Mehmet PRISHTINA: Velloja fetare shpërfytyron personalitetet tona kombëtare
Kjo tendencë e çoroditur për të mbushur pa kurrfarë kriteri hapësirat tona publike me shtatore e monumente, rrënjët i ka te mungesa e një strategjie afatgjate institucionale mbi kujdesin dhe trajtimin ligjor të figurave tona kombëtare. Për dallim nga shtetet e avancuara europiane dhe tejatlantike, ku kujtesa historike është e kodifikuar përmes ligjeve të cilat prodhojnë obligime ndaj ruajtjes dhe kultivimit të figurave kombëtare, te ne në Kosovë, çdo kush mund të vendos në oborrin e tij dhe në oborrin e ndonjë institucioni një shtatore, e cila as nuk i plotëson kriteret artistike-estetike, as ato hapësinore e urbanistike. Rasti më i freskët ndodhi në Prizren, ku shtatorja e Skënderbeut e vendosur në një hapësirë publike, shkaktoi reagime të shumta për shkak të parametrave komik të saj, gjë që detyroi autoritet komunale të mënjanojnë këtë shtatore.
Nevoja për të mbushur hapësirat tona publike me shtatore e monumente, ende nuk po korrespondon me kulturën tonë shtetërore që të vendos rregulla e parime mbi këtë çështje.
Historia jonë është e pasur me personalitete të ndritshme, por edhe kontraverze, ndonëse ende nuk ekziston një konsensus shkencor e politik mbi unifikimin e kritereve përcaktuese mbi këto personalitete. Mungesa e këtij konsensusi ka prodhuar njëfarë anarkie në metodologjinë e vendosjes së shtatoreve e monumenteve në hapësirat tona publike dhe për rrjedhojë ndodhë që figurat e mëdha të kombit, siç janë Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Adem Jashari, në vend se ta kenë interesimin e mjaftueshëm shtetëror e institucional,me kritere të mirëfillta metodologjike, ato jo rrallë janë barrë e familjeve të tyre, të cilat herë-herë, madje, në vend se të mbështeten të paktën moralisht, ndodhë të etiketohen e shantazhohen në forma e mënyra të ndryshme.
Figurat tona kombëtare janë pronë e gjithë popullit, kurse shteti është ai që mban llogari mbi dukjen e tyre në hapësirat publike. Rasti i fundit me shtatoret e Ibrahim Rugovës dhe Anton Çettës, shpërfaq tendencën më absurde që e drejta e pronësisë mbi figurat tona kombëtare t’i takoj çdo kujt, kurse mënyra se si shprehet kjo e drejtë sa është anakronike, po aq është edhe e rrezikshme për harmoninë tonë brendafetare. Nëse do t’i lejonim luksin Ipeshkvisë së Kosovës që të vendos shtatore të personaliteteve tona kombëtare nëpër oborret e kishave dhe katedraleve, atëherë nesër mund t’iu teket e njëjta gjë edhe bashkësive tjera fetare.
Toleranca jonë fetare e ruajt pikërisht në saje edhe të qasjes tepër të avancuar që kishin Rilindasit tanë mbi diversitetin tonë religjioz, duke shmangur çfarëdo lloj interferimi fetar në problemetikat madhore kombëtare. Multireligjioziteti i një shoqërie është pasuri përderisa ajo iu ndihmon njerëzve të njohin më mirë njeri tjetrin. Në momentin kur ndodhë të mbivendoset kriteri fetar i vlerësimit të personaliteteve kombëtare, atëherë fillon të ndjehet vrazhdësia e këmishës së ngushtë brenda së cilës nuk mund të ndjehen mirë dhe rehat këto personalitete.
Prishtinë, 18 janar, 2021