Jeta njerëzore e ardhur artistikisht në librin e tretë me tregime dhe novela të Avdulla Kënaçit
Prof. Dr. Ymer Çiraku
Ky është libri i tretë në prozë me autor Avdulla Kënaçi. Kujtojmë se botimi i këtyre librave, ka ndjekur në fare pak vite njeri-tjetrin për të mbërritur te lexuesi. Duket sikur autori, ka brenda vetes një lloj “ngutje” për të endur e derdhur në krijimet e tij tërë farfuritjen e mbresave të gjalla jetësore dhe të përjetimeve imagjinative, që ai i ka të memorizuara brenda vetes. Këto janë për të një “minierë” e begatë, ku ai vazhdon të eksplorojë me frymëzim të pandalur, nëpër thellësitë e shtresave të saj.
Në këtë libër të ri, të sapobotuar, vërejmë se tre janë motivet bazike: derdhja artistike e përjetimeve nga vendlindja, nga historia dhe nga emigracioni i kohëve të sotme. Nëpër këto motive, ka shtegtime personazhesh e ngjarjesh të larmishme, brenda nje shtrirjeje të madhe kohore e gjeografike. Kësisoj, nëpër faqet e tregimeve e të novelave, ndihet dhe përjetohet një atmosferë mjaft e gjerë letrare. Autori endet i sigurt në tërë këtë hapësirë, duke rizgjuar e skalitur me frymëzim dhe realizëm, tërë këtë botë të gjerë.
Janë vërtet emocionuese figurat dhe mjediset që vijnë sipas rastit: prej sinoreve të shekujve, prej jetës së kohëve të kolektivizmit socialist të vendit, si dhe prej sprovave, shpesh tronditëse të emigracionit, apo kurbetit të ri të shqiptarëve – në kohët e sotme. Sado të largëta mes tyre, nëpër këto përjetime, ndihet një lidhje e brendshme. Në shpalosjen e rrëfimeve, është i pranishëm kudo shpirti dhe geni i shqiptarit, i cili, shfaq karakterin e tij: herë të fortë e kryeneç dhe herë të butë, të mbërthyer pas traditës – por edhe i përpirë e dashuronjës pas ndryshimeve dhe pas rrugëve të kërkimit në jetën e tij.
Profesioni i gazetarit për shumë vite në median e shkruar dhe atë televizive, sidomos përcjellja prej tij e reportazhit nëpër vise të ndryshme të vendit, si dhe puna e gjatë në Redaksinë e Diasporës, kanë krijuar te ky autor një pasuri të madhe mbresash e përjetimesh të gjalla prej fateve të llojllojshme njerëzore. Që nga vendi i largët, ku ai tashmë jeton prej vitesh, në Kanada, tërë këto impresione e kujtime, marrin një tjetër përmasë, sigurisht prej mallit të kuptueshëm, por edhe përmes kullimit artistik të tyre, nëpër filtrat e shpirtit e të meditimit krijues. Për nga disponimi që krijon, mund të thuhet se kjo përvojë autoriale, është një shans i bekuar për misionin e shkrimtarisë letrare. Krijohet distanca e nevojshme e përjetimit dhe e gjykimit, që është një premisë aq e nevojshme dhe njëherazi, aq e favorshme për të krijuar brenda vetes atë ekuilibër të brendshëm vlerësues, për të realizuar pastaj përcjelljen e përjetimeve, nëpër trajta të gjetura dhe me një frymë sa më të vërtetë e sa më të realizuar artistikisht për te lexuesi.
Pikërisht këto rrethana jetësore e profesionale, kanë sjellë vlerat e veta edhe në këtë libër të ri të Avdulla Kënaçit. Mund të thuhet se motivet janë pothuaj po ato, si te veprat e mëparshme. Por në këtë botim, ato motive arrijnë të formatohen në struktura të tjera rrëfimtare dhe të fitojnë kështu statusin e tyre origjinal. Duke ruajtur veçoritë e stilit të vet rrëfyes, autori i përvijon ato motive bazike, përmes transferimit dhe shtegtimit të tyre në ngjarje dhe personazhe të tjerë, po aq të befasishëm këta karaktere njerëzorë në bukurinë e shpirtit të tyre, apo edhe në dramat që ata përcjellin.
Vendlindja mbetet një temë e preferuar, është si të thuash Itaka e autorit. Ngado që të endet nëpër tema historike dhe nëpër ngjarje, në vende e kontinente të tjera, ai rikthehet sërish atje, me një etje përherë zhuritëse. Aty janë njerëzit e gjallë e ata të larguarit nga jeta, janë zjarret e historisë dhe gëzimet e privacionet e kohëve, pra, janë fisi dhe fara. Përveç pikturave të gjalla karakteriale të njerëzve të këtyre anëve, janë po aq mbreslënëse edhe mjediset e përshkruara me shumë dashuri dhe përvëlim shpirti.
Mbetet në mendjen e lexuesit fshati malor në një pllajë të bukur si magje, me kuqërimin e lofatave në pranverë, me blegërimin e deleve, me zilet dhe çokanet e bagëtive të imta e të trasha, nëpër zabelet e këndellura ëmbëlsisht e magjishëm me muzikën e këngës së laureshave, të mëllenjave e të gushëkuqëve… Mbeten në mendje karaktere të fortë si xha Kasëmi, që bën drejtësi si kryeplak edhe me fëmijët e vet. Mund të thuhet se ai është një sfinks i vërtetë morali e virtyti njerëzor. Figura të këtij profili i ndeshim nëpër disa tregime e novela dhe mund të thuhet se figurativisht, ata janë lisa të fortë të racës autentike shqiptare, duke përcjellë kështu përmes nëntekstit edhe një apel, për t`i kujtuar me venerim e për t`i patur modele, jo thjesht muzeale.
Tema e emigracionit, përbën gjithashtu një bosht të rëndësishëm tematik. Në letërsinë shqipe, kjo është një temë e kahershme, që lidhej me dramën e kurbetit, si një e keqe e madhe e cila i ndante njerëzit për së gjalli. Sigurisht, që në kohët e sotme, ky fenomen ka fituar një ridimensionim, që lidhet me lirinë e lëvizjeve në kohët e globalizmit. Në novela e tregime të ndyshme të këtij libri, këtë dukuri e vërejmë të shtjelluar në mënyrë komplekse, ashtu si edhe realisht e ndeshim në këto dekada. Në emigracion, qytetarët shqiptarë kanë gjetur e shfytëzuar për mbarë mundësitë e integrimit dhe afirmimit të tyre. Dhe janë jo të paktë ata që ia kanë mbërritur suksesit profesional dhe standardit dinjitoz të jetës. Por sigurisht, këtu mpleksen edhe sfidat e dramat që vijnë prej llogarive të bëra lehtë, edhe prej rendjes pas rrugëve të quajtura më të kollajta, që shpesh shoqërohen me rënien pas vesit e llumit shoqëror. Është tragjik fati i Merit të re e të bukur, me shpirt të pastër, së cilës, ia helmuan jetën edhe më të afërtit e saj, për t`u kthyer ajo pastaj, veç në një numër të ftohtë, në morgun e zymtë të Niagarës. (Novela “Numri 5001”)
Në tregimin “Në Sheshin Duomo”, rrezëllin aq hirshëm figura e djalit të ri nga Durrësi. Një adoleshent që çan Adriatikun, por që e gjen fatin e tij në vendin fqinj, në Itali. Këtu zbulohet bukur edhe mirësia e qytetarëve pritës të emigrantëve, në këtë rast e çiftit italian që e birësojnë si djalin e tyre. Këto tregime përcjellin përjetime mjaft emocionale dhe me shumë realizëm, arrijnë ta sjellin të gjallë kronikën e emigracionit tonë, i cili, ka përmasa të mëdha, gati biblike dhe mund të thuhet se në diasporë, ne kemi numerikisht një tjetër Shqipëri. Në këtë libër dhe ata të tjerë të mëparshëm, autori ka meritë, sepse na ka sjellë panorama mjaft të gjalla prej këtij realiteti. Ato janë tablo aspak vetëm rozë, apo vetëm gri, por ashtu si shfaqen realisht. Përmes tyre, transmetohet informacion dhe emocion artistik i pasur, por përcillet gjithashtu edhe një spektër morali i nevojshëm, i vyer.
Për librin e mëparshëm të autorit “AUTOKRITIKA”, kohë më parë, kam botuar një shkrim, ku mes të tjerash, theksoja se vetë titulli në kopertinë, nuk mbetet i rastësishëm – vetëm prej faktit se është nxjerrë prej titullit të një tregimi të përfshirë brenda tij. Më shumë se kaq, kjo e ashtuquajtur autokritikë, është në fakt metafora thirrëse e katarsisit, e ringjalljes morale të njeriut, duke e njohur dhe duke u përballuar pa kurrfarë kompromisi me përgjegjësinë qytetare të tij, në çdo kohë e në çdo rrethanë të jetës së vet. Edhe titulli “LIRIDONA” i këtij libri të ri, përmes një kompozite mjaft domethënëse, përçon mesazhin e kërkimit të lirisë, në kuptimin më të gjerë të saj, si liri nacionale dhe si liri e brendshme e personalitetit të njeriut. Është kjo një metaforë mjaft esenciale, që tretet artistikisht me kahje të ndryshme nëpër këto tregime e novela.
Vëllimi artistik “LIRIDONA” dëshmon arritje të mëtejshme të autorit Avdulla Kënaçi dhe besojmë se me siguri do të zgjojë interesimin e lexuesit. Ky lexues do të gjejë këtu pasuri jete, ngjarje dhe personazhe intrigues, përmes skalitjes së tyre me kolorit të pasur gjuhësor dhe me frymën e spikatur të epokave të ndryshme historike.
Avdulla Kënaçi vjen në librat e tij, pas një karriere të suksesshme në gazetari