Albspirit

Media/News/Publishing

Tregim nga Avdulla Kënaçi: SYTË E ADELËS

 

Më në fund e takova bashkatdhetarin Indrit Molla, këtu në Montreal. Emri i tij është i njohur për mua, qysh nga vendlindja. Ai u arratis në një mënyrë të bujshme, shumë vite përpara. Kishte lënë rrobat e tij në anë të lumit dhe prej ditësh po kërkohej nga policia dhe forcat vullnetare. Të gjithëve u shkoi mendja se ai ishte mbytur aksidentalisht, ose kishte bërë vetvrasje. Atë vit kishte mbaruar gjimnazin me rezultate të lakmueshme dhe pritej të vazhdonte shkollën e lartë. Ishte më i shquari i klasës. Do të duheshin muaj, gjersa të merrej vesh se kishte kaluar ilegalisht kufirin në Greqi e më vonë kishte përfunduar në Kanada. Tani e kam këtu përpara, në një kafe buzë lumit, në periferi të Montrealit. Ka trup mesatar, lëkurë të hollë e të bardhë prej zyrtari, të folur të qetë dhe flokë ngjyrë gri, si fije teli prej alumini. Ende mund të themi se ai është një burrë elegant e simpatik. Në rininë e tij duhet të ketë qenë djalë i pamshëm. E pyeta për kohën e arratisjes. Hezitoi të fliste. E nisi tregimin disi ndryshe. Më rrëfeu për një ish shoqe klase, Adelën bukuroshe.

– Ne ishim matura më e mirë e atij viti, – kështu e nisi fjalën – pas tre muajsh do të largoheshim përgjithmonë nga shkolla dhe konvikti ngjitur me të. Shumica do të vazhdonin studimet e larta, por unë nuk kisha shumë shpresë. Nuk i plotësoja kriteret politike, ngaqë në familjen tonë kishim një të burgosur dhe ai ishte pikërisht dajua i madh, vëllai i nënës, i cili kishte refuzuar heqjen e gradave në ushtri. Kurrsesi nuk dëshiroja të mbaronte kjo periudhë e bukur shkolle, e papërsëritshme. Ditët rrokulliseshin me shpejtësi njëra pas tjetrës dhe unë gjithnjë e më shumë mbushesha me trishtim. Po më zhubrosej lëkura e fytyrës, dukesha i plakur para kohe, edhe pse isha tetëmbëdhjetë vjeç, në moshën më të bukur të jetës sime. Do të ndahesha me gjithë shokët dhe shoqet e klasës. Duke menduar fatin tim, thuajse kisha harruar të qeshja dhe u shmangesha diskutimeve në grup. Kur ndodhesha vetëm dhe përfytyroja shtatorin e ardhshëm, veçuar si dele e zezë, isha gati t’ia plasja të qarit. E doja shumë shkollën. Gjithsesi nuk i dihej fatit. Në thellësi të shpirtit tim flinte një fije shprese e vakët. Ne, nxënësve më të mirë, por me cene në biografi, na lejonin të vazhdonim shkollat e larta vetëm për matematikë, por mua më pëlqente më tepër arkeologjia. Isha i fiksuar pas saj, lexoja shumë. Shmangesha qëllimisht nga diskutimet e pafund për shkollën e lartë, hiqesha sikur nuk isha i interesuar, ngaqë gjoja isha i zënë me punë. Ama, duhet të them se qenë dy palë sy, një vështrim i mprehtë, zhbirilues, të cilit nuk i vidhesha dot. Ishin sytë e zezë të Adelës, të ndritshëm e të thellë si pus, shoqes sime të bankës. Po cila ishte kjo vajzë bukurane, me lëkurë të lëmuar e tipare të theksuara? Çfarë lidhje kisha unë me të? do të pyesësh ti. Vur veshin e dëgjo: Ajo kishte mbërritur në qytetin tonë aty nga fillimi i vitit të ri mësimor. Babai i saj kishte ardhur prej Tirane, me transferim. Adela binte shumë në sy dhe dallonte nga vajzat e tjera, jo vetëm për sharmin tërheqës, fytyrën rrumbullake, vetullat e gjata e të drejta, flokët të prera shkurt, por edhe për veshjet e saj të zgjedhura, me shumë klas, rroba të jashtme. Ardhja e saj turbulloi ujërat tona, na prishi monotoninë e mjedisit provincial. Djemtë, pa përjashtim, i sillte vërdallë, si ajo fuga që rrotullohet në sini. Ishte e zgjuar e dinake, si një kunadhe. Me asnjerin nuk e trashte muhabetin. Dukej sikur në qytetin tonë nuk kishte lindur ende mashkulli i duhur për formatin e saj. Edhe uniformën shkollore e mbante ndryshe; të puthitur pas trupit dhe asnjëherë përparësja nuk i zbriste poshtë gjurit. Shoqërohej si pa të keq me të gjithë dhe fliste shpenguar me këdo. Binte në sy që larg, ishte ndryshe nga ne, tufa “namusqare”, shumica me origjinë nga fshati.

Rrethanat e sollën që unë të lidhesha ngushtë me Adelën. Pas një jave, pasi ajo kishte nisur shkollën në qytetin tonë jugor, profesori i matematikës, me dy tre pyetje që i bëri, kuptoi se ajo në këtë lëndë kishte shumë harallëqe, boshllëqe, të mos them ishte fare tapë topi. Dhe profesori i lëshoi bombën, i tha shkoqur se njohuritë e saj  në matematikë, nuk vlenin as për vitin e dytë. “Ti, më urdhëroi mua, do ulesh në një bankë me këtë tiranasen dhe do ta ndihmosh të dalë nga ky batak…”. Disa vajza qeshën vuvazi, duke vënë pëllëmbën tek goja, ndërsa shoku im i bankës, më shkeli syrin me djallëzi. Fjalët e profesorit më ranë befasisht, më kapën gafil, hapasëz. Ndjeva një ngjethësirë nën zhapën e barkut; do ulesha në një bankë me Adelën. Isha me fat dhe i privilegjuar. Ama, u ndjeva dhe pak fodull dhe i përkëdhelur në sedër. Nuk u shpëtova dot vështrimeve ziliqarë të shokëve të klasës. Profesori, me këtë rast, kishte vërtetuar se unë isha më i miri në matematikë. Nuk ishte pak, sidomos për mua me cen në biografi. Adela, sa mësoi se me kë do të ulej në bankë, më mati me sy; më hodhi një vështrim hulumtues, nga koka deri tek këmbët. U kujtova që këpucët në mëngjes nuk i kisha pastruar mirë, të paktën t’i kisha larë me ujë çesme.

Kishte një kleçkë në këtë mes, një pengesë. Unë isha konviktor dhe Adela nxënëse e jashtme. Ku do t’i bënim konsultimet? Ajo banonte në një pallat të ri, skalitur me gurë, mbi kodër, dhjetë minuta larg nga konvikti, në këmbë. Më ftoi si pa të keq të shkoja në shtëpinë e saj. Edhe profesori i matematikës ishte pro kësaj zgjidhjeje. Kështu, herë pas here, më jepej rasti të shpëtoja nga “rrethimi konviktor”. Pas drekës, nuk pushoja, menjëherë duhet të shkoja tek pallati në kodër. Ishte një apartament i mirëmbajtur e me plot dritë. Adela banonte në katin e tretë. Përgjithësisht aty ishin strehuar familjet e kuadrove më të lartë të rrethit. U njoha me prindërit e saj. E ëma, një grua goxha e shëndetshme e me lëkurë të ndritur, ndërsa të atin nuk e takova kurrë. E kisha parë vetëm në një foto të varur në mur, ushtarak, me grada kapiteni. Fotografia e tij ishte vendosur poshtë fotos së Ministrit të Brendshëm. Gati sa këpucët e Ministrit nuk shkelnin mbi kapelen ushtarake të babait të Adelës. M’u drodhën leqet e këmbëve dhe u bëra akull, kur mësova se ai ishte nënkryetar i degës së Punëve të Brendshme të rrethit. Nuk e dhashë veten, por koka më ziente si zgjua bletësh. E ëma e saj ishte shefe llogarie në ndërmarrjen tregtare të qytetit. Dukej e sjellshme, e pastër dhe e edukuar, por nga qëndrimi madhështor dhe sjelljet e saj fodulle, mund të mendoje se edhe ajo punonte në degën e Punëve të Brendshme. Pavarësisht nga tulet që i vareshin vende-vende, lëvizte lirshëm nëpër shtëpi. Fliste gjithnjë me zë të ulët, sikur kishte frikë se mos na dëgjonin fqinjët dhe i kishte shumë merak lulet…

Eh, si u rrotulluan kështu ngjarjet. Ne, si familje, ishim në një luftë të heshtur e të gjatë me degën e Punëve të Brendshme. Për ne nuk ishte Degë, por Cfurk me majë të hidhur. Ku më gjeti mua profesor Gjata për konsultime?! Më futi drejt e në folenë e arrëzave, mendova i mllefosur. Si t’ia bëja? Ku të ankohesha? Kur shkova të shtunën në fshat, ia shkoqita situatën e re babait, një më një. Ai u mendua ca, pastaj më këshilloi:

– Dëgjo, bir, qëndro terbie me vajzën, konsideroje sikur ta kesh motër, pavarësisht se bijë e kujt është, ndihmoje. Mos bëj muhabete politike në atë shtëpi dhe dajkon mos e zër në gojë fare. Në fund të fundit ai ka mbiemër tjetër nga yni. Quaje sikur nuk ekziston. Me marifet fol për kushërinjtë që kemi komunistë, po ra fjala. Me kujdes, sikur ecën mbi qelqe, jetojmë në kohë të vështira…

Nëna, që i kishte dëgjuar të gjitha, por kishte qëndruar e heshtur në qoshen tjetër të dhomës, pranë zjarrit, pa thënë asnjë fjalë, më vuri në duar një palë çorape leshi, të thurura me dorë.

– Po këto? – e pyeta.

– T’i veshësh kur të shkosh për mësime tek ai i Degës, ato çorapet e pambukta, ty gjithmonë të grisen në thembër e nuk i sheh, këto të leshtat rrojnë shumë, – më shkoqiti ajo me atë zërin e saj të ngadaltë e të dhimbsur.

Nuk desha t’i thyej zemrën e t’i thoshja se nuk do t’i veshja kurrë. I mora çorapet e reja prej leshi, por vath në vesh, duhet të kisha kujdes të mos shkoja me thembra të grisura tek shtëpia e atyre të Degës.

Fillimisht nuk e mora aq seriozisht “këtë mision të ri”, por nuk ishte aq e lehtë; e pamundur t’i futje Adelës në kokë matematikën, kishte alergji prej saj, siç kisha unë për kafen. Më dëgjonte me sy të shqyer, si një obligim ndaj profesor Gjatës, por mendjen e kishte gjetkë. Matematika, ishte i vetmi prioritet imi ndaj saj. Sa herë që ajo rrëshqiste nga tema, duke çelur biseda të tjera, unë bëja çmos ta ktheja tek numrat, ekuacionet, ushtrimet dhe problemet. Aty unë ndjehesha zot dhe më pëlqente ta vija gjithnjë përfund. Ajo bënte çmos të ndryshonte kahje. Ia niste me këngëtarët, aktorët, piktorët, historinë, gjeografinë dhe nuk kishte të pushuar. Kur e tepronte, atëherë unë kujtohesha se profesor Gjata më kishte ngarkuar mua ta ndihmoja e jo ajo të më mësonte mua rrymat e reja në muzikë. Më në fund, kur Adela pa këmbënguljen time për t’ia ngulur me forcë matematikën në tru, e gjeti vetë rrugëdaljen.

– Zgjidhi ushtrimet, – më tha – dhe m’i fol që t’i kopjoj unë vetë. Mos u lodh të m’i futësh në kokë. E pranoj, unë jam xhore, fare dru në këtë lëndë, ama nuk do vras veten.

Me një zell dhe durim të paparë, i shkroi të gjitha ushtrimet dhe problemet në rripa letrash, në copa kartoni si nuska, fletë të mëdha e të vogla sa thoi, ashtu si i kisha zgjidhur unë. Kishte një kujtesë fenomenale, e dinte me saktësi, e mbante mend ku kishte hedhur çdo ushtrim dhe ku e kishte fshehur. Pa e diktuar askush, sa vinte provimi, ato që i duheshin, i nxirrte me marifet nga xhepi, apo vendet “sekrete” dhe i hidhte në fletë të pastërt. Me mendjen time, unë e quaja magjistare, apo xhonglere. Kur profesor Gjata korrigjonte fletën e provimit të saj, habitej si ajo kishte përparuar aq shumë. E ngrinte në dërrasë të zezë për ta provuar, por ne ishim marrë vesh së bashku, qysh më parë. Ajo kthente me stil kokën drejt meje dhe unë ia tregoja duke folur me shenja, si shurdhmemecët. Kishte një cilësi tjetër, e kuptonte fjalën apo numrat, pa nxjerrë zë, pa i shoqëruar unë me tinguj. Gjithë klasa e shihte ashiqare mekanizmin e “suksesit”, por profesor Gjata, ngaqë nuk shikonte mirë nga sytë, ishte i kënaqur me “rezultatet” e saj dhe asnjëherë nuk harronte të më lavdëronte mua për ndihmesën që i kisha dhënë. E tregonte vazhdimisht si shembull suksesi, madje edhe në klasat e tjera. Dhe mua më duhej të ulja kryet, sigurisht jo nga modestia, por nga turpi. Edhe prindërit e saj ishin mirënjohës ndaj meje; nuk kishin faj, as ata nuk e dinin “çelësin” e progresit të bijës së tyre. Pas çdo vizite, e ëma e saj nuk harronte të më jepte katër pako me kafe për mamanë në fshat. Nëse e mban mend, atëherë, kafja ishte me racion. Duke hyrë e dalë shpesh tek pallati në kodër, isha bërë si djalë shtëpie. Me Adelën ishim lidhur fort dhe merreshim vesh pa folur, gati me shenja. Ama, edhe vetë kisha ndryshuar, përpiqesha të dukesha i edukuar, i zgjidhja fjalët në biseda dhe shpesh mbaja “logo” si personazhet e romaneve që lexoja. Nuk harroja që çdo mbrëmje, para se të flija, t’i shtrija pantallonat nën dyshek, për t’i veshur të nesërmen gjasme të hekurosura.

Të huajt ose jabanxhijtë, siç i quanin atëhërë në qytetin tonë të transferuarit, nuk shkriheshin aq lehtë me mjedisin tonë provincial. Jabanxhinj, sesi më ngjante ashtu kjo fjalë e huaj turqisht, të cilën e përsësnin vazhdimisht në biseda qytetarët e vjetër. Më dukej si një gërvimë teneqeje. Ashtu edhe me Adelën, edhe pse kishte katër muaj midis nesh, nëpër kuvendime, ajo konsiderohej gjithnjë “si një jabanxhie tiranase”, ndërsa unë, që e njihja nga afër dhe i shkoja në shtëpi për konsultime, i flisja gjithnjë me emër dhe kjo asaj i pëlqente shumë.

Qëlloi që aty nga fundi i janarit, një natë të ftohtë, ra borë e madhe, dy pëllëmbë. Qyteti u zbardh dhe bora zbriti gjer poshtë në lumë, duke theksuar gjurmët e gjarpërimit të tij të murrmë, përmes asaj bardhësie të pafund. Edhe pse të papërgatitur për një klimë të tillë, gjatë mëngjesit, ne nxënësit, u lumturuam. U përfshimë në një betejë me topa bore midis njëri-tjetrit, nga klasa në klasë. Kishte shumë mllef, kishte shumë akumulim energjie negative midis nesh. Dukej sikur bora ra për të shkarkuar vrerin dhe urrejtjen që na ziente përbrenda. Edhe Adela u përzie me turmën, në fushëbetejë. Si më humbi ashtu nga sytë? E merrja me mend se do ta sulmonin si djemtë, ashtu edhe vajzat. E dija se e kishin zili për krenarinë e saj dhe sqimën në veshje. Do të “hakmerreshin” duke e sulmuar me topa bore për bukurinë dhe tangërllëkun që demonstronte. Dhe nuk isha i gabuar, ja ku e diktova. Vura re se si topat e borës i vërshonin nga të gjitha anët. U përpoq të rrëshqiste, të shpëtonte “nga rrethimi”. Iku me vrap dhe u fsheh pas palestrës, por edhe aty e diktoi lukunia e çunave çapkënë. Një nxënës truphedhur nga Tepelena, një shalëgjatë si lejlek, e arriti dhe e vuri poshtë duke i futur me forcë në kurriz e nën gushë, qirinj akulli. Ajo thirri emrin tim për ndihmë. Vrapova andej nga vinte zëri. Kisha tre topa bore në duar. I ngjesha e i shtrydha me tërë fuqinë, sa ata nxorën ujë. Isha rritur në borë, aty në male dhe dija si të përleshesha me topa bore. I sëllova tepelenasit me “predhën” e parë. I ra mbi peliçen ushtarake kineze, i gjuajta me të dytin, i ra në shpatull, por ai nuk deshi t’ia dijë. Vazhdoi t’i ndryste Adelës copa akulli në gushë dhe rreth qafës. I vërtita me sa forcë që pata topin e tretë. Ai e kapi mbi vetull. E godita keq. Ia krisi ulërimës dhe tha me urrejtje, duke u larguar me bisht në shalë: “Më verbove qën, me gurë më qëllove?!”.

– Shpejt, më ndihmo, – m’u lut Adela duke u dridhur – më ngjeshi copa akulli në mish, i poshtri, m’i hiq sa më shpejt.

I zhyta duart në shpatulla, por nuk diktova asgjë të ftohtë.

– Përpara, jo mbrapa, – më tha duke zbërthyer dy kumbitë e sipërme të bluzës. U stepa për disa sekonda. Si mund të futja duart në një trup vajze? Pastaj mora guxim. Zhyta dorën e djathtë gjer thellë. Nxora ca copa akulli të cilat i kishin qëndruar rreth rripit, mbi kërthizë.

– Vazhdo, vazhdo, ka ende, më hyri tartakuti – më përgjërohej Adela. Dhe mua më pëlqente të vazhdoja të rrotulloja duart edhe pse atje nuk gjeja më copa bore. Disa herë m’u fërkuan duart pas sutienave. M’u kujtuan fjalët e babait: “Sillu sikur ta kesh një motër!” dhe tërhoqa duart si nga një zjarr i përvëluar. Ajo ngriti sytë e zezë si pus dhe më pa drejt e në buzë. Nuk di, buzët e mia, apo të sajat digjnin më shumë, por pashë se ato të Adelës dukeshin si shegë e çarë.

– Shkojmë në shtëpinë time të thahemi, – tha ajo me një zë si pëshpërimë rrëkeje nën borë.

– Nuk mundem, – thashë unë si miza në qyp, edhe pse propozimi i saj më pëlqeu aq shumë – do përsëris mësimin e historisë, kam radhën për t’u ngritur.

Pas luftës me topa bore, unë isha afruar e miqësuar më shumë me të. Mezi prisja të nesërmen për ta parë përsëri, të ndieja parfumin e saj aq joshës. Ishte hera e parë që vura brisk në faqe edhe pse nuk kisha shumë qime. Rruhesha çdo mëngjes dhe nuk e kurseja kolonjën, aq sa një ditë ajo më tha se nuk e duronte dot atë erë tharëtire. Më solli një tjetër lloj dizinfektanti të blerë në dyqanin e valutës, ndoshta nga ai lloj që përdorte edhe babai i saj. Në bankë, unë isha i ulur nga ana e dritares dhe shpesh lëvizja kanatën, duke e hapur e mbyllur, për ta parë më shquar figurën e saj, të reflektuar në xham. E kundroja me nge, ndërsa ajo shkruante, ose lexonte. Kishte nisur të më pëlqente. Mezi prisja të gdhinte mëngjesi i ditës së re. Kur mungonte në ndonjë orë mësimi, për një arsye apo tjetër, bëhesha nervoz dhe nuk di nga më vinte gjithë ajo dhimbje koke. Shpesh ajo sillte në shkollë stafidhe rrushi të thata, gjysmat e të cilave m’i jepte mua. Përpiqej të më mbushte mendjen që edhe unë të vazhdoja studimet e larta për shkencat politike që të ishim së bashku në shkollën e lartë, por unë i thosha se vetëm arkeologjia më pëlqente, edhe pse dyshoja se për mua nuk do të kishte shkollë të lartë.

Ishte pranvera më e bukur e jetës sime. Kudo rrinim së bashku, në pushimin e gjatë, në mbrëmjet e vallëzimit, në shfaqjet artistike e kudo. Kur Adelës ia vinin në dukje këtë, ajo me shaka u përgjigjej se unë isha vëllai i saj i vetëm. Herë-herë, vërtetë unë e doja si motër, por kishte raste kur përfshihesha nga një zjarr i brendshëm dhe doja ta shtërngoja fort në gji, por më ndalte zëri i babait: “Konsideroje si motër, ki kujdes kur mbetesh vetëm me të në shtëpi, mund të ketë diku ndonjë përgjues…”. Babain e kisha idhull dhe i besoja llogjikës dhe përvojës së tij. Erdhën provimet e maturës dhe unë i shpeshova vizitat tek shtëpia e Adelës, gati shkoja përditë. Kishin mbetur njëzetë e katër orë përpara provimit të matematikës. Profesor Gjata më kishte rekomanduar tre tipa ushtrimesh që mund të binin në provim. Adela propozoi që ata t’ia shkruaja në llërët e duarve të saj. Do të mbante një bluzë me mëngë të gjera dhe mund t’i kopjonte me marifet në kohën e provimit. Ishim pikërisht në shtëpinë e saj për konsultimet e fundit. U mbështet mbi një pufkë dhe unë po ia shkruaja me stilolaps ushtrimet e zgjidhura, në llërë, drejt e në lëkurë. Isha i detyruar të përkulesha mbi të. Këmbët i kishte ngritur sipër, mbi divan. Fustani i kishte rrëshqitur pak mbi gju dhe i dukeshin një palë kofshë të bardha e të bëshme, me lëkurë të feksur. Duke diktuar vështrimin tim ngulmues, u emocionua dhe fytyra iu bë si paparunë e kuqe. Edhe unë e ndjeva të skuqurit në fytyrën time. Një zjarrllëk i brendshëm më pushtoi të tërin, por vetëm për disa sekonda, sepse kujtova aparatet e përgjimit që mund të ishin vendosur në muret e shtëpisë dhe u bëra esëll. Nuk ishte e thënë t’i gëzonim ato çaste të paharruara në intimitet, sepse pas veshit tim, buçiti një klithmë e egër: “Çfarë po m’i bën ashtu vajzës, mor i deklasuar?!”. Adela brofi në këmbë dhe i doli së ëmës përpara. Gati iu përplas në fytyrë.

– Çfarë kujton se po bëjmë? Po kopjoj ushtrimet e matematikës, – i bërtiti me zëmërim dhe i zgjati krahun e zbuluar, pastaj shtoi – ky “i deklasuari” është më i mirë se të gjithë ju së bashku, monstra… I kërkoni ndihmë për vajzën, e ftoni tjetrin në shtëpi dhe për një thërrime dyshim, po e shani sa s’thuhet, njerëz me dy fytyra!

– Të paska bërë për vete, moj korbë, po mban anën e tij dhe po më hakërrehesh mua si grifshë! Në vend që të të mësonte matematikën, po të mëson si të kopjosh. Të ka futur shejtanin në bark, – iu kthye ajo së bijës. Këtu nuk m’u durua. Ngrita edhe unë zërin:

-E ke gabim shoqe, çdo berr varet për këmbë të veta. Nga u bëra unë i deklasuar, biri i një fshatari të thjeshtë?! Kush ua jep juve atë të drejtë për të më futur tek të deklasuarit? Kush jeni ju që bëni edhe diellin, edhe breshërin?! – dola pa pritur përgjigje, përplasa derën dhe për herë të fundit, thashë:

– Mos ua pafsha bojën!

Nënë e bijë vazhdonin kacafytjen brenda mureve të apartamentit. Zërat e tyre të acaruar po më ndiqnin nëpër shkallë. Emri im ishte bërë mollë sherri. Më erdhi keq për Adelën. Ajo ishte fare ndryshe nga ata dhe pa asnjë faj.

Sa dola në ajër të pastër, u pendova për çfarë debatova, isha ngutur. Po sikur ajo shtëpi të kishte vërtetë përgjues? Gjithë sherrin do ta dëgjonte edhe i ati dhe nuk kishte për ta falur të bijën. Me këtë konflikt i kisha shkelmuar edhe ato pak shpresa për shkollën e lartë. E kisha gjizosur me Degën, i isha kundërvënë. Adelën jo vetëm që nuk e urreva, por e desha edhe më shumë. Ajo më doli në krahë kur s’e prisja, sakrifikoi nga vetja. E admirova për guximin. Mezi duroja gjer në takimin e radhës. Të nesërmen më gjeti vetë. Sytë i ishin mufatur dhe poshtë tyre i kishin hedhur një rreth të zi. Më tha se e ëma i kishte raportuar gjithçka të atit dhe nënkryetari i Degës e kishte rrahur atë pa mëshirë, me rripin e pantallonave ushtarake. Ia kishte nxirë trupin, ia kishte bërë vulanga-vulanga. Ti, Adela, nuk ke faj, i thashë, do të ndihmoj unë në provimin shtetëror të matematikës. Kaq gjë kam në dorë. Dhe e mbajta fjalën. I dhashë kopje, duke rrezikuar veten. Ajo u vlerësua me dhjetë, sikundër edhe unë.

Ramë dakord që në mbrëmjen e maturës do të qëndronim së bashku. E besova se kishte ngrënë dru, sepse gjatë vallëzimit më tha të mos e shtërngoja shumë dhe dorën e djathtë ta vendosja lehtë mbi shpatulla. Sa të pashpirt, mendova, këta torturojnë edhe pjellën e vet e jo më ne, “të deklasuarve”. Ikëm të parët nga mbrëmja. U fshehëm në pyllin me akacie, afër shkollës. Përballë kishim mencën e konviktit ku vazhdonte festa e maturës. Mbaj mend se nga altoparlanti buçiste një këngë e Vaçe Zelës “Dua të vallëzoj/ Dhe botën ta lajmëroj…”. Melodia dëgjohej gjer në pyllishten me akacie ku ne ishim fshehur. Mbetëm për minuta të tëra të përqafuar. E mbulova me të puthura dhe përkëdhelje pafund. Kisha një parandjenjë se ky ishte takimi ynë i fundit. Disa herë ajo qau. Adela ishte më e brishtë e delikate nga çfarë dukej në pamjen e parë.

– Do të tregoj një sekret, por betohu se nuk do t’ia thuash askujt, – m’u lut ajo. Iu betova për kokën e babait. Ajo ishte beja më speciale dhe më e madhe që mund të bëja.

– Të kanë planifikuar për t’u bërë bashkëpunëtor sigurimi. E dëgjova fshehurazi babanë që po i thoshte nënës, kur ishin vetëm, në dhomën e gjumit. Më nxiti emri yt i cili përmendej herë pas here në bisedë. Vura veshin tek vrima e çelësit.

– Mos, i thashë, është gjëja që urrej më shumë. Vetëm kjo të mos më ndodhë. Spiun?! Nuk më detyrojnë dot.

– I kanë menduar të gjitha. Propozimin do të ta bëjë profesor Gjata.

– Po ai nuk është i Degës.

-Është bashkëpunëtor i vjetër i Sigurimit. Me atë komunikon babai.

– Dreq, o punë, sa të djallëzuar, pse nuk thua që profesori ma paska vënë syrin me kohë. Madje, ky duhet të jetë rezultat i rekomandimit të tij.

– Do të jetë kushti i vetëm që ty do të vënë në këmbim të shkollës së lartë, për degën që ti kërkon. Të lutem zemër, harroje se të kam thënë unë, boll dru kam ngrënë.

U bëra akull i tëri, në çfarë kurthi djallëzor më kishin futur dhe unë nuk kuptoja asgjë. Më rruat që isha më i miri në matematikë. Për ca momente u bëra si i çakërdisur e i ndërkryer… Ndërkohë menca ishte shurdhuar. Po vinte mesnata. Gjithçka kishte rënë në qetësi. Shokët e shoqet tona ishin larguar nga mbrëmja, por ne nuk i kishim ndjerë. Nga hutimi, kur u ndamë me Adelën, harrova ta puth, por ajo m’u hodh vetë në qafë dhe që nga ajo mesnatë qershori, me yje dhe hënë, me erën e luleve të akacieve nëpër këmbë, nuk e pashë më kurrë.

 

***

Indrit Mollën, nëpunësin e emigracionit, këtu në Kanada, nuk e ndërpreva për asnjë çast. E dëgjova deri në fund, pa i bërë asnjë ndërhyrje. Tregimi i tij më la pa frymë. Një sirenë anije lumore që transportonte lëndë ndërtimi, na zgjoi të dyve nga ëndërrimet dhe na kujtoi se ku ndodheshim. Era e freskët e flladit që vinte nga sipërfaqja e ujërave blu, na përshkoi lëkurën e duarve dhe fytyrën. U kujtova t’i bëja pyetjen se përse unë e kisha propozuar atë takim:

– Po si u arratise nga Shqipëria, zoti Indrit?

– Frika se mos Dega më fuste në morsën e saj dhe më bënte spiun, më nxiti idenë e arratisjes dhe më ndezi dëshirën për t’u larguar një orë e më parë nga Shqipëria. E urrej për vdekje spiunimin. Nuk kisha rrugë tjetër, por kufirin nuk e njihja. Kisha një kushëri, i cili sa kishte mbaruar shërbimin ushtarak në kufi. U bashkova me të. Mezi ia mbusha mendjen për t’ia mbathur së bashku, nga mali i Buretos, mbi Libohovë. Edhe ai ishte përfshirë në një konflikt të vetin me policinë. Eh, arratisja është aventurë më vete, ta tregoj një herë tjetër … A marrim nga një birrë?

Desha ta pyesja përsëri për Adelën, por në tavolinë na u ul një bashkëkombas i tretë dhe ne e ndërruam temën e bisedës.

Misssissauga, Janar 2021.

 

Please follow and like us: