Miho Gjini: Inçesti
Nga cikli i tregimeve të zgjedhura
INCESTI
-Fragment nga novela “Shembja e kështjellës”-
Afro tetë muaj nuk komunikuam më me njeri-tjetrin. Me përjashtim të “fishekzjarreve” në faccebook. Me dy të panjohur , sikundër ishim edhe ajo , po edhe unë. Mbetëm përsëri të panjohur sikundër ndodh në absurdin e jetës… Tetë muaj pa u takuar fizikisht dhe, përsëri, me një farë mënyre, flisnim, por tani ashpër, me përcaktorë të padëgjuar kurrë më parë. Tirada me sharje në adresën time mbinin papritur në ibox,- sepse atje mund të shkruhej, – me etiketime ekstreme, të cilat përfundonin me të njëjtat fjalë: “Lamtumirë, o mik i rremë”! Dhe pastaj pasonte e njëjta gjë po aq absurde: përsëritja nervoze e emrit tim. Veç nuk më quante Fredi, në njëjës, po Zoti Ferdinand! Nga e shpiku këtë Ferdinand?! Po, edhe unë i kthehesha me të njëjtën monedhë: “Lamtumirë Joana, o “hije e moçme”!, duke patur kështu parasysh që profili i saj ne faccebook nuk ishte gjë tjetër veçse nje hije në konturet e një gruaje dhe që kishte tek-tuk edhe disa shkronja arabe, përreth saj! Gjithçka e nisur si një zbavitje….
Shkruante edhe poezi të zakonshme, po bënte gjithmonë komente të zgjuara. Një ditë pashë me interes se në faqen e saj qe publikuar një ese me titullin “Incesti”. E lexova disa herë dhe u shpreha se ajo nuk e njihte këtë fenomen dhe se nisej nga refleksione e jo nga rrjedha analitike e Frojdit dhe e “kompleksit të Edipit”! U acarua dhe ma ktheu ashpër, duke më rrëfyer si teknokrat zyrash! Ajo merrte pjesë kështu në diskutimin e përgjithshëm të grave shqiptare kundër dhunës seksuale dhe vetëm kaq. Po aq i drejtpërdrejtë u tregova edhe unë. Ndërkohë që komente të tjera të “përkëdhelësve” vijonin t’i vinin me bujë, duke e trajtuar këtë si pasojë e urisë seksuale që ishte krijuar tek ne, madje duke më kundërshtuar edhe mua. Në ndërkohë të ndryshme unë përfshija në kritikën time të ashpër edhe vetë shoqet a shokët e saj komentues. Ca më teper se,-kjo çpikje e mrekulluehme e shkencës për komunikim universal të njerëzimitë shfrytëzohej rëndom edhe për “vrasësit e kohës”, injorantë e delirantë të tmerrshëm, për mburravecë e lajkaxhinj të rëndomtë, të cilët,-ashtu mjeranë sikundër janë, të nesërmen gdhihen gjeneralë e perandorë të vetvetes, poetë, shkrimtarë e piktorë të famshëm! Në thelb po ngulmoja se fantazia nuk mjafton për të shkruar një studim a ese për inçestin, sepse bazat e tij janë sa psikologjike, mjekësore e po aq shoqërore. Shtoja se autores i mungonin disa prej këtyre njohurive, qoftë edhe nga mungesa e gjatë e trajtimit të edukatës seksuale në shkollat tona, prandaj viheshin re shtrëmbërime të papranueshme në idetë e saj. Atëhere pasoi një heshtje. Erdhi një koment ku theksonte një shprehje të kohës komuniste se “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, ashpërsia e të cilit me sa duket e ka vënë në pozitë të vështirë autoren e “Incestit”. Në përgjigjen e saj u mundua të shënonte diçka për kulturën time “të pamjaftueshme”, për “mosnjohje të realitetit anadollak shqiptar” dhe se do ishte më mirë të më bënte “Bllokim”! Paskëtaj dialogu mori edhe një rrjedhë humori të zi. Atëherë ajo kërkoi të takoheshim, më shumë për t’u spjeguar me njeri-tjetrin, siç nënvizonte.
E pimë kafenë, në një lokal të nëndheshëm, poshtë Bibliotekës Kombëtare. E vështoja tinëzisht, me bishtin e syrit dhe menjëherë m’u krijua njëfarë heqje dërmuese e fizionomisë së saj, ndonëse mundohej të buzëqeshte çiltër. Shpejt do të hapja bisedën e ese-së së saj, për të vërtetuar se komentet e mia nuk kishin aspak synime denigruese, por thjesht mendoja se i mungonin disa elementë të rëndësishëm analitikë, po edhe njohës. Më dëgjonte me vëmendje. Dikur, ashtu pa hequr dorë nga kryeneçësia e saj, shpërndau në ajër një frazë pajtuese. Unë kisha një logjikë të hekurt dhe, krijova bindjen se, sa të shkonte në shtëpi, do ta hiqte shkrimin e saj nga faccebook për ta rishkruar. Për herë të parë u ndjeva mirë. Ishte një hakmarrje akademike, – në mund ta quaja kështu. Megjithëse, diku thellë syve të saj lexohej diçka tronditëse që nuk do më shpëtonte pa u vënë re.
– Kam një mendim, – thashë befas, – Sikur ta hanim drekën bashkë?
U hutua menjëherë. Me siguri ka menduar se isha një njeri i pandreqshëm. U vrenjt, buzëqeshi tinëz dhe m’u përgjegj me diplomaci.
– Dakort… Por… nuk mund të qëndroj gjatë aty. Kam disa punë të rëndësishme. Ose më saktë, më presin..
Pa orën e saj të dorës.
– E rregullojmë edhe këtë, – thashë unë.- Për shpejtësi kohe marrim një taksi dhe vemi diku jashtë qytetit. Jashtë rrëmujës e miletit,- shtova me shaka.
Dolëm. Taksia e parë që kaloi në rrugë u gjend bosh dhe na u afrua menjëherë. I thashë shoferit të na shpinte te “Kështjella e Mbretëreshës”, diku në një kodër jashtë qytetit. U ulëm të dy në sediljen e pasme. Mundohesha të tregohesha i qetë, aspak ngacmues, madje nisa të bisedoja me shoferin. Dikur ajo më pa shkarazi. E ndjeva atë shikim dhe, ashtu indiferent, thashë tashmë duke u kthyer drejt saj se, “kam qenë një herë aty dikur me një regjisor teatri, se më ka pëlqyer vendi e mjediset e lokalit, sepse kanë diçka ekzotike, mesjetare. Thjesht më ka pëlqyer ky ekzotizëm mesjetar,-përfundova unë, duke shtuer edhe frazat se “ndoshta ty nuk do të të pëlqejë”!
– E di, e di,-ma ktheu ajo,- mjaft shite mend!- buzëqeshi – E di edhe se si do ta vazhdosh fjalimin tënd. Që kjo kështjellë ka qenë pronë e një mbreti të cilën ai ia fali mbretëreshës, fill pas martesës… Trille personazhesh mbreterorë!
– Shenjë dashurie, ama!- thashë unë.
Nuk arrita ta shijoja si duhej buzëqeshjen tjetër të saj kur taksia qëndroi.
Holli kryesor i “Kështjella e Mbretëreshës” ishte një sipërfaqe arkitekturore e konsiderueshme, me kube të larta e gjysmësferike, të ndriçuara nga ca abazhurë të fshehtë e që shpërndanin dritë të mekët. Po aty disa çifte të moshuarish, përtypeshin e bisedonin qetësisht. I kërkova mikes sime të gjenim një guvë, një vend “hajdutësh”, siç e quajta, për t’u ndjerë më pak njerëz. Kjo frazë sikur i pëlqeu. Më ndoqi nga pas si ogiç.
Kur u rehatuam aty, pasoi një heshtje e shkurtër. Gati nuk dija se çfarë të thosha më. Prisja me padurim të vinte kamerieri e të nisja të dërdëllisja… Tinëz shikoja se asaj i kishte mbetur në fytyrë një buzëqeshje e harruar, kushedi qyshkur. Buzët e holla i kishin mbetur gjysmë të çeluara, aq sa mund të shiheshin rruazat e bardha të dhëmbëve. Kamerieri qe një djalosh fort i ri i cili qëndroi para nesh jo me duart e puthitura pas këmbëve të veshura me uniformë, por me duar të kryqëzuara siç prisnin porositë ushtarët orientalë dikur. E lashë ta zgjidhte ajo ushqimin, por edhe pijet. Pranoi. Porositi një picë të madhe me fruta deti dhe një shishe spumante. Kamerieri e pa me kujdes. Shënoi diçka në bllokun e tij dhe pastaj u largua me mirësjellje…
– Ç’është kjo “Spumante”?- pyeta unë sa për të thyer akullin që zaptoi guvën.
– Një verë e lehtë që më pëlqen… Tani shqipja është trazuar keqas, – nënqeshi.- I pëlqente tim eti dhe, pasi pinte një gotë mbas buke, e fshihte në dollap. Unë u bëra kurioze dhe një ditë përgjova. Kur ai doli nga shtëpia menjëherë hapa dollapin. Hapa shishen dhe e provova. Më pëlqeu. Pastaj, pak e nga pak e mbarova shishen fshehurazi. Sa herë më kujtohet ajo ngjarje e tmerrshme, dridhem sepse jeta më pat lidhur mizorisht me atë njeri të ndyrë…
– E ke fjalën për tët atë?
– Po, – uli kokën ajo, – fatkeqësisht, po!
U hutova. Pica po vonohej dhe unë e vështrova drejt në sy si për të vërtetuar se atë pohim e kishte bërë vet ajo. Pas pak do ta dëgjoja të më rrefehej.
* * *
Ajo nuk pat qenë vajzë e paprekur, sikundër e besoja. Virgjërinë e saj e kishte prishur i ati. Me psikologjinë primitive se mollën e parë e ha ai qe e ka mbjellë. Kur e bija u bë 14-vjeçare dhe trupi i saj nisi të merrte trajtat e plota të një gruaje, ai filloi ta ledhatonte, ta mbante afër ditën dhe natën, dhe, sikundër thoshte, ta përgatiste kështu për jetën e ardhshme… Si një monstër që nuk pyet për lidhjet e gjakut dhe pasojat e kësaj mënxyre gjenetike, ai nisi t’i imponojë së bijës marrëdhënie seksuale, fillimisht dhunshëm e më pastaj rregullisht. Incesti që përvijonte ky fshatar i pagdhendur, kishte hapur një plagë të thellë në shpirtin e vajzës së brishtë… Kundërshtitë e saj shtoheshin duke u rritur e kuptuar gjendjen e llahtarshme në të cilën qe robëruar tashmë. Disa tentativa kundërshtuese per t’iu larguar gjëmës, bëri që mashkullit-baba t’i ndizej gjaku më tepër. Xheloz, primitiv, keqdashës njëherësh ai nisi të mendonte se si mund ta mbante këtë qenie gjithë jetën të robëruar, pra ta kishte pranë edhe atëherë kur në sytë e botës asaj i duhej të martohej. T’i gjente asaj një burrë impotent. Ky u bë synimi tjetër i tij. Mungesa e s’ëmës, e cila qe larguar prej vitesh prej këtij burri mizor e, siç besohej, me të meta mendore, e kishte lehtësuar hapin tij…
Ishte një rrëfim plot lotë dhe ofshama, me zë të ulët e drithërima, me sy që të shikonin drejt e në zemër, me dëshirë për mirëkuptim duke ngjallur kështu një keqardhje të pafund për këtë qënie, por edhe një ide të vakët frike. Ndoshta isha përpjekur të afroja një grua me shpirt të trazuar, sikundër të trazuar duhej ta kishte gjindjen përreth vetes, me hakmarrës që e mbanin ndër skllavëri të tjera, por edhe me tipa të cilët shfrytëzonin ende rininë e saj. Kjo më trembi disi…
Dikur pasoi një heshtje e ankthshme dhe më ngjau sikur guva u ngushtua. Më zihej fryma tashmë aty. Shikimi i saj tani qe i përhumbur… Një pikë loti krejt i veçuar prej të tjerëve, madje pasi kishte fshirë fytyrën me një shami, befas iu var faqeve prush të nxehta. Vendosi kokën mes pëllëmbëve të duarve dhe ashtu e përthyer e mbështeti mbi tavolinën e drunjtë. Dëgjova pastaj një rënkim të thellë dhe ca fjalë të shkëputura të cilat nuk kuptohej se kujt i drejtoheshin. Më duhej të bëja një gjest ngushëllimi, një gjest me të cilin duhej të pohoja se unë nuk e keqkuptoja në atë që i kishte ndodhur, nuk keqkuptoja jetën e saj, nuk… I ledhatova flokët me duart që më dridheshin. Dhe të gjithë gurët e guvës i ndjeva të rënduar mbi kokën time.
Ngriti paksa kokën, aq sa unë mendova se ma keqkuptoi këtë përkëdhelje. Por ajo çoi përpjetë ca sy të mëdhenj, të zinjë sterrë, të lagur, të egër dhe tha…
– Sadizëm i pastër!
E quajti pastaj një “krim të fshehtë e të dyfishtë”, të cilin po ma zbulonte mua për herë të parë në jetë. Ka raste kur nuk gjendet asnjë fjalë ngushëllimi. Kthina e ngushtë ku ishim ulur për të krijuar intimitet në kështjellën mesjetare, më ngjante tani gati asfiksonjëse. Hoqa dorën prej flokëve të saj dhe gjerba një pikë “spumante”. Kjo lëvizje e zakonshme sikur e shpërndau ca trishtimin e saj. Vetëm se po dridhej e tërra… Ngriti kokën dhe i pashë sytë e enjtur.
– Më fal!– mundi të thoshte ashtu, këputshëm.- Pata një çast dobësie,- shtoi pastaj dhe unë vura re se në cepat e buzëve të saj mbiu një buzëqeshje, ndoshta mes grimcash ironie. – Të thashë se është hera e parë që i rrëfej dikujt historinë time të trishtuar. Pata nevojë ta dijë dikush. Se më mbyt sa herë që e kujtoj… As nënës sime nuk ia kam rrëfyer… E mjerra, ajo e mjera!… Se, edhe pa këtë mënxyrë, ajo e ka pasur jetën të tmerrshme. Le ta dish edhe ti… Mbase kjo për ty është një ngjarje e dëgjuar edhe herë tjetër. Mbase e ke lexuar edhe nëpër libra… Por çdo qënie ka dramën e saj të përjetuar ndryshe. Pse ta thashë ty? Nuk e di.. Nuk jam e sigurt. Ndofta,-e mendova këtë pas një shkrimi që botove në gazetë mbi dhunëne seksuale,-e parë kjo në prizmin teorik, si sociologji e psikologji, mase edhe në aspektin etiko-moral… Ndofta! Po, mbase ky ishte një çast që unë kisha nevojë të zbrazesha… Një njeri i medias, doemos nuk e banalizon rastin. Sepse,- duhet ta dish edhe këtë që po të them tani,- shumë herë kam dashur të vetvritem! Stepesha në çastin e fundit. Jo nga ndonjë ndjesi fetare, apo morale. Thjesht kisha frikë. Realizova diçka tjetër. Guxova të largohesha nga kjo fëlliqësi dhe të arratisem. I hipa trenit dhe vajta deri ne stacionin e fundit të një qyteti, ku nuk kisha shkelur kurrë! Qe natë. U futa nën shkallët e një pallati dhe u struka kruspull në një qoshe të errët. Isha aq e lodhur sa aty më zuri gjumi. Një gjumë vdekjeje! Dikush me zbuloi aty në mëngjes, ashtu, të mbledhur si një deng leckash. Dhe njoftoi policinë e qytetit…
Nuk kisha se si të mos trëmbesha… Atje mu lidh gjuha. Nuk flisja dot. Nuk dija se cilin duhej të denoncoja. Frika më e madhe ishte hakmarrja e atij njeriu aq të poshtër që konsiderohej babai im. Pastaj besoja se të nesërmen historinë time do ta gjeja të publikuar thuajse në të gjitha gazetat dhe vetvrasja e pakryer me ndonjë thikë, do të vinte ashtu, e helmët, e tmerrshme, nën vështrime poshtëruese njerëzish të zakonshëm. Shkatërrimi im do të ishte i dyfishtë… Oh! , – rënkoi dikur dhe shtoi. – S’kam më fuqi ta vazhdoj këtë histori! Nuk e kuptoj as vet tani se si ta tregova edhe ty…
Nuk dija se si të sillesha, nuk dija se çfarë t’i thosha. Dhe në raste të tilla njeriut i vijnë në ndihmë lëvizjet, pantomimat. Lëviza gishtrinjtë, i mblodha grusht dhe i ngrita përpjetë harkut të gurtë instiktivisht. Isha aktori më fatkeq i vetvetes. Po e mblodha paksa mëndjen, rrëmbeva thikën e thellova prerjet trikëndëshe të bëra qysh më parë te pica që po ftohej dhe i hodha pak verë në gotën e saj. Ia afrova më pranë. E përfshiu fort me gishtrinjtë e dorës dhe e ngriti lart. Kërkoi shikimin tim. Më ngjau vetja hiçgjë. Kisha këmbëngulur jo thjesht ta njihja, por ta afroja më pranë vetes. Ja çfarë po dilte! Kisha përshtypjen tani se të gjithë klientët e guvave aty rrotull kishin rreshtur së mbllaçituri, së foluri, së puthuri dhe po dëgjonin historinë e saj, të treguar kështu, gjithë lotë…
I preka duart. Të akullta… Ajo ngriti kokën dhe më pa përsëri me ca sy të mjegulluara. Pimë gllënjkën e dytë. Nuk dinim sesi ta shtynim bisedën. Çfarë mund t’i thosha paskëtaj? Unë që dija të llomotisja për gjithçka e për çdo gjë, unë që tregoja me pathos ngjarje e histori të pafundme, madje që bëja edhe një humor të lezetshëm, isha ftohur tani plotësisht para kësaj gruaje të re, e cila, ndoshta nuk kishte humbur asgjë trupore, por diçka të rëndë nga ajo që njerëzit e quajnë dinjitet. Thellë-thellë, dyshoja se gjithë kjo mund të konsiderohej fatkeqësi. A është fajtor njeriu që përdhunohet brutalisht, njeriu i pafuqishëm, nevojtar, i friksuar, i vetmuar në jetën e vet, kur fuqi të egra e sulmojnë si në mes të një pylli një lukuni ujqish? Përse shoqëria njerëzore nuk e fshin këtë psikologji vrastare, nuk e përjashton nga vetvetja, jo si një e keqe, por si mosekzistencë? Pse duhet të mbartet një veprim i dhunshëm si një fatkeqësi, kur ajo mund të harrohet siç ndodh me një sëmundje?
Mendoja këto, kur ajo e mbushi vet gotën e saj dhe e piu me fund. U ndje përplasja e qelqit mbi tavolinë. Pastaj e shtyu gotën më tej. As hëngri e as piu më. Tha se dëshironte vetëm të iknim një orë e më parë nga kjo guvë e errët.
-Më fal Joana! -thashë unë i turbulluar
-Nuk quhem Joana!… E s’ka kurrfarë rëndësie kush jam!.. Jam ajo…”Hija e moçme”, siç më ke njohur. Asgjëja!…Vajza e dhunuar nga një monstër që më mbylli gojën dhe jetën, atë jetë që,-sikundër thoshte se “vetëm ai ma kishte dhuruar e vetëm ai mund të ma merrte” e Zoti që s’është në qiell e as kërkundi! Çohu të ikim!
Ajo u kthye vrullshëm nga korridori i daljes Pas saj do të ecja unë, duke shtrënguar çantën prej lëkure të gazetarit, varur në krahqafën time. Një tufë kamarjerësh na hapën rrugën… Kur dolëm jashtë, koha u hap dhe një rrezatim diellor i beftë ra mbi fytyrën e saj të zbehtë. Nxora nga çanta aparatin tim dhe e fotografova. Një tekë jo edhe aq e zakonshme. Fare e pavënd, rutinë e një gazetari të zakonshëm që kërkon të fiksojë çdo gjë… Mendja ime kishte nisur të mendonte pikërisht edhe për këtë novelë që po shkruaj. Më kishte ngjethur, më kishte emocionuar, shkundur e tronditur!… Jo aq ngjarja se sa përjetimi i saj. Mendova se qe më e udhës të mos flisnja më, për të mos thënë ndonjë budallallëk… Druhesha se do më qortonte, po ajo bëri të kundërtën. Qeshi bujshëm. Papritur ia dha vrapit si fëmijë dhe vrapoi në drejtim të pyllit dhe atje u fsheh diku. Nuk e dija në se ky ishte një “kapje” instiktive, prej çlirimit të shpirtit, apo lehtësimit të brendshëm. Kishte mbirë diçka prej fëmije te ajo. Nuk isha i sigurt në se duhej të bëja edhe unë diçka të tillë. Gjithsesi renda edhe unë pas saj. E hasa të mbështetur pas trungut të një peme. Ndala po aty frymëmarrjen. Ajo vështroi e trembur diku larg saj dhe tha përsëri ngadalë se nuk duhej ta besoja historinë e saj. Ndoshta ishte një përrallë, të cilën unë duhej “ta fshija nga kujtesa”!
U mpiva nga kjo frazë. U fyeva. Dhe vendosa t’ia ktheja me të njëjtën monedhë
– Atëhere ti je një psikopate që ke kënaqësinë t’i mundosh njerëzit padrejtësisht!
Ajo ia shkrepi te qeshurës. Iu shmang duarve të mia të hapura dhe vrapoi nga ana e hyrjes së kështjellës, ku qenë parkuar makinat e shumta… Ndali diku atje dhe u mbështet nëpër ligustrat e prera bukur, në trajtën e një muri të gjelbër…
– Këtu, pooo, mund ta fotografosh “psikopaten” e cila nuk di as se çfarë thotë e as se çfarë bën.
E fotografova përsëri.
– Afroju këtu ,- më tha pastaj me një tjetër seriozitet…- Ato që të tregova, të lutem harroji. Më premto!
Ato çaste qe krejt ndryshe, më e qetë… Po mua më lanë pa gojë! Nisëm të zbrisnim shkallaret për te sheshi parkingut. E pashë me ngulm. Sikur ndieva copa vetëtimash të luhateshin në fytyrën e saj.. .Ç’qe kjo tërheqie e beftë që pati? Isha i gllabëruar këmbë, krye e shpirt, prej një gjendjeje të dyzuar, të rrallë e të jashtëzakonëshme. U harruan dramat e vjetra, mësimet dhe esetë e saj për esencën e moralit, të etikës dhe filozofisë njerëzore. Qe një ditë vjeshte e paparë, as e ftohtë e as e ngrohtë, po si e stolisur me një bukuri të rrallë. Mund të ndjeje edhe puhizën ledhatuese të erës, të admiroje shumëllojshmërinë e ngjyrave ndër pemë, por rrallë, edhe nisjen e rënies së gjetheve. Më dukej vetia si një peronazh i Paustovskit e po ecia mbi shtresën e dendur të fletëve të pemëve që kërcëllisnin nën këpucët e mia. Kështjella dukej e zhytur në po atë mister të përhershëm dhe, vendosur rrezë kodrinës së butë, gjysmë e fshehur prej gjelbërimit, ngjante sikur dremiste. Gurgullima e ujërave të Erzenit, vinte deri aty, si ofshamë e thellë. Në këtë peizazh ajo shihej tepër e magjepsur. Jo pak, edhe unë…
– Dua të jem përsëri fëmijë,-tha befas ajo.
Nisi të zbriste me nxitim një palë shkallë që të çonin në Parkun e Lodrave për fëmijë. E përfytyrova në vajzërinë e saj… U ngazëlleva. I duhej përgjigjur me shpejtësi çapkënllëkut vajzëror të saj. Renda dhe unë nëpër shkallë. Sa mbërriti te Parku i Lodrave, iu afrua shilarsave. Hipi në njerën prej tyre dhe nisi te përkundej nëpër ajër. I ndriste fytyra nga një rrezatim gjithë dritë të cilin nuk ia kisha vënë re kurrë, ndërsa flokët ia merrte era. U shkëput pastaj s’ andejmi, ashtu e lehtë si pupël zogu e u ngjitë krejt e sigurt në kullën e lartë të ulluqeve rrëshqitëse. Ndërsa unë e ndiqja me gëzim, por jo edhe pa një farë frike. Vrapoi pastaj tek trarët e ekuilibrit, desh u rrëzua s’andejmi dhe pastaj ia shaloi një rose të egër, mbi të cilën u përkund disa herë para e mbrapa. E shikoja edhe unë i befasuar, me këtë ndrimë të çuditshëm. Dhe për herë të parë mendova për një luhatje psiqike të saj. Diku e pata lexuar… Po ajo mbiu përpara meje e u bë po aq serioze!
– Dua te pi!-tha ajo, kur unë së prisja aspak
– Jo,-thashë unë prerazi,- nuk duhet të pish tjetër.
– Dua të pi!-përsëriti ajo me ngulm.
Po pikërisht në atë çast kulmor, befas, po kuptoja se gjendeshim në praninë e dikujt. Shkak u bë një zile celulari. Ishte telefoni i saj. Sikur dikush ta kishte ndjerë së largu një rrezik fatal. U përmend, ndreqi disi fustanin sikur ta kishte aty pranë të panjohurin dhe rrëmbeu telefonin. Foli me dikë dhe u ngrit në këmbë…
– Oh!,- psherëtiu e hutuar. – Ime më është shqetësuar sepse nuk i vajta në shtëpi… Më duhet të iki… Sa më shpejt!… A nuk të thashë që më presin? Pikërisht në të njëjtën orë të çdo dite duhet të jem pranë saj, gjithsesi për të lehtësuar… ose, ose nxirrosur edhe me keq jetën e saj! Si harrova kështu? – shtoi pastaj tërë ankth.
U turr nëpër shkallët e kështjellës, e bindur se do ta ndiqja. Zbrita edhe unë me shpejtësi, duke i kapërcyer shkallët dy e nga dy. Jashtë shkallëve e arrita. Por për habinë time, aty, buzë rrugës, as m’i hodhi fare sytë. Pastaj u kthye e tëra nga unë. M’i shigjetoi sytë! Sikur të ishim dy të panjohur e prisnim diçka në të njëjtin vend. Sikur të mos kishim qenë bashkë, një minutë më parë, në atë ëndërrim përhumbës, në atë tretje të pazakontë trupash. Nuk mund ta duroja këtë shpërfillje. Befas ia nisi një rrebesh shiu i pazakontë, fare papritur që unë të vija ne vete e të përmëndesha. As vetëtimë, as bubullimë nuk pata dëgjuar. E tërhoqa nga dora dhe u futëm nën krahët e një pishe të madhe që gjendej në buzë të rrugës. E gjithë bota u err sikur t’ia kishte behur nata. Pikonte gjithçka. Hoqa me nxitim xhupin tim dhe ia hodha krahëve. Por, për habi, ajo e hodhi përdhe me një gjest inati. Pastaj u turr në rrugë nëpër rrebeshin e shiut.
– Qëndro!- i thirra , – do lagesh…
– Le të lagem,- ma ktheu- Përse duhej të më sillje deri këtu? Që të realizoje atë që kishe ndërmend? Ashtu bëni të gjithë ju, burrat… Ndaj ju urrej!… Ju urrej të gjithëve!
Flokët e saj u njësuan me rigat e shiut e rrobat iu ngjitën pas trupit. Pikërisht atë çast ndali para këmbëve të saj një makinë me drita të ndezura. Thuajse u përplas pas saj. U hap me shpejtësi një derë dhe po aq me shpejtësi u mbyll. Renda pas makinës fantazmë e cila ndërkohë u zhduk pas kthesës.
Ç’ndodhi kështu, o Zot? Në ëndërr isha? Mbeta i shushatur në mes të rrugës, në mes të shiut. U përmenda nga një bori tjetër makine e cila kishte ndalur edhe ajo te këmbët e mia. Qënkisha përfunduar në mesin e rrugës! Lëviza majtash, me po ato hapa të ngathëta… Çfarë ishte e gjitha kjo, o Zot?! Vetiu bëra kryqin. Unë ateisti. Dola në krahun tjetër të rrugës, ashtu i lagur deri në palcë. I ngjaja një endacaku të mjerë që po e zinte nata dhe shtrëngata jashtë. Kështjella nuk shihej më. Nisa të ecja kuturu. Me sa shihej gjithçka ishte shembur!
Tiranë, tetor 2012.
(Botuar për herë të parë në librin tim, me tregime dhe novela “ACARI I DASHURISË”, Edlora, 2014)
Please follow and like us: