Cikël poetik nga Alma MEHMETI
Lindur, rritur dhe shkolluar në Tiranë.
Pasi mbaroi Gjimnazin, emigroi në Itali. Pas 20 vjetësh në këtë shtet, u shpërngul në Angli, ku jeton ende sot.
Ndër preferencat e saj, janë krijimi i fabulave dhe poezive, së fundi edhe tekste këngësh.
Libri i saj i parë është botuar para disa kohesh, titullohet “Shpresën mbaj tek ti”- Vllamasi 2017.
Ka gati për shtyp dhe libra të tjerë.
Disa nga poezitë e saj u botuan ne antologjinë poetike ” Na bashkoi poezia 2 ” me pjesemarrje te disa poetëve shqiptare. Disa të tjera në gazetat e kohës dhe në sitet web.
E angazhuar dhe aktive në you tub me interpretime nga poezite e saj dhe mjaft poetëve shqiptarë. Aktive dhe ne rrjetet sociale, ku ka marrë mjaft vleresime!
KYÇUR NË ZEMRËN TIME
Vala më përkëdhel fytyrën lehtë,
Këtë mbrëmje, si duart e tua, dikur,
Aq ëmbël, si preken tokë e det,
Dhe më mbështjellin si me pëlhurë.
Ku ke humbur? Udhekryqeve tokësore,
Përkëdheljet e tua ndjej valëve të ngrohta
Dhe ndjenjat përzihen mes rrymave ujore
Më shkundin si tërmete te forta!
Eja veç një çast magjik , edhe shko,
Më puth syrin e djegur nga malli,
Në një cep të globit pres, mos harro,
Mos më lër të digjem për së gjalli…
Unë të pres përherë, zog në shtegtim
Folenë thurur zemrës me copëza kujtimesh,
Kur shkove more çelësin e shpirtit tim,
Kyçur e gjen dhe pas shume shtegtimesh.
GRUA
Grua, nga jeta, jetë dhurove,
Me qumësht gjiri ushqeve dhe gjak,
Ti që gjëmbat nën këmbë durove,
Dhe nuk u ankove për lotët aspak.
Grua, moj e mira grua,
Ti që ekzistencën tënde harron,
Me vlera nga flokët deri në thua,
Veten dhe pozitën tënde nderon.
Grua, moj e forta grua,
Ti që s’ju mposhte asnjë vështirësie,
Më mësove që veç të dua,
Skllav ti bëhem asaj bukurie.
Ti që rrite në shekuj trima,
Sot je e para në fitoret e tua,
Grua, shkëlqen si vetëtima,
Si ujët e freskët në krua.
Ti moj grua, motër, nënë,
Duar artë e mëndje ndritur,
Mençurinë me urtësi ke thënë,
Në breza filiza të drejtë ke rritur.
LULET E PJESHKËS
Në oborrin tim pjeshka çeli lule,
Oh sa e bukur erdh pranvera këtë vit,
Sa herë të afrohem, ti degën përkule,
Frutat e tua me kujdes rrit çdo ditë.
Nga dritarja sodis bukurinë tënde,
Ç’fat pata me ty, moj e bekuar,
Ti nis e zhvishesh vënde-vënde,
Më tregon trupin tënd të harkuar,
Shkoi pranvera, vera të rriti,
Frutat e tua shkëlqejnë nën Diell,
Shiu i beharit rrënjët të vaditi,
Kur jam nën teje, ndonjë frut më hedh.
Unë pres frutën në majë të pemës,
Atë më të mirën, ndër të tjera,
Ti më flet me gjuhën e zemrës,
Çdo njëra ka të vetat vlera.
Herë-herë të ulësh degët të lus,
Herë-herë më lutesh ti që frutat ti këpus.
ME GOTËN E VERËS DASHURUAR
Në gotën e verës refleksi yt,
Zhytur në fund e rri në heshtje,
Si fanar mes detit shkëlqejnë sytë,
Kur ti veç me shikim më zhveshje.
Pranë oxhakun me flakë,
Me një gotë verë në vetmi,
Nis të qesh fare pa shkak,
Dhe me ty verë nis bëj dashuri.
Ti akoma në fund të gotës,
Sodit trupin e harkuar,
Unë si për inat të botës,
Me gotën e verës dashuruar.
Please follow and like us: