Pa koment/Letrat e Kasem Trebeshinës për Enver Hoxhën
Letra e Kasem Trebeshinës nga Shijaku për Enver Hoxhën
Sekretarit të parë të K. Qëndror të P.P.Sh.
Tiranë
Me anë të kësaj letre u vë në dijeni për sa më poshtë vijon: Në pamundësi që t’i shtyj më gjatë ditët dhe vuajtjet të mija dhe duke qenë shumë i sëmurë, në pamundësi shërimi e kam vendosur që t’a mbyll sa më parë jetën time duke ngritur vetë dorën kundër saj. Por përpara se të mbyll sytë dua të provoj për herë të fundit në kam mbetur me të vërtetë i tepërt në Shqipërinë tonë dhe si tillë të ç’dukem.
Përveç kësaj, përpara se të mbyll sytë përgjithmonë dua të them dhe këtë: Nuk kam qenë asnjëherë kundërshtar dhe gjithë pakënaqësia ime do të ç’dukej në një botim në kohën e duhur. Nuk kam pasur asnjë përgatitje ideollogjike dhe gjithë gabimet e mija janë shkaktuar nga nxitimi dhe në inat e sipër. Unë jam i kënaqur që e pashë vendin tim të lulëzuar dhe sidomos me një pamvarësi të plotë dhe të siguruar mirë.
Nuk kam çfarë të them më tepër dhe në gjëndjen time nuk mund të thuhet më tepër.
Duke e mbyllur dua t’u kujtoj edhe njëherë kërkesat e mija të vazhdueshme për lirim, kërkesa që gjermë tashti kanë mbetur pa përgjigje. Në mes të tjerave dua t’iu kujtoj edhe faktin se tashti mbushen tre vjet dhe kjo kohë përbën dënimin që më është dhënë në fillim kur u mbylla në Ishullin e Zvërnecit si revizionist, pa qenë i tillë.
Po qe akoma ndonjë derë për lirimin tim, i lutem të mos ngurroni të m’a hapni për të kthyer edhe njëherë në gjirin e familjes sime, në gjirin e shoqërisë, që me një punë të vogël të ndihmoj vehten time, familjen time dhe shoqërinë.
Duke u kapur pas kësaj shprese të fundit dhe duke pritur vdekjen nga çasti në çast.
Mbetem me respekt: (Kasem Trebeshina)
Shijak, 20/ Mars/ 1965
Kartela e letrës së Kasem Trebeshinës drejtuar Enverit dhe Byrosë Politike
KOMITETI QENDROR I P.P.SH Alf. K
Dega e Përgjithëshme Nr. 158
Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.25.3.’65
KARTELE E REGJISTRIMIT DHE EVIDENCES SE LETRAVE
Emri; Kasem Trebeshina
Adresa: Hotel Shijak, Rrethi Durrës
Kujt i drejtohet letra… Shokut Enver dhe Byrosë Politike
U lexua nga V.Ç.
Çështja që parashtron: Thotë se para se t’i jap fund jetës, po bën këtë letër për të parë se mos ka mbetur ndonjë fije shprese për ta liruar pranë familjes së tij. Para se t’i mbyllë sytë është i gëzuar se pa Shqipërinë të Lirë dhe të Lulëzuar. Asnjë shenjë pakënaqësie nuk do të ishte krijuar tek ai në qoftë se do t’i botoheshin veprat në kohën e duhur. Pret nga çasti në çast që t’i jap fund jetës.
Kërkon që të bashkohet me familjen. Të njëjtën letër i bën dhe Byrosë Politike
Porosia e dhënë nga sekretari i K.Q., ose drejtori:
Shënimi i Enver Hoxhës me shkrimin e tij:
Ne nuk jemi shtypshkronjë të cilat kanë rregullat e tyre. Duhet të bëni përpjekje nga shokët nga të afërmit që të heqë dorë nga marrëzitë që thotë
(Me kurajo thonë se… dhe të tjera është dhe mendon).
Është mistik, ky është ndihmuar. Le të vazhdojnë ta ndihmojnë si e thashë më lart.
Enver
Kartela e letrës së Kasem Trebeshinës për Enver Hoxhën
KOMITETI QENDROR I P.P.SH Alf. K
Dega e Përgjithëshme Nr. 158
Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.27.7.’65
KARTELE E REGJISTRIMIT DHE EVIDENCES SE LETRAVE
Emri; Kasem Trebeshina
Adresa: Rr. N. Tupe, Pall. Nr. 6. Shk. 2 Ap. 9 Rrethi Tiranë
Kujt i drejtohet letra…Shokut Enver.
U lexua nga J.K.
Çështja që parashtron: I është dhënë punë si llogaritar. Nuk është dakord dhe kërkon që të punojë si përkthenjës: ndryshe, shkruan ai, të lihet në heshtje dhe të mos i bëhet presion.
Mendojmë të mos bëjmë ndërhyrje Porosia e dhënë nga sekretari i K.Q., ose drejtori.
Shënim:
Pse e mbani këtë në Tiranë.
Iu dha për zbatim
Shoku Kadri thotë se e ka porositur shoku kryeministër që ta sjellin këtu.
16.8.965
Shoku Rita porosit që të mblidhet tërë praktika e Kasem Trebeshinës, mbasi do të bisedojë me shokun Enver kur të kthehet nga pushimi.
Porosit gjithashtu t’i komunikohet nga organet e pushtetit, jo të partisë, që të vejë në punë atje ku e caktojnë dhe të mos vijë rrotull. Njoftoni shokun Jovan ose i thoni shokut Sabri ose shokut Sevo Tarifa të ngarkojë njeri të thërrasin e ta njoftojnë për kërkesën që bën.
Shënim
Vura në dijeni shokun Enver (firma)
U njoftua Sh. Sabri, pastaj sipas porosive, pasi sh. Sevo Tarifa është me leje. Ai do ta thërrasë dhe do ta sqaroj.
23.8.
Letra e Kasem Trebeshinës për Enver Hoxhën
Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i K.Q. të P.P.SH.
Tiranë
Marr leje t’u drejtohem për sa më poshtë:
Duke qenë se pasi kërkova punë dhe më caktuan si llogaritar, për mua do të ishte mirë që të dija në se mund të kërkojë një punë si përkthenjës. Po qe se nuk e kam këtë të drejtë dhe po qe se më takon vetëm llogaria si një vendim i prerë, u lutem të më lejoni që të tërhiqem në heshtje dhe të mos më bëhet asnjë presion për t’u bërë llogaritar.
Në pritje të përgjigjes suaj
Mbetem me respekt: (Kasem Trebeshina)
Tiranë, 26/7/’65
Letra e Trebeshinës për Byronë Politike
Byrosë Politike të K.Q. të P.P. SH.
T i r a n ë
Kam 8 muaj që jam liruar nga internimi dhe në mbarim të të 1965 jam akoma pa punë dhe në gjëndje izolimi. Që të të mos formohet një mëndim jo i drejtë i gjëndjes sime, e quaj të nevojshme që të sqaroj sa më poshtë:
Si të gjithë qytetarët e Republikës edhe unë kam nevojë (si familjar) për punë, gjë të cilën e kam edhe detyrë. Këtë gjë e kam kërkuar disa herë, por meqënse e vetmja punë që më është dhënë (si llogaritar) ka pasur karakterin e një ndëshkimi, parimisht nuk mund të bëj një punë ndëshkimore në një vënd të lirë dhe, rrjedhimisht, detyrohem që të hiqem mënjanë duke vënë në dijeni atë Byro Politike se ky veprim i imi nuk është një qëndrim opozitar dhe pasiv siç mund të interpretohet, po një qëndrim i imponuar nga rrethanat e krijuara, në kushte izolimi.
Duke shpresuar se ky qëndrim jo dashamirës karshi meje nuk do të vazhdojë.
Mbetem me respekt: (Kasem Trebeshina)
Tiranë, I/XII/ 1965
Letra e Trebeshinës dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së
KOMITETI QENDROR I P.P.SH Alf. K
Dega e Përgjithëshme Nr. 158
Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.27.7.’65
K A R T T E L E E REGJISTRIMIT DHE EVIDENCES SE LETRAVE
Emri; Kasem Trebeshina
Adresa: Rr. N. Tupe, Pall. Nr. 6. Shk. 2 Ap. 9 Qyteti Tiranë
Kujt i drejtohet letra….Byrosë Politike U lexua nga Th. Ç.
Çështja që parashtron: Shkruan se ka 8 muaj që është liruar nga internimi dhe akoma s’po e vendosin në punë të përshtatëshme.
E vetmja punë që i është ofruar ka qenë ajo e llogaritarit, por duke qenë se caktimi në një punë të tillë ka karakterin e një ndëshkimi, nuk e ka pranuar.
Shënim: Mendoj që letra të arshivohet pa përgjigjie.
Sadik Myftiu
16.XII.1965