Mevi Rafuna: Shpërfytyrimi femëror përmes plastikës
Sot të shohësh femra me bukuri natyrale është pothuajse diçka e rrallë. Siç është e rrallë të shihen buzë të holla, vetulla të holla e hunda normale. Lirisht mund të themi që jetojmë në kohën e plastikës ku dëshira e marrë për t’u dukur “perfekte” ka kapluar pothuajse shumicën e femrave. Poashtu mediat dhe rrjetet sociale vazhdimisht na proklamojnë femra të tilla dhe kirurgët plastikë sot kanë zënë vendin e zotit. Duke dashur të duken “perfekte” me hunda të vogla, vetulla të trasha, mollëza të fryra, buzë të trasha, gjoksa të mëdhenj, prapanica të mëdha është krijuar një racë prej plastike që dominion botën me personazhet e saj.
Këtu kemi një çrregullim psikologjik dhe shoqëror. Në rrafshin psikologjik tendenca për të mos pranuar veten njihet si çrregullim i personalitetit. Andaj gjithsesi duhet dukur si ai personazhi në TV, sepse aty shihet “perfeksioni”, kështu pa marrë parasysh rrezikun e ndërhyrjeve estetike ato duhet bërë medomos.
Në rrafshin shoqëror tendenca e gjithpërfshirjes dhe pranimit në shoqëri duke u dukur si të tjerët dhe trendi që kaplon shumicën duke zhdukur veçanësitë dominion pothuajse tregun dhe atë që na servohet duke krijuar “modele” se si duhet të dukemi dhe që ajo pamje jepet si “perfeksion”. Kështu bien poshtë shumë cilësi. Njëra ndër to është cilësia e karakterit sepse po harrohet se është pikërisht karakteri i personit ai që formëson bukurinë.
Poashtu cilësitë dhe veçoritë unike që i ka secili person janë ato që përbëjnë bukurinë. Psh. vetullat e holla që një grua mund t’i ketë janë cilësia që e dallon bukurinë e saj prej të tjerave. Përse duhet që këto vetulla të holla medomos duhet të bëhen të trasha dhe ta humbasin cilësinë unike, atë që të bënë të dallohesh prej të tjerave? E njëjta vlenë edhe për pjesët e tjera të fytyrës dhe trupit.
Tani në trendin e gjithpërfshirjes është krijuar një racë plastike e cila duke kërkuar “përfeksionin”është shpërftyruar dhe këtu për gjithçka mund të flitet përveç bukurisë. Fundja ne jemi femra prej mishi dhe gjaku pse duhet të shndërrohemi në barbie kuklla duke bërë gara se cila ka më shumë ndërhyrje estetike?