjeshme ndaj vlerave universale që sillen nëpërmjet historisë së një krize që preku një vend ballkanik dhe nga pikëvështrimet e ndryshme ndaj të njëjtës ngjarje… (vazhdon gjatë)
Dokumentet përkatëse dhe proces verbalet e paraqitjeve të antarve të jurisë gjenden në revistën e INALCO-s, Orient, që aktualisht del vetëm në letër. (Aty ka edhe analizë më të thelluar për vetë romanin)
Please follow and like us: