Sadik Bejko: E papritura

Gruaja ime fytyrë dashur- sy prej qumështi, sy prej loti-
që për martesë vjershat t’i solla dhurata,
s’ prisja që mbi vargjet e mia
të binte rrufeja, të binte sopata,
S’e prisja që tej fytyrës së përlotur si faqja e një pellgu,
të shihja tek ti nusja e njomë
pemën e fortë ngritur mbi dridhjet e një shelgu.
Loti nga harku i bukur i syve m’i fortë se shigjeta
m’u ngul ngrohtë në ngurtësinë e trishtimit-
degëz e prerë, zhveshur nga rrufeja
m’u bëre fyell i durimit.
S’e prisja që te vajzëria jote pa halle,
vajzëri si tokë e njomur me lule,
befas në tërmet të shfaqej një figurë e lashtë statuje.
Gruaja ime sy prej loti, sy prej qumështi.

Please follow and like us: