Miho Gjini: In memoriam për artisten greke përbri urës që u kthye në urë miqësie mes popujve
Sot u largua nga jeta në Athinë, artistia e madhe greke, antare e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve Grekë, njëherësh edhe antare e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve Shqiptarë në Greqi, Titika SARIGULI!… Një aktore veterane dhe dramaturge, interpretuese e qindra roleve në teatër, televizion e kinematografi, kryesisht role karakteri, po edhe interpretuese e figurës së dhimbshur të nënës shqiptare, në filmin e regjisorit grek “Akademia Platon”, kundër racizmit e ksenofobisë, së toku edhe me interpretues të të dyja vendeve, ku ajo vlerësonte veçanërisht aktorin tonë Anastas Kosdine, në rolin e djalit të saj të humbur në periudhën e luftës së fundit, që ajo do ta takojë përsëri në rrethanat dramatike të ikjeve masive, kur vëllai i braktisur do të gjente këtu nënën dhe të vëllan, i cili interpretohet nga aktori i njohur grek, Andoni Kapexhopulos!
Me këtë ndjesi emocionale, aktoria e famshme greke, do të bëhet mikja e shqiptarëve te ardhur e do të afrohej së tepërmi me artistët, regjizorët e emigrantët shqiptarë. Po jo vetëm kaq… Shtëpia e saj në periferi të sheshit “Omonia” u bë edhe strehë mikëpritjeje për ne shqiptarët e artistët e mërguar, si edhe për të ardhurit nga Azia e Afrika që flinin nën këmbët e urës përbri shtëpisë së saj…
Iku kështu një grua fisnike e bujare, me shpirt të madh, një artiste humaniste e dramaturge me ide patriotike, me dashurinë e madhe midis popujve…
Ne artistët shqiptare humbëm një miken tonë të madhe, të paharruarën Titika, e cila jetonte e banonte përbri një ure, duke ndërtuar URA MIQËSIE MIDIS POPUJVE…
Prehu e qetë, mikja jonë e madhe!