Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Për Jusuf Gërvallën…

Mehmet Kraja
(Marrë nga libri “Vite të humbura”)
Jusuf Gërvalla ka pasur një formim intelektual që nuk kishte asnjë lidhje me marksizëm-leninizmin, dhe, si shkrimtar që ishte, as me metodën e realizmit socialist. Në bisedat e gjata që kam bërë me të për pesë vjet sa kemi punuar së bashku në të njëjtën rubrikë në “Rilindje”, pastaj në shkrimet e tij për muzikën dhe në shkrimet letrare, asnjëherë dhe askund nuk jepte shenja të një kufizimi të tillë intelektual. Përkundrazi, duke këmbyer libra me njëri-tjetrin, lexonim dhe diskutonim për Xhojsin, Prustin, Sartrin, Niçen, Kafkën, Asturiasin, Ualdin, Kirkegorin etj., ndërsa nga shkrimtarët shqiptarë mbi të gjithë parapëlqente Xoxën, të cilin, sa kam vënë re më vonë, me gjerësinë e leksikut dhe me sintaksën e fjalisë, përpiqet t’i vejë pas te romani “Rrotull”. Në bibliotekën time ende gjenden diku dy libra të tij “Uliksi” i Xhojsit dhe “Piktura e Dorian Grejit” e Ualdit.
Më vonë, kur kam lexuar dramën e tij “Procesi”, kur kam dëgjuar të incizuar ndonjë fjalim të tij dhe kur më ka rënë rasti të lexoj ndonjë shkrim në gazetat ilegale, që ai e pati botuar ndërkohë, jam befasuar me varfërinë e ideve dhe me mënyrën dogmatike të qasjes ndaj çështjeve, përfshirë këtu edhe çështjen kombëtare. Nuk mund ta merrja me mend Jusuf Gërvallën të thoshte se çlirimi kombëtar mund të bëhej përmes luftës së klasave, përmes revolucionit proletar. Cili ishte ky? Jusuf Gërvalla? Kurrsesi. Ai tash ishte një tru i kufizuar, që prodhonte dogmën ideologjike, të cilën kurrë nuk e kishte honepsur. Çfarë kishte ndodhur? Kishte ndodhur pikërisht një zhveshje e tij intelektuale. Ai tash fliste gjëra që fare lehtë mund t’i thoshte një shkollar i mesëm, pasi të kishte lexuar dy vepra të Enver Hoxhës dhe pasi të kishte dëgjuar një muaj Radio-Tiranën. Përse i duhej atij ky degradim intelektual? I duhej sepse ai tashmë ishte futur në ingranazhet e lëvizjes ilegale dhe ajo ishte e pamëshirshme, e pakompromis me kodet e veta intelektuale, morale, ideologjike. Ajo kishte sistemin e vet të të menduarit dhe kodin e vet gjuhësor. Dhe Jusuf Gërvalla bën sakrificën më të madhe jetësore, karshi vdekjes, duke pranuar të zhvishet nga stofi i tij intelektual dhe të futet në atë sistem të të menduarit, vetëm me një motiv dhe vetëm për një ideal. Po të provonte t’i bënte ndryshe fjalimet dhe po të shkruante krejt ndryshe në gazetat e tij, të cilat për një kohë të shkurtër u futën ilegalisht në Kosovë, atëherë Jusuf Gërvalla nuk do të ishte ai që ishte, sepse nuk do t’i takonte më asaj lëvizjeje dhe Shqipëria më nuk do të fliste me gojën e tij.
Pastaj, një çështje tjetër kërkon të shtrohet haptas: kush e ruante lëvizjen ilegale në Kosovë nga depërtimi i mundshëm i intelektualëve? Pëveç faktorëve që u përmendën një herë, janë edhe disa gjëra, në dukje të parë të nivelit të sepkulimeve, por që duhet të thuhen, së paku në formë të dilemës. Dihet se policia jugosllave ishte ajo që i trembej më së shumti transformimit intelektual të kësaj lëvizjeje, që njëkohësisht do të thoshte mënjanim i dogmës ideologjike dhe krijim i një platforme të re politike. Cilës? Platformës kombëtare, pa ngjyrim ideologjik. Një lëvizje e tillë, brenda dhe jashtë Kosovës, do të ishte shumëfish më e rrezikshme për Jugosllavinë, sepse do të kishte shtrirje shumë më të gjerë brenda, kurse jashtë, në Perëndim, nuk do të shikohej si lëvizje komuniste, por vetëm si lëvizje kombëtare. Ndoshta për këtë arsye, duke e ditur rrezikun e një transformimi të tillë, policia jugosllave ngutet ta likuidojë Jusuf Gërvallën. Nga ana tjetër, dihet po ashtu se jo shumë kohë para se të vritej, Jusuf Gërvalla kishte pasur një “fërkim mospajtimi” me njerëz të Sigurimit nga Shqipëria. Do të thotë dikush – rastësi! Po, nëse duam të heqim dyshimin se edhe Sigurimi i Shqipërisë kishte gisht në vrasjen e tij, sepse nuk duhet besuar aq shumë në supozime të këtilla. Pos policia sekrete jugosllave, e cila duhej të ishte në dijeni edhe për këtë fërkim, e sheh të rrezikshme situatën e shkëputjes të lëvizjes ilegale nga tutoria e Shqipërisë dhe Gërvalla, që ishte bërë shpejt personaliteti numër një i kësaj lëvizjeje (hiq Adem Demaçin, i cili tashmë ishte izoluar me burgosjen e dytë), duhet hequr qafe sa më parë, përpara se të realizonte një rebelizëm kësisoj. Natyrisht, kjo është ana më e errët e kësaj vrasjeje politike, për të cilën nuk duhet pritur me shumë entuziazëm se do të ndriçohet ndonjëherë, sepse përpara do të dalin si pengesë motivet shumë më të forta të policisë jugosllave për ta vrarë Jusuf Gërvallën: leksionin që duhej dhënë Kosovës dhe lëvizjes së saj kombëtare pas vitit 1981.
Please follow and like us: