Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Emiri: SAZET NË ‘VETVRASJEN’ E MADHE!

 

Ngjarje e jetuar

Inxhinier Shpëtim Emiri                                                                            

Tiranë, janar 2021

 

Partia ishte mjaft e shqetësuar. Dallonte si në mjegull, se, si kurrë në jetën e vet, ishte keqkuptuar nga populli, pikërisht nga Ai, ku Ajo kish rrënjët.

“Rrënjët Partia i ka në popull!”, ishte shpallur hapur nga vetë ajo, për të treguar burimin e fuqisë së saj të pamposhtur e të pashtershëm, që, si padashur, nënkuptonte edhe se kush mund t’ia shkulte… , por ky lloj nënkuptimi nuk ishte në ‘modë’! E merakosur jepte e merrte të zbulonte shkakun e keqkuptimit, ama nuk mendonte se kishte të bënte me punë armiqësore. Kundërshtarëve të saj u qe harruar emri! Pasi i piketonte (emëronte!), i eliminonte! Nuk i kish lënë gjë mangut, që raca e armiqve të saj të shuhej përjetë e të mos mbinte dot më kurrë në Shqipëri dhe, e ndodhur në krye të këtij komoditeti, që i krijoi vetes, keqkuptimi i dukej, jo vetëm i tepërt, por i pashpjegueshëm.

Prapë gjumi i saj i prishur?!

Drejtimit të shtetit ia kish marrë dorën mirë. Ekonomia lëvizte si ‘perpetum mobile’, sidomos me parullat revolucionare, që e gjallëronin jetën si me frymën e shenjtë. Parullat e ngrinin popullin më këmbë, e mobilizonin, e-e-e frymëzonin, e nxisnin për vepra heroike… Dukej sikur populli i donte edhe vetë parullat! Iu bënë pjesë e pandarë e jetës. Si mund të jetohej pa parulla?! U mësuan keq të dy ‘palët’, populli dhe parullahedhësja, ama njerën prej atyre nuk po e vinte, që s’po e vinte, në jetë! Atë, të famshmen: “Bar do të hamë dhe parimet nuk i shkelim!”

Përmendej kjo thënie gjithandej, në çdo aktiv komunistësh, madje edhe nëpër mbledhje kolektivi, por përsëri njerëzia nuk po binjakëzohej shpirtërisht me të, nuk përjetohej si nevojë e brendshme, organike, konkrete, reale… Askush nuk mendonte se bari ishte zahireja e secilit për ditën e zezë! Përfytyrohej e tejzmadhuar, si shprehje simbolike, si ide, që, po ta linin të vazhdonte më gjatë, mund të transformohej në barsaletë. Mirëpo, partia nuk bënte shaka me parimet, pa lerë, të lejonte të viheshin në dyshim, apo, ca më keq, të guxohej të qeshnin me to, qoftë dhe padashje, ndaj, për t’u kuptuar drejt përmbajtja e saj, gjykoi të nevojshme krijimin e situatës reale të ‘mirëkuptimit’.

Tërë ngatërresën e sillte ‘bari’, por ndryshimi i parullës as që duhej menduar! Më kollaj mund të ndryshohej populli!! Dhe jo me ndonjë popull tjetër, jooo! Ky popull, që i pat rënë në pjesë, duhej modifikuar, duhej revolucionarizuar aq, sa të çmonte barin, nga një ushqim i zakonshëm për bagëtinë, në ushqimin e fundit, atë të mbijetesës së njeriut, sipas ‘recetës ushqimore’, dietës, të përcaktuar nga vetë ajo.

E, ç’problem i kishte dalë para partisë tonë e nuk e pati zgjidhur?

Stepja e saj nuk mund të zgjaste shumë! Zgjidhjet për problemet e mëdha shpesh ishin aty, para syve, shkeleshin me këmbë, pa i parë dhe… ku i shkoi mendja, do thoni ju?!

– Kush po e ha barin sot?

– Kryesisht lopët!

– Bukur! Atëhere, le t’ia heqim fshatarit lopën personale, ta çlirojmë atë nga mbingarkesa e mbajtjes në shtëpi të saj, nga angazhimi i përhershëm për të siguruar barin për gjënë e gjallë dhe t’i hapet horizonti të parashikojë ruajtjen e barit për… për të gjallët pa ‘gjënë’!

Asnjë fshatar, për be, nuk kish bërë kund ankesë, se mundohej shumë e nuk e mbante dot lopën. Përkundër, ishte lopa ajo që mbante gjallë familjen e fshatarit dhe ishte pikërisht ajo që mund të ankohej… Zemërimin lopët mund ta tregonin tek ulja e prodhimit të qumështit, por nuk kishte bërë vaki të rrinin pa dhënë 7-8 litër në ditë, po edhe 10 – 12, kur viheshin në ‘sedër’ nga trajtimi i veçantë. Fëmijëve në fshat u skuqnin faqet nga bulmeti.

– Do të tufëzojmë gjithë gjënë e gjallë! – ishte vendimi historik*1, që mori partia, shpallur si hap i madh përpara drejt ‘objektivit final’, komunizmit dhe njëherësh goditja përfundimtare mbi pronën private në fshat.

Fshatarët, madje dhe ata më të shkolluarit, nuk arrinin ta kuptonin se si mund të shkonin në Komunizëm pa lopën, barkas, me zvarritje, në vilani…

Shteti po merrte mbi vete një mbingarkesë të madhe, por llogaritë dinte t’i bënte mirë: Më kollaj do ta kishte të merrej me lopët, se me njerëzit, të cilët, aq sa të mirë ishin, po aq i pëlcisnin buzën. Jo, po, u bënë fshatarët të qeshin partinë e punëtorëve, direktivat e saj, madje të arrijnë të vënë në dyshim edhe simbolet, parullat, gjënë më të shenjtë. Eh, jo! Deri këtu jo! ‘Nuk mban më ujë pilafi’!

Harrojeni, pra, barin për lopë!

Ky ishte marksizmi në zhvillim në kushtet e vendit tonë.

Dinte partia si t’ua zbrazte nga koka njerëzve ‘lakrat’ e ideologjisë borgjeze dhe t’ua mbushte me ‘barin’ e parimeve marksiste. Një mullar të madh ‘bari’ ua presonte në kokë në shkollën e lartë të partisë. Si nuk u çahej! Çfarë kokash! Të çelnikta! Kjo shkollë e lartë ishte më e lartë se gjithë shkollat e larta; më e lartë se të gjithë fakultetet marrë së bashku! Ideologjia marksiste ishte shkenca e shkencave! E modifikuar si për vete, e vetmja që të çonte drejt lindjes, në komunizëm… Shkencat e tjera, thuajse të gjitha, i mbanin kryet nga perëndimi…

Lutem, lexuesi të mos i zërë shumë besë arsyetimit të mësipërm për shkakun e vërtetë të marrjes së vendimit fatal, tufëzimit. Mos prisni nga autori, të gjejë arsyen e një vendimi, të cilit, pikërisht, arsyeja e arsyes i mungoi!

***

Për ta realizuar tufëzimin e lopëve, duheshin marrë masa serioze. Dhe çfarë masash?! Gjigande! Propaganda e fuqishme përgatiste fshatarësinë të dorëzonin ‘vullnetarisht’ lopët e oborrit kooperativist dhe, pa pritur fare përgjigje, e bindur se nuk do (guxonin) t’ia bënin dysh fjalën, i vuri detyrë ministrisë së ndërtimit të ndërtonte brenda viteve 81 dhe 82 rreth 800 stalla gjedhi dhe një numur të konsiderueshëm kompleksesh blegtorale. U hartuan projekte teknollogjike e mbi atë bazë edhe projektet ndërtimore, të cilat iu dërguan gjithë ndërmarrjeve të ndërtimit në rrethe bashkë me planet e financimit nga shteti.

Aksion i madh kombëtar!

N.N. I. (ndërmarrja e ndërtimeve industriale) e Fierit, ndërmarrja ‘jonë’, u ngarkua të ndërtojë 60 stalla të shpërndara në gjithë territorin Fier-Ballsh. Në të tre bazat e prodhimit të elementeve parafabrikate filluan të derdhen plinta, kollona, trarë dhe soleta, sipas projektit të institutit. Që me shikim të parë, inxhinierit të kontrollit teknik i ‘ra në sy’ mbi-armimi (fijet e hekurit) në soletat. Për t’u siguruar, kreu provat me ngarkesë në kantierin e Ballshit. Po ç’të shikoje! Nuk e pati gënjyer hiç syri! Habiteshin kur shikonin një ‘mal’ peshash me blloqe betoni mbi soletat në provë.

– Për dysheme, a mbulesë…? Ore, inxhinier, lopët do rrinë nën soleta, a sipër tyre? – ishin pyetjet që lëshoheshin pa doganë, si dhe përgjigjet: “Të rrinë ku të duan! Kur të jetë shi, brenda; doli dielli, lart në tarracë, të soditin fshatin, shtëpitë ku u rritën”. “Kush e ka bërë projektin, mor aman? Ia thoni, se gjynah” – po gumëzhinte Ballshi.

Habia, që po bëhej popullore, iu bë e ditur institutit të projektimit. Zhurmën e përhapte më tepër era e fortë e shqetësimit, që ngjalli në popull vendimi i qeverisë për dorëzimin ‘vullnetar’… E kishin më të lehtë të shanin soletat dhe projektin, se sa vendimin e qeverisë.

– Inxhinier, përse nuk e ngre zërin, të dëgjohet aty ku ka veshë? – nuk po e linin rehat, ndërsa ai iu bënte bisht përballjeve. I treguan me gisht faqen e murit të zyrave dhe laboratorit: Lexoje, lexoje, ju duhet ta zbërtheni atë parullë!

Në vitin 1981 parullat “Kursim, kursim, kursim në çdo gjë dhe vazhdimisht” të delnin para, nëpër faqe muresh, në çdo front pune, ku konsumohej material. Ishte ngritur më këmbë gjithë propaganda. Shteti kish filluar të ndjente të dridhura, madje dhe ethe… e të forta bile, qysh se i tregoi ‘vendin’ Kinës së Madhe të Mao Ce Dunit, aty, mbas viteve 70, kur ajo, shtet me popullsi rreth një miliard banorë, kishte guxuar të ftonte e të priste presidentin amerikan në vendin e saj, në Kinë, pa marrë më parë lejen e Shqipërisë ‘Motër’, tre milionëshe, në anën tjetër të globit, për këtë hap. Pas qejfmbetjes tonë, ndërprerja e ndihmave të fuqishme të Kinës lexohej tek boshatisja e magazinave, tek firasja e pandalur e rezervave.

Inxhinierit nuk i bënte fare përshtypje parulla! Nikoqirínë e kishte dhuratë nga vendlindja, Gjirokastra. Madje, parullat për kursimin, që u varën vitet e fundit në tërë vendin, në Gjirokastër u harxhuan kot, po të mos llogaritim qarin e banorëve të saj për t’u mburrur tashmë me ‘vesin’ e vjetër të kursimit, që erdhi më në fund dita të cilësohej virtyt dhe detyrë patriotike. Kuptim në Gjirokastër do të kishte parulla: “Gjirokastritë, mos e tepëroni me kursimin”, ose “Mjaft më me kursime, se…”, apo “Kurseni kursimin”!

Heshtja, mosreagimi i institutit të projektimit për rezultatin e provave, e vuri në siklet Inxhinierin, por, ç’është e vërteta, pozicioni i institutit ishte mjaft delikat. Projekti i dalë prej tij filloi të zbatohej gjithandej. Zgjidhja e vetme ishte të korrigjonte vetveten me një projekt të ri, të anullonte të mëparshmin. Por vështirësia qëndronte tek buja që do të shkaktonte. Vihej në pikpyetje serioziteti i tij.

– Duhet njoftuar titullari i dikasterit, vetë ministri! – ishte këshilla më serioze që iu dha, por Inxhinieri ishte në mëdyshje. Shkuarja tek ministri, përveçse i dukej se nuk ishte punë për të, e brente se mund të konsiderohej si paditës për institutin, ndërsa kishte raporte mjaft të mira me projektuesët, të cilët ndiheshin fatlumë kur projekte të tyre zbatoheshin nga NNI Fier (Ballsh).

– E trajton, s’e trajton ti, ky fakt u bë publik dhe nesër mund të ngarkohesh me përgjegjësi, se e ke fshehur … Ndërkohë, mos harro se duhet zgjidhur doemos brenda ministrisë së ndërtimit, ndryshe do të jetë një goditje për të si institucion. Vetë i pari i vendit s’ka pak që është shprehur: “Në ndërtim ka mjegull!”

Në vitin ‘81 ishte nga të paktat ministri, që kishte shpëtuar ‘paq’, pa marrë goditjet e tmerrshme, deri me ‘prerje kokash’ të drejtuesve më të lartë në disa ministri.

Duke ditur peshën që mbante ministria në shtetin me ekonomi të përqëndruar, druhej si të ishte para një kështjelle. Nuk ishte si ministritë e sotme. Ajo menaxhonte, përmes drejtorive, gjithë aktivitetin kombëtar për ndërtimin e hidrocentraleve, veprave industriale, banesave, institucioneve kulturore, ushtarake, bujqësore, blegtorale, sociale etj. Gjithçka!

Inxhinieri, me dokumentat e kontrollit në dorë, shkoi në drejtorinë industriale. Sa panë fotot e provave, vunë duart në kokë!

– Urgjent t’i bëhet e ditur ministrit, shokut Rahman! Është e domosdoshme! Projekti duhet ndryshuar! Pa një vendim nga titullari i dikasterit kjo nuk mund të bëhet! Ne sapo kemi dërguar për zbatim me firmën e tij projektin e stallave në të gjitha ndërmarrjet e republikës.

– Tek ministri çojeni ju! – u tha inxhinieri. – Detyra time mbaron këtu.

– Jo, absolutisht jo! Tek ministri do shkosh vetë! Ministri mund të pyesë, mund të kërkojë sqarime… Ato mund t’i japësh vetëm ti! – tha e vendosur drejtoreshë Yllka. – Ministrin po shkoj ta vë në dijeni unë. M’i jep pak fotot dhe prit këtu!

– Ministri po të pret në zyrë, – tha pak minuta më vonë, sa u kthye.

– Si ashtë puna, mor djalë? – u pyet, sapo hyri në zyrën e titullarit, që i kish para syve fotot.

Inxhinieri i shpjegoi me pak fjalë, se ka ndodhur një lloj ‘lapsusi’ me projektin e mbulesës së stallave. Modifikimi dhe përshtatja e projektit bazë të soletave të paranderura*2, për të ardhur tek albumi për stallat*3, ka lënë rezerva të panevojshme në armimin me hekur. Krahasimi me soletat për banesa dhe vetë provat me ngarkesë e vërtetojnë këtë…

Ministri e vlerësoi dhe e falënderoi inxhinierin për këtë konstatim, ndofta dhe iu bë qejfi, që zbulimi i kësaj rezerve u bë tek ndërmarrja, ku ai vetë kish qënë drejtori i parë i saj.*4

Dy ditë më pas inxhinieri u njoftua t’i bashkohej një grupi të madh inxhinierësh, pjesë e komisionit të ngarkuar nga ministri për të rikontrolluar në terren, në ndërmarrjen më të madhe të ndërtimit, atë të Kombinatit Metalurgjik Elbasan, se ç’përfaqësonte shqetësimi i ngritur nga NNI, Fier. Pjesëmarrja në këtë grup, më tepër e shqetësoi. U ndje i vetëm. Sjellja korrekte e drejtorit të institutit, kreu i komisionit, nuk e ndryshoi dot atmosferën jodashamirëse.

“Hej dreq! Komisioni është ngritur të rishikojë gafën e projektit, apo për të hedhur poshtë propozimin tim”? – vriste mendjen përse nuk shfaqej asnjë shenjë ndjese. “Mund t’ia kenë minimizuar humbjen ministrit, duke e justifikuar me rritje të sigurisë së objektit” – mendonte dhe përfytyronte si do qesëndisnin me të sapo të pëlciste si flluskë sapuni ‘zbulimi i difektit’…

Pak ditë më pas mbërriti projekti i ri i institutit të projektimit Tiranë për stallat. I korrigjuar! Kishin pakësuar mbi një të tretën e sasisë së armimit dhe në shkallë vendi u kursyen jo pak, por mbi 400 (katërqind) ton hekur special. Ishte shmangur një dëm mjaft i madh ekonomik për atë kohë! Dihej se vetëm për koston e një gjysëm toni hekur ligjet e kohës të rrasnin vite të tëra në burg. Vlera e kursimit barazohej me rreth 2500 rroga inxhinierësh. Pra propozuesi ‘siguroi’ rrogën e tij për… 200 vjet…!*5

Inxhinieri u çlirua nga sikleti i “paditësit”, jo nga sjellja mospërfillëse që i rezervuan fajtorët, por sepse autorëve nuk iu hyri ‘gjemb në këmbë’. Eeeh, sa mirë! Të mbathurve me ‘patkonj’ partiakë nuk ua shponte dot lehtë ‘gjembi’ këmbët!

***

Ngritja e stallave ishte një dramë më vete. Pozicionet e tyre ishin në mes të fushave, apo faqe kodrash, në vendet më të përshtatshme për kushtet e kooperativave, por pa kurrfarë kushti për ndërtuesit, sidomos fillimi në dimër. Të përpinte balta në Myzeqe dhe për telashet e ndërtimit nuk bëhej kush merak. ‘Të vriste veten’ dhe objektet t’i dorëzonte me cilësi në afat! Në atë kohë sektori i ndërtimit, i renditur i fundit në planet qeveritare, ishte: ‘I pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime!’

Ajo që mbeti deri vonë në kujtesë nga aksioni i ndërtimit të 60 stallave në Myzeqe e Mallakastër, ishte gara mes Grecallisë dhe Zharëzës, fshatra të dëgjuara të Fierit. Garë i thënçin! Fituesja e kësaj gare ishte paracaktuar, Zharëza! Epërsinë ia jepte vetiu emri “Enver Hoxha” i kooperativës. Dhe masat ishin marrë aty për ceremoninë e çeljes të aksionit të dorëzimit ‘vullnetar’ të lopëve, mirëpo në Grecalli, tekniku i stallave, një farë Jorgji nga Kolkondasi, bëri të pabërën. Sikur po e ndihmonte “Shën Kozmai”, shënjti ortodoks i manastirit në fshatin e tij, përballë stallave, matanë lumit Seman.*6

Përshpejtoi ritmin, duke ndryshuar radhën e punimeve! Ndërtoi edhe dyshemenë e stallave para se të ngrinte plotësisht muret primetrale dhe pa hedhur ende mbulesën me soleta. Ka të ngjarë që kjo mendje t’i kishte ndritur kur bënte kryqin fshehtas, veçse, po të ketë qënë e vërtetë kjo, të jeni të bindur se, para ‘faljes’ e ndërronte kanotjeren, ku mbante ‘të qepur’ teserën e partisë.  Ndërkohë “Enver Hoxha” po vonohej të priste i pari lopët në stallën e re! Turbullim në sferat e larta në Fier. Duhej anulluar gara, por kjo nuk mjaftonte! Duhej fshirë, duhej harruar ajo garë! Si t’ia bënin?! Hall i madh!

Nga Reparti Ushtarak në Qafën e Lalarit, Patos, u qëllua me raketë. Ajo plasi larg cepit të stallës në sektorin e Zharëzës, duke krijuar një gropë të madhe. Habia shpërtheu më fort se vetë raketa. Kush nuk i njihte raketat, krenarinë e armatimit?! Gjithë populli, para ekraneve, mezi priste t’i shihte ato në mbylljen e paradave madhështore në përvjetorët e çlirimit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara tribunës së udhëheqjes…

Çudia e goditjes me raketë, për vetë namin që kishte kjo armë, mori dhenë. U fol: “Aksident! Gabim i ushtarit rojë, kot, shkrepur për kuriozitet…”, por më pas nuk munguan dyshimet: “Uaaa, arma më e tmerrshme, pa siguresë, lënë rastësisë të shkrepej ‘pa dashje’”, e më tej vënie në vend e nderit të saj: “Do jenë raketa mësimore, nuk bëjnë zarar, mezi hapi një gropë në zonë kënetore”!… Ky përgojim u dogji keq atyre lart. Raketat mbaheshin si armatimi që do t’i vinte vulën fitores sonë mbi superfuqitë, Amerikën me Rusinë, bërë bashkë nga e keqja e madhe që i pat gjetur, ngaqë e dinin me kë do përballeshin… Gojë të tjera u kujdesën të sqarojnë se arma e shpërthyer nuk e kishte mbushjen luftarake… Po raketat e tjera?!

Krye-arma vërtet hapi një ‘vrimë në ujë’, por punën tjetër e bëri më së miri. Gara u harrua! Si me dorë Zoti u ndalua të shpallej fituesi mes dy ‘shënjtorëve’…

***

Mënyrën se si do të bëhej ‘vetë-dorëzimi’ i lopëve partia e kish studjuar me merak të madh. E dinte se nuk pritej dyndje, kush ta dorëzonte i pari. I druhej shumë reagimit mospranues, sado të heshtur, ndaj e projektoi si ditë feste! Udhëheqësit kryesorë, të moshuar, të shkëputur nga realiteti, dukej sikur nuk ishin në gjendje të parashikonin rezultatin real. Udhëheqja ëndërronte dhe çdo herë që nuk i dilnin ëndërrat, sajonte fajtorë, ‘shkaktarë’ të gjorë, të cilët i masakronte. Deri në vitin 81 kishte bërë jo pak të tilla…

Por, jemi tek festa! Dasëm e madhe pa krushq e pa dasmorë, ama me orkestër! Sazexhinjtë mbaheshin në gatishmëri… Fshatit, që nuk kishte gërnetë, i sigurohej, borxh nga fshati tjetër. Dhe lahej borxhi i marë me huadhënie muzikore. Gjitonia për ditë të keqe, po edhe për gaz! Një unitet mbresëlënës mes fshatrash fqinje, por kur fshati rastiste pa saze, iu gjendej pranë shteti me sazet e arixhinjve. Kjo ishte situata në fillim, se më pas nuk u lejuan të luajnë më sazexhinjtë në fshatin e tyre.

Nuk mund t’i shpëtonte syrit vigjilent, qoftë edhe një rast i vetëm, kur festa rrezikohej. Ustait të famshëm të gërnetës, që i qe bërë balli ‘plagë’ nga ngjeshja e pesëqindsheve në dasma, iu thye në buzë kallami i instrumentit, sa i doli para syve lopa e tij. “Mirë që nuk kapërdiu gërnetën komplet”! – i qanin hallin zëra ‘armiqësore’…

Ama tangërllëk i madh në fshat! Po mos shkonin sazet derë më derë, nuk dilnin lopët! Secila në haurin e vet donte këngën e saj! Madje dhe aty ku ishin dy-tre lopë në një haur, donin këngë secila. Po iu shqyheshin bulçitë sazexhinjve të veglave frymore. Vetëm klarineta nuk po ia dilte dot të bindte lopët, ishte dashur banda frymore! Ahengu i zhurmshëm ndihmonte fshatarët të nxirrnin gulçet pa u ndjerë. Nuk e zotëronin dot ngashërimin e brendshëm në festën e madhe. I tradhëtonin lotët, dënesjet, qarjet pa zë, kur fëmijët, ca më keq, lebetiteshin kur shihnin fytyrat e lotuara të prindërve në vargun e kortezhit me familjarë të pikëlluar, si për rob shtëpie, në përcjelljen e lopës së shtrenjtë.

– Janë lotë gëzimi!–buzagaznin dashamirësisht të deleguarit, por ajo rrëke që derdhte fshati ditën e ndarjes me anëtarin më të begatë të familjes, nuk do të reshtte më! Me lotë do ta njomnin më pas bukën e fortë të misrit…

Ndërtuesit po! Ata ishin vërtet të gëzuar. Me hyrjen e lopëve në stallën e re, objekti quhej i dorëzuar. Dorëzim objekti me saze nuk kishin rastisur asnjëherë, as kur kishin vënë në punë fabrika e uzina, që kishin zgjatur pesë-gjashtë vite punë. Muratorët, banorë qyteti, u ishin afruar sazeve, këndonin e kërcenin për shtatë palë qejfe. Gëzimi i partisë ishe gëzimi i tyre.

Në Grecalli teknik Jorgji ishte në ballë të valles, ndërsa arixhiu ia mbante gërnetën tek veshi. E ngazëllente ajo e shkretë klarinetë më shumë se shokët dhe ‘më të ardhur në qejf tekniku, o shokëni’, sa nuk arriti ta njohë lopën e dajos, atë lopë, ‘psheshin’ e të cilës nuk e harronte edhe pse u bë burrë. Dajos, përballë, iu errën sytë. I humbi lopa, sa pa nipin bërë çakërqejf, që sokëllinte këngë…

I vrerosur, fytyrësterrë, i pafuqishëm të duronte atë pamje, la lopën në festën e nipçes dhe u nis për tek e motra në Sheq.

Kokëprerë, fliste rrugës me vete!

– Ça u beti kshu, re? … Ç’qe qo hata e madhe, aman, e? … Aree, kush do na i sjellë qumështin e lopës nesër që në mëngjest, e?… Po barin e lopës ç’a ta benj nashithi, apo ta hamë vetë? – dhe iu kujtua ajo parulla “Bar do hamë …” e, kur mbriti në Sheq, nuk e vuri re fare motrën jashtë, me pulat, vënë dorën strehë në ballë, sikur nuk po e njihte.

– Re, Koli, si të mërzitur të ka motra sot! Dal, ta benj një kafe, t’u befsha! Imethi sa e blova pakon e muajit (50 gr). – foli dridhëruar nga pamja e pikëlluar e vëllait.

– Se qysh u pëdrodhti qo punë, nuk di ça emër t’i venjë Koli. – ia nisi. Na u thati se do rritej mirëqenia. Ça patën me lopët këta, re? Jo, jo, nuk u bëti, si u thati sefte!

– E ka thenë partia, re vëlla, “do ta benj fshatin si qyteti” apo çka?!

– Po qytetin, a e di ti pse është qytet, moj e mençmja ime?… Heee! Se e mban fshati! Po u bëti dhe fshati qytet, kush do t’i mbanjë të dyja?

– Koprativa, re, koprativa! … Are, Koliii! Sukur nuk po më dukesh në rregullt ti, re. Mos po kërkon të ndjekësh lopën past, e? Apo të ka shkuar mendja për ca vite burgt? Mblidhe mendjen, se kemi djem, kemi një vargan fëmijë! Hë, të keqen motra ty!

– Sa parakaloi lopa ime, u ndezti keq kënga, – e vazhdoi muhabetin aty ku e pati lënë. Kur, ça të shikonj unë, Jorgji, nipi moj, yt bir!

– Hë, re!

– Kërcente e këndonte për qejft. Ua, uaaa, ça ben qy, po thoshnja?! U marrosti nipi! Po sa bukur që kërcente qeni, sukur martonte djaln’e vetëm, ça të shikonje!

– Për ça kërcen ai nipi jot, më pyeti me zë të ulët, mos dëgjonesh, Loni, … ai moj, që e ka të shoqen pak si çalamëne. – Jalla, për lopën tënde, re Koli? – më tha. Mos e di nipi, se po e nxjerr nuse, ta çosh në shtëpinë e burrit? – ma dhjeu psi Loni.

– Po Llazi, re, aman, e nxorri lopën e tijt, e?

– Oj, të nxjerrë, thotë qo! Po, Llazi është antar partiet moj!

– Ç’a bënte, re, aman, ç’a bënte?

– Llazi dobiçt, moj! Nderoi me grushtin lart, m’anë të ballit dhe brriste: “Të rronjë partia, të na rronjë partia sa malet”! ama sytë ngulur poshtë, nga fushat!

– I mençëm Llazi, re Koli. Nuk e dhenka veten.

– Jo vetëm Llazi, me. Ata sukur a patnë bërë me llaft. Të tërë komunistët e fshatit. Ja! Grushtin kokës! Ne, që ua dinjim hallin, ua kuptonjim… po i binjin kokës me grushte!

– Me hakët, re vëlla, me hakët. Një rrallë fëmijë, si do t’i rrisin pa lopët?

– Pse, me, kështu e patmë llafn’e parë me komunizmën? Të na heqë pikën e qumshit nga goja? Ça i bemë ne kësaj partie, ta mbanjë mend, apo nuk ia mbushtim rradhët me komunista? Dhe ça komunista se?

– Ajkën, ajkën i dhamë, t’u befsha! – kish parasysh Jorgjin e ëma, kot nuk ia kishin varur foton në mur që ditën që u pranua kandidat.

– Tokort jam dhe unë, të rronjë partia, po, që të rronjë ajo, duhet të vdesim ne?

– Po, kshu esht’ thenë, re Koli, e japim edhe jetën për partinë!

– Po partia, ç’e do veten pa ne, moj e uruar?… Aaah, more Jorgji! Dhe, ngjo këtu ti! I thuaj tët-biri, të mos më dalë para!… Eeeh, moj motre! Po, ti të të rronjë djali e mua nipi! – u ngrit xha Koli, s’e mbante vendi.

– Po iki, o motre, po iki me të mirë, mos më gjenjë këtu ai, mender nipi im.

– Mos ma shaj Jorgjin, t’u befsha, se e kam florit, e kam!

– Jo, moj, jo, si urdhon, nuk ta shanj atë, do shanj lopën unë, që nuk plasi në vend kur e nxuarrëm nga avllia, dhe le të kërcente e të brriste ai! Pak qumësht ka pirë yt bir, moj e uruar, nga ajo lopë? Pooo… nuk do ndahem përjetë me nipin unë, jooo! Kur të ma sjellë koprativa racionin e qumshit, siç e pata, do pajtonem me Jorgjin e do t’i kërkonj të falur. Beqma, po qeshë gjalltë!

***

Po, vallë, si i shkoi filli reformës?

Si çdo gjë në ato vite! Ndryshe nga ç’pritej, por, siç e parashikuan specialistët dhe fshatarët! Ra ndjeshëm prodhimi i qumështit. Bënte: “Muu” procesi, më keq se vetë lopët, që nuk u pushonte ‘mu’-ja në stallat moderne. Pallma e tyre rrëqethte fshatin. Qenë mësuar keq tek privati ato! Iu kujtoheshin përkëdhelitë që iu bënin, apo fytyrat dhe zërat gazmore të çamarrokëve të vegjël, ledhatimet, si dhe kullotja në natyrë, buzë kanaleve, pse jo, edhe bari i haurit…

Ndërkohë partia dhe pushteti, në këmbë, nëpër aktive linin popullin hutuar, gojëhapur, si prestigjatorë:

– Ja stallat, ja lopët, ja bari, ja…! Hë, pra, gjejeni, ku është qumështi!

Fshatit iu hap avaz i ri. Një krah pune i çdo familjeje duhej për sigurimin e ‘racionit’ ditor të qumështit dhe, si me magji, pas ikjes së lopës nga shtëpia ishte liruar vetiu krahu i punës së re… Ça fati! Por e keqja kish marrë rrugë. Pas pakësimit të ndjeshëm të prodhimit, në fshat humbi fare qumështi. Tek dyqanet e bulmetit në qytetin e Fierit, të parët në radhë u bënë, befas, fshatarët! Më mbrapsh se kaq nuk kish ku vente! Fshatari mbante radhë për qumësht në qytet! Dhe siii! Që më dy pas mesnate! Vinin me biçikleta, goxha rrugë në errësirën e thellë, vetëm për një shishe litroshe, nga gati dhjetë litra, që iu jepte lopa gjer ‘dje’ në shtëpi.

Edhe më keq, pa asnjë pikë qumështi mbeteshin qytetarët, që delnin me vonesë në radhë, aty nga ora katër e mëngjesit. Sidomos ata, që kishin qënë turni i dytë në punë dhe kishin rënë për gjumë mbas dymbëdhjetës.

Në kthim për në shtëpi, me shishet bosh, pangopur me gjumin, që iu doli plotësisht nga britma e shitëses: “Qumshi mbaroi”, flisnin me vete. Më saktë, mërmërisnin mbytur, të kujdesur mos u dëgjohej asnjë rokje në ajër:

– Pse nuk na i bëjnë edhe qumshin si djathin e gjalpin? Bukuri që të dyja, me raciont, me listat e vulosura nga Këshilli i Lagjes! E di që një gjysëm kile djathë e ke të siguruar çdo pesëmbëdhjetë-ditësh për çdo familje, po ashtu dhe pakon e gjalpit (100 gr). Ka lezet, or burrë!

– Ama, burrë dhe ça burrit se?! Burrë me gramaturë! – tundte kokën pakënaqësia.

– Si mishin! – ia mbante ison zëri tjetër i ‘nëndheshëm’. Një kile në muajt për familje! Dihet, do gdhihesh një natë të tërë në radhët, po shteti, ama, është i dytyruar të ta siguronjë dhe i del për zot, ke të ndrejtën të ankohesh, po të mbetesh pa racion. Mund të të qëllojë kockë, po, është tjetër gjë; nuk ka faj shteti, ajo të takon ty, or i mbaruar! Gjeja anën, mbaje mirë me kasapin…!

– Ça, re? Kasapi, kaluar sekretarit të pare, ku të vjen radha ta takosh?!

– Are! – bëlbëzonin kujdesur se nuk kish veshë të tjerë afër. – Po, si humbën në Shqipëri gjithë prodhimet blegtorale, xhanëm? Çfarë ka ndodhur? Ça po bëjnë lopët që u grumbulluan në tetëqind stalla, forma edukimi? E harruan zanatin ato, apo …? Ku shkon qumështi i tyre? Ça po i bën shteti prodhimet? Ku, dreqin, po firojnë? – por zërave armiqësorë, që nxirrnin kokë në vetëdije, edhe pse nuk i dëgjonte kush, ua zinin frymën të zotë, të mos u delnin në sipërfaqe, se vetëm për një “s”, nga “ka” në “s’ka”, e  kishin siguruar një vend në burg dynjaja.

– Ia merr eksporti, ere, eksporti! Me ça ta çanjë bllokadën shteti? Kot brret partia? Apo nuk ta mbushti tërë vendin me bunkera?! Për kokën tënde po i ben, se nuk po i ben për vetet ajo.

– Po, aman ere, le ta lerë një bunker mangut e të na bënjë ndonjë dhomë, se po rrimë tre familje në një hyrjet, ndarë me perde, o, në ke perëndi, ngjove?!

– Ta lerë mbrojtjen, thua ti, re? Të të vinjë amerikani te dera? Hik e rrxohu tujtje!

– Uaaa! Nga do vinjë amerikani, or aman; çelsat e Otrantos i kemi ne, tha komandanti ynë?!

– Are, po ai qerrata amerikani ka çels kopilt,e!

– Po për ça i mbajmë çelsat ne, kot, e? Pastaj, pse do vinjë të na pushtonjë ai? Ne të gjitha prodhimet atijt po ia çojmë me eksport, e ia dorëzojmë tek dera e shtëpisë të zgjedhura, të pastruara, xhamt, e. Ça do benjë më shumë, po na pushtoi ai?

***

– Ma jep xhaketën ta hedh krahëve, se to dal!… Një mendje më thotë të qëndronj andej për drekët sot, – i mallosur xha Koli doli tek dera.

– Po e bën njëlloj si maherez, vite më parë, qysh para stallave, po kush ta paska shtruar sot, o burrë, kujt do t’ia zesh derën?

– Do shkonj nga motra në Sheqt. E djelë, beqma takonj edhe nipat, Palin, se me Jorgjin po hahemi si qeni me derrin.

– Mos shko duar bosh, t, ere, se na i nxive faqen!

– E ça të marr në dorët, më thotë qo, sukur kemi gjë për të çuar? – fliste me vete.

– Merre, merre atë gjysëm litër qumësht, që nuk u përdorti! Çoja motrës, të njomë buzët; e pamundur e gjora!… Turp eshtë të të shohë njeri, të çosh një gotë qumësht nga njeri fshat tek tjetri, poo… çdo gjë to rrugullohet, navash-navash!

– Moj, me gotën plot nuk kam turp hiç unë, po kam frikë mos ma vjedhin rrugës. Po ma panë, nuk u vihet faj. U eshtë berë njerëzve syri filxhant! – dhe doli.

Fukarallëku ishte shtruar këmbëkryq. Vlera e ‘ditës së punës’ në kooperativa sa vente e ulej. Për të mbajtur frymën gjallë, sidomos në fshat, ku jetonin dy të tretat e popullsisë, iu kthyen ‘punës së natës’, vjedhjes. “Bereqavres nga nata”! Merrnin djersën e tyre para se t’ua administronte shteti. Ama ruheshin! Qumështin që merrnin nga bidonat e stallës, kush riskonte, e zëvendësonin me ujë. Niveli nuk ndryshonte, as ngjyra!

Eeeh, ç’e pati gjetur belaja! Sado që përpiqej xha Koli ta largonte mendjen nga skamja e shtuar nëpër vite shkallë-shkallë, mendja, qeveri më vete, nuk i bindej fare…

– Më duket sukur shteti po ben provë se sa mund të duronjë populli pa ngrenë, si ajo historia e Nastradinit me hajvanë, që i nderi kembët të dhjetën ditë, – i thoshte mendja, pa e pyetur fare!

Varfërimi në ekstrem në Shqipërinë e atyre viteve, i bëri njerëzit të harronin edhe ç’të mira patën pas ‘44-ës, kur komunizmi iu dha tokën, paçka se ua morën më pas me kooperativat; u hoqi malarjen, u siguroi arsimin dhe shëndetsinë falas e mjaft cilësore, plus të tjera e të tjera… Po ndiheshin përsëdyti të tradhëtuar pas asaj të fillimit, kur demokracinë e premtuar, “Për një Shqipëri të lirë dhe demokratike”, ua ndërruan me diktaturën më të egër të kohës.

Ja, pra! Rrugës këto i bluante dajos ‘mulliri’, paçka se ia ndërpriste ‘ujin’ herëpashere.

– Ou, dajuaaa! Ahaa… kush vjen pa ftuar, e gjen pa shtruar! – qeshi nipi sa e pa në kohë dreke, t’u hyjë në shtëpi.

– Me atë peshqesht që kam sjellë, do t’ua shtronj unë sofrën! – ua plasi miku.

– Jalla, o dajo, ça ke sjellë, florit, e?

– Florit e shkuar floririt, o nipç ! – dhe nxorri vazon e qelqit të mbështjellë. Hape Jorgji, hape, ia solla motrës, ia solla satëme…!

– Ah, ç’ma lërove zananë, o xha Koli, ngjove, apo jo?! – i ra ballit nipi, sapo dalloi ç’kishte mbështjellë. Po unju, unju, se ke bërë goxha rrugë më këmbë!

– Re, Jorgji, – ia nisi shtruar dajua, si u përqaf me të vegjël e të mëdhenj e nuk i pritej të fjaloste -, se bejta ngjon donjë llaft më shumë nga ne ti, ç’a flitet, ere?

– Partinë e kemi të fortë, xha Koli, dhe po qe ajo, to rrugullohet çdo gjë! – e kish shtegun gati nipi për të dalë nga ‘pritat’ e dajos.

– Po, shyqyrt,e!… Po për bulmetin ça thuhet, re, aman? Do ta arrinjë dot më pas, ta benjë psi, siç e patmë? Makar sa gjysma, se shumë patëm fërtet, na tepëronte, shitnim në qytet…! – dhe shikonte me dyshim tundjen me vendosmëri, lart-posht, të kokës së nipit.

– Beson fërtet ti, re, Jorgji?

– E besonj që ç’ke me të! Ça ka thenë Partia e nuk u beti? – dhe duke lexuar dyshimin në sytë e plakut, shtoi: Ja të të japë një shëmbëll Jorgji ty!

– Hë, re, aman! – dhe i ndërroi çehria dajës. Po qysh, e? Paska fërtet një shembëll e ma mban fshehur? Turpt, e!… Ama, xha Koli jot e do shembëllin me prodhimet bujqësore e blegtorale, o bir, me ato që u benë me racion, ose humbtin fare. Mos më numëro fambrika, siç e ke zakon të më ngopësh ti, se fëmijët nuk i hanë fambrikat!

– Aaashtu de! – dhe, sikur nuk dëgjoi asgjë ç’i tha dajua, u ngrefos mirë nipi para se të shpallte me bujë shembëllin, që tregonte largpamësinë e partisë, besnikërinë e saj ndaj popullit, përpjekjet për një jetë më të mirë, për bollëkun e premtuar … I ke parë raftet në dyqanet e fruta-perimeve, që ishnjin bosh?

– Edhe që janë akoma! – zëmekur, me tundje koke mohuese, e shoqëroi xha Koli.

– Që janë, ama… që nuk do jenë! – me ton të lartë, krekosur mirë, vendosmërisht, ligjëronte nipi. Jo shumë larg, por pardije, erdhën patate me thasë rrjete. S’kishnjam parë kurrë në jetën time!

– I harrove fare patatet ti, re Jorgji?

– Po them me thasë rrjete, importi, re! – bërtiti nipi… Ça të shikonje?! E zinje kokrën e patates me dorë, nuk bëhsh dora pist, e! Të lara, po them, ere! Le kur u gatuati gjella… ! Ça shijeee?! Sa fusnja lugën në gojët, ja, “Për këtë bukë që hamë”, mejtonja sikletin që hoqi shteti për t’i gjetur e për të na i sjellë nga importi.

–  Po, pse, me gomart i solli shteti rrjetat plot, o bir? Vamporët tanë, që çajnë oqeanet e shkojnë dingas, në të këthyer bosht ardhkan? Pastaj, … me rrjeta, sa dinj unë, zihet peshku në lumët, e jo patatet në fushë të perëndisë! – dhe hendeku i bisedës sa vente hapej, po nipit nuk i bënte më përshtypje. “Dajua nuk i gjukon gjërat me partishmërit!” – e justifikonte përplasjen me të -, “Shikon interesin e tijt, nuk do të dinjë për hallet e shtetit”.

– Re Jorgji, – e uli edhe më zënë, – troç po të pyet dajua jot, qo, partia, di gjë se dyqanet janë bosht, e? Po që humbti qumshi, humbti mishi, djathi, vaji i ullirit… të gjitha, patatet e gjer tek preshi?

– Po, i ha eksporti, re dajo, që farmak e ke atë gojë; po, hidhërimin e paç për kokën tënde e mos bëfsh dëm në vathët, ngjove, ngjova, thuaj!… Ja, ça thua ti, si ta zgjidhë partia këtë situatë, që i krijojnë armiqtë, jasht’e brenda? Pa mejtohu një herë! – ia vari dajos në qafën e holluar kumborët e drejtimit të shtetit dhe le t’i tundëte, të shikonte se sa e lehtë ishte të ankohej dhe, duke ndjekur se si do rrëzohej dajua nga pesha e rëndë, iu çel fytyra e po ia mbulonte gazi.

– Kollajt fare, re Jorgji, po ule atë zenë, mos na ngjojnë komshinjtë, ore t’u beftë dajua ty!

– Po të ngjoj! – i tha Jorgji dhe qëndroi në pritje, serbes, veshëngritur.

– Le të na eksportonjë edhe ne, fshatarët, bashkë me prodhimet! – pëshpëriti më në fund. Për ça na mban ne këtu, kur na i merr të gjitha, ja më thuaj ti, o nipçe, që dole më i mençmi në fist. – dhe, pa pritur përgjigje, u ngrit. U ngrit dhe nuk po lëvizte, qëndronte më këmbë si i penduar. Nuk donte të qëndronte më, por nuk dinte as ku të shkonte. Uria i kujtoi në çast, se në shtëpinë e vet e prisnin të ngopur …

***

Or, po, çfarë mallkimi paskish qënë, xhanëm?!

Lutem, të më falë lexuesi, po kur kujtohet ajo periudhë, të ngrihen flokët përpjetë!

– Përse duhet të shkonte gjer në zgrip ushqimi i shqiptarëve, që jetonin brenda kufijve shtetërorë?… Të gjorët, të çliruar, të pavarur, me shtetin e tyre, me kapacitete prodhuese më se të bollshme… kush, përse po i dënonin?

– Oiii, re Themi!

– Populli me partinë qenë të lidhur si mishi me thoin, por nga fundi nuk u morti vesh kush ishte thoi e kush mishi! Nga të pangrënët u katandisti edhe populli ‘thua’! Po vinte radha të mbeteshin bashkë thoi me thoin. Do çirrshin, doemost! Siç u çorrtin…!

Edhe sot, mbas kaq kohe, duket e pashpjegueshme marría e keqqeverisjes ekonomike të viteve ‘80, marría që shpiku edhe tufëzimin e lopës së vetme.

Tufëzimi! As më shumë e as më pak, një vetvrasje shtetërore!

Përse?!

Mbetet të besohet se, pasi ia kishte ndrydhur pakënaqësitë me diktaturë të hekurt, ndofta partia e varfëronte popullin e vet, të mos kish fuqi ‘fukaraja’, për t’ia shkulur asaj rrënjët…! Kështu do t’i binte, që të mos ketë qënë aspak marrí varfërimi! Atëherë i takon të ketë qënë një punë mjaft e hollë! Po ky hamendësim do të donte të kishte edhe ndonjë argument konkret.

Po ja! A mund të konsiderohet e rastësishme që të humbisnin ushqimet njëherësh me rënien e fuqisë blerëse dhe që dyqanet të zbrazeshin njësh me xhepat dhe të rrinin zbrazur njëkohësisht?!

***

I urti ka thënë, se pas çdo humbjeje fshihet një fitim, sado i vogël, por në këtë vetëflijim madhështor duket i pamundur, njëlloj si të kërkosh gjërpërën në kashtë.

Duhen pyetur ndërtuesit e stallave, ata që kërcenin e këndonin me sazet në ‘varrim’…

Po, po! Nuk mungoi fitimi edhe në këtë hata! Veç, sipas kësaj ‘historie’, nga aksioni kombëtar i tufëzimit të gjedhit i vetmi fitim paska qënë ai, kursimi i katërqind-tonëve hekur special, me rezistencë të lartë, që i shpëtoi ‘groposjes’!

Por jo vetëm!

Edhe kursimi i një fletushke vlerësimi, që mund të meritonte propozuesi …*7

 

 

 

 

Shënime

*1 – Vendimi historik rezultoi ‘histerik’…

*2 – Projekt i Institutit të Projektimit nr.4 në Tiranë – Albumi A-79 – “Projekt për soletat e paranderura me 7 bira.” Autor kryesor inxhinieri i talentuar Elmaz Xhediku, drejtor i institutit. Një punë e shkëlqyer për kohën. Rriti ndjeshëm ritmet e ndërtimit të banesave.

*3 – Në Albumin për stallat, autorët, me tendencën për t’ia thjeshtuar sa më shumë punën e zbatimit, e patën tepëruar aq sa inxhinierët delnin të tepërt.

*4 – NNI Fier u krijua më 1965 për ndërtimin e kompleksit gjigand industrial: T.E.C. 100 MW dhe uzina e plehrave azotike Fier. Rahman Hanku, zv. Ministër, u emërua drejtor i saj. Fuqiplotë, me autoritet absolut dhe kompetenca kryeministrore mbi gjithë hallkat e shtetit.

*5 – Publikuar nga Inxhinieri në Revistën “NDËRTUESI” v.1981, nr. 3. Kursimi ≈ 540 kg hekur ø 4, me rezistencë të lartë, për një stallë (56x9m). Për 800 stalla ≈ 400 ton, e barabartë me ≈ 2500 rroga mujore inxhinieri. Falënderoj inxh. Lefter Sila, kryeredaktori i revistës, i cili më solli ‘dhuratë’ fotokopjet e disa shkrimeve të mia në vitet 80 – 90.)

*6 – Manastiri i “Shën Kozmait”, ngritur buzë lumit Seman, në fshatin e vogël, Kolkondas, nga Ali Pashë Tepelena me kontributin e banorëve.

*7 – Prej vet-asfiksimit gjer në mbytje, shteti nuk ishte në gjendje të vlerësonte qytetarët e vet sipas kontributeve. Lufta e klasave ishte kthyer në tabu. Sinonimi i saj ≈ ‘tabuti’!/albspirit.com

Please follow and like us: