Albspirit

Media/News/Publishing

Albina Deda: Klika dhe paskoha duhen përbuzur dhe rrëzuar!

 

Ky fillim viti i gjen shqiptarët në trishtimin më të madh ekonomik e social të krahasuar vetëm me vitet e errëta të diktaturës.

Kaluan afër 8 vite në përshkallëzim të llahtarshëm të varfërisë e cila shtresën e mesme e degradoi në limitet e mbijetesës e shtresën vunerabël e ka degëdisur rrugëve të Europës ndërsa të pamundurit mbushin kronikat e zeza me vetvrasje, të sëmurët të braktisur tërësisht në mëshirë të virusit!

Tetë vitet mavi u transformuan në vite të errëta skamjeje, korrupsioni, pseudoreformash.

Droga helmoi vendin dhe Europën ndërkohë që pushteti e policia janë gardianët e saj dhe të trafikantëve.

Ka kohë që nuk bëhet fjalë për realizim premtimesh apo pritshmëri.

Vetëm një gjë progreson e ajo është propaganda.

Pushtetet e tjerë demokratike të këtij vendi, krijuar me shumë mund injorohen në rastin më të mirë por shantazhi e blerja, presioni e intimidimi janë program ditor i koordinuar i Edi Ramës dhe bandës së tij.

Vendi është nën varfëri, terror e arrogancë.

Diplomaci e çakorduar pa busull kombëtare, lojra të rrezikshme të “liderit” kleptomitoman me ekuilibrat kombëtarë e rajonalë.

Me pak fjalë e shqip çmenduri qeverisëse që na ktheu në paskohë.

Në paskohën e baballarëve të atyre që na qeverisin.

Një paskohë kriminale e oligarkike.

Koha e zezë e Edvin Ramës po tejkalon dhe paskohën e etërve të tyre.

Ata shtetëzonin këta përvetësojnë, ata dënonin kundërshtarët këta i linçojnë, i heqin nga puna e i denigrojnë.

Një paskohë që rikthen izolacionizmin duke u thirrur për integrim.

Thikë në palcë të çdo shqiptar është përkufizimi i qeverisjes së klikës uzurpatore.

Nuk bëhet më fjalë për progres por për mbijetesë.

Dhe paradoksalisht propaganda vazhdon në përmasat e marrëzisë së Rajhut të Tretë tek fliste për triumf në prill 1945 kur forcat aleate antinaziste ishin në portat e Berlinit!

Kjo çmenduri e paskohës do të ndalet me deomos.

Dhe në demokraci vota të ndalon.

Vota e të gjithëve bashkuar kundër klikës uzurpatore!

Paskoha është  dhunë, mashtrim e nënshtrim!

Opozita shqiptare të cilës i prin PD ka udhëtuar me guxim e me kauza që jo vetëm të mos pushkatohet shpresa por dhe të atrofizohet krimi shtetëror dhe oligarkia.

Ky është mision.

Ndoshta misioni më i domosdoshëm në këto dekada.

Largimi i Edi Ramës dhe bandës së tij kleptosoriste!

Ne jemi të vendosur të përballemi pa kompromis me paskohën.

Nuk ka rrugë tjetër.

Ndryshe na ndëshkon besimi që shqiptarët na dhanë 30 vite më parë.

Sot ne jemi front me shumicën e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve!

Kemi me vete idealet e ndërkëmbura dhe shpresat e shembura.

Nuk ka formulë sado e sofistikuar e kriminale qoftë, të mund t’i shtojë jetën oligarkisë!

Paskoha është e alarmuar dhe e çorientuar.

Ajo po kërkon skuta të errëta për t’u strehuar.

Revolucioni i shpirtit e krenarisë shqiptare tashmë ka filluar!

Këto refleksione nuk janë politikë, por pasqyrë e një realiteti të dhimbshëm që unë dhe njerëzit kudo por dhe në vendlindjen time përjetojme çdo ditë në çdo cep të Mirditës.

Ndaj apeli im sot nuk është thjesht politik por human.

Klika dhe paskoha duhen përbuzur, refuzuar dhe rrëzuar! 25 Prilli po afron.

Le të tregojmë se kemi skelet krenarie.

Ndryshe do damkosemi si butakë.

E paskoha adhuron butakët se ata zvarriten!

Please follow and like us: