Dashnor Kokonozi: Gorbi!
Aty nga viti 1993 u ndodha në një shfaqje të baletit Zhizel në teatrin Bolshoi të Moskës. E tepërt të them se sa shumë kisha ëndërruar të shoh një shfaqje aty.
Kam shkrepur katër fotografi nga Zhizeli i Bolshoit.
Njërën ndërkohë që kisha zënë vend në sallë.
Tamam atë çast ndjeva që njerëzit nisën të pëshpëritnin dhe kthenin sytë nga një lozhe e krahut të majtë. Duke e ndjerë se diçka po ndodhte, nxora aparatin (një canon me hapje f/ 2.8 që të shpëton nderin në të tilla raste) dhe po prisja.
Dikur ktheva sytë andej nga i kthyen të gjithë dhe befas pashë Mihail Gorbaçovin dhe Raisa Maksimovën që po hynin në lozhë me njerëz të familjes dhe shoqëruesit e tyre.
Askush nuk duartrokiti. Për të mos u bërë qesharak, nuk duartrokita as unë.
Arsyen do ta kuptoja më pas.
Gjithsesi ruajta rastin kur filluan duartrokitjen e fillimit të shfaqjes dhe shkrepa aparatin, drejt lozhes pa tërhequr vemendjen e askujt.
Një shkrepje të dytë e bëra gjatë shfaqjes, këtë herë me objektiv nga skena.
Një të tretë në përfundim të shfaqjes. Përsëri nga skena.
Për një të katërt nuk isha përgatitur.
E kisha ngjeshur aparatin në fund tê xhepit dhe nxitova menjëherë te makina e Gorbaçovit. Qëllimi ishte që të rrëshqisja midis rojeve dhe t’i shprehja admirimin tim.
Ishte e pamundur. Kishte mjaft të tjerë që kishin rendur para meje. Dhe asnjë rus.
Që të gjithë të huaj që thërrisnin: Gorbi, Gorbi!
Truproja hapi një korridor dhe ndërkohë që ata po futeshin në makinë, nuk më mbetej veçse të nxjerr aparatin dhe t’i bëj një foto. Pjesën tjetër të kohës rrija e shihja disa gra angleze qe e preknin si të qe Padre Pio.
Pastaj u ktheva nga shoqëruesja.
– Bota ka shumë burra të mëdhenj i thashë, por jam i kënaqur që më në fund edhe unë pashë një të tillë.
– Eshtë i madh për ju, jo për ne, – m’u përgjigj ajo gjithë urrejtje. Pastaj sikur ndjeu frikë dhe buzëqeshi. Duke e shndërruar gjithëka një urrejtje më të përzemërt për atë që ndryshoi rrjedhën e historisë botërore.
Shtrëngova fort aparatin tim, që të sigurohesha se Gorbin e kisha tashmë aty brenda.
Please follow and like us: