GALERI AMBIGU\Imazhe të zbritura nga piktura në pëlhurë e mëndafsh, prezantohet koleksioni i ri
Galeria Ambigu prej tri vitesh ka mirëpritur me sukses të plotë dashamirës të artit pamor. Ekspozita të shumta me piktura të artistëve shqiptarë por edhe të huaj, i kanë besuar galerisë shqiptare dëshirën për ta përcjellë atë tek sytë e publikut të gjerë. Edhe pse jemi duke jetuar kohë jo të zakonshme ku «izolimi» ka qenë kryefjala e pandemisë, për ata që besojnë tek vetja, kjo nuk u ka ndaluar aspak dëshirën për të sjellë ide të bukura e për t’i ndarë me të tjerët dhe se gjithmonë ka vend për t’i mirëpritur.
Entela Konomi, kuratore, artiste dhe njëherësh imazhi kryesor i Ambigu-së, sjell një projekt të ri, ku pikturat e saj ia propozon publikut, të riprodhuara në mënyrë numerike në pëlhurë, mëndafsh, tafta, satin, kanavacë etj.
Me këto pëlhura, Entela Konomi ka dizenjuar e prodhuar produkte të ndryshme mode të përdorimit të përditshëm si shall, çantë dore e tualeti, këllëf jasteku dekorativ, kimono (penjuar) apo edhe aksesorë të tjerë.
Jo vetëm të përdorshëm, por edhe me dizenjim modern e plot ngjyra, këto produkte derivate të pikturave të Entela Konomit, përmbushin dhe synimin e artistes për t’u dhënë njerëzve, sa më shumë akses në artin e saj.
Sipas motos së Entelës, pak art me vete, të gjithëve u bën mirë në përditshmërinë e tyre. Për ata që e njohin nga afër nuk është e vështirë të dallosh finesën e saj, po aq sa e lehtë t’i besosh edhe tendecën për të përmirësuar pamjen, të bukurën apo modën.
Entela tregon për Albanian Montreal Press se është entuziaste se prej fillesës së projektit të saj ka gjetur mbështetjen e menjëhershme tek dashamirësit e artit si dhe klientët e parë, për të cilët thekson që janë shqiptarë. Sigurisht që nëpërmjet rrjeteve sociale, bashkë me shpejtësinë e shpërndarjes së lajmit, është rritur dhe pritshmëria për zgjerimin e gamës së produkteve.
Sipas saj, ideja për t’i dhënë vlerë të bukurës, detajeve, imazhit e gjithçka që personifikon një grua, ka gjithmonë hapësira për t’u zhvilluar. Për të, të gjitha kanë fituar të njëjtën vëmendje dhe dashuri. Në pikturat e Entelës ka ngjyra, jetë, ka histori, ka një titull dhe sigurisht po kaq të qarta janë edhe në të gjitha produktet e printuara. Por nuk do të ndalet këtu, do të jetë thjesht çështje kohe kur të ndajë me ne projekte të afërta në plan.
Përgatiti: Blerina Ruka