Intervista me Arben Kallamatën/Davariten “Hijet e Muzgut”…
Shkrimtari Arben Kallamata, në një intervistë për gazetën “Fjala” pas botimit të librit “Hijet e Muzgut” edhe në Kanada, tregon për nismën e tij dhe si erdhi deri në botimin e këtij libri.
Nga Blerina Ruka
Pak kohë më parë në Toronto u promovua romani “Hijet e muzgut”, i autorit shqiptar Arben Kallamata. Libri i shtëpisë botuese “Toena”, i paraqitur për herë të parë në Panairin e Librit “Tirana 2019” në nëntorin e kaluar, më në fund bëhet i njohur edhe për lexuesin shqiptar që jeton në Kanada. Eventi i njoftuar para disa javësh, mblodhi miq e dashamirës të shumtë të librit shqip, duke tejkaluar pritshmëritë e organizatorëve. Madje, disa dhjetëra amatorë të letërsisë patën rastin ta kenë romanin “Hijet e muzgut” edhe me një autograf të autorit. Nisur edhe nga interesimi në rritje i lexuesve shqiptarë të provincës së Kebekut e më gjerë, Albanian Montreal Press sjell shkrimtarin Arben Kallamata, në një intervistë ekskluzive, ku ai zbulon përmbledhtazi rrugëtimin e tij, ngjarjet në roman, përzgjedhjen e personazheve dhe qëllimin e tij si autor, duke ia lënë lexuesit vlerësimin dhe gjykimin e mëtejshëm për gjithçka ndodh në roman.
Libri juaj “Hijet e Muzgut”, botuar në nëntor 2019, trajton me gjuhën e satirës argumente shumë interesante mbi historinë e qytetërimit. Na thoni diçka më shumë për këtë, si edhe për rëndësinë që ka ky botim për ju.
Para së gjithash dua të theksoj se bëhet fjalë për një roman, pra për letërsi artistike, imagjinare. Pavarësisht se tema është historike, pavarësisht se një pjesë e personazheve janë historike dhe shumë ngjarje përputhen me ç’ka ndodhur historikisht, “Hijet e Muzgut” nuk është gjë tjetër veçse krijim letrar. Si i tillë libri nuk ka për qëllim dhe nuk merr përsipër të argumentojë. Si krijues, unë thjesht kam këndvështrimin tim për ngjarjet historike dhe do të më pëlqente që lexuesi të tregohej mendjehapur dhe dyshues, si ndaj meje, ashtu edhe ndaj mënyrës se si ai vetë e ka perceptuar historinë deri tani. Në fund të fundit, ka arsye të forta që një pjesë e mirë e historisë që na është mësuar, ose që vazhdon të na mësohet, të shihet me dyshim. Na janë paraqitur si vlera pikërisht ato që kanë qenë antivlera, na janë paraqitur si ndriçuese ato forca që sollën terrin njëmijëvjeçar, na janë paraqitur si promotorë të zhvillimit pikërisht frenuesit e dhunshëm dhe të vetëdijshëm të zhvillimit. Jam munduar që satirën në libër ta përdor në mënyrë organike, pra aty ku duhet, aty ku është e domosdoshme dhe jo të bëj satirë për hir të satirës, siç mund të jenë, ta zëmë disa mite, kulte, apo idhuj që ne i marrim si të mirëqenë. Prej kohësh ka zënë vend mes nesh dhe është ngurtësuar miti i popullit më të lashtë të rajonit dhe të botës, i kombit të parë, autokton, domethënë vendas në atë territor që kur është krijuar bota. Ky është absurditet. Është ngritur dhe trumbetohet miti i gjuhës më të vjetër, më të pasur, më të pastër të rajonit dhe të gjithë botës, deri në budallallëkun që thuhet se është gjuha me të cilën flisnin perënditë, edhe ato të Olimpit dhe ato të Egjiptit të lashtë. Të njëjtët njerëz që flasin për gjuhën e perëndive betohen për dhe i falen Perëndisë së besimit monoteist. Këtyre u bashkëngjitet edhe marrëzia tjetër, prirja për t’i nxjerrë të gjitha figurat e rëndësishme, historike dhe aktuale, me origjinë shqiptare. Veçanërisht ata që mbahen si heronj, si heronj pozitivë, sepse ata të tjerët ‘të ligjtë‘ nuk mund të jenë shqiptarë. Është një krekosje e përbashkët qesharake së cilës nuk ke se si të mos i përqasesh me satirë. Kur Rilindësit formësuan idenë e krijimit të kombit shqiptar, u pa e arsyeshme të qëmtoheshin pika të historisë që do të ndihmonin në krijimin e një miti të përbashkët, të domosdoshëm për formësimin e krenarisë kombëtare, krenarisë që do t’i nevojitet një kombi që po krijohej në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të ’20-të. Puna e tyre funksionoi për bukuri. Vetëdija kombëtare u krijua, shteti, megjithëse i cunguar, u formua. Kjo ndodhi më se një shekull përpara. Nuk ka asnjë arsye që ne sot, në shekullin e njëzetenjëtë të vazhdojmë t’i biem gjoksit për vlera që s’kanë pikë rëndësie dhe të mos marrim parasysh të tjerat, ato të domosdoshmet. Aq më tepër të sajojmë çdo ditë marrëzira të reja. Ne sillemi si rrugaçë, bërtasim lart e poshtë, nuk jemi në gjendje të bëjmë një palë zgjedhje për të qenë, i hakërrohemi njëri-tjetrit dhe, madje, ngremë dorë kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që mburremi si populli më i lashtë, me gjuhën më të vjetër. Për çfarë e përdorim ne gjuhën më të vjetër? Për ta bastarduar në medie në mënyrën më të shëmtuar, për t’u grindur në ekran duke folur të gjithë përnjëherësh. Që në vitet ’30-të të shekullit të njëzetë intelektualë si Branko Merxhani dhe Vangjel Koça, flisnin për ‘neoshqiptarizmën’, për idenë e mbështetjes së vetëdijes shqiptare te kultura, te përparimi, te një shoqëri e ngritur, elitare, dhe jo te vlera të pavërtetueshme të së kaluarës. Po bëhet një shekull dhe ende nuk kujtohemi t’ia vëmë veshin seriozisht kësaj ideje. Sa për pjesën e dytë të pyetjes, natyrisht që botimi ka shumë rëndësi për mua si autor, sepse romani “Hijet e Muzgut” më ka dhënë mundësi të shpreh vetveten. Sidoqoftë, e rëndësishme është se ç’do të jetë ai për lexuesit – a do të ketë vlerësimin e tyre. Deri tani jam i kënaqur nga pritja.
Duke qenë roman historik, me siguri ju është dashur të studioni edhe periudhat përkatëse dhe t’u referoheni dokumenteve historike. Sa kohë ju është dashur të përgatiteni për këtë libër?
Është e vërtetë që kam lexuar shumë, veçanërisht për periudhën e para-rënies së Romës. Por këtë lexim nuk e kam bërë si studiues i historisë, pasi as kam pasur ndër mend dhe as pretendoj të shkruaj një libër historie. Unë kam lexuar thjesht me kureshtje, pasi historia është një nga pasionet e mia. Gjithashtu, më ka tërhequr qytetërimi romak, ajo periudhë e mahnitshme e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, ku u arritën lartësi të paimagjinueshme në arkitekturë, në shkencë, në letërsi, në pikturë dhe në skulpturë, në zhvillimin e administratës dhe vendosjes së ligjeve, në komunikim – në të gjitha fushat e jetës. Ne e njohim pak atë periudhë dhe fatkeqësisht e njohim përmes këndvështrimit të atyre që e kanë shkatërruar. Shumë informacion ose është zhdukur, ose mbahet i fshehtë ose, në rastin më të rëndomtë, është shtrembëruar. Unë jam përpjekur të lexoj autorë të ndikuar pak ose aspak nga ideologjitë sunduese pasromake, autorë mendjehapur që e shohin zhvillimin e historisë pa filtra ideorë. Dhe jam përpjekur të krijoj këndvështrimin tim sa më të pavarur për atë që ka ndodhur dhe për shkaqet që sollën shkatërrimin e gjithë atij qytetërimi. Për këtë më është dashur kohë. Megjithatë, për të shkruar “Hijet e Muzgut” dhe për të mbledhur materiale specifike për të, më janë dashur rreth pesë vjet.
“Hijet e Muzgut” është rekomanduar për t’u lexuar nga njerëz të letrave shqipe. Si mendoni se do të ndikojë kjo te lexuesi?
Është e vërtetë që romanin e kanë rekomanduar gjerësisht në rrjetet sociale, gjë që për mua ka qenë kënaqësi. Më pëlqen kur vlerësohem nga çdo lexues dhe ia di për nder kujtdo që, së pari e lexon librin tim dhe, së dyti, merr shpreh mendim për të. Për mua nuk ka shumë rëndësi që lexuesi të pajtohet me këndvështrimin tim. Secili prej nesh ka dhe duhet të ketë këndvështrime të ndryshme. Për mua është vlerësim edhe qëndrimi kritik, edhe mospajtimi. Natyrisht që më bëhet qejfi shumë kur mësoj se librin e kanë lexuar dhe e diskutojnë edhe njerëz seriozë, të kualifikuar dhe profesionistë, fjala e të cilëve ka peshë. Prej tyre lexoj me kureshtje mendimin që kanë për stilin, për gjuhën, për strukturën e romanit. Çdo rekomandim që jepet për librin shton kureshtjen dhe shton numrin e lexuesve. Si autor dëshiroj dhe shpresoj që vepra ime të lexohet nga sa më shumë njerëz.
Komuniteti shqiptar në Kanada është tashmë i konsoliduar prej vitesh. Madje, po rritet edhe brezi i dytë i shqiptarëve të ardhur pas viteve ‘90-të. Sipas jush, cila është pesha që duhet të ketë një botim i shkruar shqip për brezat që rriten larg Shqipërisë?
Ka dy pika të rëndësishme në pyetjen tuaj. Së pari, është fjala ‘shqip’. Domethënë ka rëndësi që letërsia që u jepet atyre të jetë në gjuhën shqipe – në një gjuhë të pastër, të pasur, të larmishme shqipe. Po aq sa jam kundër përpjekjeve për ta nxjerrë shqipen si gjuhën më të vjetër të botës, po aq edhe dua që shqipja të mbetet një gjuhë e bukur, e logjikshme, e zhdërvjelltë, një gjuhë pa ndikime, pa struktura gramatikore të deformuara. Brezi i ri i shqiptaro-kanadezëve pikërisht për këtë ka nevojë, për një letërsi shqipe me një gjuhë të pastër shqipe. Anglishten dhe frëngjishten ata i dinë vetë. Nga ana tjetër, brezi i ri i shqiptaro-kanadezëve rritet në afërsi me arritjet më të larta të kulturës botërore, rritet në mjediset ku janë shkruar romanet e Margaret Atwood e Timothy Findley, tregimet e Alice Munrosë, me poezitë e Leonard Cohen, për të mos folur për afërsinë që ka me kulturën që vjen nga poshtë kufirit, nga Amerika. Pra, është lexues me kërkesa, në qoftë se është lexues. Është e frikshme t’u afrohesh atyre me një libër në shqipe. Është përgjegjësi e madhe. Po arrite t’ua fitosh zemrën, është sukses i jashtëzakonshëm. Në fund të fundit, unë do të desha që ata ta vlerësonin veprën letrare në shqipe jo duke e parë me syrin patriotik, si një qeleshe apo flamur kuqezi që vjen nga atdheu, por duke gjetur në të vlera të vërteta gjuhësore dhe artistike, një letërsi bashkëkohore e moderne.