Dritësim, rrugëtim drejt të pathënave – Muxhahedinët, rreziku terrorist dhe përplasjet me Iranin
Rreziku terrorist në Europë shtyu një grup zyrtarësh nga më shumë se njëzet vende të kontinentit të lëshonin një deklaratë duke kërkuar që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij të ulin nivelet e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Sipas tyre, diçka e tillë bëhet për t’i dhënë fund kërcënimit të terrorizmit shtetëror iranian. Deklarata u lëshua saktësisht pak kohë përpara vendimit të parashikuar për rastin e Assadollah Assadi, një diplomat i rangut të lartë iranian. Ai u akuzua si truri i një sulmi terrorist në vitin 2018, që kishte synim vendosjen e një bombe në tubimin e mërgimtarëve iranianë në Francë. Gjyqi i Assadit dhe të tre bashkëpunëtorëve të tij filloi në qershor 2020 në Belgjikë. Ai dhe bashkëpunëtorët, Amir Sadouni, gruaja e tij Nasimeh Naami dhe Mehrdad Arefani, u gjykuan për “tentativë vrasje” dhe “pjesëmarrje në një celulë terroriste”. Amir Sadouni dhe Nasimeh Naami u maskuan si mbështetës të MEK-ut për gati 12 vjet. Ata u përpoqën të përdorin këtë pozicion për të çuar bombën në tubimin “Irani i Lirë” në Villepinte të Francës por u arrestuan gjatë rrugës për në Paris. Terroristi i tretë, Mehrdad Arefani, u arrestua në Francë, ndërsa Assadi u arrestua në Gjermani. Të dy u dorëzuan tek autoritetet belge. Njëri prej tyre, Arefani, kishte udhëtuar më parë në Shqipëri në “Ashraf 3” në kompleksin e muxhahedinëve në Manzë, me nënën e një dëshmori. Ai e përdori këtë maskim për mbledhjen e informacionit të mëtejshëm edhe për kampin në vendin tonë. Një episod i tillë ngriti pikëpyetje në të gjitha agjencitë ligjzbatuese por edhe inteligjente në të gjithë Europën, mes tyre dhe Shqipëria e cila mirëpriti rreth 3000 muxhahedinë iranianë që nga marsi i vitit 2013 deri në shtator të vitit 2016, kur mbërritën të fundit nga kampi “Liberty” në Irak. Muxhahedinët iraniane janë një lëvizje opozitare në mërgim, që synon rrëzimin e Republikës Islamike të Iranit. Ajo njihet ndryshe me emrin MEK. Lëvizja u themelua në vitin 1965 nga një grup studentësh të majtë dhe qëllimi ishte të rrëzonin Shahun e Iranit. Kur Shahu u rrëzua nisi një përplasje tjetër, ajo mes muxhahedinëve dhe fondamentalistëve të Ajatollah Khomeinit që morën pushtetin. Ne fund të vitit 1981 pas represionit të regjimit shume anëtare dhe mbështetës te saj u larguan jashtë vendit dhe qendra e tyre kryesore e strehimit u bë Franca. Në vitin 1986 lëvizja e zhvendosi bazën e operacioneve në lindje të Irakut, por situata ndryshoi me pushtimin amerikan. Forcat amerikane vendosën qe ata te mbaheshin ne kampin Ashraf ish-baze ushtarake irakiane. Por me largimin e amerikaneve nga Ashrafi ne 2011-en nisen aktet e dhunës në drejtim të muxhahedinëve. Në të njëjtin vit anëtarët e MEK u zhvendosen ne kampin “Liberty”, jashtë Bagdadit. Për shkak te pasigurisë për jetën dhe bombardimeve të shumta lindi edhe nevoja e zhvendosjes se tyre nga Iraku drejt vendeve te tjera mes te cilave ishte edhe Shqipëria. Siguria e muxhahedinëve është vënë në rrezik edhe në Shqipëri. Më shumë se 60 shtetas të huaj janë shpallur persona të padëshiruar në 3 vitet e fundit. Nga të dhënat e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, rezulton se të paktën 7 prej tyre kanë qenë pjesë e trupave të huaja diplomatike, ku pjesa më e madhe rezulton të jenë nga Irani. Më 23 korrik të vitit 2020, Shqipëria dëboi Dabiel Kassrae. Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, urdhëroi dëbimin nga Shqipëria të 29-vjeçarit iranian me nënshtetësi italiane dhe iu ndalua qëndrimi në Shqipëri për një periudhë prej 15 vitesh. Më 18 tetor, po të vitit 2020, u shpall “non grata” një tjetër iranian. Ehsan Bidi, dyshohej se ishte i infiltruar në kampin e muxhahedinëve në Manzë për të marrë informacione për forcat Kuds. Ndonëse rastet e dëbimeve nuk shpjegojnë motivin e qartë, në të gjitha bëhet fjalë për terrorizëm ndërsa vendimet e Tiranës zyrtare u komentuan dhe nga Irani. Në një ambient të tensionuar dëbimesh, shpalljesh persona non grata, por edhe reagimesh, pyetja që shtrohet është se a do të vazhdojë e njëjta situatë në marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit?
– – – A2 është një kanal informativ në një partneritet ekskluziv me CNN, me seli dhe qendër kryesore të prodhimit në Tiranë.