Gjergji Mihallari: Duheshin

Ata duheshin,
vuanin errësirën që i rrethonte, buzët e mavijosura
të agimit.
Ata donin njëri-tjetrin
dhe ndanin puthjen e tyre me lulet e urta të oborrit,
lulet e heshtura, që zvogëloheshin nën peshën e trupit
dhe këmbenin dhe ato puthjen dehëse të lumturisë.
Ata i druheshin hënës,
atij medalioni të verdhë dyllë, varur tek dega
e kumbullës,
ku dora e butë mëndafsh rregullon cullufet rënë
mbi sy.
Ata donin njëri-tjetrin,
pakufij, marrëzisht, thellësisht…
si dita që do rrezen e diellit, bari i gjelbër ujin,
si bregu i latura valën majoshe,
kur lëpihet këmbëve e kofshëve të bardha shkumore.
Ata donin njëri-tjetrin,
në të gjitha llojet e format e dashurisë,
kjo është e rëndësishme,
ata e donin njëri-tjetrin…
Please follow and like us: