Zaho Golemi & Arsim Sinani: VISAR SINANI, DËSHMOR PËR KOMBIN SHQIPTAR
(Kushtuar dëshmorit të kombit Visar Ramadan Sinani (22.6.1984 – 7.11.2007, djalit plot vitalitet, të lindur në ambjet kulturor, arsimdashës e patriotik, të rritur në radhët e formacioneve të UÇK-së, si dhe të brumosur e burrëruar në Tetovë e Prishtinë për të ngelur përjetë pishtar i ndritur i shqiptarizmës, duke e bërë jetën fli dhe duke e falur gjakun për një kauzë të madhë kombëtare me maksimën popullore profetike se: “Edhe kur bie, çohem…kurrë nuk dorëzohem”! Visari ishte, është dhe do të jetë visari i kombit në altarin e burrave të kombit që përkujtohen përherë, sepse pishtari i të rënëve për komb e atdhe nuk shuhet kurrë. Jeon përherë në zemër të kombit)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI, Tiranë
Prof. Asoc. Dr. Arsim SINANI, Tetovë – Maqedonia e Veriut
*
Visar Sinani është dëshmori 23 vjeçar, që ra për kombin shqiptar. Ai ishte lindur më 22 qershor 1984 dhe rritur në Tetovën historike. Visar Ramadan Sinani ishte trupëzuar njësh me historinë stërgjyshore në Tetovë, i rritur në një familje patriotike dhe atdhetare tetovare. Është nip i Sinan Beshi patriotit të shquar tetovar në periudhën e administrimit të Shqipërisë dhe që ka punuar në Xhandarmërinë shqiptare. Njëherësh ishte nip i profesor Qerim Arifit, ish-profesor me emër dhe ideolog i çështjes shqiptare në Maqedoni. Visari, ishte djali i tretë i profesorit Ramadan Sinani, i cili në fund të viteve të 60-të si pjesë e Gjimnazit të Tetovës edhe ka pësuar dënime e ndëshkime maksimale si shumë bashkëqytetar, që “dolën nga vija” e rregjimit despotik jugosllav. Ramadani ka qenë profesor me mjaft emër të mirë dhe me plot kompetencë e dije të thella, që jepte gjuhën shqipe në Gjimnazin e Tetovës. Ai ka qenë një nga organizatorët e demostratave të mëdha të qytetit të Tetovës në mbrojtje të flamurit dhe të gjuhës së shqiptarëve. Për këtë arsye edhe u vendos në shinjestër të ish-rregjimit dhe më tej i dënuar për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e atëhershme që kërkonin flamur, gjuhë, të drejta, shkollim, e më shumë të drejta për shqiptarët në Maqedoni u ndëshkua nga ish-rregjimi. Visari e kishte trashëgimi atdhedashurinë nga babai, Ramadani dhe nëna Shpresa, që e edukuan ta dojë mëmëdheun, Kosovën, Shqipërinë. Dashurinë për Sharrin që ia kishte mbjellur babai Ramadani me vargjet e tij, kanë bërë që Visari të lidhet deri në vdekje me këtë mal që përben zemrën e Shqipërisë Natyrale. Mësimet e para i merr në shkollën fillore “Istikgball” të Tetovës ku dallohet si nxënës me përparim dhe sjellje shumë të mirë dhe shumë i zellshëm. Prindërit e rregjistrojnë në shkollën e Ulët të Muzikës në Tetovë, ku për tre vite me radhë ndjek orët për piano, për një kulturë muzikore europiane. Përfundon me sukses të plotë ciklin e ulët.Kur ishte nxënës i klasës së pestë drejton për dy vite me radhë çdo ditë emisionet për fëmijë “Bota e fëmijëve”. Këtu shquhet për zhdërvjelltësinë e madhe dhe e bën këtë emisionin nga më të dëgjuar në Tetovë. Regjistrohet në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë në profiling “stomatologjik”, ku për katër vite dallohet ndër të tjerë si nxënës shumë i dalluar dhe me etje për dituri. Në ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut 1997 në Gostivar, ku policia maqedonase, maltrajton vëllain e tij të madh, Arsimin, lë gjurmë të pashlyeshme tek Visari në atë kohë vetëm 13 vjeçar, duke rregjistruar në mendjen e tij: “do vijë dita kur do të hakmerrem”. Lufta në Kosovë ishte luftë shprese dhe qëndrese të shqiptarëve dhe kur vëllai i tij dytë, Betimi rreshtohet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës më 1999, Visari përjeton moment frymëzues dhe tepër të rëndësishëm, sepse lufta heroike e komandantit legjendar Adem Jashari, e bën edhe Visarin fare të ri, që të shkruajë poezi kushtuar trimave të UÇK-së, ndërkohë që nuk pushon së ndihmuari gjithë njerëzve të dëbuar nga Kosova, por që ishin vendosur në qytetin e tij në Tetovë. Visari vesh uniformën e UÇK-së dhe e kthen ëndërrën në realitet. Ka qenë i parritur mirë, kur përfundon vitin e tretë të shkollës së mesme me etiketimin “shembullor”, që pasi sjell dëftesën në shtëpi dhe shkruan për prindërit: “Prindër të dashur unë e kreva vitin e tretë me sukses të shkëlqyer ashtu si deshët ju. Nuk mund të rri më duarkryq, nuk mund ta shoh më popullin tim se si vuan. Po i bashkëngjitëm radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Mirupafshim në Liri…”. Mjaft sinjifikative. Pavarësisht moshës i bashkëngjitet formacioneve të radhëve të UÇK-së, një ëndërr rinore por e vendosur për të kontribuar në çlirimin e atdheut. Një komandant i tij kujton momentin e përbashkimit të Visar Sinanit në radhët e UÇK-së: “Kur kanë ardhur grupi i ushtarëve me të cilët ishte Visari, për të gjithë kam menduar se mund të bëhen ushtar por jo për Visarin!. Mirëpo këtë mendim e ndryshova menjëherë të nesërmen, kur Visari pa iu trembur syri radhitet në vijën e parë të frontit duke u dëshmuar si luftëtar i dalluar, ku mbeti aty deri në përfundim të luftës.
Ishte viti 2007, tetë vjet pasi kishte përfunduar lufta në Kosovë, por lufta vazhdonte në një front të ri… Malësia e Tetovës u trondit në themele dhe katundi Brodec, po bombardohej nga qielli e nga toka. Sllavomaqedonasit e kishin stërholluar planin e tyre për goditje mirë e mirë. Ishin dërguar forcat e njësive më speciale, komandosë e xhelatë profesionalë, me arsenalin më modern të armatimit. Fakt është se njëherësh ishte bllokuar e paralizuar e gjithë Malësia e Tetovës. Rrathët e hekurt kishin vendosur si në një “darë rrethuese”, ku jeta dhe vdekja ishin pranë e pranë. Nga kodrat përreth e nga ajri, topat e minahedhësit e mëdhenj villnin zjarr pa pushuar; ndërkohë një djalosh këndonte e luftonte, për të mbetur gjallë duke sfiduar vdekjen dhe duke u dhënë zemër luftëtarëve të lirisë.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Visari nuk u duk më askund, as në parti politike e as në ndonjë aktivitet publik, vazhdon të mos pajtohet me jetën e mjerueshme të ushtarit të thjeshtë pas lufte, që mbartëte një ideal të madh në shpirt. Prej asaj dite Visari kurrë nuk do ta dorëzojë armën të cilës lamtumirë do t’i thotë në përleshjet e fundit me policinë maqedonase në Malësinë e Sharrit në Brodec. Edhe pse në Prishtinë e regjistron fakultetin Juridik, por me mend e zemër ishte i lidhur me Tetovën e tij të bukur, ku kthehej kohë pas kohe për t’i vizituar familjen dhe të afërmit. Në Kosovën e çliruar takon shumë shokë dhe miq me të cilët i ndan brengat dhe hallet e kohës, njëherazi njihet me ish-luftëtarë, e bij atdhetarësh të cilët ia shtojnë edhe më tepër atdhedashurinë por edhe mllefin ndaj armiqve shekullorë të shqiptarizmës. Edhe nëna e tij, Shpresa, e kujton telefonatën e fundit që Visari ia bën ditën e luftimeve në Brodec të Tetovës: “Nënë bëhu e fortë unë punën time e kam kryer. Bëma hallall qumështin që ma ke dhënë se nuk të kam korit. Bëhu e fortë se do të bëhet më mirë. E ke Arsimin dhe Betimin. Unë po iki në rrugën e lirisë. Bëhu e fortë!”. Por jeta e Visar Sinanit u këput më 7 nëntor 2007. Një zemër e fortë nëne që i flet të birit: “Visar, do më mungosh shumë. Nuk e di pse më le të vetme. Ndoshta atdheu kishte nevojë që gjaku yt të derdhet për të. Jam krenare që deshta një trim të rrallë. Trupi yt tash tretet në errësirën e dheut, po dije o shpirti im engjëllor nuk do harrohesh kurrë. Në zemër do të mbaj do të ruaj si thesarin më të shtrenjtë të jetës sime!”. Visari mbeti kështu përjetësisht si një meteor lirie, një dëshmor me identitet dhe emër. Emri “dëshmor” është sinonim i gjakut të derdhur për kombin, dhe është krenari kombëtare për cilindo të rënë që erin e ka të madh shqiptar. Por shqiptari që bie për liri edhe përtej kufijve administrativë të trungut shqiptar përsëri emrin e shenjtëruar të shqiptarit nuk mundet kush t’ja ndërrojë. Edhe vëllai ynë Visari, me emër, me gjak, me gjuhë, me rrënjë thellësisht shqiptare ka katërmbëdhjetë vjet që nuk është fizikisht, por është emërndritur, me rënien e tij heroike dhe ngelet përjetësisht në altarin e lirisë të dëshmorit. Në atë altar që vec i këndohen këngë: “I tha jetës “Për ty luftoj!”, /i tha vdekjes “Të sfidoj!”/ i tha hasmit “Nuk më tremb!”/”Dhe i vdekur, jam në këmbë!”. Kështu shkruan Demir Reshiti, (tek “Mekulipress.com” dhe “dritare.info”), që ka mbledhur në vargje një mendim e gjykim mbarëpopullor. Kështu trimat madhërohen, dhe kënga i merr me vete dhe i çon në përjetësi. Visari shkoi në përjetësi për të ngelur i gjallë. Ai jeton në memorie të bashkëqytetarëve dhe bashkëkombësave kudo që jetojnë sepse uragani që lufton për liri dhe të drejta mbetet gjithmonë i gjallë i përhershëm si djalosh sypatrembur që dinte të këndonte dhe të luftonte. Është më se e natyrshme se dëshmorët nuk janë gjë tjetër vec ajka e kombit në pavdekësi, janë frymëzim i brezave që jetojnë përgjithmonë në gjirin e kombit, sepse janë produkt pavdekësie. Shpirti luftarak i Visarit është i lirë me identitetin e tij të shquar e domethënës. Ai është me krah dragoi nëpër istikame e llogore luftrash, gjithmonë frymëzues dhe duke u dhënë zemër luftëtarëve të lirisë. Guximi dhe trimëria e tij na tregoi se ç’vlerë ka Mëmëdheu dhe identiteti kombëtar! Kujtesa mbarëpopullore shënon, evidenton, nderon, dhe përkujton me mirënjohje Visar Sinanin, që zë vend nderi në zemrën e madhe të popullit dhe është legjendë e gjallë e legjendave kaq komplekse të tetovarëve. Askush nuk mund të thotë se dëshmori vdes sepse përjetësia në kujtimet nuk ka mortje kurrë. Është vetëm malli dhe krenaria, që djem si Visari do nderohen e respektohen nëpër shekuj. Ai ngeli në memorie të kombit në thënien profetike: “Edhe kur bie, çohem… kurrë nuk dorëzohem”!