Sadik Bejko: Gropim me hije
(Poemth)
1.
Sa herë kam vdekur,
e kam hapur vetë tokën
ditën për diell
me lopatë në dorë.
Kërkoja fundin e dheut
shkëmbin eshtror,
ujin për pusin,
themelin për murin…
vajzën që te unë zgjon burrin,
dru panje të gdhend arkën,
për djepin a pajën…
Hidhja lart dheun e diellin me lopatë.
Hap e thello dheun,
Por s’do, nuk do,
Sot e mot më hedh jashtë.
2.
Si ai që shkoi me një grua, që të vjelë
shegët e kuqe të krahëve ndër muskuj,
fryt ndër damarë,
nën lëkurën mantel centauri,
gjak e mish duke shqyer copa-copa,
si ai që u bë për burrë me një grua
të mbjellë veten,
humnerën e vetes e çau mes për mes,
ashtu kam dashur të vdes.
3.
Si nga shkurret petkat e së dashurës
plisat e tokës
i flaka te dielli.
Në më duhet patjetër një varr,
e gërrmoj vetë më mirë,
sa jam shëndoshë e gjallë.
Askush nga nëna, gruaja, bijtë
nuk vjen me ne andej matanë.
U lë dhimbjen te një mort,
rit i shenjtë i lashtë.
I vetëm shkoj.
Ndaj e hap, e thello varrin
E ai më hedh jashtë.
4.
Kudo: në Izvor e Mbrakull,
Syzes e Berat,
Tiranë e Memaliaj,
në Hllomo te selvitë,
në Libohovë te një rrap,
në Gjirokastër… kam gropuar shi dhe vapë.
Miku i mirë, sa ikja,
më rrëmbente punën
të dashurën, shtëpinë, miqtë.
Gjithçka mori i pastë hallall…
Lija pas të hapur një varr.
I vdekur,
I lindur ndër të tjerë të gjallë.
5.
Në gërmimin e gjatë
diellin dhe shiun si fishekzjarrë
i zmbrapsja me lopatë.
Rruga ime gropa-gropa,
me hije, ujë, gjeth e bar të thatë.
Skuthët, zemërqullurit aty ulen
mbi lëkurën time. Me fantazmën time
ndërtojnë veten.
Te ulliri im nga gropa e varrit
Do të bënin dashuri, gjumë të thellë a të gjatë.
Bërë tjetër së gjalli
Rilindja mbi të tjera gjurmë varri.
Lind dhe humb
në gropa ajri
Mbi shkrumb flatro me krahë zjarri.
6.
Kur i flakja të gjitha,
kur dhe pluhurin e fundmë
shpërndaja tej me lopatë,
gjymtyrë e kocka krejt kur i kam shpërbërë,
nga hiri
nga fillimi si frymë në ujë, në gur e në bar,
ngjizesha prapë.
Shihja krahët e mi të zgjatuar te një rrap.
Sa herë,
Në honin thatë,
gropuar jam… jashtë.
Marrë nga libri “Letër Hamurabit” 1997.//albspirit.com
Please follow and like us: