Albspirit

Media/News/Publishing

Avdurraman Çiraku, ushtar i Lirisë

 

Krahina e Mesaplikut përmbledh dhjetë fshatra, pesë në të majtë dhe pesë në të djathtë të lumit Shushicë. Janë si dhjetë gishtat e të dy grushteve të të njëjtit trup, sepse grusht i bashkuar kanë qenë që nga kohët e pambajtura mend, në luftërat kundër armiqve të ndryshëm. Të 10 fshatrat futen “nën sqetullat” se dy vargjeve malore,që ngrihen si dy këmbë të fuqishme të të njëjtit trup. Radhazi fshatrat Velçë, Ramicë-vendet e shpellave, Matogjini, Bashaj, e pastaj në krahun e djathë, Shalsi, Vranishti, Tërbaçi -që shquhet për traditat dhe mikpritjen labe, Brataj, Lepenica, Gjormi. Mbas fshatit Bashaj, disa kilometra më tutje është gryka e Vërmikut, që lidh Shushicën me pllajën e Kurveleshit. Ashpërsia e grykave, qafave të maleve ku është fshati Vërmik, e kanë emrin grykat, i pëlqente dhe shkrimtari i madh i Rilindjes, Andon Zako Çajupi. Ato, gjatë shekujve janë bërë tmerr për armiqtë shekullorë:

“…Në ato gryka n’ato male

Edhe zogu shkon ngadale…”

Në fshatin e Vërmikut, çiftit Ali dhe Lutfie Çirakut i lindi si një copë strrali, djali më i vogël, Avdurraman Çiraku më. Ai u rrit duke thithur ajrin e pastër të maleve, me aromën e çajit, trëndelinës vargje-vargje dhe piu ujin e kristaltë në kalanë natyrore, ku burojnë burimet e Vërmikut dhe formojnë lumin e Shushicës. U burrërua duke dëgjuar këngët patriotike të kapedanëve të mëdhenj të luftërave dhe të kënduara nga barinjtë e staneve, e butësoi shpirtin nga blegërima e shqerrave, tingujt e ëmbël në korin e përbashkët të zileve të kopeve. Sokoli i ri udhëtonte nëpër dherat e ëmbël si mjalta, i dukej sikur ishte mes një roli në teatrin natyror, për të kryer detyrën e luftëtarit të Atdheut si të parët e tij. Në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX, problemi i Pavarësisë u bë problem themelor, parësor për shqiptarët brenda dhe jashtë Atdheut. Avdurraman Çiraku ishte shkolluar në Stamboll, ku përfitoi njohuri të thella në Akademinë Ushtarake, specialist artilerie, duke mbaruar shkëlqyeshëm studimet. Atje ra në kontakt me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Sali Hidrin. I ndikuar nga idetë atdhetare të tyre, do të kthehej në Vlorë, do të ndihmonte në përgatitjen për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor 1912,1920,1924,1939. Në kraharorin e Avdurramanit të ri ziente zjarri i dashurisë për Mëmëdheun. Në ndërgjegjen e trashëguar nga prindërit, ai u hodh në armatën e luftëtarëve të lirisë, për të luftuar për kauzën e madhe me armë në dorë. Avdurraman Çiraku, që në rreshtat e parë të luftëtarëve pushka iu bë shok i jetës. Të shtënat e saj u dëgjuan në periudhat nga më të përmendurat e Historisë sonë Kombëtare, në luftën kundër sundimit osman, deri në fitoren e Pavarësisë. Siç thonë dhe bashkëkohësit e tij, ai u dha përkrahjen e tij luftëtarëve të zot, trima që luftonin për Shqipërinë, ishte nacionalist. Kultura e tij dhe armët fitimtare që mundën armiqtë, tregoi në realitet me shembuj se kishte shokë idesh dhe armësh: Ismail Qemalin, Osman Haxhiun, Halim Xhelon, Jani Mingën, Avni Rustemin, Myslym Lepenicën, Ahmet Lepenicën, Azis Çamin, Beqir Velon, Sali Vranishtin, Selam Musan, Sulejman Delvinën, Ismail Haki Kuçin (Gjeneral), Meto Peçin, Arshi Saraçin, Jaho Gjolikun, Sefedin Meçen, Bedin Myftarin, Myftar Tërbaçin, Muço Delon, Daut Seferin, Shaqo Derrin, Selim dhe Mato Hasanin, Sali Hallkokondin, Sali Bedinin etj.,etj. Avdurraman Çirakun e zbukuronte veç mençurisë, trimërisë, mikpritjes, mik-përcjelljes, bujarisë dhe sytë e kthjellët, blu, si ujërat e burimit, flokët e zinj të ndarë anash me simetri ilire, por dhe dashuria që në vogëli për dijen. Në moshën 9 vjeç u largua nga Shqipëria, për të vazhduar të gjitha shkallët e arsimit, deri në mbarimin e akademisë ushtarake. Qysh kur ishte i ri fare, student, ai përfitoi shumë nga kontaktet me rilindësit atdhetar. Abdurraman Çiraku e mbaroi aty nga fillimet e vitit 1912 akademinë ushtarake për degën e artilerisë në Stamboll. A mund të rrinte në shërbim të “Sëmurit të Bosforit”? Ra thellë në mendime, veçanërisht në momentin kur si politikan, që duhet të bënte politika në favor të atdheut të tij. Nga “Turqit e Rinj” pësoi zhgënjim të madh. Intelektuali i pabindur e rebel pas një muaji, arratiset nga ushtria turke dhe vjen në qytetin e Vlorës. Aty gjen të ndezur shpresat e tij, në trajtën e valëve të një kryengritje të armatosur. Është normal, gëzimi për të kur u bashkua me patriotët vlonjatë. U gëzua duke shtuar akoma më shumë dashurinë, për të kryer misionin e tij, në pritjen e ngrohtë që i bëri Ismail Qemal Vlora, kur u shpall Pavarësia Kombëtare më 28 Nëntor 1912. Avdurraman Çiraku, vihet në shërbim të Ismail Qemalit. Ai kish dalë në konkluzione të vlefshme, se pa jetën në shërbim të Atdheut e me syrin e intelektualit patriot të kohës, njeriu se’ nderon veten. Ai ishte një atdhetar me kulturë të gjerë ushtarake, njihte mirë veprat e Rilindësve tanë. Zotëronte mirë gjuhët: Turke, italiane, greke,f rënge. Nga qeveria e Vlorës u emërua në detyrën e Komandantit të Xhandarmërisë për mbajtjen e qetësisë. Si s’u tha një fjalë për Abdurraman Çirakun, në festimet e 100-vjetorit të formimit të policisë së parë popullore?. Ai ishte komandanti i saj i parë. Avdurramani dhe sëra e tij ikte jashtë, por me misionet patriotike me bukë. Ai ka shoqëruar Ismail Qemalin, dhe kur iku në Itali, Francë, pas 22 janarit 1914. Pas atij shoqërimi historik njeriu i thjeshtë i sakrificave me kuptim në jetë, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, kthehet në Shqipëri. Jeta e tij atdhetare ishte akoma më e bukur, kur të tjerët fitojnë nga kultura e tij, ai ishte një nga njerëzit më të kulturuar të kohës së tij. Në vitin 1918-1919, atë e gjejmë në Bashaj të Vlorës, mësues. Më 28 Nëntor 1918, ai luftoi mendimet e disa njerëzve ekstremistë, që politikën atdhetare donin ta shkëpusnin nga programi i mësimit në shkolla, dhe mësuesit si ai t’i bënin thjesht “rrogëtarë”. Me trimëri, ndërgjegje politiko-shpirtërore, ngriti Flamurin Kombëtar në shkollë. Ai nuk u kthye kurrë tek e kundërta. E shikoi historinë e luftës, me vendin e drejtë që zë ajo në Panteonin e Atdheut. Me horizont të gjerë e shikoj ngjarjen në Bashaj. Bashkë me Halim Xhelon në Mars 1919, themeluan shoqërinë “Mbrojtja Shkollore”.Aty bënë pjesë mësuesit e parë të Krahinës së Vlorës dhe patriotë me dekorata shpirtërore si ai. Shoqëria pati dhe një kryesi, drejtonte veprimtarinë e saj, të përbërë nga Halim Xhelo, Kryetar, Rexhep Sulejmani, sekretar, Murat Tërbaçi dhe Avdurraman Çiraku ishin anëtarë (Synimi i kësaj shoqërie, shkruan Halim Xhelo Tërbaçi, në gazetën “Liria Kombëtare”, më 12-2-1928, ishte të për gatiste Kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve italianë).Veprimtarinë shoqëria e shtriu edhe jashtë rrethit të Vlorës, si në Tepelenë, Kurvelesh, Gjirokastër, Përmet, Korçë etj. Lidhjet me këta i mbanin Halim Xhelua dhe Abdurraman Çiraku, të cilët deklaronin:”Programin e shoqërisë, ishte dhe program i Kryengritjes së Armatosur”.Në fund të muajit Nëntor 1919, Abdurramani bashkë me atdhetarë të tjerë gjenden në Brataj, ku organizojnë:”Demonstratën e Nëntorit 1919”,e cila ishte e lidhur me Demonstratën e Madhe që u zhvillua në Vlorë. Ajo ishte sinjali i luftës, që do të shpërthente. Abdurramani e kishte fituar besimin e shumë kuadrove, që udhëhoqën Luftën e 1920-s dhe të popullit patriot. Ai ishte njeriu, që i kishte kaluar të gjitha vështirësitë si ushtar, ndërsa si komandat nuk bëri asnjë gabim në krye të tyre. Mori pjesë në Kuvendin e Barçalla, më 24 Maj të atij viti, ku u shpall Kryengritja për Çlirimin e Vlorës. Kishte përkrahës të shumtë,që ia njihnin aftësitë ushtarake, njëzëri e zgjodhën anëtar të Komisionit Ushtarak të Luftës së Vlorës. Në këtë luftë mori komandimin e artilerisë kundra forcave tokësore, detare italiane. Si ushtar dhe komandant, Abdurraman Çiraku,bashkë me shokët luftuan me “dyfek e hanxhar”, hodhën gunat mbi tela, për të luftuar me një mbretëri 40 milionëshe. Artileria qëndronte në malin e Shashicës, nënë komandën e tij ishin 8 topa. Topat nuk i lëviznin që aty. Prej aty qëllonim trupat në Drashovicë, Babicë, Qafën e Koçiut, që aty u shkatërrua baza ushtarake detare italiane në molin e Vlorës. Ja si na i përshkruan këtë eveniment Syrja Bej Vlora në librin e tij “Kujtime”, faqe 196: “…Shqiptarët zunë dhe morën tre topa të mëdhenj në Risili, dy të tjerë, në fshatin “Tre vëllazër”. Goditën me predha dhe rrëzuan katër aeroplanë. Njeri në Xhyherinë, i dyti në Qishëbardhë, i treti në Shund që ndodhet në Shashicë, tjetri në Drashovicë. Njerëzit e tyre u zunë robër. Prej topave që u morën në Kotë, dy u vendosën në një krah të Shashicës, nga toger Efendi Azis Çami dhe Abdurraman Efendi Vermiku. Ata qëlluan mbi anije dhe, prishën baxhat e vaporit të postës dhe vranë kapitenin e anijes që ndodhej në hyrje të Skelës…”. ,Kur ranë aeroplanët në fushën e Peshkëpisë, nga zjarri i predhave të artilerisë, komandanti i trupave italiane,gjeneral Piaçentini tha me zemërim: “S’keni turp! Një ushtarak rebel na qëllon me topa dhe na rrëzon avionët!? E kujt ne, Mbretërisë së madhe të Savojës”. Kënga sfidon gjeneralin pushtues:

…Po ballonët kush i shtiu?!

Trimi Abdurraman Aliu

Tek fusha e Peshkëpisë

Ra balloni i Italisë.

Jeta e tij si ushtar, pas kësaj lufte nuk gjeti qetësi. Nuk mund të harrohen ngjarjet e shtatorit 1920, Avdurramani iu përgjigj thirrjes ushtarake si dikur Zenel Gjoleka, mori pjesë në Shkodër në luftë kundra serbëve. Në vitin 1921-1923, ka qenë oficer në Shkodër, Korçë etj. Pas këtyre ngjarjeve për arsye të ngjarjeve të Revolucionit të Qershorit 1924, bashkë me Nolin dhe patriotë të tjerë emigron në Francë. Ai vendoset në Sent-Etjen, ku punonte si punëtor bashkë me emigrantë të tjerë ekonomikë dhe politikë shqiptarë. Ja ç’farë shkruan autori i radhëve të mëposhtme (Abdurramani) pas një fotografie, dalë në Francë 1927: “Kujtim, mërgim, vuajtje për ideale”. Pas 1937 kthehet pranë familjes duke braktisur karrierën ushtarake. Edhe në luftën kundra nazi-fashizmit, ai punoi dhe luftoi për Atdheun. Abdurraman Çiraku, do të ndikonte dhe tek nipërit e tij, që të merrnin pjesë na Luftën Nacional-Çlirimtare, ku e kaluan jetën në luftë për liri e pavarësi: Xhule Çiraku ishte komisar i Brigadës 6-të Sulmuese, pas lufte u bë gjeneral, njeri i dëgjuar: Seit Çiraku,partizan i Brigadës 6-të Sulmuese, u plagos gjatë arratisjes nga burgu i Vlorës: Qemal Çiraku, partizan i Brigadës së 6-të: Jonuz Çiraku ishte partizan i Brigadës 22 sulmuese: Burhan Çiraku, djali i Abdurraman Çirakut u bë pedagog i U.Sh.T dhe drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Figura e Abdurraman Çirakut, hyri e mbeti në histori pa ndonjë zhurmë të madhe, hyri e mbeti në histori pa ndonjë zhurmë të madhe, në atë kohë e po në këtë kohë. Është detyrë atdhetare e kohës së demokracisë, detyrim për brezat që një hero i gjallë, Abdurraman Çiraku, të kujtohet, se ka lënë gjurmë të pashlyeshme në histori. Vdiq në Vlorë pas viteve, i nderuar, duke përmbushur amanetin e një jete të pastër karshi Zotit dhe Atdheut.

 

Please follow and like us: