Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Bashkëjetesë me abuzuesit dhe të paaftët

 

Fatkeqësisht doli e vërtetë ajo që unë kisha më tepër frikë. Forca të caktuara destruktive po luftojnë për ta çuar vendin në humnerë për të sjellë kaos dhe përplasje civile, vetëm e vetëm që t’iu shpëtojnë prangave për të gjitha abuzimet që kanë kryer. Përplasja mendohet pas zgjedhjeve pasi të humbin zgjedhjet ustallarët e vjetër kanë përgatitur skenare makabre dhe për të penguar dekriminalizimin aq të domosdoshëm, në stadin aktual që ndodhet vendi ynë. Çështja e detit me Greqinë është bërë një çorbë derri, çfarë thotë njëri, nuk thotë tjetr… Njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit… Problemi me mafien italiane të ndërtimit duket se po hetohet nga SPAK deri sa kreu i këtij institucioni shkon në Itali për të mbledhur të dhëna shtesë.

Të gjithë jemi shushatur dhe themi se çfarë po ndodh? Të gjithë po heshtim kur e keqja po na shpaloset me arrogancë dhe poshtërsi nga klasa politike shqiptare që luan me një popull të varfër që ka një mijë e një halle, heshtja në këtë rast është vetë e keqja. Aktualisht, ne shqiptarët jemi kthyer në ca llafazanë kafenesh, edhe pse është kohë pandemie, ku i kërkojmë llogari gjithsecilit, shajmë këdo, ankohemi për këdo, e gjejmë fajin, të keqen dhe problemin gjithmonë e lemë aty në kafene ku kemi zhvilluar debatin, shtimë dhe baltosim gjithçka, paragjykimet, sharjet, dyshimit, mosbesimit, skepticizmit, shpifjet, dekurajimit dhe shpërfilljes për këdo që përpiqet të thotë, të shkruajë, të veprojë apo bëjë diçka që i shërben progresit. Duke qenë se ne shqiptarët kësaj herë si asnjëherë tjetër kemi mbi shpinë të paaftin, servilin, të korruptuarin, vrasësin, por në të shumtin e rasteve ne sulmojmë, të ndershmit, të zotët, ata me integritet që janë me pikatore, pasi shumica janë të paaftë, me diploma të dyshimta që e kanë kryer shkollën nëpër kioskat e sapo mbyllura private. Që “doktoratuar” e tyre është tesra e partisë ku militojnë dhe më këtë tesër të bëjnë gjëmën. Jetojmë në një vend ku vetëm konstatohen plot abuzime dhe kurrë  nuk merremi me abuzuesit. Fatkeqësia qëndron në Shqipëri se niveli i politikanëve apo deputetëve qëndron nën nivelin mesatar të intelektualëve që ka vendi ynë…

Ne na pëlqen të ndjekim “ata, të dyshimtët, të fortët” që kanë distancë intelektuale me kilometra, braktisim të ndershmin, braktisim të talentuarin, ngase e shohim si problematik, vrasim kreativitetin ngase na prishet “ekuilibri” në stanin e të paaftëve që lodrojnë nëpër zyra dhe i bëjnë punët çorap. Duke qenë se ne nga frika ndjekim të fortin që ka marrë karrigen e drejtuesit, nga padija i japim fuqi batakçiut, të korruptuarit pse jo dhe hajdutit dhe delenxhiut. Nxjerrja e dufit dhe pakënaqësisë vetëm nëpër kafene, na bën viktimat e radhës, qofshin këta njerëz, ligje apo institucione, shpresë, moral, drejtësi apo besim. Udhëheqës që paguhet me taksat tona, votohet nga ne e na vjedh, na mashtron, na poshtëron, jo vetëm me ligësitë e veta, por dhe me paaftësinë e tyre nuk na miratojnë një reformë si ajo në drejtësi që është kthyer në oksigjen… Dhjetëra skandale me korrupsion, plaçkitje, dëmtim a humbje jetësh njerëzore në vendin tonë kalojnë pa u ndëshkuar. Tek ne në mënyrë djallëzore janë ndërthurur njerëzit e paftë dhe të djallëzuarit. Ky është një kombinim shumë i keq dhe nga ky hibrid lind një mostër shumë e rrezikshme. Debate të pafundme, sfilitëse deri në raskapitje, në emisionet televizive e kuvendore për krimin që ka mbërthyer Kuvendin. Politikanët tanë janë bërë simbiozë me horrat e krimit. Gjithçka po ndodh, të gjithë po ankohemi, asgjë nuk ndryshon. Realisht faktet janë më të pakta nga ato që ndodhin në të vërtetë. Ka disa kufij që budallallëku duhet të kontrollohet, mjaft se ka një kufi se me pas derdhet gota… SPAK të mos mbajë sehir por të shkojë tek gjiri I Lalëzit dhe tek Vilat Ralling Hills dhe t`u verifikojë pasurinë banorëve të tyre, është gjëja me e lehtë që mund të bëjë, lerini përrallat e tjera. Shikon nëpër parqe apo rrugë intelektualë të shquar që qëndrojnë të vetmuar…

– Pse e pyes një mikun tim qëndron lag zhvillimeve dhe politikës?…

– E kam paguar shtrenjt shoqërinë dhe marrëdhëniet në punën, të marrin erzin ata me tesera partie… Këta nuk kanë turp, mungesa e turpit thotë Frojdi është treguesi i parë i çmendurisë. Kemi arritur në një moment që njerëzit e aftë dhe të zot janë të padëshiruar… Lëvrojnë tërë lapangjozët e politikës. Në prag zgjedhjesh themi që kësaj radhe kjo apo ajo forcë politike nuk do të na gënjejë, por vjen ai çast në parag të votimit dhe përsëri biem në të njëjtin kurth: Unë votoj, ti voton, ata vazhdimisht vjedhin…

Atëherë çdo të bëjmë ne? Ku i ka burrat e vërtetë Shqipëria? Do të vazhdojmë të shfryjmë dhe zërin e ankimimit nga frëngjitë e kotësisë, për ta ndjerë veten mirë, të drejtë e të pastër e për të mos dëgjuar melodinë e fatalitetit të së keqes që po na kalon përkarshi jetëve tona duke na kërcënuar seriozisht…me një takëm të paaftësh me një kulturë të cunguar dhe të korruptuar që po na mbajnë pezull?! Çdo ditë e keqja kalon karshi nesh është bërë bashkëjetuese me ne, madje po ambientohemi me të. Çdo ditë e keqja na rrethon e na fiton më shumë terren, më shumë hapësira, më shumë numra. Çdo ditë e keqja na paralizon dhe na bën pesimistë. Çdo ditë ka njerëz që janë viktima, ka institucione që janë viktima. Të paaftët dhe servilët shtrëngojnë radhët dhe mbajnë njëri–tjetrin për t’u mbyllur derën të aftëve, sabotojnë Reformë në Drejtësi… belbëzojnë ky takëm sabotatorësh se mund të ketë një reformë, por “një reformë me ligje dhe me shtigje”, ku ata të shpëtojnë të palagur. A nuk ka ardhur vallë ende dita që të vendosim sot, jo nesër, që të jemi kurajozë e dinjitozë? Nuk do t’ia bëjmë vetes sot pyetjen: Nëse jo unë, atëherë kush? Nëse jo sot, atëherë kur? Oh, Shqipëri, e mjera Shqipëri, ku i ke burrat ti?! Që po të pijnë këta “burracë”!

 

 

Please follow and like us: