Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (12)
2005-10/Përplasje me RAI-n dhe humbje të tjera
Mbas “Rockpolitik”-ës, heshtje. Siç ndodh shpesh me Adrianon, mbas një ballafaqimi të madh me publikun e me kritikat dhe përtej polemikave të ashpëra në shtyp, ai zhduket nga skena. Thuhet se është një nga të fshehtat e suksesit të tij dhe, ndoshta, është e vërtetë. Në këto vite, Adriano-ja kishte shumë detyrime diskografike, por ishte më pak i mbytur në punë dhe kështu, mbante miqësi të vjetra e të reja. Pikërisht në këtë kohë, forcoi një miqësi me dy personazhe krejt të ndryshme nga ai vetë: presidentin e “Inter”-it, Massimo Moratti dhe profesorin Guido Rossi, një nga avokatët më të rëndësishëm që kemi në Itali për marrëdhëniet tregëtare.
Në të vërtetë, me Moratti-n, bashkëshortët Celentano kishin një njohje mjaft vjeçare: Qe një miqësi e vjetër dhe e qëndrueshme midis Claudia-s e Mully-t, të shoqes së Massimo Moratti-t; pastaj edhe Adriano-ja kishte qenë e ishte gjithmonë me “Inter”-in dhe gjatë viteve ishte fjalosur shpesh me presidentin (e “Inter”-it; sh.p.) për të komentuar ecurinë e skuadrës, më mirë se një transmetim televiziv veçanërisht interesant. Milly Moratti, që prej vitesh merrej me politikën mjedisore, kishte ndjekur gjithmonë me interes fillin ekologjist të dajës tim dhe në rastin e transmetimeve televizive, nga “Rockpolitik”-a deri te “Francamente me ne infischio”, të dy Moratti-t qenë përherë në radhën e parë. Më në fund, është edhe një e vërtetë, që nuk mund të mospërfillet: “Inter”-i ishte për ne pak a shumë diçka e familjes; motra ime Giovanna (një nga mbesat e Adriano-s), qe martuar me Spartaco Landini-n, treshin e “Inter”-it në kohën e Helenio Herrera-s dhe babajt të Massimo Moratti-t. Pra, në shtëpinë Celentano të qënit me “Inter”-in ishte gati një detyrë. Miqësia me Moratti-t e shtyu Adriano-n të bënte diçka që nuk do ta kishte bërë kurrë, po të mos ishte fjala për një mik. Duke kapërcyer disa kundështime fillestare, Adriano-ja u rishfaq para publikut mbas katërmbëdhjetë vjetësh, më 8 mars 2008, për të festuar njëqindvjetorin e “Inter”-it. Në stadiumin “Meazza” të Milanos, menjëherë mbas fërshëllimës së bilbilit për fundin e ndeshjes së fituar nga “nerazzuri”-t (“Inter”-i, ngjyrat e të cilit janë pikërisht: “nero” dhe “azzuro”, [“e zezë” dhe “e kaltër]; sh.p.) kundër “Reggina”-s me 2-0, Adriano-ja hyri në fushë me kitarën në dorë dhe shallin e “Inter”-it në qafë. Mes brohoritjeve të publikut luajti notat e para të këngës simbol “Il ragazzo della via Gluck”. Daja im nuk e humbi rastin dhe para mijëra tifozëve kallëzoi spekullimin në ndërtime e papritmas ndryshoi tekstin e fundit të këngës “Ragazzo della via Gluck” : “Nuk e di pse vazhdojnë të shkatërrojnë Milanon me këto projekte që po prishin Italinë”. Mbasi mbaroi shfaqjen e shkurtër, priti në gjunjë presidentin e “Inter”-it, Massimo Moratti-n dhe me të këndoi disa strofa të pjesës së tij “Sei rimasta sola” (“Ke mbetur vetëm”).
“Të këndosh me Celentano-n”, tha Moratti, “ështe si të luash me Pelen: fantastike”. Në një skenar mbresalënës, Adriano-ja zbuloi një të vërtetë të vetën, të panjohur botërisht dhe ai që ia shkëputi ishte Massimo Moratti: “Adriano, më duket si ti ke luajtur kur ishe i vogël”. “Eh, po!. Një qind vjet më parë provova të luaja me «zoqtë e Inter»-it”.
“E si shkoi, ke luajtur më pas?” “Jo, sepse Alessandro, vëllai im i madh, më tha se duhej të punoja”.
Takimi me Guido Rossi-n, mikun e Moratti-t qysh prej shumë vitesh dhe ish-këshilltarin e “Inter”-it, ishte një histori krejt tjetër: Ka ndodhur rreth dhjetë vjet më parë, kur studioja e Guido Rossi-t, një lloj “boutique”-e (fr. në tekst; shqip: “studio”, “vitrinë”; sh.p.) e të drejtës shoqërore, ishte ende në rrugën “sant’Andrea”, një kalim i rrugës Montenapoleone.
Adriano-ja e dinte që unë dhe Guido Rossi ishim miq qysh më 1985. Unë merresha me gazetarinë financiare dhe ai ishte, tashmë, një nga kryesorët e Foro-s, mbante mbi shpinë detyrën e presidencës së CONSOB-it e në vitet pasues do të bëhej presidenti i Montedison-it dhe më pas, për dy herë radhazi, president i Telecom-it. Më 2006 ishte emëruar komisar i FIGC-së, në vazhdim të Calciopoli-t. Guido dinte mbi dajën tim të famshëm, herë pas here më pyeste për të, i ngjallte kureshtje popullariteti i madh dhe aftësia e tij për të “shpuar” ekranin, por nuk i ishte dhënë asnjëherë rasti që të takohej me të. Një ditë, Adriano-ja më telefonoi dhe më kërkoi t’i caktoja një takim me Guido Rossi-n për arsye të karakterit profesional. Më çuditi kjo nisiativë e dajës tim. Ai është mjaft i ngathët kur është fjala për çështje administrative. Shkuam në studion e tij, ku ishin edhe sekretaria Silvana dhe e shoqja Francesca. Adriano-ja i kërkoi këshilla lidhur me një problem që kishte me bankat. Qe një takim i shkurtër, por midis atyre të dyve pati menjëherë “feeling” (angl, në tekst; shqip: simpati, emocion, ndjenjë të mirë; sh.p.). Guido Rossi-t i bëri përshtypje të thellë tërheqësia dhe vetvetishmëria e dajës tim. Edhe Adriano-ja u ndie shumë i kënaqur me Guido Rossi-n dhe, megjithëse nuk e njihte historinë e financës italiane, e mori me mend se, personazhi që kishte takuar ishte një njeri i shquar i padiskutueshëm në lëndën e të drejtës, një njeri shumë i nderuar e i vlerësuar lart në olimpin e kapitalizmit italian. Më kujtohet fjalia që Adriano-ja i tha Rossi-t: “Guido, a e di që je i fortë!? Shiko se, unë do të të nxjerr në televizion”. Qysh atëherë, qëlloi disa herë të takoheshin në shtëpinë e Guido Rossi-t, ose në shtëpinë e Moratti-t, për të shkëmbyer mendime mbi poltikën, mbi Berlusconi-n, ose mbi skenarë të tjerë të paraqitur nga ngjarjet e ditës, nga lajmet e fundit. Guido-ja ishte koleksionist i madh dhe kishte çmuar lart e kishte blerë disa piktura të Rosalinda-s, më të talentuarës e më tekanjozes të familjes Celentano. Miqësia midis Moratti-t, Celentano-s e Rossi-t ka pasur edhe një “rrjedhojë pariziane”. Moratti-t janë pronarë të një ndërtese madhështore në Ile-de-France dhe disa vite më parë, Adriano-ja e Claudia, njëlloj edhe Guido-ja e Francesca kishin vendosur të merrnin një apartament me qira në këtë ndërtesë të Moratti-ve. Para se të arrijmë në fundin e këtij udhëtimi të gjatë nëpër planetin Celentano (që pjesërisht është edhe planeti i familjes sime) duhet të bëjmë edhe një hap prapa, të kthehemi në vitin 2007, kur, për herë të fundit, u shfaq në RAI një program me nënshkrimin e Adriano Celentano-s. Titulli i tij ishte i çuditshëm: “La situazione di mia sorella non è buona” (“Gjendja e motrës sime nuk është e mirë”). Më 2008, Adriano-ja u ftua te Fabio Fazio-ja, ku (ai ndërhyri me telefon në transmetimet e Michele Santoro-s) edhe një herë “audienca” (“publiku”) arriti në nivele të larta të papara kurrë më parë dhe po më 2008, vitin kur mbushi moshën shtatëdhjetëvjeçare, atij (Adriano-s; sh.p.) iu përkushtua një transmetim i bukur mbi historinë e karrierës, por mbi programet e tij televizive nuk u tha asnjë fjalë. Pikërisht për titullin e tij të veçantë, “La situazione di mia sorella non è buona” qe një program që kishte edhe disa të kthyera familiare me disa vargje komike, të mbështetura mbi një lojë zbavirëse fjalësh me dy kuptime, që i përkisnin nënës sime, ose motrës së Adriano-s.
Në ditët kur u lëshuan “spotet” televizive mbi programin, unë e motra ime Giovanna shoqëruam nënën tonë tek mjeku për një vizitë kontrolli. Ishte një “routine” (fr. në tekst; sh.p.) normale dhe mjekët na siguruan për përfundimin e mirë të kontrollit. Po atë ditë, nëna ime kërkoi ripohimin e asaj që na tha mjeku kurues dhe ne e qetësuam. Unë u ktheva në shtëpinë time dhe motra ime, që jetonte në Milano, në të njëjtin kat me nënën time, shkoi për të ngrënë drekë bashkë me të shoqin Spartaco. Ishim të kënaqur nga përgjigjet e mjekëve dhe, për pasojë, të prirur për të kaluar një mbrëmje të qetë. Atë mbrëmje, megjithatë, mora një telefonatë tepër shqetësuese nga ime më, që tingëlloi afërsisht kështu:
“Ju”, tha duke na u drejtuar mua e sime motre, “jeni të padrejtë, më kemi fshehur diçka. Mjeku duhet të ketë dhënë lajme të këqija mbi sëmundjen time dhe ju nuk më keni thënë asgjë”. Unë nuk e kuptova ku mbështetej ajo, deri kur më foli për “spot”-in e Adriano-s, që shpallte: “Gjendja e motrës sime nuk është e mirë”. “Në televizion, Adriano-ja ka thënë: «La situazione di mia sorella non è buona». Pse nuk ma keni thënë? Kam marë inat edhe me atë; e kam kërkuar në telefon dhe nuk e kam gjetur”.
Kur nëna ime i mbaroi shpjegimet e shkakut të shqetësimit të saj, fillova të qeshja dhe para se asaj ti prishej gjaku edhe në shumë, i tregova që ai ishte titulli i transmetimit të vëllajt të saj. U përpoqa ta bëja të kuptonte që vëllai i saj e kishte fjalën tek gjendja e keqe ekonomike e motrës Tokë dhe jo të motrës së tij Maria, por nuk i mbushej mendja. Ajo mendonte se donim ta gënjenim për të fshehur diçka të rëndë. Atëherë thirra Adriano-n dhe mbas shumë përpjekjesh arrita të lidhesha me të. I thashë t’i telefononte menjëherë motrës së tij për ta qetësuar. Kështu u bë. Më në fund, nëna ime u bind:
“Oh, Shën Mëria ime! Adriano, më bëre të më hynte frika”.
Kjo histori, tashmë është bërë një “barceletë”.
Në vitin 2009, dy gjëma të tjera prekën jetën e Adriano-s: Më 9 maj vdiq vëllai i tij Alessandro dhe më 14 korrik vdiq Alba, nëna e Claudia-s. Ikja e Sandro-s (kështu quhej në familje) qe një ngarkesë e rëndë për Adriano-n. Për mjaft vite me radhë, mbas vdekjes së baba Leontino-s (ajo ndodhi në vitin 1951) Sandro-ja ishte burri i shtëpisë, pikënisja për marrjen e vendimeve të rëndësishme, vëllai i madh, ai që jepte këshilla “atërore” dhe urdhëra si të ishte i pari i familjes, ai që vazhdonte t’i përsëriste Adriano-s (pa ndonjë sukses të madh) që studimet qenë të rëndësishme. Alessandro-ja quhej nga të gjithë “un tombeur de femmes” (fr. në tekst; në shqip: “një joshës femrash”, “një bandill femrash”, një “Don Zhuan”; sh.p.) edhe për pamjen e tij dhe qe martuar në fillim me Ivonne-n, pastaj me Paola-n. Me këtë të dytën pati dy fëmijë: Adriana-n e Alessandra-n (mësuesen e rreptë të vallzimit te “Amici”). Kur e mori me mend se Adriano-ja do të bëhej një njeri me emër të madh, e la mjeshtrinë e përfaqësuesit tregëtar dhe u vendos në krah të të vëllajt si administrator e sipërmarrës. Pra, për dajën tim nuk ishte vetëm vëllai i madh, por, për një kohë të gjatë, edhe “manager”-i tij, ai që mbarështonte, që drejtonte “ndërmarrjen” Celentano gjatë viteve kur daja im nisi ngjitjen e vet të pambarim drejt sukseseve. Kur më 9 maj 2009, Sandro-ja iku, Adriano-ja pa me sytë e tij të rrallohej, të pakësohej edhe më tepër familja e dashur e zanafillës së vet. Pikërisht për këtë, lidhja e tij me motrën e vetme të mbetur, nënën time Maria, u forcua. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, Sandro-ja jetonte në Viareggio dhe, për pasojë, të dy vëllezërit shiheshin jo shpesh, por kur gjendej në ndonjë ditë feste ose në rastin e ndonjë ngjarjeje që i përkiste Adriano-s, Alessandro-ja admironte me krenari “bëmat” e të vëllajt. Mes atyre të dyve ishte një lidhje shumë e fortë dashurie vëllazërore. Fati i keq deshi që Alba, nëna e Claudia-s, të vdiste më 14 korrik, ditën e përvjetorit të martesës së Adriano-s e Claudia-s. Më kujtohet dita e ceremonisë së përzishme në kishën e rrugës Melchiorre Gioia, dy hapa larg rrugës Gluck. Ishin të gjithë bijtë, bijat dhe nipërit e mbesat e Albës, ishin edhe të afërmit e ngushtë të Adriano-s. Claudia qe e dërmuar nga dhembja, por gjeti forca që të fliste për nënën e saj në publik, duke kujtuar personalitetin e saj dhe vitet e kaluara së bashku; ndërsa sytë e Adriano-s ishin krejt të errësuar në pamje dhe të vrarë nga ngashërimi. Ai nuk pranoi të fliste botërisht në kujtim të vjehrrës së tij, por qe i pranishëm i heshtur në meshë. Në shumë raste, Adriano-ja ka pohuar se në vitet e saj të fundit, Alba ishte bërë një prani nga e cila nuk mund të hiqte dorë: ishte shpesh me të, i bënte shoqëri dhe i rrinte afër si një nënë. Në dimër, kur Adriano-ja kalonte pushimet e Krishtlindjes në shtëpinë e Asiago-s, Alba ishte mjaft e kënaqur; qëndronte për rreth një muaj në shoqëri me dhëndrin e saj të dashur dhe, madje, me dëshirë priste orën që Claudia të rikthehej në zyrë, në Milano dhe ajo të ishte vetëm me Adriano-n. Tregohen shumë gjëra dhe kur mbaronin pushimet, Alba qe mjaft e mërzitur.
2009-ta ishte edhe viti i mospranimit të madh të RAI-t. Në historinë e gjatë artistike të Adriano-s qe hera e parë që ndodhi dhe ende sot nuk dihen shkaqet për të cilat “kokat” e shëtitores Mazzini kishin vendosur të përdornin teknikën e “murit të gomës” për të mospranuar programin e paraqitur nga Adriano-ja. Duke filluar nga viti 1987, programet e Adriano-s kishin qënë përherë burime arkëtimesh shumë të mëdha nga reklamat; aftësia e tij e jashtëzakonshme për të krijuar “audiencë” i dha RAI-t mundësinë që të shiste hapësira të tëra reklamash me çmime përtej normales dhe e detyroi konkurrencën të shmangte një kundërprogramim, sepse humbja do të ishte e sigurt. Në fund të fundit, sadoqë gjithonë kishte qënë një personazh i vështirë për t’u trajtuar, Adriano-ja ishte gjithmonë një “business” (angl. në tekst; sh.p.) për TV e shtetit. Megjithatë, më 2009, duhej të kishte ndodhur diçka, që ndoshta nuk do të dihet kurrë. Qe një histori e fshehtë, që, edhe sipas dajës tim, kishte një shije politike. Fillimi i kësaj prove force nisi rreth muajve të parë të vitit. Në prill, në gazetat ditore doli lajmi se Adriano-ja iu bëri të ditur shefave të lartë të shëtitores Mazzini se po nxehte muskujt për t’u rikthyer në RAI me një numur “show” (angl. në tekst; shqip: “shfaqje”; sh.p.) me shtatë seri. Pasoja e lajmërimit ishte e fortë dhe ushqeu mendimin se lojat ishin bërë tashmë. Adriano-ja përmendi një takim më Fabrizio del Noce-n, ku qe folur për një “megashow” (angl. në tekst; shqip: “shfaqje të madhe”; sh.p.) në vjeshtë, për të cilën, daja im ishte gati të fillonte. Alessio Gorla, njeri i Berlusconi-t në RAI, lëshoi deklarata jo shumë të qarta lidhur me zbulimet e bëra nga Adriano-ja në shtyp: “Kam një miqësi të vjetër në vazhdim me Celentano-n. Nuk di asgjë për takimet e tij në RAI, por do të isha i lumtur në rast se do të rikthehej. Është një artist i madh, një njeri i madh i shfaqjes, RAI do ta priste me krahë hapur”. Mbas hapjes së dukshme të Gorla-s, gjithë ngjarja u mbështoll nga një heshtje shurdhuese. Askush nuk e përmendi as shkarazi “megashow”-n dhe filloi një histori që ende nuk ka mbaruar. Megjithatë, vitin e shkuar ka ndodhur diçka e rëndësishme në politikë dhe, siç e dinë të gjithë, gjërat politike kanë një peshë të madhe mbi zgjedhjet e RAI-t. Më 7 maj 2008, lindi qeveria e katërt e Berlusconi-t, mbas një fushate zgjedhore të zjarrtë. Berlusconi jo vetëm fitoi, por korri fitore të plotë: në Parlament mori numrin e vendeve të një shumice siguruese. Dhe, qysh në momentin kur themeluesi i PDL-së u kthye në “Palazzo Chigi”-n, të gjithë në RAI prisnin ndryshime rrënjësore të “majave” (të drejtuesve të lartë përkatës) dhe këto ndryshime erdhën pikërisht pak kohë para se Adriano-ja të dërgonte projektin e tij televiziv: Më 2 prill u emëruan Mauro Masi, drejtor i RAI-t dhe Paolo Garimberti, president. Më 20 maj u emëruan drejtorët e Rai Uno-s dhe TG1: Mauro Mazza e Augusto Minzolini, përkatësisht. Duke lënë në një anë Paolo Garimberti-n, që vinte nga e përditshmja “la Repubblica” dhe që përfaqësonte hapësirën e opozitës, të gjithë të tjerët ishin njerëz të besuar të shumicës dhe në veçanti, të kryetarit të Këshillit të Ministrave. Me vendosjen e “kupolës” së re, u rihap “çështja Celentano”, por ndërmjet dajës tim dhe drejtuesve përkatës rifilloi një dialog mes shurdhësh. Adriano-ja mbronte pohimin se edhe shefat e mëdhenj të rinj luajnë me “murin prej gome”, ndërsa këta të fundit përgjigjeshin se, me Celentano-n nuk kishte probleme politike. Megjithatë ndër të përditshmet filluan të botoheshin shërbime gazetareske, që nuk paralajmëronin asgjë të mirë. Midis lajmeve të paraqitura në artikujt e “Sipra”-s për stinën e vjeshtës 2009 gjendeshin edhe ato që flisnin mbi “buxhetet” e pakësuara , mbi nevojën e uljes së kostove. Përmendeshin edhe “show”-t (angl. në tekst; sh.p.) e Gianni Morandi-t dhe Vincenzio Salemme-s, por nuk thuhej asnjë fjalë lidhur me Celentano-n.
Me një njoftim zyrtar , “Clan Celentano”-ja shpjegoi se nuk ishte fjala për probleme të buxhetit; por nga mjediset e RAI-t arriti një shpjegim tjetër i fakteve: Nuk ka asnjë shenjë të problemeve të brendisë, të përmbajtjes (dihet që Celentano-ja nxit përherë shkëmbime fjalësh, shkëmbime mendimesh); por “show” (angl. në tekst; sh.p.) nuk do të jetë kurrë në planin e prodhimit televiziv, “ishte vetëm një ide”. Në shëtitoren Mazzini nuk përjashtohej mundësia, që “show” të transmetohej në pranverën 2010. Drejtuesit e lartë donin të kuptonin më parë se si do të vinte vjeshta, nëse do të sillte gjallërim. Hija e çarjes, apo më mirë, e mpirjes i shtyu disa drejtues të shënojnë se, kostoja mesatare e një “varieteje” “është të shumtën një milionë për mbrëmje”, ndërsa për Celentano-n “duhet llogaritur dyfishi, ose edhe trefishi”. Pra, “krahu i hekurt” vazhdonte dhe askush nuk ka arritur deri më sot të zbulojë të fshehtën. Sigurisht, ngjarjet në vazhdim, ato të lidhura me ndeshjen e ndodhur para zgjedhjeve të fundit rajonale, midis Silvio Berlusconi-t dhe Michele Santoro-s, mund të ndihmojnë për të kuptuar nëse Adriano-ja nuk do të kthehet kurrë më në TV. Të vërtetat janë të njohura: Para zgjedhjeve, qeveria vendosi të mbyllte për disa javë “talk show”-t (angl. në tekst; sh.p.) politikë si “Porta a Porta” (“Portë më Portë”), “Annozero” (“Vitizero”), “Ballarò”. Ky vendim nxiti një kundërshtim të fortë në hapësira të ndryshme të Vendit dhe Michele Santoro-ja, për t’i bërë jehonë kësaj pakënaqësije të përgjithshme ndaj vendimit të qeverisë, shpiku “Raiunonotte”-n, një transmetim, që u dha në Bolonjë dhe që paraqiti përsëri “Annozero”-n duke mbledhur rreth vetes një pjesë të mirë të kundërshtarëve të qeverisë Berlusconi. Transmetimi i Santoro-s u ridha nga dhjetëra transmetuese vetjake, nga një kanal i “SKY”-t dhe nga dhjetëra rrjete internet. Ishte një sukses i madh mediatik. Në këtë transmetim duhej të merrte pjesë edhe Adriano-ja. Ai vendosi më në fund, të mos ishte i pranishëm, por përkrahja e tij “ideologjike” qe krejt e dukshme; aq më tepër që, në sallën e shfaqjes ishte e pranishme e shoqja, Claudia, si për të treguar përkrahjen e familjes Celentano ndaj nisiativës së Michele Santoro-s. Pikërisht me rastin e këtij transmetimi, Adriano-ja tha një fjalë të fundit mbi ngjarjen e RAI-t: “Santoro-ja thotë që më kërkuan të vazhdoja ndërhyrjet, futjet mes transmetimit, por në të vërtetë tek ndërhyrjet apo futjet as që kemi arritur. Kur kam thënë botërisht se i kisha të gjitha gati, nga titulli deri tek «staff»-i (angl. në tekst; sh.p.) për transmetimin tim, Mauro Mazza, drejtori i «Rai Uno»-s m’u përgjegj në nja dy raste, botërisht dhe me hipokrizi, se, ai ishte gati për të dëgjuar propozimet e mija. Atëherë i dërgova një «mail» (angl. në tekst; sh.p.)”. Në “mail”, Adriano-ja shpjegonte që do të kishte bërë një transmetim të tipit “Rockpolitik”, ose edhe të tipit “Fantastico”. “Kam përcaktuar qartë se, kësaj radhe dëshiroja të bëja të flitej edhe për politikën. Atëherë Mazza më është përgjegjur që propozimi im ishte një nder për RAI-n, që duhej të fjaloseshim, që problemi i vetëm ishte se RAI nuk mund të shpenzonte shumë dhe se do të shiheshim mbas njëzet ditësh. Kanë kaluar gjashtë muaj dhe nuk ka ndodhur asgjë. Kështu ka ndodhur”.
Këto janë fjalët e fundit që Adriano-ja, në polemikë të fortë me TV-në e drejtuar nga njerëzit që kryetari i qeverisë, Silvio Berlusconi, vendosi në vende kyçe të transmetueses të Shtetit, ka shprehur lidhur me të fshehtën e RAI-t. Enigma mbetet e pazgjidhur dhe Adriano-ja, përgjithësisht optimist, shpreh bindjen se kësaj here e fshehta do të mbetet e pazbuluar. Sot, ai (Adriano-ja, sh.p.) po punon për grupin televiziv që del te Rupert Murdoch, me një histori të vëllimshme të shpirtëzuar mbi jetën e tij, të vizatuar nga Milo Manara, por është i bindur se, po të mos ndryshojë asgjë në politikën italiane, ai nuk do të shkelë më në RAI. Megjithatë, siç dëshmon jeta e tij, është i paparashikueshëm. Në fund të kësaj historie ia vlen të tregojmë një të papritur, që ka ndodhur në muajin maj të këtij viti. Çfarë ka ndodhur? Daja im, në moshën shtatëdhjetedyvjeçare mundet t’i befasojë, t’i çuditë të gjithë, duke përfshirë edhe politikanët, mund të parapëlqejë që të hyjë vetë në xhunglën politike, me gjasë si kandidat për kryebashkiak i Milanos. Fantapolitikë? Pjesërisht po, por në qoftë se deri pak më parë mund të dukej thjesht hënore, qysh prej disa kohe, kjo mundësi ka filluar të qarkullojë me të qeshur e me të ngjeshur nëpër mjediset e qendrës së majtë milaneze. Pse? Është fare e thjeshtë. Të mërkurën, më 12 maj, në Milano, në sallën e provincës të rrugës Corridoni, ndodhi diçka e veçantë dhe e pabotuar gjëkundi: daja im, duke i befasuar pak të gjithë, pranoi të merrte pjesë në një shkëmbim mendimesh mbi librin e Mario Capanna-s me titull: “Per ragionare. Sessanta domande sul nostro futuro e alcune proposte” (“Për të kuvenduar. Gjashtëdhjetë pyetje mbi të ardhmen tonë dhe disa parashtresa”).
Në shkëmbimin e mendimeve, përveç Capanna-s, qenë të pranishëm ish-përfaqësuesi i drejtësisë i “Mani Pulite”-ve (“Duar-ve të Pastra”) Gherardo Colombo dhe regjizori Gabriele Salvatores, por e papritura e mirëfilltë nuk ishte vetëm ajo e pranisë së dajës tim në një kuvendim politik mbi sistemet e mëdha (“Duhet ta rishkruajmë letrën e historisë… Do të duhej një revolucion për të ndryshuar shoqërinë tonë”, tha ai), por kandidatura e beftë e Adriano-s për “qytetar i parë i qytetit të vet”, e shpallur atë mbrëmje, pak për lojë e pak me gjithë mend, nga Mario Capanna. Ishte një gjë, që bëri të zbehen, të zverdhen dhe që, në këtë rast, daja im nuk u tërhoq aspak prapa: “Është pak shpejt për ta thënë, është pak e vështirë për ta vënë në jetë, për shumë arsye, por si mund të thuhet? Në qoftë se del në pah diçka e rëndësishme”, shpjegoi ai mbas një pushimi të zakonshëm për të, “do të mund të jem përgjegjësuar, do të mund të them «nuk dua të bëhem kryetar bashkije, sepse e di si përfundon », por sikur të shkoj mbas ndërgjegjes sç më thotë një zëri të lartë, atëherë do të duhej t’i përulesha kësaj kërkese dhe do të ishte shumë gazmore”. Dalja e dajës tim mbeti në fushën e “fantapolitikës”. Menjëherë mbas kësaj mbrëmjeje, i telefonova dhe ai komentoi të gjithën me një të qeshur, por qe edhe dikush që i mori me gjithë mend fjalët e tij. Po atë ditë, Filippo Penati, për shembull, ish-presidenti i provincës së Milanos dhe sfidues i Formigoni-t në rajonalet lombarde, deklaroi në shtyp: “Gatishmëria e Celentano-s për të paraqitur kandidaturën e vet për kryetar bashkie i Milanos është një veprim dashurie ndaj qytetit. Të gjithë e dimë që, në këto vite, Milanoja ka qënë e braktisur nga Moratti dhe ka nevojë për përkujdesje të përzemërta”. Kjo është e gjitha. Kujtimet mbi Adrianon mbarojnë këtu, por historia vazhdon, qoftë ajo e dajës tim të papërsëritshëm, qoftë ajo e Vendit tonë të ngatërruar.