Rifat Ismaili: Tabutë dhe origjinaliteti i shkrimtarit…
Ese
Na ka rënë për pjesë të gëlltisim me qindra e mijëra faqe librash e revistash, pa përfshirë emisionet e pafundme televizive, filmat, bisedat e përditshme me njerëzit. Të gjitha këto më kanë çuar në atë pikë sa të mendoj se e njoh disi botën dhe të krijoj një opinion timin mbi të. Por kur ulesh dhe shkruan gjithë kjo lëndë që ke grumbulluar në hemisferat e fshehta të trurit, del jashtë, përzihet dhe i ndikon mendimet e tua, zbeh disi origjinalitetin. Epikuri ishte njeri prej atyre filozofëve që nuk përmendte asnjë paraardhës dhe bazohej vetëm mbi fjalën e vet. Ka pasur njerëz që nuk lexuan kurrë ndonjë libër ose të mbyllur në burg, që duke përshkruar vetëm eksperiencën e jetës së tyre, kanë nxjerrë në pah vlera të vërteta letrare. Si do të shkruante dikush prej nesh, nëqoftëse do të ishte i mbyllur në burg ku për vite me rradhë nuk do të shihte njerëz, gra, ngjarje dhe do t’i mungonte kontakti me librat? Si do të shkruante një tjetër po të mënjanohej nga jeta dhe të rronte i vetmuar si eremit apo si Robinson Kruzoi? Si do të kishte shkruar akoma një tjetër, nëse informacioni i përditshëm nuk do t’i sillte lajmet mbi luftën, pasurinë, princërit e njerëzit e varfër, krimet e sëmundjet? Si do të shkruanin, nëse nuk do të njihnin asgjë rreth heronjve dhe miteve të antikitetit?
Është e nevojshme që njeriu të jetë në relacion me botën e gjallë përreth, por jo aq sa të dëmtohet prej tyre. Psh. nëqoftëse do të ulesh të shkruash një përrallë do të të vinin përnjëherësh në mendje kuçedrat, qerosi, një mijë e një netët, vëllezërit Grim e tjerë. Nëse do të shkruanim mbi një kalë, do na vinte përnjëherësh në mend pegasi apo brivetmi apo nëse do të shkruanim mbi hiret e gruas do të na vinin njëherësh në mend, Helena e Trojës, Penelopa apo Merlin Monroja. Kjo ndërhyrje e miteve të gatshëm në mendjen tonë nuk do t’i linte kohë fantazisë për të shpikur një lloj tjetër kali, që së paku, nëse nuk do të fluturonte, do të ecte me dy këmbë, ose nëse nuk do të ishte Centauri do të ishte një kalë që mbi bisht ka një fole pëllumbash?! Dhe në vend të perëndeshës Afërdita të përfytyroja një femër që si trungu i pemës hap deget, duke krijuar forma të reja trupore brenda vetes.
Kur njeriu e ka çdo gjë të gatshme, instiktivisht nuk e lodh edhe aq shumë imagjinatën e tij, por brenda temës që do të shtjelloje fut një mori citimesh, personazhesh, heronjsh dhe emra autorësh që ka takuar më parë nëpër faqet e librave dhe më pak stisje e huazime e më pak origjinalitet libri është gati. Edhe paraardhësit kanë bërë të njëjtën gjë dhe nga njeri libër në tjetrin, sheh shtresëzimin e së shkuarës si shtresat e gëlqeres në një gurore. Libri i është referuar disa miteve të autorëve, autorët e përmendur i janë referuar ca të tjerëve, e kështu me radhë, gjer kur njihet historia e artit. Është rishkruar një mijë herë Odiseja e Iliada e Homerit, njëra predikuese e individualizmit dhe njeriut vetmitar, tjetra e aksionit kolektiv.
Nëse unë s’do të dija asgjë mbi mitin e stërpërmendur të Adamit dhe Evës, si do ta kisha imagjinuar çiftin e parë të botës? Njeriut primitiv, me një kartë të bardhë në duar, iu desh të vriste mendjen dhe të përfytyronte një Adam dhe Evë, parajsën dhe ferrin, kohën kur nuk njihte kuajt dhe kalorësit dhe e mori atë për gjysmë perëndi duke shpikur bashkësinë e tyre në mitin e Centaurit, në ndonjë mbetje të fundit të llojit të dinozaurëve të dikurshëm të besonte në dragonjtë e kuçedrat, etj, etj.
Ndërsa ne çfarë bëjmë? Kemi përpara vetes një qilim të pafund të shtruar plot metafora, të mbushur plot e përplot me hieraglife dhe imazhe dhe s’bëjmë gjë tjetër se shkelim përmbi të, duke i rënë kryq e tërthor. Dhe duke e veshur veten me nderin e krijuesit, të novatorit, të hulumtuesit, të atij që rivlerëson, ato që të tjerët i bënë para nesh, pa ndihmën tonë dhe pa e menduar se do vinim ne, të shtroheshim këmbëkryq në sofrën e shtruar…
Nga libri me ese ‘Kontributi ndaj artit’.