Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Kjo pemë…

Kjo pemë ka fjetur mbi gur ëndrrash
e ka dremitur mbi stol –
Me hënën nga këmbët e diellin mbi kokë.
Ishte Verë gjinkallash përzierë me djersët e mia
a me rrëshirën e ngurtësuar plot lot.
Ti nuk e dije se në majën e kodrës isha ulur unë
e përkrah më vinin e iknin stinët. Një e nga një.
Heshtja nuk është shtëpi dhe as mur e as nur.
Harrove se skalisje e latoje fytyrën time
atëherë kur flisje shumë?
Bëje bukë me fjalët
e kështu jetonim nga pak të dy.
Ti nuk e dije se kisha bërë fole në tërë pemët,
Të mund të fshihesha kur ti të ikje.
Se të kisha këngën time,
Simfoninë time,
Tërë poezitë,
Tërë fëmijët që doja po ashtu.
I doja, i doja shumë.
Mishi im e mishi yt, në një.
Gjaku im e gjaku yt, në një.
Shpirti im e shpirti yt, shkrirë në një.
Trupi yt brenda trupit tim. Dy bërë një. Një.
E si mund të dashurosh dikë përtej yjeve
E mos duash të krijosh yjet e tu me të?
Kështu ke qenë ti në tërë jetët e mia,
Kështu je edhe sot:
Tërë këngët – tërë simfonitë – tërë poezitë.
Tërë fëmijët me personalitetin e sytë e tu,
Ah, edhe të qeshurën –
Ajo lind të qeshurat e mia.
Please follow and like us: