Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare ripropozohet për çmimin Nobel në Letërsi nga Akademia e Shkencave

Akademia e Shkencave të Shqipërisë, përmes një komunikate në faqen zyrtare, ka bërë me dije se më 28 Janar, në nder të 85 vjetorit të shkrimtarit Ismail Kadare, do të mbahet në sallën “Akademikët”, veprimtaria shkencore me temë “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”.

Gjithashtu në njoftim bëhet me dije se po në këtë event Kadare do të ripropozohet nga ASH për çmimin Nobel në Letërsi.

Njoftimi i plotë i Akademisë së Shkencave:

“AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË DO TË ORGANIZOJË VEPRIMTARINË SHKENCORE “ISMAIL KADARE, SHKRIMTAR SHQIPTAR NË LETËRSINË BOTËRORE” NË NDERIM TË 85-VJETORIT TË AKADEMIKUT ISMAIL KADARE

#AShSh #Veprimtarishkencore #IsmailKadare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”. Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”.

Në këtë veprimtari, fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.

Më pas do të vijojë kumtesa me temë “Kadare në letërsinë europiane botërore”, që do të mbahet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, z. Pirro Misha,  dhe më tej kumtesa e studiuesit të letërsisë shqipe, prof. Bashkim Kuçukut, , me temën “Kadareja në kritikën botërore, një paraqitje enciklopedike e ndërkombëtarizimit të veprës së shkrimtarit shqiptar; paraqitje e dy vëllimeve të para “Kadareja në kritikën franceze”.”

Pas këtyre kumtesave, do të jepet njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi dhe më pas do të çelet ekspozita fotografike me foto dhe dëshmi që lidhen me momente kyçe të jetës së shkrimtarit, përgatitur nga Roland Tasho.

Please follow and like us: